Berisha: Më 20 shkurt do i japim tiranit atë që meriton! Ftoj fermerët të mbushin rrugët me mjetet e tyre atë ditë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BANESËN E TIJ

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës në tubimin që vijon që prej mbi një muaji tashmë në “Rrugën e Shpresës” tha se, drejtësia jo vetëm që nuk ekziston, por në mënyrën më tragjike serviret me një akt të tmerrshëm korrupsioni si model.

Berisha u shpreh se, në rrugët e Shqipërisë gjatë këtyre 10 viteve janë shpenzuar 9 miliardë euro dhe rreth 90 përqind e tyre janë vjedhur.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, eksperti që denoncoi vjedhjen e TIMS nga Balla po ndiqet nga SKAP-i se u çori maskën atyre. Berisha tha se, 20 shkurti është dita e madhe, është dita e kushtrimit kombëtar, e protestës kombëtare.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, pallatin e Lindës së Surrelit e ka ndërtuar komandanti i Gardës që ishte marrë me prostitucion. Berisha tha se, më 20 shkurt do i japim tiranit atë që meriton.

Berisha gjithashtu ftoi në Tiranë më 20 shkurt edhe fermerët që të mbushin rrugët me mjetet e tyre atë ditë.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të guximit, të idealeve më të larta njerëzore. Ju përshëndes përzemërsisht, përulem para jush me mirënjohjen më të pakufijshme dhe nderimin më të madh.

Ky regjim shkatërroi Shqipërinë më shumë se çdo pushtim tjetër. Një regjimi që me politikat e tij, vjedhjet e tmerrshme, dhunimin e votës dhe të drejtave të njeriut, de facto përzuri nga Shqipëria shqiptarët, sa asnjë pushtues tjetër nga Shqipëria. Protesta juaj është një thirrje nga thellësitë e shpirtit tuaj fisnik për çdo shqiptar, o sot o kurrë, të marrim në dorë fatin tonë.

Qytetarë dhe qytetare shqiptarë, o sot o kurrë të marrim në dorë fatin tonë.

Sot ne jemi qytetarët me të drejta të mohuara. Sot ne jemi qytetarët, të cilëve qeveria u kontrollon votën dhe vullnetin. Sot ne jemi qytetarët, që me votën tonë nuk flasim më. Sot ne jemi qytetarët, të kontrolluar njëlloj si një diktaturë.

Drejtësia nuk ekziston. Jo vetëm nuk ekziston, por në mënyrën më tragjike serviret në një akt të tmerrshëm korrupsioni si model- drejtësi, si suksesi i sukseseve, si arritja e arritjeve.

O sot, o kurrë, çdo shqiptar duhet të ngrihet të marrë në dorë fatin e tij sepse ai është qytetari më i vjedhur jo i Europës, por i planetit.

Miqtë e mi!

Kemi folur çdo ditë për vjedhjen e shekullit, për djegësin e Tiranës, që gjer tani ka gllabëruar në kompaninë Rama-Veliaj 130 milionë euro dhe nuk ekziston as nam as nishan. Kemi folur për sterilizimet, që kushtojnë 83 herë më shumë se sa para fillimit të tyre. Për check-upin, për një seri vjedhjesh të tjera.

Miqtë e mi!

Në rrugët e Shqipërisë gjatë këtyre 10 viteve janë shpenzuar 9 miliardë euro, janë vjedhur 90 përqind të tyre. Janë ndërtuar rrugë 10, 15 herë më shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Europës.

Ndaj dhe thirrja juaj, o sot o kurrë, të marrim në dorë fatin tonë, është për çdo shqiptar.

Për çdo shqiptar që kërkon të votojë i lirë. Për çdo shqiptar që kërkon që taksat e tij t’i kthehen në mirësi, në rroga, pensione, shërbime, rrugë. Për çdo shqiptar që kërkon që me votën e tij të ndryshojë qeverinë që nuk do.

Miqtë e mi!

Të mos harrojmë se kurrë nuk duhet të presim nga njeri që do të vijë nga jashtë dhe të na garantojë të drejtën e votës.

Kurrë nuk duhet të presim nga një njeri se do vijë nga jashtë të kapë për zverku qeveritarët tanë hajdutë. Jemi ne që kemi detyrë mbi detyrat tona t’i japim duart njëherë e përgjithmonë këtij regjimi.

Thirrja juaj o sot o kurrë u drejtohet mbarë të rinjve shqiptarë, të cilët të injoruar në mënyrë armiqësore nga regjimi, të cilët me qëllim bëhet gjithçka që të largohen nga Shqipëria. Kjo thirrje është për secilin prej tyre, të bashkohet me ne për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e fitores, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e begatisë.

Miqtë e mi, të rinj dhe të reja!

Lajmi se Shqipëria u rrokullis në 8 vitet e kësaj qeverie me 62 pikë në testin PISA, pësoi rrokullisjen më të madhe në botë, më brutale në botë, është një alarm, është një klithmë, është një apel kushtrim për çdo prind, për çdo fëmijë, për çdo student, për çdo nxënës të ngrihet, sepse të gjitha këto i solli vjedhja e qeveritarëve.

Edhe njëherë, askush të mos mendojë se do vijë dikush nga jashtë të kapë për zverku hajdutët tanë qeveritarë.

Por meqë jam këtu, askush të mos besojë se skapistët, Dumanët dhe Krajat dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate kriminale që quhet SKAP, do bëjnë ligjin për kryehajdutin Edi Rama dhe hajdutët e tij.

Jo, jo, ata po vjedhin së bashku me ta.

Të dashur miq!

Çdo mbrojtje që dumanistët i bëjnë Altin Dumanit dhe eksponentëve të tjerë të krimit në Skap, është mbrojtje për Edi Ramën, është mbrojtje për Erion Veliajn, është mbrojtje për Belinda Ballukun, Elisa Spiropalin, Damian Gjiknurin. Është mbrojtje për ministrin kriminel në detyrë, Taulant Ballën, ministrin trafikant.

Ngrihuni qytetarë, bashkohuni me ne!

20 shkurti është dita e madhe. Është dita e kushtrimit kombëtar, e protestës kombëtare. E revoltës kombëtare. Ngrihuni të lebitisim tiraninë e krimit, tiraninë e vjedhjes, tiraninë e mjerimit. Këta qeveritarë të lidhur kokë e këmbë me krimin, këta qeveritarë që vjedhin qindra milionë dhe miliarda, kanë krijuar parzmoren e tyre, parzmoren e vjedhjes së tyre, kanë krijuar Skapin.

Dy muaj më parë, një ekspert guximtar, denoncoi Taulant Ballën se vodhi të dhënat e Timsit, dhe Edi Ramën. Sepse pas Taulant Ballës, emëroi drejtor të IT, një njeri delinkuent, të inkriminuar me misionin e vjedhjes dhe eksportimit të të dhënave të TIMS-it.

A e dini ju se ky njeri, ky burrë guximtar, patriot, ndiqet nga SKAP-i se u çori maskën Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Skapistëve të tij.

Kush mund të flasë tjetër atëherë, përveç qytetarëve, të cilët duhet të marrin në dorë fatin e tyre.Prej muajsh, Belind Këlliçi paraqet çdo ditë para shqiptarëve dokumente që faktojnë se kryehajduti i vjedhjes së shekullit është Edi Rama. Se pronari i djegësit të Tiranës është Erion Veliaj. Ka dorëzuar në SKAP me qindra e mijëra dokumente.

Cili është regjimi? E patë vetë se si Baton Stanishiçi do e kërcënonte në studio televizive, kujdes ti se po të ndjek Skapi.

Pra, jo vetëm që Dumani, Kraja nuk akuzojnë dot Ramën, Veliajn dhe bandën e tyre, por kanë mision ndjekjen, persekutimin, krijimin e dosjeve false për ata që denoncojnë Ramën, Veliajn, Dumanin, Krajën, organizatën e tyre kriminale.

Atëherë sot ka vetëm një rrugë, o sot o kurrë, të gjithë në betejë.

U bëj një apel, u përcjell një mesazh të gjithë atyre shqiptarëve që me 25 prill, shkuan në qendrat e votimit. A votuat ju për përfaqësuesin tuaj që të mbrojë në parlament interesat tuaja apo votuat për parlamentin Rama-Linda, që nuk ka ligj, nuk ka moral, nuk ka normë, nuk ka standard.

A votuat ju për një parlament që nuk lejon deputetët e opozitës të hetojnë vjedhjet monstruoze të Edi Ramës, të hetojnë udhëtimet e tij me 21 milionë euro shpenzime abuzime në dy vite, të hetojnë vilën e tij të ngritur kur ka pasur vetëm 3800 euro, të hetojnë me dhjetëra tendera të fituara nga thjeshtra, duke përdorur pushtetin e Edi Ramës në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës. Abuzim flagrant.

Të hetojnë pallatin pesëkatësh! A e dini ju kush e ka ndërtuar pa asnjë faturë doganore, bankare, ndërtimore? Pallatin e familjes së Lindës së Surrelit e ka ndërtuar komandanti i Gardës, që ishte marrë me prostitucion dhe ishte larguar nga detyra. Kompania e vëllait të tij, de facto kompania e tij.

Shikoni miq, pasi ishte larguar nga detyra për akte të turpshme, kriminale, ai ishte emëruar komandant Garde nga Edi Rama, sepse Edi Rama vetëm nga banditët e ndjen veten të sigurt dhe mund të mbrohet.

Thirrja ime është: O sot, o kurrë, të bashkohemi dhe më 20 shkurt t’i japim tiranit atë që meriton.

Kam një thirrje miqësore për të gjithë fermerët e Shqipërisë.

I përgëzoj për protestën që bënë sot. I garantoj se PD çdo kërkesë të tyre, të gjitha kërkesat e tyre, qoftë për barazinë e taksave, qoftë për TVSH-në e inputeve, qoftë për naftën, subvencionin për prodhimet, të gjitha do bëhen realitet. Por mbushni rrugët me të gjitha mjetet tuaja bujqësore, mbushni sheshet, ejani në Tiranë me 20 shkurt, t’i japim tiranisë së hajnave atë që meritojnë.

Demokrate dhe demokratë, këto ditë përsëri theksoj se ju bëtë mrekullinë, bashkimin e demokratëve.

Kjo frymë bashkimi vendimtare për fitoren tonë, t’u frymëzojë ju kudo që jeni, të ngriheni në këtë betejë, e cila ka për fat fitoren, fitoren, fitoren!

Dhe së fundmi, një mesazh nga Rruga e Shpresës, rruga e dritës, rruga e fitores, Surrelit në errësirë.

E kam fjalën sarajeve të Surrelit, dhe jo fshatarëve të Surrelit. Ata i përshëndes dhe i garantoj se shumë shpejt se e keqja që u ka mbirë në derë ju dhe mbarë shqiptarëve, do marrë atë që meriton.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale