Berisha: Më 8 maj, në rrugët dhe sheshet e Tiranës do t’u themi shqiptarëve se zotët e Shqipërisë jemi ne, dhe jo banda në pushtet!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E DEGËS 16 ASTIR, TIRANË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren me Degën 16 Tiranë, vlerësoi rolin e qytetarëve të zonës në protestat e viteve të fundit, duke i cilësuar si simbol të qëndresës qytetare dhe të mbrojtjes së të drejtave.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi me tone të ashpra Edi Ramën dhe qeverinë e tij për korrupsion të përhapur, manipulim të proceseve zgjedhore dhe bashkëpunim me elementë kriminalë. Ai e cilësoi qeverinë aktuale si një regjim që ka dëmtuar demokracinë dhe ekonominë e vendit.

Lideri i opozitës theksoi se qëndresa e qytetarëve dhe aksioni opozitar kanë ndikuar në ndërkombëtarizimin e çështjeve të ngritura prej tyre. Ai iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, përfshirë ato të Komisioni Evropian, të cilat evidentojnë problematika serioze në proceset zgjedhore dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri. Berisha u ndal te raporti i fundit i Komisionit Evropian, për të cilin tha se pasqyron shqetësimet e ngritura nga opozita. Sipas tij, raporti evidenton probleme si ndërthurja e shtetit me partinë në pushtet gjatë zgjedhjeve, mungesa e standardeve demokratike dhe akuza për korrupsion në nivele të larta. Ai shtoi se këto konstatime përputhen me denoncimet e vazhdueshme të opozitës në Shqipëri.

Gjithashtu, Berisha deklaroi se tetë rezoluta të miratuara nga forca politike të djathta dhe të qendrës së djathtë në arenën ndërkombëtare kanë kritikuar qeverinë shqiptare dhe kanë mbështetur opozitën. Lideri demokrat shtoi se këto rezoluta e cilësojnë qeverinë problematike për demokracinë dhe zgjedhjet, duke e konsideruar këtë si një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare për kauzën e opozitës.

Berisha deklaroi se PD dhe opozita ndodhet në një fazë vendimtare të përballjes politike, duke e cilësuar këtë moment si “kilometrin e fundit” drejt ndryshimit. Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe pjesëmarrje të gjerë në protestën e paralajmëruar për 8 maj në Tiranë, të cilën e konsideroi si një hap të rëndësishëm në betejën për rikthimin e demokracisë dhe të drejtave qytetare në vend.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe mirënjohjen time më të pakufijshme, nderimin tim më të madh dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, qytetarët dhe qytetarët e Astirit, simbol frymëzimi për çdo qytetar në qëndresën dhe betejën e tyre për dinjitet, për nder, për të drejtën e vet.

Ju, në një kohë shumë të vështirë, në një kohë kur regjimi ngjitej drejt majave të pushtetit, kur opozita zvarritej, në batakun e regjimit, ju qëndruat të pamposhtur. Shënuat rekord në protestën tuaj, së bashku me Klevis Balliun, për të drejtat që shkelmonte një regjim armiqësor, për të drejtat që shkelmonte një regjim banditesk, një regjim pa ligj, pa moral. Dhe ato ishin kohëra të vështira, shumë të vështira, sepse zëri juaj bëhej gjithçka që të shuhej, të mos dëgjohej. Bëhej çdo gjë që opozita të mos ishte. Bëhej gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. Kurse ju qëndruat. Ndaj dhe them këtu para jush, ju jeni frymëzim i qëndresës qytetare dhe meritoni nderimin më të madh nga të gjithë qytetarët e Tiranës. Meritoni një nderim ju dhe të gjithë qytetarët të cilët në këto vite bënë gjithçka, u përballën dhëmb për dhëmb me narkodiktatorin, me Edi Ramën. Njeriun që moralin kriminal të familjes së tij, moralin prej krimineli të babait të tij biologjik, të xhaxhait të tij, e shtroi në moralin e qeverisjes së tij kundër shqiptarëve, e shtroi në përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij të zeza. E shtroi në bashkëpunimin e tij më të ngushtë me bandat më vrastare, me organizatat më kriminale, me kartelet e drogës. E shtroi në shkatërrimin e procesit zgjedhor dhe shtrirjen e zgjedhjeve në një farsë elektorale. E shtroi në plaçkitjen më të madhe të shqiptarëve në histori.

Miq, ju garantoj se të gjitha pushtimet dhe të gjitha regjimet marrë së bashku nuk kanë plaçkitur qytetarët e këtij vendi sa ç’ka plaçkitur Edvin Balluku dhe Lubi Rama me kompaninë e tyre. Por, qëndresa juaj, protesta juaj, revolta juaj, në periudhën më të vështirë, ka qenë shpëtimtare. Ka qenë shpëtimtare për shpirtin opozitar të këtij populli. Ka qenë shpëtimtare për opozitën. Ishte shpëtimtare dhe do jetë shpëtimtare për bashkinë dhe për Shqipërinë.

Ku është sot, ku është sot hajduti që ju thoshte se kam mbjellë 1 milion pemë, pasi kishte vjedhur fondet e 1 milion fidanëve?

Ku është sot ky hajdut? Atje ku e meriton. Ju qëndruat në betejë të vështirë, të lodhur, të dëshpëruar, por nuk u dorëzuat. Jo. Qëndresa në opozitë është mision. Nuk ka mision më fisnik për njeriun. Se çdo njeri mund të thotë, tani jam tërhequr, tani s’po merrem më. Po ju nuk e thatë. Demokratët nuk e thanë këtë. Jo, jo. Ndaj dhe ne arritëm, arritëm shumë. Arritëm në kilometrin e fundit. Dhe në këtë kilometër pa diskutim kemi vështirësi. Po arritëm në këtë kilometër, pasi kemi plagosur bishën për vdekje. Pasi kemi damkosur Edi Ramën njëherë e përgjithmonë si kryehajdut i kombit. Arritëm! Pasi i dhamë atij atë ndëshkim, atë plagë, atë damkë nga e cila ai nuk shërohet më kurrë. Ju e patë. Ju e patë se si, se si 8 rezoluta të të gjitha forcave politike të qendrës së djathtë dhe të djathtë në botë damkosën Edi Ramën si narkodiktator. Damkosën Edi Ramën si armik të votës së lirë. Damkosën Edi Ramën si hajdut të papërmbajtur dhe mbështetën Partinë Demokratike, si një forcë politike që mbron interesat tuaja, si një forcë politike që ka një program shpëtimtar për Shqipërinë, që ka një program për qytetarët, mëkëmbjen e tyre, rrogave, pensioneve, shërbimeve të tyre, që ka një program për luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit, për shtypjen me të gjithë forcën e ligjit të krimit. Mbështetën Partinë Demokratike me besim të plotë, se ajo është parti e vlerave, e idealeve demokratike të qytetarëve. Miq, po të kthehemi jo shumë larg, po dhe dy vite më parë Edi Rama, i cili zëvendësoi vlerat, moralin e vlerave dhe të ligjeve të drejta, me moralin kriminal të familjes së tij. Mbahej me lavdata falë korrupsionit që bënte dhe lobimeve korruptive të tij. Shpallej shembull e të tjerë e të tjerë. Çfarë është sot Edi Rama në sytë e botës? Është, dijeni mirë, një turp qeveritar. Është një njeri i plagosur dhe i pashpresë. Me cilindo që bisedoj, duhet t’ju rrëfej këtu një të vërtetë. Në mënyrë absolute, çdo njeri i çdo funksioni që është, në mënyrë të çuditshme, në fund të bisedës më thotë: Zoti Berisha, këto gjëra janë gjëra nga të pabesueshmet që mund të ndodhin. Janë gjërat më të paimagjinueshme që mund të ndodhin. Dhe ne persistuam. Ne me vendosmëri, duke mbrojtur interesat tuaja, duke mbrojtur përpjekjet tuaja, duke mbrojtur qëndresën tuaj, ne e zhveshëm atë lakuriq, siç është, faqezinj. Ne i treguam botës se ç’përfaqëson njeriu që sillet me atlete të bardha për të tërhequr vëmendjen dhe për të harruar se kush është. Dhe sot, cilido që lexon raportin, cilido nga ju që lexon raportin e sotshëm të Komisionit Europian, të votuar në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit, gjeni veten tuaj, gjeni fjalët tuaja, gjeni qëllimet tuaja. Dhe kjo është merita juaj. Është meritë e jashtëzakonshme. Nuk u mposhtët, po qëndruat. Nuk u dorëzuat, po qëndruat të pamposhtur. Në rreshtat e para, raporti thotë se në Shqipëri, institucionet shtetërore në zgjedhje u shkrinë me strukturat e partisë së krimit, Partisë së Edi Ramës, se zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet. Pra, nuk ishin zgjedhje. Ky raport përmban gjithçka ju keni denoncuar. Është dëshmi pra, është një dokument i qëndrimeve tona të drejta. Në këtë raport, Edi Rama akuzohet se mbrojti me mandate krimi Lubi Ballukun, de facto veten e tij. Në raport akuzohet z.Sadiku, Edi Rama akuzohet për investitorë strategjikë. Vjedhjes me investitorë strategjikë. Në raport denoncohet me forcën më të madhe, nisma antishqiptare e Ballkanit të Hapur, që e shkatërroi bujqësinë e vendit. Po ne qëndruam. Ne së bashku mbushëm bulevardin. Por ai do sillte Vuçiç e Zaevin. Pra, miqtë e mi, e kemi një kushtrim. Vërtet s’kemi realizuar maksimalen që meritojmë, por kauza jonë është bërë kauzë botërore. Zëri ynë është bërë zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve. Kemi sakrifikuar, keni sakrifikuar, por keni qenë avokatë, avoketër, të interesit kombëtar, të interesit të shqiptarëve.

Jemi në kilometrin e fundit. Përsëri, rruga është e vështirë, por absolutisht, Edi Rama është i pashpresë. Është i pashpresë! Dhe ne do ta bëjmë këtë kilometër. Do ta bëjmë! Për sakrificën tonë! Do ta bëjmë, për fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre! Do ta bëjmë, për dinjitetin e shqiptarëve, për të ardhmen e Shqipërisë! 8 Maj është dita jonë! Më 8 Maj, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, do t’u themi shqiptarëve se zotët e Shqipërisë jemi ne, dhe jo banda në pushtet! Me 8 Maj, do t’i themi botës, Evropës dhe botës, se vlerat, të drejtat, kanë një avokat të pamposhtur, jemi ne. Se jemi të vendosur, gjer në rikthimin e tyre të vazhdojmë betejën tonë. Dhe se Edi Rama është një armik i egër i shqiptarëve. Është një armik i egër i të drejtave, i lirive, i mirëqenies, i sigurisë së këtij vendi. Është një e keqe nga më të rrezikshmet, me të cilën do ndahemi të sigurtë dhe sa më shpejt. Edhe njëherë, të gjithë, ju falënderoj dhe të gjithë në datën 8 Maj, të ngrihemi madhërishëm, në protestën tonë paqësore, në të drejtën tonë për dinjitetin tonë, për dinjitetin e kombit tonë, për dinjitetin e vendit tonë. Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale