Berisha: Me 11 korrik, të gjithë në Tiranë! Të ngrihemi në një betejë kundër këtij regjimi që po boshatis Shqipërinë. Dita kur qytetarët do i japin mësimin më të madh diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjes

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qyterar, është ndalur te ngjarjet e 2 korrikut 1990, ku shqiptarët u dyndën drejt ambasadave perëndimore, duke sfiduar regjimin i cili edhe pse ishte në gamat e fundit, sërish ishte i rrezikshëm dhe merrte jetë. ‘Në historinë e lirisë, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Në fjalën e tij, kryedemokrati, Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që mblidhen në protestën e 11 korrikut në Tiranë dhe të ngrihen kundër regjimit të Edi Ramës. ‘Me 11 korrik, të gjithë në Tiranë! Të ngrihemi në një betejë kundër këtij regjimi që po boshatis Shqipërinë’, theksoi Berisha në protestën maratonë që zhvillohet poshtë banesës së tij.

Duke folur për qytetarët, lideri i opozitës Sali Berisha i është rikthyer skandalit në shëndetësi, ku sipas tij përgjegjësit kryesorë të gjendjes së mjerueshme janë Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqaj. ‘Rama, Manastirliu, Beqja janë përgjegjës direkt me vjedhjet e tyre për vdekjen e mijëra e mijëra shqiptarëve’, tha Berisha gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta e 11 korrikut do i japë mësimin më të madh diktaturës së Edi Ramës. ‘11 korriku është dita në të cilën qytetarët do i japin mësimin më të madh diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjes’, u shpreh Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Në historinë e lirisë, të përpjekjeve të kombit shqiptar, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar.

Me 2 korrik të vitit 1990, në një kohë kur diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës në vendet e Europës ish-komuniste, në Shqipëri vazhdonte diktatura, e cila gjatë ditës fliste për demokraci, por në kufijtë e vendit ekzekutonte të rinjtë çdo javë dhe jo vetëm i ekzekutonte, por zvarriste trupat pa jetë të tyre në rrugët e qyteteve të vendit për të mbjellur terror te popullata.

Në këto kushte, kur Shqipëria dukej tërësisht e harruar, kur në arenën ndërkombëtare flitej që të mbetet Shqipëria si Kuba e Adriatikut, kur në të vërtetë në tërësi nuk parashikonte njeri ndryshimin, të rinjtë, kryesisht punëtorët e Tiranës, por edhe të përndjekurit politikë dhe intelektualë mendonin ndryshe.

Me guxim epik, ata përsëritën por në kushte të një rreziku shumë e shumë herë më të madh, atë skenar që gjermano-lindorët përsëritën në ambasadat gjermane në Çekosllovaki dhe Hungari.

Pra, ata përmbysën Perden e Hekurt në Tiranë, përmbysën Murin e Berlinit dhe hynë si heronj të vërtetë çlirimtarë në ambasadat e vendeve perëndimore.

Ky ishte një akt heroizmi të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre mund të binte tek kalonte murin e ambasadës nga breshëritë e policisë sekrete shqiptare apo forcave të tjera të sigurisë.

Por kjo nuk i pengoi ata. Me mijëra prej tyre mbushën oborret dhe ndërtesat e përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha ndërtesën e ambasadës gjermane, ambasadori i të cilit u dëshmua një mik i madh i lirisë së shqiptarëve, Verner Daum.

Ky diplomat nuk mendonte se Shqipëria duhej të mbetej Kuba e Adriatikut. Ai mendonte se shqiptarët duhet të ndihmoheshin që të përmbysnin diktaturën e tyre komuniste.

Miqtë e mi!

Kanë kaluar 34 vjet nga ajo ditë dhe mësimi më i madh prej asaj dite është se para guximit të të rinjve shqiptarë nuk ka mur, nuk ka barrierë, nuk ka forcë në botë që mund të rezistojë.

Ndaj dhe ajo ditë e kryengritjes paqësore të të rinjve të Tiranës, le të jetë një ditë frymëzimi për të rinjtë e sotëm dhe të gjithë shqiptarët, të ngrihemi në një betejë kundër këtij regjimi, i cili në mënyrën më të pamëshirë, më antishqiptare po boshatis Shqipërinë.

Po kryen gjenocid me largimin me kushte të llogaritura të shqiptarëve.

Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë të mbrohet nga bijtë dhe bijat e saj.

Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë të kthehet shpresa në tokën e saj.

Miqtë e mi!

Nga viti 2014 deri në vitin 2022, në 8 vite, sipas Eurostat, statistikave britanike dhe të SHBA, nga Shqipëria janë larguar 37.8 përqind e shqiptarëve.

Në qoftë se i shtojmë kësaj shifre shqiptarët e larguar për në Lindjen e Mesme, Norvegji, Zvicër, Kanada, Australi dhe vende të tjera, ju garantoj se kjo shkon në 40 përqind.

Kjo është boshatisje e tmerrshme e kombit. Ky është shkatërrim me shpejtësi të rrufeshme.

Ndaj o sot o kurrë, t’i dalim zot këtij vendi.

Me 11 korrik, të gjithë në Tiranë, ku jemi e nuk jemi, në betejë me narkoshtetin.

Miqtë e mi!

Vazhdon jehona e krimeve kundër njerëzimit në sistemin e shëndetësisë.

Vazhdon përpjekja e lakejve të regjimit për të shkarkuar çdo përgjegjësi mbi mjekët dhe infermierët dhe jo tek aksionerët kryesorë të Bursës së Vdekjes, Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Ilir Beqja, të cilët janë përgjegjës direkt me vjedhjet e tyre të tmerrshme për vdekjen jo të një, jo të pesë, jo të dhjetë, por të mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë.

Për mungesë ilaçesh, për mosmjekim, për mosoperacion, për mosshtim në spital.

Ndaj dhe shqiptarë kudo që jeni, mos u mashtroni nga një kriminel në krye të shtetit që njeh çdo gjë tjetër, përveç përgjegjësisë së krimeve të tij.

Që njeh çdo gjë tjetër përveç përgjegjësisë së gjenocidit të tij.

Që njeh çdo gjë tjetër përveç përgjegjësisë së vjedhjeve të tij.

Vjedhjeve të familjareve të tij, lidhjeve të ministrave të tij me krimin, drogën dhe vjedhjen.

Këto ai nuk ka asnjë përgjegjësi.

Nuk ka njeri në botë, në këtë planet, të sillet më me poshtërsi dhe cinizëm, më me shpirtkazmëri ndaj qytetarëve të vendit të tij se Edi Rama.

Ndaj miqtë e mi, 11 korriku po vjen.

11 korriku është dita jonë.

Dita e kryengritjes paqësore të shqiptarëve.

Mosbindje civile.

Të gjithë në Tiranë!

Edi Rama, i cili evokonte pushkatimet në takimin me mjekët, mendoni ju se vërtet ai nuk do t’i bënte ato në kohën e etërve të tij mizorë?

Njëlloj si i ati që vari Havzi Nelën për kundërshtar politik, që firmosi vrasjen, Edi Rama do u rezervonte të njëjtën gjë kundërshtarëve politikë.

Por sonte u them shqiptarëve se më gjakësor në historinë e tyre nuk kanë pasur se Enver Hoxhën.

Por duhet t’i themi gjërat siç janë.

Enver Hoxha me mundin, djersën, shëndetin e shqiptarëve, ndërtoi aty në bllok vilën tre apo katërkatëshe.

Por të themi të vërtetën nuk e regjistroi si pronë të familjes së tij.

Jo, e quajti pronë shteti dhe ajo ishte pronë shteti.

Edi Rama pa asnjë kacidhe në xhep, pa asnjë qindarkë, me gjithsej 3800 euro, me gjithsej 400 mijë lekë të deklaruara, ndërtoi sarajet e Surrelit me themele dy herë më të gjata se sarajet e Enverit.

Me materiale tre herë më të kushtueshme dhe me një oborr 5 mijë metra katrorë.

Që të gjitha në emër të tij dhe familjes së tij.

Pra, mos e harroni këtë sepse ai edhe tjetri vilën e ndërtoi në kurriz të shqiptarëve, por nuk e regjistroi asnjëherë në kadastër si vilë të familjes së tij.

Kurse ky tjetri doli në Surrel, ndërtoi vilën 5 mijë metra oborr, e regjistroi shpejt e shpejt në emër të familjes së tij, paçka se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për të.

Të gjitha para të vjedhura, para të vjedhura, para të vjedhura.

Nuk ka pasur Shqipëria kurrë hajdut si Edi Rama.

Ndaj dhe 11 korriku është dita e qytetarëve.

Është dita e të rinjve.

Është dita e fitores!

Është dita e drejtësisë së munguar.

Dita në të cilën qytetarët do i japin mësimin më të madh diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjes së tyre.

Dita në të cilën ata do e plagosin në mënyrë përfundimtare gjer sa ta shporrin këtë regjim të urryer që po zbraz Shqipërinë.

Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme ndaj jush.

Rrofshi ju, rroftë Tirana.

Nderim të madh heronjve të 2 korrikut.

Rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale