FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria ka deklaruar se, Edi Rama përdori mandatet e krimit për të mbrojtur veten dhe Lubinë nga hetimi për korrupsionin e tyre. ‘Por të dashur miq, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit e lirë në botë, Edi Rama, ditën që mbrojti nga arrestimi Lubi Ballukun, kreu një akt të barabartë sikur të kishte dalë lakuriq në atë ballkon’, theksoi Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se çështja që lidhet me Belinda Balluku nuk është e mbyllur, pavarësisht qëndrimit të Edi Ramës. Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ Berisha akuzoi Ramën se po përpiqet ta konsiderojë çështjen të përfunduar, ndërsa theksoi se opozita dhe partnerët ndërkombëtarë nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Berisha u ndal edhe te roli i partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se ata kanë kontribuar për dekada në zhvillimin e Shqipërisë dhe nuk do të qëndrojnë indiferentë përballë situatës aktuale. Ai nënvizoi se integrimi europian i vendit mbetet një aspiratë kryesore e shqiptarëve.
Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të kundërshtojnë Edi Ramën në çdo dalje publike, duke përdorur protestuar. ‘Qytetarë dhe qytetare, mos e pranoni. Me një domate dhe vezë në xhep në çdo takim të tij të shkoni dhe gjuajeni,’ u shpreh ai. Ai e cilësoi kryeministrin si të diskredituar dhe shtoi se veprimet e tij politike tregojnë, sipas tij, mungesë përgjegjësie dhe guximi. ‘Dijeni mirë se ai është njeriu më frikacak që ka bërë nëna në këtë vend,’ deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha pati një apel të drejtpërdrejtë për pensionistët, duke i ftuar të reagojnë ndaj situatës ekonomike. ‘Ngrihuni dhe mos pranoni këtë poshtërim që po bëhet ndaj jush,’ tha ai, duke theksuar se kjo kategori meriton më shumë mbështetje dhe dinjitet. Ai kritikoi ashpër politikat ekonomike të qeverisë, duke pretenduar për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike. Sipas tij, ndërkohë që qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, qeveria është përfshirë në afera të rënda financiare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar ndryshimin e orës së ‘Foltores’ së radhës që do të mbahet ditën e hënë në orën 19:00. Ai paralajmëroi se protesta e radhës me 17 prill do të jetë ‘kryengritja e madhe paqësore’. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve të Tirana dhe gjithë vendit që të bashkohen kundër kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ‘vendi i tij është para ligjit’.

FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë ju që çdo javë, çdo të hënë, mblidheni në këtë shesh për t’u rikujtuar mbarë shqiptarëve se njeriu që qëndron në këtë ndërtesë është një armik i egër i këtij kombi, një armik i egër i të rinjve shqiptarë, që detyrohen në këtë vend me pasuri të pafundme të marrin rrugët e dheut dhe së bashku me largimin dhe ëndrrën e tyre të bukur që duhet ta ndërtonin këtu në Shqipëri, por këtu nuk e ndërtojnë dot.
Mblidheni këtu për t’u dëshmuar shqiptarëve se njeriu që qëndron në këtë ndërtesë është një armik i ëndrrës evropiane të kombit shqiptar dhe se është i gatshëm për të mbrojtur veprimtarinë e tij kriminale, vjedhjet e tij, të marrë çdo vendim, të shkelmojë çdo interes, të rrënojë çdo të ardhme, çdo ëndërr të shqiptarëve.
Miq, pak ditë më parë Edi Rama përdori mandatet e krimit në pamje të parë për të mbrojtur Lubi Ballukun, në fakt ai mbron veten e tij, mbron familjen e tij, mbron qindra milionë dhe miliarda para të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë dhe të vendosura në kontot e tij nëpër botë.
Akti i tij ishte i shëmtuar, ishte i pashembullt.
Por të dashur miq, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit e lirë në botë, Edi Rama, ditën që mbrojti nga arrestimi Lubi Ballukun, kreu një akt të barabartë sikur të kishte dalë lakuriq në atë ballkon.
Po, po, edhe ju o të nderuar policë, njëlloj sikur të kishte dalë lakuriq aty që ta shihte çdo shqiptar dhe çdo qytetar në Europë se ky është një hajdut që nuk ka ligj as moral.
Atë ditë, ai tregoi veten se cili është, faktoi ato që ju i keni thënë këtu çdo të hënë.
Atë ditë, ai mendoi se vendosi një mur mburojë për vjedhjet e tij.
Por atë ditë ai harroi se ftoi një popull të tërë të ngrihet edhe më fuqishëm për t’i dhënë atë që meriton.
Miqtë e mi, ai votoi në parlament me mandatet e krimit dhe u paraqit sikur e mbylli.
Çështja është e mbyllur, tha.
E mbyll ti, por nuk ta mbyllim ne atë çështje.
Nuk e mbyllim ne o hajdut.
Ta dish mirë se nuk ka forcë në botë që të të mbrojë.
Nuk ka ligj në botë që të të mbrojë ty nga aktet që ke kryer.
Por e vërteta është, ua them këtu, se atë nuk e mbyllin as partnerët tanë.
Ata e dinë se shqiptarët, ëndrrën më të bukur, kanë ëndrrën evropiane.
Ata në fakt, në 32 vite, kanë ndihmuar shqiptarët me miliarda, miliarda, miliarda euro.
Taksapaguesit e tyre janë aksionerë në ndryshimin dhe transformimin e Shqipërisë.
Dhe tani që duhej të mbrohej, u tha rrini, nuk keni punë me mua.
Jo, i thanë ata, ti nuk ke me ne, por ne kemi me ty.
