Berisha: Me dënimin e Bejlerit, Edi Rama u faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, është ndalur te vendimi politik i GJKKO-së për të dënuar me 2 vite burg Kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerin.

Sipas Berishës, ‘me dënimin e Belerit, Edi Rama u faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka sqaruar se çështja ‘Beleri’ nuk është një çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, por para së gjithash është një çështje e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve.

Sipas Berishës, ‘të gjitha këto vendime antikushtetuese kanë vetëm një shkak, interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës’.

FJALA E PLOTË:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme për qëndresën tuaj të pamposhtur, misionin tuaj shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Miqtë e mi!

Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën.

Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë.

Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit.

Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj.

Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve.

Të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushetit të krimit.

Miqtë e mi!

Çështja Bejleri nuk është një çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, por para së gjithash është një çështje e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve.

Është një çështje para së gjithash e të drejtave dhe lirive universale të qytetarëve të lirë të një vendi.

Nëse një njeri, një i zgjedhur arrestohet mbi bazën e një kurthi të poshtër, të ulët dhe mbahet 1 vit, nuk lejohet të bëjë betimin në kundërshtim me parimin universal të prezumimit të pafajësisë, nuk lejohet të takojë ata që e votuan, në kundërshtim me praktikat e mëparshme, kjo është dëshmi flagrante se këtu është vendosur një regjim që nuk njeh votë dhe as parim, nuk njeh votë as zgjedhje.

Dënoj me forcën më të madhe vendimin e gjykatëses me tre mbiemra, vegël e verbër e Edi Ramës.

Dënoj qëndrimin e Edi Ramës, që i mbyll dyert e integrimit Shqipërisë, vetëm e vetëm për pushtetin e tij. Vetëm e vetëm për ambiciet e tij mafioze.

Të dashur miq!

Pse kjo shkelje flagrante e Kushtetutës, e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Pse ky përkeqësim i madh i marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Të gjitha këto kanë vetëm një shkak; interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës. Interesat mafioze të klaneve të tyre të drogës në brigjet e Himarës.

Miqtë e mi!

Shqipëria sot u faktua ashtu siç është, Shqipëria e Edi Ramës, një diktaturë e shëmtuar, një regjim karikatur, një regjim të cilin ne duhet ta fshijmë nga faqja e dheut, me vrullin, idealet dhe guximin tonë.

Sot gjykatësit vasal të Gjykatës së Lartë, pengje mjerane të Edi Ramës zbatuan urdhrat e skapit të partisë dhe u bënë palë me puçin konstitucional, me marrjen e pushtetit nga gjykatës që nuk kanë ligj e as moral dhe vendosën të mos shqyrtojnë apo hodhën poshtë ankesat e avoketërve të mi dhe Jamarbër Malltezit.

Ky ishte një akt mjeran, një akt i turpshëm, por askush nuk mund të priste tjetër gjë. Imagjinoni miq.

Dy prej këtyre gjykatësve janë ata që 10 ditë më parë firmosën për të detyruar gazetarët të tregojnë burimet e lajmeve, në një kohë që po këta të dy 1 vit më parë kishin firmosur të kundërtën që gazetarët nuk duhet dhe nuk mund të tregojnë burimin sepse kjo cenon rëndë të drejtën e informacionit dhe lirinë e shprehjes.

Të ndalemi pak.

Çfarë ndodhi në harkun kohor rreth 1 vjeçar.

Në harkun kohor rreth 1 vjeçar, pushteti mafioz i Edi Ramës me Sadushin e tij u bë absolut në Gjykatën e Lartë.

Sot kjo gjykatë funksionon në mënyrë identike si një sesion i partisë së krimit, i PS-së.

Ata nuk gjykojnë më në salla, nuk gjykojnë më me palë, nuk gjykojnë më me avoketër dhe paditës, ata gjykojnë vetëm me njëri-tjetrin në salla të mbyllura, sikur të ishin koska mafioze të PS-së.

Të dashur miq!

Këto janë vendimet në një kohë kur Dumani, Kraja, Melonai dhe anëtarë të tjerë të organizatës kriminale të partisë janë bërë mburojë e papërshkueshme e vjedhjeve të tmerrshme të Edi Ramës, i cili nuk ka të ndalur.

Pa aferës që arrin në 1 miliardë euro dhe që vazhdon dhe sot non stop, të djegësve ku Rama është autor kryesor me firmën e tij të zezë, Edi Rama shpalli këto ditë se prokurimet publike do ti japë me koncesion.

Dmth do të japë me koncesion shpenzimet e administratës shtetërore prej 1.5 miliardë euro në vit.

Sigurisht koncensionari është gjetur, sigurisht që ndarja bëhet 50 me 50 %.

Miq!

Nëse ne me guxim nuk vërsulemi të përballemi me këtë regjim, ky regjim do të shkatërrojë Shqipërinë.

Ky regjim do të përvetësojë pasuritë e këtij vendi, do të përzërë shqiptarët nga Shqipëria.

Jetike është beteja jonë, jetike është mosbindja jonë civile, ndaj dhe ne të bëjmë gjithçka për një bashkim të fuqishëm me mbarë popullin opozitar.

Të bëjmë çdo gjë në betejë të vazhdueshme pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi.

Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.

Me Edi Ramën votë të lirë nuk ka.

Me Edi Ramën liritë dhe të drejtat e qytetarëve janë në duart e krimit dhe të tij.

Me Edi Ramën drejtësi nuk ka për qytetarët shqiptarë.

Pasuritë e vendit grabiten, plaçkiten çdo ditë, kurse shqiptarët largohet nga Shqipëria si nga ndonjë vend i mallkuar.

Ndaj dhe ju bëj thirrje qytetarëve shqitarë kudo që janë; të ngrihen sepse kurrë nuk do të kenë të ardhme si qenie jo të lira.

Imagjinoni kur Edi Rama pa asnjë fakt, provë, dokument mban në arrest shtëpie njëlloj si Putini, si Llukashenko kryetarin e partisë më të madhe opozitare, çdo qytetar të mendojë për veten e tij se çfarë të drejtash mund të gëzojë ai, se kush mund ti garantoj të drejtat atij. Se në duart e kujt është fati i tij.

Ndaj dhe thirrja ime është për të gjithë shqiptarët;

Të marrim në dorë fatin tonë, të marrim në duart tona fatin e Shqipërisë në një betejë pa kthim.

Të përmbysim regjimin e bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Në një betejë pa kthim tu japim shqiptarëve të drejtën për të votuar të lirë dhe me dinjiteti.

Të sjellim opozitën në pushtet dhe të hapin dyert e integrimit në Europë të Shqipërisë, të hapim për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e të ardhmes.

Edi Rama ke zgjedhur të mbash pushtet me kriminelë, me vasalë me pengje të marrura.

Por të garantoj se është e afërt dita kur ti së bashku me ta, do të japësh llogari gjer në një për të gjitha krimet tua të shëmtuara, për të gjitha krimet e drejtësisë tënde, për të gjitha krimet e shtetit tënd të drogës.

Ne do të fitojmë.

Fitore, fitore, fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale