KRYETARI I PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe paraqiti qëndrimet e opozitës për situatën në vend. Në fokus të fjalës së tij ishte protesta e 22 marsit, të cilën ai e cilësoi një jehonë të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lideri demokrat tha se, kjo protestë shërbeu për të denoncuar korrupsionin sistemik dhe kapjen e institucioneve nga qeveria e Edi Ramës. Ai akuzoi mazhorancën për kontroll të sistemit të drejtësisë dhe për përdorim të pushtetit për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te roli i mediave, duke theksuar se një pjesë e tyre kanë shmangur raportimin e çështjeve të rëndësishme, përfshirë dhe aferën “Rama-Balluku”. Ai e konsideroi këtë si presion dhe ndikim të qeverisë mbi hapësirën mediatike.
Në përgjigje të interesit të qytetarëve për format e protestës, Berisha mbrojti aksionin aktual opozitar, duke theksuar se protestat kanë arritur të ndërkombëtarizojnë çështjet e ngritura nga opozita, edhe pse nuk kanë çuar ende në largimin e qeverisë.
Kryetari i PD sqaroi konceptin e “kilometrit të fundit”, duke argumentuar se opozita ka kaluar një sërë betejash politike dhe institucionale ndër vite dhe tashmë është përqendruar në një objektiv të vetëm: largimin e qeverisë dhe garantimin e zgjedhjeve të lira.
Berisha paralajmëroi vijimin e protestave dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 17 prillit, duke e cilësuar atë si një moment kyç për opozitën.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua programit ekonomik dhe social të Partisë Demokratike. Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi vendosjen e minimumit jetik, rritje të menjëhershme të pagave dhe pensioneve, si dhe masa për uljen e çmimeve, veçanërisht të karburanteve. Ai theksoi se një qeveri e drejtuar nga PD do të synojë përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, duke garantuar furnizimin me barna për pacientët dhe rritjen e pagave për mësuesit.
Gjithashtu, Berisha ngriti shqetësimin për nivelin e varfërisë dhe emigracionin, duke premtuar politika që synojnë kthimin e emigrantëve dhe krijimin e kushteve më të mira ekonomike në vend.
Lideri historik i PD, Sali Berisha trajtoi edhe çështjen e pronës private, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje të padrejta dhe favorizim të interesave klienteliste. Ai premtoi rishikim të ligjeve që lidhen me investimet strategjike. Në lidhje me sistemin e patronazhistëve, ai deklaroi se do të konsiderohet si shkelje e rëndë dhe do të trajtohet ligjërisht në të ardhmen.
Sa i përket çmimeve të karburanteve, Berisha premtoi se ato do të ulen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, duke e konsideruar çmimin aktual si barrë për ekonominë familjare dhe biznesin.
Në përmbyllje të bashkëbisedimit me qytetarët, Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen më aktivisht në jetën publike dhe të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve politike. Ai theksoi se ndryshimi kërkon pjesëmarrje të gjerë dhe mobilizim qytetar.
Berisha e mbylli fjalën duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën e 17 prillit, të cilën e cilësoi si një moment vendimtar në përballjen e opozitës me qeverinë e Edi Ramës.

FJALA HYRËSE
Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju që ndiqni këtë bisedë timen me ju në rrjetet sociale.
Java që shkoi pati si kryelajm shqiptar dhe një nga kryelajmet botërore kryengritjen tonë paqësore të 22 marsit, me të cilën shqiptarët i faktuan kombit dhe botës se ata nuk pajtohen kurrë me vendimet për mbrojtjen e vjedhjeve dhe të korrupsionit të enturazhit të Edi Ramës.
Se ata nuk pajtohen kurrë me asgjësimin e sistemit të drejtësisë apo vendosjen e tij në kontroll total dhe të plotë nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama.
Protesta pati një jehonë të jashtëzakonshme, të menjëhershme ndërplanetare.
I kam falënderuar dhe i falenderoj të gjithë ata që u bënë zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve, zëri i ndërgjegjes së njerëzve të lirë në mbarë botën, të cilët nuk mposhten, nuk nënshtrohen nga një organizatë kriminale me në krye Edi Ramën.
Por java u karakterizua nga një terror i plotë i narkoqeverisë mbi mediat, të cilat në tërësi, me ndonjë përjashtim të rrallë, e zhdukën nga fjalori i tyre në lajme, komente, studio, debate aferën e tmerrshme Rama-Balluku.
Mediat në Shqipëri, në aktin më të turpshëm dhe më të papërgjegjshëm në histori, u përpoqën të rrëmojnë, të bëjnë kauzë të përbashkët me çdo gjë tjetër vetëm e vetëm që të mbulojnë me grumbullin e fjalëve të tyre vendimet e tyre antikushtetuese, grushtin e shtetit që kreu Edi Rama në mbrojtje të vetes së tij, Lubi Ballukut, Lindave të tij dhe hajdutëve të tij të tjerë.
