Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një prononcimi për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, foli për protestën e thirrur nga opozita më 12 mars para Kuvendit, duke theksuar se objektivi i vetëm është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Kryedemokrati Berisha u shpreh se, jemi në stinën e përmbysjes së diktatorëve, dhe në Shqipëri “do ta kryejmë vetë”.
“Më 12 mars Shqipëria vjen këtu për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Do protestojmë më 12 mars dhe do ketë vetëm një objektiv, larimin, dorëheqjen e Edi Ramës. Ora do caktohet, por ftoj të gjithë shqiptarët të vazhdojmë betejën tonë, sepse është stina e përmbysjes së diktaturave dhe të diktatorëve, por këtu në Shqipëri do ta kryejmë vetë. T’i themi sa më shpejtë u krye”, tha Berisha.
Kryetari i PD mohoi që të ketë votuar në Kuvend kundër shkarkimit të Elisa Spiropalit si Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme.
Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha me gazetarët jashtë parlamentit:
Duke dënuar me forcën më të madhe sulmet e regjimit të Ajatollahëve ndaj të gjithë fqinjëve të saj, i bëj thirrje Azerbajxhanit, duke i shprehur të gjithë solidaritetin e PD dhe timin të bëjnë çdo gjë për çlirimin e dhjetëra milionë azerëve që prej dekadash vuajnë në tiraninë e Ajatollahëve.
Irani duhet të marrë përgjigje përfundimtare.
Janë mbi 50 përqind e popullatës, të cilët nuk janë persë, por janë të minoriteteve të tjera.
Në këto minoritete, azerët janë më kryesorët. Janë rreth 30 milionë.
Uroj dhe shpresoj që edhe bota të ndihmojë çlirimin e tyre sepse regjimi i bazuar në teokraci është një regjim më i rrezikshmi sot.
Së dyti, bëj thirrje që këto operacione ndaj Iranit të vazhdojnë gjer në përmbysjen e plotë.
Është e gabuar dhe e padrejtë të pritet nga iranianët që të ngrihen dhe të dalin në rrugë në një kohë kur ata i presin breshëritë e mitralozave dhe topave të regjimit të Ajatollahëve.
Ky operacioni që ka nisur duhet të sosë me çdo kusht me mposhtjen me çdo çmim të atij regjimi dhe pastaj iranianët në liri do vendosin për fatin e tyre.
Zoti Berisha, më 12 mars ju keni paralajmëruar protestë para parlamentit. Do ketë protestë edhe nga deputetët brenda në parlament?
Sali Berisha: Më 12 mars, Shqipëria vjen këtu për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.
U lutem ju, transmetoni, përcilleni objektin e protestës.
Protesta është për dorëheqjen e Edi Ramës.
Shqiptarët mblidhen më 12 mars për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe çdo protestë do ketë vetëm një motiv, largimin, dorëheqjen e Edi Ramës.
Paradite apo pasdite?
Sali Berisha: Ora do të caktohet. Por ftoj të gjithë shqiptarët të vazhdojmë betejën tonë sepse është stina e përmbysjes së diktaturave dhe diktatorëve.
Por këtu në Shqipëri do ta kryejmë vetë.
T’i themi sa më shpejt, u krye.
Zoti Berisha, një pyetje, në momentin e votimit për shkarkimin e Spiropalit, rezulton se keni votuar kundër?
Sali Berisha: Absolutisht nuk e kam votuar fare, një mashtrim i paskrupullt. Ne nuk kemi votuar fare.
Por del te sistemi?
Sali Berisha: Se çfarë ka bërë sistemi, unë nuk di gjë, unë kam qenë gjithë kohën, siç e ke parë ti, merr kamerën tënde, unë kam qenë në platformë.
Keni mandatuar zonjën Topalli?
Sali Berisha: Jo, kategorikisht. As zonja Topalli nuk ka votuar. Nuk e ka shtypur, nuk ka qenë fare zonja Topalli aty. Është e tëra mekanizëm i Niko Peleshit.
Zonja Topalli e ka pranuar këtë gabim?
Sali Berisha: Unë nuk kam asnjë lloj, unë kam qenë në platformë zotëri, nuk kam votuar kurrë. Unë kam qenë në platformë duke kërkuar fjalën. Unë vazhdova në platformë sepse ai nuk më lejonte fjalën.
Kjo ishte gjithë puna.
Sa i përket Spiropalit, unë ia dhashë përgjigjen asaj si iku ajo.
Ju thatë zoti Berisha se e shkarkoi zonja Balluku?
Sali Berisha: Ajo e shkarkoi… pupupu ajo. Tani të themi të vërtetën, këta nuk e mbronin atë. Kur i sheh Rama, ata votojnë si dele. Por në takime të veçanta, absolutisht asnjëri asnjë mbrojtje, as Ramës, as Ballukut. Ua them unë, me dëshmitarë. Dhe këta e kuptuan. Nuk flisnin. Jo vetëm Spiropali, por edhe Taulanti. Asnjë fjalë, ky ul kokën, ul veshtë aty.


