KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët, bëri publike dhe datën e protestës tjetër të madhe kombëtare. Berisha deklaroi se, data 8 maj është dita kur shqiptarët duhet ti lënë ndasitë mes tyre dhe të bashkohen, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij për korrupsion dhe kapje të institucioneve.
Gjatë deklaratës së tij, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se qytetarët duhet të bashkohen në një ‘kryengritje paqësore’ në Tiranë. ‘Me datën 8 maj, shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi kundër kreut të organizatës kriminale dhe regjimit të tij.’ Berisha theksoi se kjo protestë duhet të kapërcejë ndarjet politike dhe pakënaqësitë individuale. ‘Të lëmë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe të bashkohemi në këtë kryengritje si shpresa e vetme e shqiptarëve.’
Gjatë konferencës, lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi Ramën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe për mbrojtje të zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive. ‘Edi Rama bllokoi drejtësinë… për të shpëtuar lëkurën e tij deklaroi se çështja Balluku është e mbyllur.’ Berisha shtoi se situata në vend është ‘dramatike’ dhe se qytetarët po largohen për shkak të mungesës së shpresës.
Kreut i PD-së Sali Berisha i kushtoi një hapësirë të madhe edhe skandalit të AKSHI-t që sipas tij, është ‘një nga aferat më të mëdha në historinë e shtetit’, duke akuzuar drejtpërdrejt Ramën dhe familjarët e tij. ‘Strumbullari i të gjithë aferës së AKSHI-t është çifti Rama. Kjo është historia më mafioze në historinë e një shteti.’ Berisha deklaroi se, tenderat në fushën e teknologjisë janë përdorur për përfitime të paligjshme dhe ryshfete të mëdha. ‘Tenderat në këtë fushë janë ato ku mund të spekulohet në mënyrën më të jashtëzakonshme, fitimet janë më të mëdha se me kokainë.’
Lideri i demokratëve Sali Berisha publikoi dhe vendimin e qeverisë të vitit 2017 ku qeveri e Edi Ramës i centralizoi të gjitha prokurimet IT në një dorë të vetme. ‘Edi Rama vendosi që të gjitha tenderat në fushën e IT të bëhen nga AKSHI, duke i bërë padronë të çdo prokurimi.’ Ai akuzoi Ergys Agasin dhe Edi Ramën për manipulim masiv të pronave përmes sistemit të kadastrës. ‘Janë mijëra prona që janë tjetërsuar. Atë që e ka bërë Rama nëpërmjet Agasit nuk e ka bërë asnjë pushtues.’ Ai shtoi se janë zhdukur mijëra faqe regjistrash dhe janë manipuluar tituj pronësie.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe deklaratat e Ramës për përdorimin e Shqipërisë nga SHBA për operacione ushtarake. ‘Nuk mund të justifikoj kurrë që t’i bllokohen bazat vendit udhëheqës të NATO-s, nëse je pjesë e aleancës, duhet të marrësh edhe riskun.’ Ai kritikoi gjithashtu qëndrimet e ndryshueshme të Ramës ndaj Bashkimit Europian. ‘Tre muaj më parë thoshte se Europa nuk ka nevojë për këshilla nga përtej Atlantikut, tani i jep mësime Europës.’
I pyetur për tryezat e reformave, kryedemokrati Sali Berisha përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje politike me Ramën, përveç reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët. ‘Asnjë lloj pakti tjetër me Edi Ramën nuk mund të kemi.’ Ai konfirmoi se Partia Demokratike do të nisë së shpejti procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore. ‘Shumë shpejt do të nisë procesi, po punojmë intensivisht në të gjitha drejtimet.’, tha Berisha.
Në përfundim, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi protestën e 8 majit si një moment kyç për reagimin qytetar ndaj qeverisë. ‘8 maji duhet të jetë dita e shqiptarëve… dita e protestës më të fuqishme kundër këtij regjimi.’

FJALA E PLOTE:
Jam sot për të informuar shqiptarët se me datën 8 maj, një ditë e rëndësishme, shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi kundër kreut të organizatës kriminale dhe regjimit të tij, qeverisë së tij.
Pra, kundër Edi Ramës dhe narkoministrave.
Ju jeni dëshmitarë të dashur qytetarë dhe qytetare se pasi bllokoi arrestimin e Lubi Ballukut për afera të përbashkëta me Ramën, për të cilat në një vlerësim paraprak, prokurori përcaktoi 36 vite burg në kërkesën e tij.
Dhe natyrisht nuk ishin më pak për Ramën në atë mes.
Pasi me mandatet e tij të krimit mbylli, bllokoi arrestimin e saj për të mbrojtur veten e vet.