Ky përbën një zhvillim jashtëzakonisht për vendin dhe mbarë shqiptarët kudo që ndodhen.
Terrori pati aspekte nga më të shëmtuarat.
Në Beograd, katër shqiptarët u arrestuan sepse njëri prej tyre postoi në Facebookun e tij personal një status me flamur në të cilin paraqiteshin portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit me një hartë të vizatuar nga Ismail Morina dhe thuheshin disa fjalë të papërshtatshme për Serbinë.
Në Tiranë, vëllai i Vuçiçcit shkarkoi nga detyra një nga gazetarët më të pavarur, zërat e pavarur të medieve shqiptare, dhe e largoi nga një emisionet e shikuara për faktin e vetëm se guxoi të kritikojë qeverinë dhe të shprehet se të pyes të na thotë një vepër të saj që qëndrojnë. Dhe numëroi veprat e shembura apo të zhytura dhe damkosura në korrupsion.
Këto akte, sado që në mijëra kilometra njëra nga tjetra, dëshmojnë një raport shumë të ngushtë të padronit me argatin në lidhjet e tyre shpirtërore në përpjekjet e tyre për të qëndruar në pushtet.
Por java u karakterizua edhe nga një shpalosje e stilit enverist të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj partnerëve tanë, të cilët ai i kërcënoi se mos përmendni drogën e Shqipërisë se keni drogën tuaj.
Ky akt i turpshëm ishte përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur veten e tij pasi hetimet e agjencive më serioze ndërkombëtare e nxjerrin atë si një kryetar të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Ndaj dhe u përpoq të mbrohet pasi i vëllai i tij qarkullon në dosjen Xibraka si eksponent kryesor i atij klani.
Pasi vetë ai ka pritur në zyrë përfaqësuesit e kartelit më të rrezikshëm në botë, Sinaloas së Meksikës.
Pasi ka dërguar me avion të posaçëm në Aruba, ministrat apo ka shkuar edhe vetë, këtë nuk mund ta them, për t’u takuar me trafikantë kryesorë.
Pasi ka emëruar ministrat të lidhur këmbë e kokë me trafiqet e drogës dhe i kanë kapur në flagrantë agjencitë e huaja.
Pasi ka shndërruar në politikë zyrtare mbjelljen e kanabisit në Shqipëri dhe ka shndërruar Shqipërinë në lavatriçen më gjigante të larjes së parave të krimit në botë.
Pasi ka dorëzuar territorin dhe lejet e ndërtimit këtyre klaneve me të famshmen Adelajda Roko, zëvendësen e tij në çështjen e territoreve dhe lejeve të ndërtimit, motër e dy vëllezërve, lejtnantë kryesorë të Suel Çelës.
Pasi është kapur në flagrancë me Ergys Agasin e tij që koordinonte bandat dhe kartelet, që për llogari të kunatit të tij merrte peng biznesmenë në AKSHI-n e Lindave të tij, tani Edi Rama mendon se do bindë shqiptarët duke sulmuar partnerët tanë.
Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë.
Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde të Ballukëve kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri.
Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT
Fatos Doçi: Përshëndetje Doktor, pyetja ime për ju është, perse nuk ngujoheni ose brenda në parlament ose çadrat para parlamentit ose kryeministrisë? Me protesta nuk po arrijmë asgjë thjeshte po i japim kohe Horrit dhe Lubisë të rregullojnë zullumet!
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen dhe sugjerimet e drejta që bën. Me protesta të garantoj se kemi arritur shumë. Nuk kemi arritur qëllimin për largimin e tij, por kemi shndërruar në një çështje botërore, çështjen e korrupsionit Rama-Balluku, dhe kjo është një arritje e madhe Fatos.
Ju jeni dëshmitarë se si, para vendimit famëzi të Edi Ramës, me 83 thikat e krimit në parlament, për të mbrojtur Balluku, reaguan jo vetëm një, por disa nga vendet kryesore të BE-së.
Përveç kësaj, janë një seri dokumentash ndërkombëtare në të cilat Edi Rama stigmatizohet si autori i narkoshtetit të parë dhe si mbrojtës kryesor i korrupsionit.
Pra, imagjino pak Fatos sikur të mos kishim dalë ne në protesta, a nuk do të ishte kjo një argument për ato racistë që siç i dëgjove dhe ju, të lobuar dhe të paguar nga Edi Rama duhet të paraqesin korrupsion si një fenomen të geneve të shqiptarëve.
