FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, bëri thirrje për protestë masive më 10 shkurt, ora 17:00, në Tiranë, duke e cilësuar revoltën qytetare si të vetmen rrugë për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion, vjedhje dhe kapje të shtetit, duke e quajtur atë një organizatë kriminale dhe duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.
Lideri demokrat deklaroi se opozita mbështet iniciativën e një grupi intelektualësh për bashkimin e forcave opozitare dhe theksoi se skenari i protestës do të bëhet publik në ditët në vijim. Berisha përjashtoi çdo bashkëpunim me mazhorancën, duke e lidhur atë me mbrojtjen e aferave korruptive dhe bllokimin e drejtësisë.
Në reagim ndaj deklaratave të raportuesit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, Berisha u shpreh se BE duhet të kërkojë respektimin e standardeve europiane, veçanërisht dorëheqjen dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë kur përballen me hetime penale, duke e cilësuar këtë si standard etik dhe moral të domosdoshëm në një shtet ligjor.
Kryetari i PD, Sali Berisha përsëriti thirrjen për mobilizim qytetar më 10 shkurt, duke e konsideruar protestën si përgjigjen e merituar ndaj, sipas tij, regjimit të krimit, drogës dhe vjedhjes.
FJALA E PLOTË
Qytetarë dhe qytetare!
Çdo përpjekje, përveç se përpjekjeve tuaja janë humbje kohe.
Sot më shumë se kurrë është fjala juaj, është fjala juaj, është guximi juaj, është revolta juaj, zemërimi juaj, qëndrimi ndaj padrejtësisë ndaj vjedhjes, ndaj narkoshtetit, ndaj varfërimit dhe mjerimit nga plaçkitja e kësaj qeverie, që duhet të shpëtojë, dhe do të shpëtojë Shqipërinë.
Edi Rama në vend të dorëheqjes së tij, shëtit si i vdekuri me të gjallin me Lubi Ballukun, për t’u thënë shqiptarëve, për të sfiduar qytetarët, për t’i ofenduar ata dhe më shumë se ofendim, se unë ju kam plaçkitur dhe do ju plaçkis dhe se mos mendoni kurrë se drejtësia apo ligji janë për Ramën apo Lubinë, por janë vetëm për ata që duan këta të dy.
Ka qenë dhe është bindja ime më e prerë, se është vetëm sovrani, gjuha e tij, revolta dhe zemërimi i tij ata që do bindin këtë grusht hajdutësh, këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të largohen një minutë e më parë nga pushteti dhe të hapin rrugën për qeveri teknike, zgjedhje të ndershme.
Në Tiranë, dhe kudo në Europë dhe botë, 24 janari është i gjallë çdo ditë. Çka do të thotë, qytetarët shqiptarë, shqiptarët në diasporë dhe kudo, miqtë e shqiptarëve, presin protestën, revoltën dhe vetëm revoltën e qytetarëve shqiptarë.
Ndaj dhe ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë, burrat, gratë, të moshuarit, të bashkohemi ne datën 10 shkurt në ora 5 në Tiranë për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.
Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral.
Revolta dhe vetëm revolta është rruga e daljes, e përmbysjes së diktaturave autokratike, njëlloj si në vendet e tjera.
Ndaj dhe ftoj dhe njëherë me datën 10 shkurt të gjithë shqiptarët, të gjithë qytetarët e Tiranës, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria kundër regjimit të drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
PYETJE-PËRGJIGJE
Marsi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, ndërkohë që sot në seli pritet aleatët tuaj tradicionalë dhe Forumi për Dialog, çfarë u diskutua në këtë takim dhe cili do të jetë skenari i protestës së 10 shkurtit? Faleminderit.
Sali Berisha: PD ka mbështetur plotësisht iniciativën e këtij grupi intelektualësh të cilët janë të përkushtuar për bashkimin e të gjitha forcave politike opozitare dhe faktorëve të tjerë në betejë, kundër të keqes më të madhe që ka njohur dhe pllakosur Shqipërinë, kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Ne patëm një diskutim të frytshëm si koalicion dhe mund të ju them se koalicioni mbështet plotësisht nismën e tyre.
Marsi Korreshi: Për protestën konkretisht, cili do të jetë skenari i saj?
Sali Berisha: Skenari i protestës, ditët në vazhdim do të azhurnoheni me të.
Sot është vetëm njoftimi sepse mezi prisnin njerëzit datën. Absolutisht njerëzit me padurim prisnin datën e protestës dhe u zgjat pak.
Anisa Kadesha, RTSH: Ndërkohë, socialistët kanë deklaruar se nuk do t’ju presin më shumë se të hënën për t’iu bashkuar punës për reformën territoriale. Cili do të jetë qëndrimi juaj, z. Berisha?
Sali Berisha: Bllokimit që i bëjnë drejtësisë dhe mbrojtja që i bëjnë vjedhjeve miliardëshe të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, bëjnë të pamundur çdo formë bashkëpunimi me mandatet e krimit të kësaj mazhorance.
Lubi Balluku, është historia më e turpshme e një vendi, në të cilin kreu i organizatës kriminale përdor si mburojë atë, për të shpëtuar veten e tij.
Regjistrojini mundësisht dhe i ftoj qytetarët ta regjistrojnë në memorien e tyre. Garantoj se sot në planet nuk ka një kryeministër të dytë si Edi Rama, i cili prapa çdo firme të ketë një vjedhje. Nuk ka.
Prapa çdo vendimi të ketë një vjedhje. Nuk ka.
Ndaj dhe kjo që shifni me Ballukun, ka të bëjë vetëm me këtë që thashë.
E morët vesh, 10 ditë më parë i dha vëllaut të vet, 2-3 vendime me firmë nominale, 37 mijë metër katrorë tokë publike.
Pasi ka vjedhur vetë bazat e ushtrisë në Limion e me radhë, tani u është kthyer reparteve me vëllanë e vet dhe u rrëmben tokën, me emër. Nuk ka. Në çdo vendim ka vjedhje, ka vjedhje dhe plaçkitje.
Ndaj dhe ai nuk mundet kurrsesi të pranojë heqjen, sepse shkon vetë, të shkojë para drejtësisë, por do ta çojë sovrani.
Andon Kello, AbcNeës: Z. Berisha, ndërsa ju paralajmëroni protestën e radhës dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me mazhorancën, sot nga Tirana raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ka deklaruar se:
“Ne mendojmë se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara, të mos dramatizohet gjithçka dhe të mos niset me kokteje molotov, por të luftohet fort me argumente të forta në skenën politike, aty ku duhet. Kjo vlen si për opozitën, ashtu edhe për qeverinë.”
Sali Berisha: Zoti Schider është një parlamentar europian, raporter për Shqipërinë i Parlamentit Europian dhe në këtë kontekst është një zotëri i nderuar dhe i respektuar.
Mendoj se, shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por presin nga Brukseli, kërkesën për të mbrojtur standardin Europian, i cili standard edhe 12-13 vite më parë në këtë vend, detyronte ministrat për koincidentë dhe zv/kryeministrin që kërkohej nga prokuroria imuniteti, të dorëzonin imunitetin, para se të votonte parlamentin.
Zoti Schider, për fat të keq as edhe përfaqësuesi i BE-së, ambasadori Gonzato, madje Gonzato pak më thellë se zoti Schider, nuk e kërkuan këtë.
Heqja dorë nga imuniteti dhe dorëheqja nga detyra, kur drejtësia kërkon ndjekje penale dhe heqje imuniteti, është në radhë të parë jo vetëm një standard kushtetues si në Austri, edhe në Shqipëri, edhe në Itali dhe kudo. Por është para së gjithash një standard, etik dhe moral shumë i rëndësishëm.
Kjo është përndryshe, thashë edhe njëherë se, ai është një reporter që ka tagrin e paraqitjes së realitetit siç është në Bruksel, ndonëse theksoj se grupi popullor ka edhe ai reporterin në hije për Shqipërinë dhe pritet që dhe ai të vijë në Shqipëri.
Por mirë është që tek shteti ligjor dhe kushtetuta të mos kemi dallime, popullorë dhe socialistë, por të jemi njëlloj.