Pasi afera të tjera të mëdha korruptive kanë dalë në dritë dhe drejtësia është tërësisht e paralizuar.
Pasi në Bruksel, fantazma e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, të pranishme në një seri mbledhjesh nga fillimi i marsit gjer më 18 prill, në të cilat është diskutuar raporti i ndërmjetëm për standardet dhe kriteret themelore për Shqipërinë dhe ka mbetur në klasë.
Por, theksoj këtu se shpresa e vetme në këtë situatë dramatike është reagimi dhe përgjigja e fuqishme qytetare.
Edi Rama bllokoi drejtësinë.
Edi Rama de facto për të shpëtuar lëkurën e tij, iu tha plaç partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë absolutisht me të drejtë, funksionimin e shtetit ligjor, funksionimin e luftës kundër korrupsionit dhe respektimin e vendimeve të drejtësisë, u deklaroi shqiptarëve se çështja Balluku është e mbyllur.
Unë ftoj çdo shqiptar të mos pranojmë të mbyllim kurrë atë çështje.
Vendi po shkatërrohet çdo ditë e më shumë.
Shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë.
Gjithçka bëhet e pashpresë në qoftë se ne nuk ngrihemi fuqishëm me zërin tonë.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, u bëj thirrje edhe ju që heshtni, por që shpirtërisht nuk aprovoni kurrë këto vjedhje monstruoze dhe këto qëndrime çnjerëzore ndaj kombit që mban Edi Rama.
Të lëmë mënjanë çdo pakënaqësi.
Të lëmë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe të bashkohemi në këtë kryengritje të fuqishme si shpresa e vetme e shqiptarëve.
Kryengritja e cila synon të bashkojë të gjithë shqiptarët pavarësisht nga moshat, pavarësisht se mund të jenë të bindjeve të ndryshme politike, por që gjykojnë se vjedhjet e tmerrshme të qeveritarëve po shkatërrojnë financat e tyre, po shkatërrojnë vendin e tyre.
8 maji duhet të jetë dita e shqiptarëve.
E protestës së tyre më të fuqishme.
Unë kam besim se do japim me 8 maj mesazhin më të fuqishëm ndaj këtij regjimi bandit dhe hajdut.
Tani, qytetarët kanë dëgjuar në mënyrë të përsëritur se afera e AKSHI-t është njëra nga aferat më të zeza, më të mëdha në historikun e regjimit të hajdutëve të Edi Ramës.
Kjo aferë, të cilën Edi Rama mburrej me AKSHI-n, e quante atë histori suksesi, rezulton të jetë historia më mafioze në historinë e një shteti.
Edhe njëherë, dhe një mijë herë për çdo shqiptar, strumbullari i të gjithë aferës së AKSHI-t është çifti Rama, Edi dhe Linda Rama sepse përfituesi i qindra tenderave, për të cilët janë marrë peng biznesmenë, për të cilët AKSHI është shndërruar në pishinën e peshkaqenit, siç thotë peshkaqeni Ermal Beqiri, strumbullari është Armand Frangu, është baxhanaku i Edi Ramës, është Linda Rama dhe Edi Rama.
Shpreh vlerësimin tim maksimal për të gjithë gazetarët investigativë dhe jo investigativë, të cilët po zbërthejnë dosjen e AKSHI-t.
Por njerëzisht u kërkoj, mos injoroni dhe mos u trembni t’u thoni shqiptarëve të vërtetën se Armand Frangu është krye-peshkaqeni i AKSHI-t.
Se Ergys Agasi, Ermal Beqiri, kanë vepruar që të gjithë në funksion dhe në bashkëpunim me Armand Frangun.
Se Sali Berisha, në vitin 2024, ka paraqitur para publikut regjistrimin ambiental të bërë bisedës së Gerond Meçes me një person tjetër që do merrte pjesë në tendera.
Dhe se në atë bisedë, Gerond Meçe i thotë: kompania ABS është e Frangut, e baxhanakut, pavarësisht se është e regjistruar në emër të Gerondit.
Dhe se fituesit e tenderave, natyrisht i përcakton patronazhistja Linda Rama.
Çfarë ka treguar dosja?
Ka treguar një gjë shumë interesante.
Biznesmenët që donin të marrin pjesë në tendera, i priste Mirlinda e gjorë e AKSHI-t, të cilin avokati Edi Rama, për të shpëtuar Lindën e Surrelit, për t’ia mbyllur gojën për Lindën e Surrelit, e paraqet si të varfër që ka gjetur një apartament okazion me qira. Apartamenti o miqtë e mi, 210 metra, një vrap kali. Apartamenti i Lindës që banon bashkë me djalin, 210 metra.
Por kur biznesmenët paraqiteshin tek kjo, Linda e AKSHI-t i dërgonte ata tek Ermal Beqiri në hotele luksoze.
Dhe Ermal Beqiri u deklaronte atyre se AKSHI është një pishinë peshkaqenësh.
Imagjinoni ju se çfarë suksesi është AKSHI i Edi Ramës.
Je futur në pishinë peshkaqenësh dhe tani duhet të takosh Ergys Agasin.
Ergys Agasi në çdo hap përfaqësonte Ramën dhe ishte vetë Rama.
Në një rast, një shtetase shqiptaro-gjermane, e cila paraqet ofertë pikërisht në fushën ku ishte absolut Armand Frangu, në fushën e pajisjeve kompjuterike për shkollat, dhe kjo kalon një proces kafkian.
Kjo zonja.
Dhe në fund për të shpëtuar, për të dalë nga ai proces, paguan edhe 1 milion dollarë ryshfet.
Kurse Rama i AKSHI-t ose Ergys Agasi, pasi rregullonte tenderat, merrte për to minimumi 1 milion euro gjobë dhe bëri në një vit 11 milionë euro.
Historia e suksesit, thotë Rama, sepse paratë janë të Ramës, ndahen me Ramën.
Përveç sa vidhte Armandi, që mori për inteligjencën artificiale 75 milionë euro dhe ajo nuk ekziston. Inteligjenca artificiale e Armand Frangut është identik me djegësin e Tiranës, as nam as nishan nuk ekziston.
Por nuk mjaftonin këto, por edhe të tjerë duhet të paguanin ryshfete të majme, milionëshe.
Pse kjo dhe si ka mundësi?
Po, tenderat në fushën e high tech janë tenderat në të cilat mund të spekulohet në mënyrën më të jashtëzakonshme.
Në këtë fushë, mund të luhet me çmimet në mënyrë të paimagjinueshme.
Urdhëroni, tenderi 75 milionë euro për përmirësimin e inteligjencës artificiale që nuk ekziston.
Arben Ahmetaj ka paraqitur dokumente zyrtarë se si krye-peshkaqeni Armand Frangu, dhe u them medieve mos u trembni dhe damkosni Ramën, Lindën dhe kunatin e tyre, me fatura ka sjellë kompjutera për shkollat në Shqipëri dhjetëfishi i çmimit me të cilin ato shiten në dyqanin e shitjes me pakicë në Vjenë.
E kuptoni se çfarë ndodh në këtë fushë?
Fitimet në këtë fushë janë më të mëdha se me kokainë.
Në AKSHI është fjala. AKSHI është agjenci shtetërore.
Si erdhëm këtu?
Dora vetë Edi Rama.
Në vitin 2017, Edi Rama me një vendim të shkruar nga kunati i të shoqes, vendos që të gjitha tenderat në fushën e IT në Shqipëri të bëhen nga AKSHI.
Pra, Linda e Surrelit dhe kunati i saj, të bëheshin padronë të çdo prokurimi në fushën e IT, në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Dhe kjo solli pastaj pishinën e peshkaqenëve apo kopshtin privat të Edi Ramës.
Ju e patë se si Linda e gjorë në një apartament me qira, edhe atë të gjetur me okazion sipas asaj dhe Ramës, kishte gjashtë prona.
Gjashtë prona që shkojnë miliona euro.
Ishte personi që në shishe futeshin 200 mijë euro.
E patë arkën ju si ishte.
Vendosej shishja 36 mijë euro në mes, sepse Aurela Koromani thoshte se e dua për nivelet më të larta, dhe shishja pastaj, pjesa tjetër e arkës mbushej me 500-she, prerje euro 500-she.
Kjo është.

Kurse prestanome i Edi Ramës, famëziu Ergys Agasi, edhe sot është i paprekshëm.
Ka blerë toka me 6 euro aty ku janë të paktën 100 euro metri katror, dhe ky e deklaron se janë me 6 euro.
Ka regjistruar në çdo pyll ka ndërtuar vila dhe resorte, dhe po vazhdon ndërtimet gjatë gjithë kësaj kohe se gjoja është në kërkim, në një kohë që ai mbrohet nga policia me urdhër të Edi Ramës.
Mbrohet nga policia sepse Edi Rama dhe Linda Rama janë peng të tij.
Megjithëse zbërthimin e tij të plotë, shqiptarët duhet t’ia njohin për meritë Gerond Meçes.
Pasi nxorën Gerondin jashtë loje, frenat në dorë… Ergys Agasi ndërton me Elvis Doçin, me Pojën e Troplinëve, të cilin e mbrojti Altin Troplini.
Pra, të pafundme janë pronat e tij dhe ky vazhdon sot e kësaj dite të ndërtojë.
Ndërtimet nuk janë ndërprerë dhe nuk ka inspektorat që i afrohet prestanomes së Edi Ramës për t’i ndaluar ndërtimet dhe sekuestruar resortet.
Ermal Beqiri, prona të pafundme. Një kriminel i fushës, i cili meriton të pakën 30 vite burg për vjedhjen dhe nxjerrjen në treg të 20 milionë deklarata tatimore konfidenciale të qytetarëve shqiptarë me urdhër të Edi Ramës.
Edhe Ermal Beqiri jeton i lirë. As për njërin dhe as për tjetrin nuk ka mandat ndërkombëtar arresti.
Jo.
Pse? Sepse janë të sigurt brenda vendit.
Për një kohë ky Agasi ka qëndruar në Manzë, e dinin të gjithë se ku qëndronte.
Tani, më vonë ca kohë ndejti në Surrel, ndejti te Edi Rama apo ka marrë një shtëpi me qira afër tij, këtë nuk mund ta them.
Qëndron në resortin e tij.
Nga kjo organizatë mafioze janë bërë tjetërsimet më të jashtëzakonshme të pronave në Shqipëri.
Qytetarët duhet ta dinë se janë mijëra, mijëra e mijëra prej tyre që këta mafiozë kanë lëvizur vendndodhjen ne pronës së tyre.
E ka pasur ngjitur me shtëpinë truallin, ia kanë ngjitur në majë të malit dhe këtu i kanë sjellë ata që kanë dashur. Ia kanë marrë.
Atë që kanë bërë me kadastrën, nuk e ka bërë kurrë asnjë regjim gjer sot.
Asnjë regjim, asnjë pushtues, as diktatura, atë që ka bërë Edi Rama nëpërmjet Ergys Agasit.
Vetëm në regjistra janë zhdukur 13 mijë faqe në kadastrën e Tiranës dhe pastaj në dixhitalizim janë transfuzuar mijëra e mijëra tituj.
Ergys Agasi është pronari i dhjetëra mijëra metër katrorë pyje, ara, duke tjetërsuar pronësi dhe duke i plaçkitur ato.
Pra, këto janë aferat për të cilat shqiptarët nuk do pajtohen kurrë.
Këto janë shkaqet e vërteta pse në Bruksel çdo javë diskutohet për Shqipërinë dhe çdo javë janë shtuar kushtet për Shqipërinë.
Opozita, të dashur qytetarë dhe qytetare, është zëdhënësja juaj, është zëdhënësja e e interesave jetike tuaja.
Opozita iu thotë ju të vërtetën, por thotë të vërtetën kudo, në Shqipëri dhe në botë.
Sulmet që bëhen ndaj opozitës, nga mafiozë në krye të qeverisë, nga lobistë të korruptuar nga qeveria, kanë vetëm një synim, mbrojtjen e plaçkitjeve që u bëhet qytetarëve shqiptarë, vjedhjen e pasurive tuaja nga qeveritarët dhe në fakt largimin tuaj nga Shqipëria.
Ndaj dhe njëherë, ditën e premte, në datën 8 maj, e gjithë Shqipëria në Tiranë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, a keni një koment për deklaratat e Ramës në një intervistë për Politico, ku thotë se shprehet i hapur që Shqipëria të përdoret nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si hapësirë për operacione ushtarake për të sulmuar Iranin, ndërsa shprehet me rezerva dhe kritika të forta ndaj Bashkimit Europian se, siç thotë ai, po gabon rëndë me Rusinë, që ka ndërprerë komunikimet? Faleminderit.
Sali Berisha: Do ta ndaja në dy pjesë këtë pyetje.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Dhe, në të gjithë mendimin tim, opinionin tim, NATO-ja është organizata politike më… politike-ushtarake më e fuqishme në botë, për faktin e vetëm se ajo udhëhiqet nga fuqia politike dhe ushtarake më e madhe në botë, që janë Shtetet e Bashkuara.
Dhe në këtë kuadër, unë duhet të jem shumë i hapur. Nuk mund të justifikoj kurrë që t’i bllokohen bazat, fluturimet, vendit udhëheqës të NATO-s për në një fushëbetejë tjetër.
Kjo ka ndodhur.
Nuk mund ta mohoj. Këtë e bënë disa vende të NATO-s. Të tjerat nuk e bënë. Mendoj se në vlerësimin tim, kjo nuk mund të bëhej. Në qoftë se ti je i vetëdijshëm që vendi udhëheqës i aleancës janë Shtetet e Bashkuara dhe ato ke pranuar bazat e tyre me avionë, me dronë, me mjete të tjera, nuk më zhduk një veprim i duhur bllokimi i këtyre bazave.