Unë e kuptoj se, protesta nuk kanë realizuar atë që protestat nuk kanë realizuar atë që do të doje ti, dhe shumica e shqiptarëve në maksimum, por asnjëherë mos harron se protestat kanë mbrojtur, nderin, dinjitetin, timin, tuajin dhe të çdo shqiptari. Dhe protestat kanë vendosur në bangon e akuzës publike ndërkombëtare, Edi Ramën kreun e organizatës kriminale dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate.
Ju dhe vetë e parë, por e rikthesoj përsëri se çfarë lobimi antishqiptar bën ky njeri, sa që tenton të bindë të tjerët sa nuk është faji i qeveritarëve që vjedhin, por është faji i shqiptarëve që pranojnë vjedhjen, se e kanë kulturë të tyre, e kanë gen të tyre, gjë e cila është absolutisht racizëm i pastër, antishqiptar dhe i pavërtetë.
Pra, ne me protesta ia dolëm të realizojmë, të përfaqësojmë me dinjitet kombin dhe vendin tonë.
Natyrisht, diversifikimi i tyre është i domosdoshëm.
Por Fatos dua të bëj me këtë rast një sqarim, lidhur me shprehjen time, kilometri i fundit.
E kam thënë me bindje të plotë dhe e them përsëri se jemi në kilometrin e fundit. Cili ka qenë dhe cili është kuptimi i kësaj fraze, apo këtij koncepti.
Kuptimi është ky që vijon: Ne si opozitë në vitin 2021 ishim parashikuar nga Lulzim Brava dhe jo vetëm nga Lulzim Brava, por dhe nga të tjerë të ishim simotër e PS-së në qeveri. Kjo është e vërteta, unë e kam publike prej kohësh këtë propozim, çka do ishte drama më e madhe për këtë vend.
Pasi kjo nuk realizua, u kalua në një seri masash të tjera, nga Edi Rama armik i egër i pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, por dhe mafia ndërkombëtare e Xhorxh Sorosit, armike e egër e demokracisë shqiptare por dhe e kombit shqiptar, e cila kishte te PD një kundërshtare të paepur të projekteve të tij antishqiptare, qoftë në ndryshimin e kufijve dhe copëtimin e Kosovës, qoftë në Ballkanin e Hapur, qoftë në denoncimin e organizatave kriminale të ekstremit të majtë, të spronsorizuara prej tij në Shqipëri.
Pra kjo ishte një betejë që ne duhej ta bënim dhe ne e bëmë këtë betejë.
Në këtë betejë siç e di ti, u mor logoja dhe flamuri i partisë, u morë simbolet e saj nga gjykatës puthadorë, armiq të pluralizmit nën ndikimin direkt të Ramës dhe faktorëve Sorosianë në administratën e presidenti Joe Biden.
Por përsëri ne ia dolëm, të rikthejmë me veprimet tona, ne ja dolëm.
Prap kishim kilometra për të bërë sepse, për fat të keq, në vitin 2021, kur zgjedhjet u faktuan farsë dhe unë e kam thënë që të pasnesërmen e tyre, në shkrimin tim, ‘Vota vdiq pa hyrë në kuti’, ish kryetari në vend që të mbronte votën e qytetarëve, ai sulmoi Sali Berishën së bashku me Edi Ramën dhe vraponte drejt koalicionit me këtë të fundit.
Pra ne ja dolëm që me librin e zi të zgjedhjeve lokale të 2023, të penalizojmë Edi Ramën, ta paraqesim para botës, jo vetëm si autori i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, por si njeriu i farsës së zezë elektorale.
Dhe mbi këtë bazë, prap jemi në kilometra rrugë, u miratuan 4 rezoluta ndërkombëtare që dënonin farsën elektorale në Shqipëri dhe paralajmëronin farsën e 11 majit.
Farsa e 11 majit ishte farsa më e shëmtuar në historinë e vendit. Edi Rama dhe lobistët e tij bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme. Shpenzuan dhjetëra milionë euro e mos më shumë, në mënyre që zgjedhjet e 11 majit të mos kualifikoheshin farsë.
Ne bëmë të gjitha përpjekjet dhe ja dolëm me fakte, dokumente e argumente të pakundërshtueshme të faktojmë para shqiptarëve dhe botës, se zgjedhjet ishin farsa zgjedhore më e shëmtuar.
Edi Rama bëri gjithçka për të ndryshuar raportin. Ne ja dolëm, në kilometrat tona që bëmë, ne ja dolëm që jo vetëm që nuk arritën të ndryshojnë raportin, por raporti përfundimtar ishte akoma më i plotë dhe më i përkeqësuar se raporti fillestar, ndaj të cilit luftoi Edi Rama.
Pasi kryem të gjitha këto detyre në udhëtimin tonë, unë kam deklaruar se, tani jemi në kilometrin e fundit. Çfarë do të thotë kilometri i fundit? Do të thotë që kemi vetëm një betejë dhe kjo betejë është armiku është Edi Rama, për ta përmbysur nga pushteti dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira.
Mos harro se gjer në kilometrin e fundit, ne u detyruam të zhvillojmë shumë e shumë beteja, beteja që ndofta në historinë e Europës nuk i ka zhvilluar asnjë forcë politike demokratike.
Arben Karajxhiu: Po u zgjodhe kryeministër, çfarë do bëni për familjet në nevojë, shkollat, çerdhet, kopshtët, rrugët, shtëpitë e qytetarëve, për dritat, ujin, gazin, qiratë, naftën, rrogat e punonjësve?
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Me aktin e parë të ardhjes në pushtet të PD, ndër veprimet e javës së parë do jetë vendosja e minimumit jetik. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka minimum jetik dhe ndër të paktat vende në botë.
Kjo ka bërë që sot 49 përqind e shqiptarëve të jenë në varfëri ose të kërcënuar nga varfëria.
Ka bërë që 18 përqind e tyre të jenë në varfëri ekstreme.
Pra me një vendim të qeverisë ne zhdukim varfërinë ekstreme në Shqipëri, ne nxjerrim nga rreziku i varfërisë një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë.
Ndërkohë, përsëri theksoj se përqendrimi i parë dhe më kryesor i yni do jetë tek qytetarët. Një vrap për rritjen e rrogave dhe pensioneve të tyre.
Sot, pensionet në Shqipëri janë një tallje për qytetarët shqiptarë. Janë një cinizëm ndaj atyre që shkrinë jetën e tyre për këtë Shqipëri që është sot.
Ndaj dhe përveç vendosjes së minimumit jetik, pensionet minimale do njohin dyfishimin e tyre, pensionet e tjera do rriten me qëllimin e qartë dhe të prerë që shqiptarët, të cilët jetojnë në vendin e pasurive më të mëdha natyrore, të jenë qytetarët më të paguar të rajonit.
Pra, do përqendrohemi para së gjithash në minimumin jetik, ndihmën ekonomike, pensionet e ulëta, rrogat e ulëta, mirëqenien e qytetarëve.
Së dyti, pa asnjë diskutim që nuk do injorohet. Kush është problemi tjetër sot më i dhimbshëm?
Është çështja e të sëmurëve. Janë me mijëra të sëmurë me sëmundje të rënda të cilët luftojnë pa ilaçe. Si në asnjë vend tjetër dhe nuk ka ndodhur kurrë përpara.
Të sëmurët me sëmundje malinje kanë pasur të garantuar pa asnjë lloj diskutimi të gjitha ilaçet që përcaktoheshin nga mjekët në përputhje me diagnozën e tyre.
I larguan kompanitë e mëdha nga Shqipëria sepse vendosën Tom Doshin dhe ndrikull Nushin. Ato vendosën monopolin.
Ju e dëgjuat dhe unë e ndoqa me vëmendje ministren e shëndetësisë Sala, e cila nga fjalët e saj deklaroi se ilaçet nuk do mungojnë për të sëmurët. Çdo ditë atyre u mungojnë ilaçet.
Para dy ditësh kjo ministre bëri transparencë se QSUT nuk mund të bëjë më analizat se nuk ka lekë. I vodhi koncesionari i Ramës fondet për analizat. Nuk ka pasur kurrë në histori që të deklarohet se laboratori i QSUT nuk mund të bëjë analiza.
Pra, do ndërhyjmë.
Natyrisht arsimi, pas shëndetësisë, merr përparësi absolute. Kështu që arsimin ne do ta fillojmë duke vendosur mësuesin në piedestal, duke i arritur atij rrogën në mënyrë të ndjeshme dhe duke e bërë profesionin e mësuesit, një nga profesionet më të respektuara në këtë vend.
Pra, ndërhyrje emergjente.
Dhe u garantoj se do mbeten plot para për vepra publike, për shkolla, për spitale të reja, për autostrada, për kanalizime, për ujësjellësa.
Sepse sot, siç jeni dëshmitarë, siç është faktuar, vidhen nga 90 deri në 100 përqind siç është rasti i djegësit të Tiranës, të parave publike të përcaktuara për këto ndërtime.
Muharrem Kurti: Përshëndetje doktor Berisha, deri kur do ta lejojmë këtë pushtet të korruptuar që të na vjedhë dhe te shpronësoj?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Ke formuluar një pyetje shumë të drejtë. Dimensioni i dytë, më antiqytetar i këtij regjimi është plaçkitja e pronës private. E ke kapur shumë bukur.
Unë të garantoj se ligji i Korporatës së Investimeve Strategjike, ligji i Edi Ramës nuk ka asnjë kufizim në prona krahasuar me ligjet e vitit 1946, të paraardhësve të tij, xhelatë të regjimit komunist. Është i njëjtë.
Dora e zezë e shtetit shtrihet mbi çdo pronë, që i vë syrin Edi Rama apo baronët e tij të drogës.
Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i shkurtuar jetën këtij regjimi.
Por i dashur mik, është e domosdoshme të bindim çdo qytetar se, me heshtjen e tij, se me indiferencën e tij, është mbështetje e një regjimi që ndofta edhe ai vetë e urren. Sepse, në historinë e njerëzimit dhe të Shqipërisë, të këqijat, diktaturat nuk kanë dashtur asgjë më shumë se sa heshtjen e qytetarëve.
Shumica e heshtur është shtrati i nxehtë i diktaturave dhe të këqijave të mëdha.
Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar, të thyejë heshtjen e tij, jo për të ndihmuar këtë apo atë parti, por para së gjithash, për të shpëtuar vendin nga kjo e keqe e madhe që po shfaros shqiptarët si asnjë pushtues tjetër, si asnjë fatkeqësi tjetër natyrore.
Albanian Americans: Doktor, megjithëse jemi tifozë, duhet të dilje ti për pastrimin e parave në klubet e futbollit, që të merrnim vesh se Filip Çakulli qenka drejtor bordi tek Partizani. A ka lënë ndonjë gjë pa marrë ky bixhozxhiu?
Sali Berisha: Filip Çakulli, ia thatë vetë ju ato, është një manipulator dhe bixhozxhi i sëmurë.
Por ai në bixhoz përdor vetëm sasinë që i lë Olsi Rama, se përfitues dhe parelarës kryesor është Olsi dhe Edi Rama aty. Të garantoj.
Gazin e kanë si figurant se edhe ai është një lupo. Gaz Demi.
Por ai është klubi i familjes Rama.
Sikundër e patë që klubi Dinamo ka përfunduar në kthetrat e familjes Rama me prestanomen e Ramës, Ergys Agasi.
Ladi Pecnikaj: Doktor, nafta shkoi prap 218 lekë, çfarë propozon PD për të mbrojtur konsumatorin dhe i qëndroni premtimeve të fushatës për përgjysmimin e taksave të karburantit?
Sali Berisha: PD zotohet para shqiptarëve se, në Republikën e Shqipërisë nuk do të mund të shitet kurrë litër nafte më shtrenjtë se në Kosovë dhe në Maqedoni, ku çmimi është 60% më i ulët se në Shqipëri.
Pra, ne e ndjekim me shumë shqetësim situatën dhe unë i ftoj shqiptarët të reagojnë ndaj naftës e cila është një nga faktorët më ndëshkues të atyre qindra, mijëra familjeve që kanë vetura, por dhe të atyre që nuk kanë vetura.
Ata që kanë vetura marrin naftën me çmim të njëjtë, ose dhe pak më të shtrenjtë se sa Zvicra dhe Suedia. Ndërkohë që rrogat në Zvicër dhe Suedi janë 6 herë më të larta se sa rrogat e tyre.
Ngrihuni qytetarë, mos pranoni këtë ndëshkim i cili shpreh dhe një urrejtje, se Edi Rama këtë e ka bërë se, këta kanë dhe të ua marrim.
Sigurisht që ata kanë pak më shumë se të tjerët, por ti nuk mund ti ndëshkosh ata në këtë mënyre. Nuk mund ti vësh naftën tij, se pse ka një veturë ai, me të njëjtin çmim me Zvicrën e cila ka rrogat 6-8 herë më të larta.
Por nafta nuk ndikon vetëm tek ata që kanë vetura. Nafta ndikon nëpërmjet rritjes së çmimit të transportit tek çdo qytetar.
Nafta nëpërmjet rritjes së çmimit të transportit, ndikon në çmimin e çdo produkti ushqimor dhe jo ushqimor që transportohet.
Nafta ndikon në koston e çdo prodhimi bujqësor, për shkak se të gjitha imputet bujqësore kanë bazë naftën.
Pra nafta është një ndëshkim mbarë qytetarë. Dhe unë ftoj qytetarët të ngrenë zërin e tyre, të ngrihen në revoltën e tyre.
I garantoj se, ne do të vendosim atë regjim fiskal i cili bën të mundur që nafta në Shqipëri të shitet njëlloj si në Kosovë dhe Maqedoni e asnjë qindarkë më shtrenjtë.
Kemi përgatitur paketën dhe javën që vjen e paraqesim edhe njëherë para publikut. Ekspertët dhe specialistët dhe deputetët tanë kanë punuar dhe do ju njohin me të.
Por ama kjo kërkon edhe reagim qytetar. Kjo kërkon që para se të detyrohen të kalojnë te parmenda se nuk e prenoton dot traktorin apo autokombajnën, fermeri të dalë të bllokojë rrugët, qytetari të dalë me makinë e tij të bllokojë rrugët, të protestoje. Qytetari të protestojë për çmimet që rriten.