Ndaj dhe sot përcollët mesazhet në të cilat mesazhi i parë ishte se gjersa drejtësia të funksionojë në Shqipëri, ai raport që është jetik për ecjen përpara, mbetet në klasë dhe vendnumëro.
Mesazhi i dytë, ka kërkesa për të qëndruar në hapësirë. Ai mendon se do diktojë, jo.
Me qëndrimet e tij ai është i gatshëm që t’i shohë shqiptarët pa viza edhe njëherë, vetëm e vetëm të mos shkojë aty ku e ka vendin, në bankën e akuzës si hajdut.
Por ne nuk do e lejojmë atë.
Ne do ngrihemi siç jemi ngritur dhe do i dëshmojmë Europës dhe botës se nuk është Shqipëria ajo që përfaqëson Edi Rama.
Se Edi Rama përfaqëson krimin, përfaqëson hajninë, përfaqëson njeriun më pa moral.
Kurse ne jemi qytetarë të ndershëm, jetojmë me djersën tonë.
Kemi një vokacion në shpirtin tonë perëndimor dhe për këtë vokacion do punojmë gjersa ta shohim veten në Europë.
Ndaj dhe sot ajo që i dhanë ishte paralajmërimi i parë.
Por kjo histori nuk ndalet. Kjo histori ndalet gjer në fitoren tonë.
Dhe ua them unë ju, ne jemi në rrugën e fitores.

Të dashur miq, i diskredituar në shkallën më ekstreme. U thashë edhe njëherë, në mënyrë absolute atë ditë që votoi në parlament për të bllokuar arrestimin e Ballukut, kreu të njëjtin akt sikur të dilte lakuriq në këtë ballkon para qytetarëve.
Identik. Tregoi se çfarë malli është dhe kush është.
Tani kërkon të shëtisë dhe të bëjë takime me qytetarët.
Qytetarë dhe qytetare, mos e pranoni. Me një domate dhe vezë në xhep në çdo takim të tij të shkoni dhe gjuajeni.
Gjuajeni se nuk ka burrë më frikacak mbi tokë.
Dijeni mirë se ai është njeriu më frikacak që ka bërë nëna në këtë vend dhe se veprimet e tij janë veprimet e frikacakut.
Ndaj dhe mos ia kurseni.
Edhe në takim shkoni, po nga një vezë apo domate të kalbur hidhjani.
Jo vetëm atij, por edhe përfaqësuesve të tij hajdutë, të cilët në vend që të mbronin ligjin në parlament, në vend që të qëndronin në anën tuaj, votuan për mbrojtjen e vjedhjeve të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.
Atëherë miq, ata janë njëlloj me Ramën. As atyre mos ua kurseni askërkund vezën dhe domaten kudo që t’i shihni.
Një thirrje të veçantë kam për pensionistët. Ngrihuni dhe mos pranoni këtë poshtërim që po bën ndaj jush.
Askush nuk ka kontribuar në vendin e vet më shumë se ju.
Askush nuk ka sakrifikuar për familjen dhe shoqërinë shqiptare se sa ju.
Dhe tani u trajton si qenie lëmoshe. Si lypsarë.
Tani u trajton me çnjerëzinë më të madhe.
130 milionë euro vjedh tek djegësi i Tiranës. Ku është? Asnjë tullë.
130 milionë euro do paguhet Beketi se i mbylli televizionin sepse e kritikonte. 50 milionë euro vodhi tek tuneli i Llogarasë.
Miliarda po vjedh në portin e Durrësit, kurse ju numëroni kafshatën. Kurse ju nuk merrni dot ilaçet.
Ngrihuni për dinjitetin tuaj në radhë të parë.
Se ju meritoni para së gjithash dinjitet.
Sepse vendi u ka borxh dinjitetin.
Sepse shoqëria shqiptare u ka borxh dinjitetin.
Po dinjiteti duke numëruar kafshatën nuk ka.
Dhe ju bashkohuni, pavarësisht nga pikëpamjet tuaja.
Hajduti nuk ka parti, nuk ka besim, nuk ka fe, nuk ka din, nuk ka iman, nuk ka moral.
Të bashkohemi të gjithë kundër tij.
Do t’ua bëj pensionet në krye të katër viteve. Lexoni mirë se ç’do bëjë mashtruesi. Do e rrisë dy herë nga 4 dhe 8 përqind. Kjo qenka rritja?
Dhe përdor një gjuhë mashtruesi ndaj jush.
Po ju e keni parë vetë, keni 13 vite.
Ju keni eksperiencën e jetës, ju nuk mund të mashtroheni në këtë mënyrë nga një njeri që nuk ka nder as moral.
Ndaj dhe t’i japim duart sa më parë.
Dhe fjala dhe zotimi ynë solemn është se përveç minimumit jetik, nis vrapi i rritjes së pensioneve dhe rrogave të ulëta gjersa ju të jeni pensionistët me pensionet më të larta në rajon.
Gjersa ju të jeni rrogëtarët me rrogat më të larta në rajon.
Dhe ky është zotimi ynë.
Por duhet të largojmë.
Ndaj dhe në ato takime që u mbledhin me detyrim përplasjani në fytyrë.
Edhe njëherë, diskretitojeni dhe demaskojeni.
Ai meriton, turpin, turpin dhe vetëm turpin.
Me 17 kemi ditën e kryengritjes së madhe paqësore.
Ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të bashkohemi për t’i thënë Edi Ramës se vendi yt është para ligjit, para ligjit, para ligjit.
Të hënën tjetër, në ora 7 në këtë shesh, përsëri për t’i marrë fytyrën atij që nuk ka fytyrë, Edi Ramës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.


