FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË CEREMONINË E 2 PRILLIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, nderoi ditën e sotme martirët e 2 Prillit, që dhanë jetën për votën e lirë dhe pluralizmin. Berisha tha se, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, si dhe 87 qytetarë të Shkodrës u plagosën në ngjarjen tragjike të 1991.
Kryetari i PD, Salli Berisha theksoi se më 2 prill 1991, regjimi i Ramiz Alisë përdori dhunën për të shtypur kërkesat e qytetarëve për liri, duke shtruar Shkodrën me gjak. Berisha tha se sakrifica e martirëve pati një jehonë ndërkombëtare dhe shërbeu si frymëzim për të gjithë ata që besojnë në lirinë dhe votën e lirë.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha nënvizoi rëndësinë e datës 11 Maj, duke e cilësuar si një ditë historike që do të ndante epokat e diktaturës dhe varfërisë nga ajo e lirisë dhe mirëqenies. Berisha akuzoi qeverinë aktuale, duke e quajtur atë një diktaturë të re, të bazuar në krim dhe terror, me Edi Ramën si kryebandit. Lideri opozitar, Sali Berisha bëri thirrje që 11 Maji të shënojë kthesën drejt një Shqipërie të begatë, të drejtuar nga një shtet i së drejtës dhe lirisë.
Berisha prezantoi një projekt të ri për Shqipërinë, të fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe në krijimin e një shteti që garanton mirëqenie dhe zhvillim të pandalshëm për qytetarët. Kryetari i PD e përfundoi fjalimin e tij duke nderuar martirët e 2 Prillit, dhe vuri theksin mbi për pavdekësinë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

FJALA E PLOTË
Të dashur prindër dhe familjarë të martirëve të votës së lirë, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, i dashur zoti Luçiano Boçi, nënkryetar i PD dhe drejtues politik i këtij qarku.
Zonja Eliona Shkreli, kryetare e PD.
Të nderuar deputetë dhe kandidatët për deputetë të PD të qarkut të Shkodrës.
Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme për martirët e votës së lirë.
Heronjtë e vërtetë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.
Arben Brocin, themelues i pluralizmit dhe PD-së.
Bujanar Bishanakun, aktivist i shquar.
Nazmi Kryeziun, aktivist i shquar i PD dhe Besnik Cekën, aktivist i shquar i kësaj partie.
Por ne nderojmë gjithashtu edhe 87 qytetarë të Shkodrës, që u plagosën në atë ditë masakre, të cilën Shkodra nuk e kishte regjistruar ndonjëherë në kohërat e reja në memorien e saj.
Më 2 prill të vitit 1991, diktatori i fundit stalinist në Europë, Ramiz Alia, i cili kishte pranuar zgjedhjet pluraliste, vendosi të festojë fitoren e grabitur në Shqipëri të zgjedhjeve me gjakun e të rinjve të Shkodrës nën motivin se pushteti do gjak, se pushteti vjen nga gjaku.
Gjakësorë siç ishin, ata i dëshmuan Shkodrës dhe Shqipërisë se si pushtues të brendshëm, nuk dallonin aspak nga pushtuesit e tjerë.
Madje kishin pabesinë dhe mizorinë në shpirtin e tyre, nuk ngurruan të lajnë me gjak këtë qytet të bekuar.
Të dashur miq, sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë, të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve të Shkodrës që u plagosën atë ditë, pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Zgjoi revoltën, dënimin e ashpër të mbarë opinionit demokratik evropian, të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Kongresit të SHBA.
Me të vërtetë martirët e votësë lirë u ndanë atë ditë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë, në votën e lirë.
Ndaj dhe ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj.
Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj.
Ne nderojmë sot këtë ditë para një ngjarje që do të ndajë epokat.
Sepse përsëri ne nderojmë veprën e tyre të ndritur, sakrificën e tyre sublime në një diktaturë, e cila nuk bazohet më ideoligjinë e ish-komitetit të partisë, por bazohet në ideoliogjinë e Dobraçit, të krimit, të terrorit.
Dhe kjo është një diktaturë po aq e shëmtuar sa e para.
Bazohet në ideologjinë e një bande, që kërkon të mposhtë një qytet liridashës dhe kjo bandë ka një kryebandit në krye, që quhet Edi Rama.
Ndaj dhe sot, sakrifica, heroizmi i martirëve të Shkodrës është më frymëzues se kurrë.
Është thirrje për çdo qytetar të këtij qyteti të bekuar, për çdo shqiptar, të kthejmë 11 Majin në ditën e votës së lirë.
Të kthejmë me 11 Maj, dritën e lirisë në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë.
11 Maji është dita që ndan histori dhe epoka, ndan diktaturën e bazuar në drogë, nga shteti i të drejtës, liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Ndan varfërinë dhe mjerimin në rritje të shqiptarëve nga rruga e mirëqenies, e begatimit të pandalshëm të tyre.
Ndan dëshpërimin me shpresën,
Ndan zhgënjimin me besimin e madh se Shkodra dhe Shqipëria do të jenë të jetueshme.
Do të jenë dinjitoze për qytetarët e saj.
Ndan shpopullimin, shkretimin e Shkodrës dhe Shqipërisë nga djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e saj.
Nga besimi dhe kthimi i këtij besimi, nga rikthimi i tyre në Shqipëri për të ndërtuar ëndrrën shqiptare.
Dhe unë u them ju, nuk ka ëndërr më të bukur se ëndrra shqiptare, nuk ka ëndërr më fisnike se ëndrra shqiptare, nuk ka ëndërr më sublime se ëndrra shqiptare.
Nuk ka vend më të pasur dhe më të begatë se kjo tokë që e grabisin dhe plaçkisin.
Ndaj dhe ne, më 11 Maj firmosim projektin e ëndrrës shqiptare.
Projektin e shqiptarëve jashtë varfërisë ekstreme.
Projektin e Shqipërisë që prodhon në çdo skaj të saj të mira për qytetarët e saj.
Projektin e Shqipërisë që begaton dhe rrit mirëqenien çdo herë e më shumë të qytetarëve të saj.
Projektin e Shqipërisë që ndëshkon me forcën e ligjit krimin, korrupsionin dhe mbron të drejtat e qytetarëve.
Projektin e Shqipërisë që shndërrohet në një Shqipëri superfuqi energjetike.
Një Shqipëri shprese, besimi.
Një Shqipëri ëndrre.
Dhe ky është nderimi më i madh që u bëjmë ne martirëve të 2 Prillit që ranë për të fituar pavdekësinë me votën e lirë.
Për të fituar pavdekësinë me shpirtin liridashës të çdo qytetari.
Për të fituar pavdekësinë me dinjitetin njerëzor.
Nder përjetë martirëve të 2 Prillit.
Nder Shkodrës, Rozafës së lirisë!