Pra kërkon një reagim mbarë qytetarë dhe unë jam i bindur që kjo do ndodhë.
Adelina Dragoshi: Zoti Berisha, si e shihni rolin e grave të reja në politikë sot dhe a mendoni se PD duhet të ketë më shumë zëra të rinj që duan të kontribuojnë aktivisht?
Sali Berisha: Mendoj se roli i grave është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i tillë ai është edhe në PD.
Por hapja e PD u siguroj se do jetë një nga qëndrimet më të vendosura dhe të palëkundura të miat dhe të PD.
Pra, do bëjmë gjithçka që sa më shumë vajza, zonja, të marrin vendet më të rëndësishme.
Kam kënaqësi t’u informoj se në këto zgjedhje të degëve të PD për kryetar, kanë dalë më shumë se kurrë ndonjëherë zonja të nderuara në krye të këtyre degëve dhe kanë fituar besimin e merituar të anëtarësisë.
Uesli Arben Shurdho: Çfarë programi konkret do ketë PD për invalidët dhe pensionistët se dihet që Nastradini vetëm mashtron dhe vjedh taksat e shqiptarëve të varfër dhe nuk i teprojnë lekë për këto shtresa?
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. Janë në gjendje mjerimi qoftë pensionistët, qoftë invalidët. Pensionet e tyre janë cinike, qesharake.
Një pjesë e madhe e tyre detyrohen të mbledhin kanaçe se nuk blejnë dot ilaçet. Të tjerë presin ndihma nga jashtë.
E theksova edhe njëherë, akti i parë nuk do ketë shqiptar nën 200 euro, çka do të thotë shqiptarët jashtë zonës së rrezikut të varfërisë.
Së dyti, nis vrapi i rritjes së pensioneve dhe rrogave të ulëta, pasi nëse do vazhdonte trendi, ato duhet të ishin sot minimumi 3 herë më të larta.
Në vitin 2013, ne arritëm të kemi rrogat më të larta në rajon, përfshi këtu edhe Rumaninë dhe Bullgarinë, dy vende të BE.
Arritëm të kemi pensionet më të larta në rajon, përfshi këtu Rumaninë dhe Bullgarinë.
Ai trend u bllokua dhe sot ne jemi në vendin e fundit për rroga dhe pensione.
E kam theksuar dhe e theksoj se për të gjithë, për ndihmën ekonomike, për invalidët, për pensionistët, për rrogëulëtit, vrapi ynë do ndalet vetëm kur ne të kalojmë mbi kombet e tjera për rroga dhe pensione.
Shaban Domi: Doktor, dua që nëse vjen në pushtet, duhet të shpallësh bandë kriminale patronazhistët dhe duhet të zbulohen krejt me profil fals dhe të dënohen me burg të përjetshëm se këta kriminelë e kanë shpopulluar Shqipërinë.
Sali Berisha: Ju siguroj se, patronazhimin dhe efektet e tij do ta shqyrtojmë për ta shpallur krim shtetëror dhe për ta ndëshkuar në formën më të merituar.
Keni shumë të drejtë. Sistemi i patronazhistëve sot është absolutisht simotër, apo sivëlla e sistemit të sigurimit të shtetit gjatë diktaturës komuniste.
Ndaj dhe i garantoj se, për veprimtarinë e tyre kriminale do të ndëshkohen.
Griselda Selimaj: Doktor, përshëndetje! Belinda Balluku në vend që të jetë në burg, po e shohim prapë të na shfaqet si fierake e vjetër. Do të ishte mirë që ta blinte atë pasaportë dhe të na zhdukej nga sytë këmbët se janë bërë të padurueshëm.
Sali Berisha: Këshilla dhe sugjerimi im është, qytetarë dhe qytetare, kudo që ta shihni korbën e korrupsionit, gjuajeni me domate dhe vezë. Turpërojeni publikisht, se e meriton!
Le ta mbrojë Edi Rama, por qytetarët duhet t’i japin ndëshkimin që meriton duke e turpëruar në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo sallë dhe kudo që del.
Arbër Mitrushaj: Duke qenë se zgjedhjet vendore janë vitin e ardhshëm, a mendoni se strukturat e partisë janë kohën e duhur për organizimin apo ekziston risku që jemi me vonesë në përgatitjen elektorale në terren?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Natyrisht duhet të shpejtojmë, jam plotësisht dakord me ty, por siç e shikon dhe vetë Arbër, ne jemi detyruar që në këtë periudhë të kemi një veprimtari shumëplanëshe.
Nga njëra anë, po zhvillohet analiza dhe zgjedhjet në PD. Mund të ju them se, ndonëse mediat i censurojnë se kanë urdhër, pasi partia tjetër nuk bën zgjedhje, por bën emërime si në shpellat e mafies, ato po ecin shumë mirë.