Jo. Nuk më është dukur.
A paraqisni një risk? Po do të marrësh një risk ti. Po, po do ta marrësh atë risk. Tani, mos harrojmë një gjë. Ajo është një luftë, e cila faktoi, ndër të tjera, në mënyrën më të pamohueshme, nuk duhet të konfuzionohemi nga nga propaganda, por kjo luftë çfarë faktoi? Faktoi se për fatin më të keq, fluksi jashtëzakonisht i rëndësishëm i energjisë në botë në një mënyrë ose një tjetër kontrollohej nga një regjim që s’duhet të kontrollohej kurrë. Jo.
Ç’punë ke ti me naftën e të tjerëve? Ti ke naftën tënde. Dhe ky tani në luftë asimetrike përdori, çka do të thotë që e ka strategji. Ai e kishte strategji Irani këtë. Dhe Europa
mendoj se pagoi një çmim shumë më të shtrenjtë sesa goditjen nga një dron apo pesë drone të ajatollahëve.
Në këtë kuadër, e them përsëri, unë nuk konceptoj që vendit udhëheqës të NATO-s të mos i lejohen bazat, operacionet dhe fluturimet në një zonë ku ajo është në luftë. Ky është qëllimi. A, tani vijmë tek tjetra.
Shiko ti. Ky është një kameleon pa shtyllë kurrizore, që mendon se duke notuar për veten e tij mund të ndikojë te të tjerët. Ju rikujtoj këtu dhe njëherë.
Para tre muajve, Edi Rama në samitin politik të Europës, deklaroi se Europa nuk ka nevojë për këshilla përtej Atlantikut. Europa është paqja, tha. Është kultura e paqes. Është paqja vetë. Dhe nuk ka nevojë të këshillohet nga përtej Atlantikut. Tani, del dhe jep mësime Europës se çfarë qëndrimi duhet të mbajë ndaj Putinit dhe agresionit të tij në Ukrainë.
Janë që të gjitha shërbime që përpiqet t’i bëjë lëkurës së tij. Edhe njëherë mos harroni. Narkodiktatorët, diktatorët, autoritarë, totalitarë, autokratë, çfarëdo që të jenë, për shkak të krimeve që kanë kryer, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, të thonë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tyre. Ndaj dhe kjo ka vetëm këtë shpjegim.
Tre muaj para, Europa është vetë paqja dhe nuk ka nevojë për këshilla përtej Atlantikut. Nuk marrim këshilla prej andej. Tani, Europa ka gabime të mëdha se nuk negocion me Putinin.
Është, këto janë pra, s’ka nevojë për koment. Për të parën u shpjegova.
Fiorenca Cana, OraNews: Zoti Berisha, nisur nga deklaratat e bëra prej jush në ditët e fundit, por gjithashtu edhe nga një deklaratë e bërë rreth dy ditë më parë nga zoti Damian Gjiknuri, duket sikur po shkohet drejt një marrëveshjeje politike. Ju zoti Berisha, jeni gati për një pakt të ri politik që të përfshijë kërkesat tuaja për kodin zgjedhor dhe reformën territoriale, por gjithashtu edhe kërkesat e bëra nga PS për një reformë kushtetuese.
Sali Berisha: Unë siç theksova dhe dje, asnjë lloj pakti përveç dy reformave që janë të kërkuara edhe nga BE-ja, OSBE-ja, Këshilli i Europës, me Edi Ramën nuk mund të kemi asnjë pak tjetër.
Kjo është shumë e prerë.
Edi Rama është diktator autoritar, armiku më i egër i opozitës dhe opozita nuk mundet kurrë që përveç në këto fusha të bashkëpunojë me të.
Fiorenca Cana, OraNews: Kemi 1 vit nga zgjedhjet lokale. Kur do e nisë PD procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për bashki?
Sali Berisha: Shumë shpejt, shumë e drejtë.
Shumë shpejt do të nisë procesi. Ka një debat për tu zhvilluar lidhur me procedurën. Do të finalizohet dhe ky debat. Ka mendime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të procedojmë, por siç kemi shpallur që ne, koha na imponon veprimtari shumë planëshe njëkohësisht dhe kësaj po i përmbahemi.
Po punojmë intensivisht në parlament, në procesin e analizave dhe zgjedhjeve në parti, do punojmë intensivisht në procesin e përgatitjes për zgjedhjet lokale.
Pra shpejt do të fillojë.
Faleminderit!