Ndërkohë, po përpiqemi që të përqendrohemi dhe duhet të përqendrohem me të gjithë forcën tonë në organizim, sikundër protesta është arma kryesore e opozitës shqiptare kundër këtij regjimi.
Ndërkohë ju garantoj se do të vazhdojmë. Çfarë ka një karakteristikë në këtë periudhë PD. Përpara merreshin gjërat një e nga një, tani koha nuk na lejon më, nuk kemi më atë luks dhe detyrohemi të operojmë njëkohësisht në shumë drejtime.
Kështu që, shumë shpejt do të fillojmë punën për zgjedhjen e kandidaturave dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ada Tota: Edi Rama ka mbledhur sot qeverinë, deputet dhe bashkiakët e tij për të diskutuar se si do të komunikojnë me qytetarët. Po PD, çfarë strategjie do ketë që të flasë dhe të komunikojë më afër me qytetarët?
Sali Berisha: PD ka filluar, besoj jemi dëshmitarë, janë foltoret që po zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme, deputetët kanë bërë dhe po bëjnë takime.
Pra, dialogu intensiv dhe takimet intensive me qytetarët, ata nuk i kanë bërë dot se qytetarët i urrejnë.
Dhe Edi Rama përpiqet tani t’i çojë, por ata nuk i pranojnë qytetarët.
PD është dhe do të jetë midis qytetarëve, ky është qëndrimi ynë.
Qëndresa Shqiptare: Doktor, Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike dhe shoqërore. Ndoshta i duhen 20 vite që të kthehet aty ku e latë ju. Kur të vini në pushtet, cili do jetë objektivi i parë ku do fokusoheni?
Sali Berisha: Së pari, të zhduk dhimbjet e varfërisë. Nuk mund të pranoj kurrë këtë situatë, ku njerëzit nuk blejnë dot ilaçet, nuk blejnë dot ushqimet.
Kjo është jashtë çdo lloj standardi.
Së dyti, do të bëjmë gjithçka të kthejmë garën e ndershme sepse rikthejmë punësimin.
Të rikthejmë pasuritë natyrore tonat në pasuri për shqiptarët.
Të transformojmë përsëri shkollën tonë.
Të sigurojmë shërbimet më të mira për qytetarët.
Të bëjmë gjithçka për të rinjtë tanë që të mos largohen nga Shqipëria. T’u krijojmë atyre çdo mundësi për shkollimin, punësimin dhe strehimin e tyre.
Një politikë agresive për rikthimin e atyre që kanë ikur nga Shqipëria.
E thatë bukur ju, duhen shumë vite, dhe unë të garantoj se duhen të paktën 30 vite.
Nuk jemi 2.4 milionë sa gënjen Edi Rama, jemi 2 milionë dhe asnjë më shumë.
Ndaj dhe me këto politika ne do të shënojmë një kthesë të madhe.
Por në qoftë se kthehemi bashkë, nuk e di nëse e mbani mend apo keni qenë e lindur në vitet ’90, kur ne kishim dyqanet tona bosh, kur 80 përqind e shqiptarëve ishin të papunë dhe se si tregu, rregullat, garat e ndershme, krijuan frymëmarrje, krijuan biznesin, krijuan optimizmin.
Kjo ndodhi edhe në vitin 2005, ju jeni dëshmitarë, numri i shqiptarëve u rrit çdo vit.
Pra, një qeveri e cila qëndron duke pasur në epiqendër interesat e qytetarit, një qeveri e cila qëndron për zbatimin e ligjit dhe anulon me shpejtësi ligjet e Edi Ramës, e sigurt të jeni ju që Shqipëria do ndryshojë me shpejtësi nga viti në vit.
Arben Rexha: Doktor, sa për informacion, Elisa Spiropalin Edi Rama sot e kishte ulur afër Zeqinesë së Roskovecit. Duket që ja shpërbleu mirë emrin Skëndërbe që i vuri.
Sali Berisha: Ajo që mund të them është, se degradimi i PS-së në një parti krimi është rikthimi i saj në origjinë.
Kjo parti është themeluar mbi krimin, mbi vrasjet, mbi pritat, mbi pengmarrjet dhe kjo parti sot është rikthyer tek pengmarrjet, tek droga, tek krimi, tek thikat.
Ndaj dhe të bëjmë gjithçka për ta përzënë sa më shpejt nga pushteti.
FJALA PËRMBYLLËSE
Për ta mbyllur këtë bisedë, duke ju falënderuar përzemërsisht për pyetjet, komentet dhe çështjet që ngritët, ju ftoj në mënyrë më miqësore të ngrihemi, të bëjmë gjithçka për të bindur çdo qytetar shqiptar që rri në heshtje, që konformohet, të dalë nga heshtja e tij, të dalë nga konformizmi i tij.
Kurrë ndonjëherë në një vend me pluralizëm, ato që ka bërë Edi Rama kreu i organizatës kriminale nuk i ka bërë njeri.
Është detyra jonë të dashur demokrate e demokratë, militante e militantë, të bindim qytetarët, të heqim para syve të tyre, perden e tmerrshme që i pengon të shohin, murin e korrupsionit që ka ngritur Edi Rama para tyre.
Me durim t’u shpjegojmë se cilat janë pasojat katastrofale të mburojës Balluku. Se me mburojën Balluku, Edi Rama u tha shqiptarëve si askush tjetër, që unë ju kam vjedhur, do ju vjedh e do u vjedh dhe se për mua nuk ka ligj.
Të ulemi me çdo qytetar që ka fëmijët e tij jashtë vendit, të shpjegoni se ata kanë ikur, jo se Shqipëria është vend shkretëtirë. Shqipëria është vendi më i pasur në pasuri natyrore, por është vendi më i plaçkitur, më i vjedhur, është vendi në të cilin qeveritarët ndajnë fondet publike dhe pasuritë me familjarët e tyre dhe me njëri tjetrin. Me hallat, me tezet, nipat, mbesat me të gjithë.
Është vendi në të cilin droga bën ligjin, është vendi në të cilin ligji nuk ekziston për zyrtarët dhe qeveritarët.
Me 4 mijë rrënjë kanabis u gjet drejtori i burgut të Peqinit. 4 mijë rrënjë kanabis mbillte drejtori dhe ua shiste sa frëngu pulën të burgosurve drogën e tij.
Ku është? Është i lirë, nuk ka ligj për qeveritarët. Është i lirë, por pse? Sepse paratë i ndante me ministrin, i ndante me Agasin, i ndante me kryeministrin.
Unë dhashë vetëm këtë shembull, por ka sot me qindra e qindra shembuj të tjerë.
Sot toka publike merret e përvetësohet.
Me 4 vendime të Edi Ramës është marrë toka e dhuruar nga pronarët fisnikë të Tiranës për gjimnaz, komunitetit, është marrë dhe i është dhënë Karlo Bolinos, një sikari, një xhelati të fjalës së lirë.
Një xhelati mafioz të fjalës së lirë, që shkarkon një nga gazetarët më të njohur të vendit sepse guxoi të thotë, më thoni një vepër publike të kësaj qeverie që qëndron.
I gjendur para faktit të një shembje të 17 rrugëve, të gjitha rrugëve të ndërtuara gjatë këtyre viteve, dhe si atdhetar, si patriot shtroi një pyetje.
Pra është koha jo të rrahim gjoksin këtyre qytetarëve, por të ulemi me njerëzi, të ulemi me ta. Ti ftojmë të bashkohen me ne.
Është koha që çdo intelektual të ulet me kolegun e tij, pavarësisht nga bindjet politike. Të ndalojë në faktin se, cili është roli i intelektualit, misioni i tij ne një shoqëri.
Sa herë që ta shqyrtojë, ai nuk duhet të harrojë, pavarësisht nga pasioni që ai ka, për të sëmurin dhe mjekësinë, për fizikën, për matematikën, për informatikën, për biologjinë dhe shkencat që aplikon.
Në fund të gjithë kontributet e tij, të mos harrojë kurrë se aty është profesionist, kurse si intelektual ai ka mision të përgjithshëm mbrojtjen e interesit publik.
Ai i duhet popullit të tij për të mbrojtur interesin publik të popullit të tij.
Sepse ai është shkolluar, ai është mbështetur nga ky popull pikërisht për të qenë avokat i tij.
Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që këtë diktuturë, që Edi Rama hodhi dorashkën, na e përplasi në fytyrë dorashkën, përdori 83 mandatet e krimit dhe tha, nuk ju pyes unë ju, Lubia jam unë tha dhe drejtësia nuk ekziston për ne.
Nuk na e bëri vetëm ne këtë, ua bëri partnerëve tanë më kryesorë.
Nuk na e bëri vetëm ne këtë, ia bëri BE-së dhe i deklaroi se, unë nuk e dua këtë rrugë integrimi, unë dua rrugën e Vuçiçit.
Unë vërtetë u premtova shqiptarëve pasaportën Europiane, por tani do të ju jap pasaportën e Serbisë atyre, sepse më duhet të qëndroj në pushtet.
Atëherë, a ka mundësi, intelektual që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate.
A ka mësues që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate.
A ka mjek që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate.
A ka pedagog që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate.
Unë besoj se në rast se ne ulemi në dialog, ne do të ndihmojmë shqiptarët që të marrin vendimet e duhura.
Me 17 Prill është dita e shqiptarëve, është dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria.
Faleminderit!


