KONFERENCA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët, këtë të premte, akuzoi Partinë Socialiste se miratoi reformën e re territoriale në dëm të interesave të qytetarëve të 15 bashkive. Berisha e cilësoi votimin e zhvilluar pas mesnate si një akt që u diktua nga interesat elektorale të mazhorancës dhe jo nga nevojat e komuniteteve.
Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike do të vijojë betejën në të gjitha frontet kundër ndryshimeve territoriale. Ai njoftoi se PD-ja ka nisur mbledhjen e firmave për referendum dhe se do të studiojë modalitetet ligjore për organizimin e referendumeve lokale dhe kombëtare. Lideri i opozitës deklaroi se nuk përjashtohet asnjë mundësi ligjore për kundërshtimin e reformës, përfshirë edhe ankimin në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të mbrojtur interesat e qytetarëve të bashkive të prekura.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e zhvillimit të një referendumi, pavarësisht vendimeve të mëparshme të institucioneve gjyqësore për këtë çështje, Berisha kundërshtoi interpretimet që kufizojnë të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur. Ai argumentoi se ndryshimet në kufijtë e njësive të qeverisjes vendore duhet të shoqërohen me konsultimin e qytetarëve dhe u shpreh se PD-ja do të shqyrtojë rrugët për të vijuar këtë nismë.
Sa i përket mundësisë së pjesëmarrjes në një komision të ri parlamentar për reformën territoriale, Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në një proces të tillë. Ai tha se opozita kishte marrë pjesë më herët në diskutime dhe konsultime në të gjithë vendin, me qëllim dëgjimin e qytetarëve dhe hartimin e një alternative të saj. Sipas Berishës, propozimi i PD-së parashikon një ndarje territoriale me 100 bashki plus, duke lënë të hapur mundësinë e shtimit të njësive të tjera në përputhje me kërkesat e komuniteteve.
Kryetari i PD-së iu referua gjithashtu raportit të Komisionit Europian, duke theksuar se reforma territoriale dhe reforma zgjedhore janë çështje me rëndësi në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sipas tij, mazhoranca nuk mori parasysh propozimet e opozitës dhe përdori votat parlamentare për të miratuar hartën e re territoriale.
I pyetur se kur do të shpallen kandidatët e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme vendore, Berisha deklaroi se partia ka nisur përgatitjet, por do të vazhdojë paralelisht betejën politike dhe ligjore kundër reformës territoriale. Ai konfirmoi se PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhje, duke theksuar se opozita ka zgjedhur të vijojë veprimtarinë e saj brenda institucioneve.
Në lidhje me reformën zgjedhore, Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike ka përgatitur projektin e saj dhe se dokumenti do t’i paraqitet publikut. Ai akuzoi mazhorancën se mund të përdorë forcën e votave parlamentare për të imponuar vendimmarrjen edhe në këtë proces, ndërsa deklaroi se opozita do të vijojë përpjekjet për të denoncuar atë që e cilëson si deformim të proceseve zgjedhore në Shqipëri.

FJALA HYRËSE (Pjesa e I-rë, Reforma Territoriale)
Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre.
Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre.
Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjesimin e 15 bashkive.
Reforma territoriale është pa dyshim, në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme sepse kjo reformë ka të bëjë me vetë qeverisjen e komuniteteve.
Ka të bëjë me qeveritë vendore të tyre, të cilat kanë misionin zhvillimin e territorit të komunitetit.
Kanë mision konservimin e trashëgimisë kulturore historike të komunitetit.
Kanë mision mbrojtjen, zhvillimin e identiteteve të komuniteteve.
Theksoj dhe njëherë, për Shqipërinë, një vend me nevojë jetike për zhvillim, njësitë e qeverisjes vendore janë investitorë kryesorë në zonat e komuniteteve.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë një votë e tillë më inkriminuese se sa mbrëmë në ora 1 e gjysmë e natës.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt, PD deklaron se do vazhdojë çdo betejë ligjore kundër ekzekutimit të 15 bashkive dhe për projektin e saj 100 bashki plus.
Në këtë kuadër, ne kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum.
Do të studiojmë të gjitha modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare, me të cilat ne kemi bindjen më të thellë se mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, nga një organizatë kriminale që quhet parlament.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Anisa Kadesha, RTSH: Z. Berisha, tek beteja ligjore, a parashikohet edhe ankimimi në Gjykatë Kushtetuese i Reformës së re Territoriale?
Sali Berisha: Nuk përjashtojmë asnjë nga mundësitë ligjore. Ne bëmë avokatinë e qytetarëve të këtyre 15 bashkive në një debat ndër më të gjatët dhe më intensivët në historinë e parlamentit, 14 orë.
Paraqitëm çdo argument dhe asnjë interes partiak, të gjitha në interes të qytetarëve, por u shumëzuan me zero për interesa elektorale të Padrinos dhe partisë së tij.
Kështu që, ne çdo hapësirë ligjore për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve, do e shfrytëzojmë.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Z. Berisha, PD e ka bërë njëherë betejën kundër hartës territoriale në vitin 2014. Ajo ka tentuar të bëjë referendume lokale dhe ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor që thotë se nuk ka referendum për ndarjen lokale se nuk është çështje vendore, por është çështje kombëtare. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetues, e cila thotë se nuk ka referendum të përgjithshëm kundër hartës territoriale. Përballë këtyre dy vendimeve, si bën PD një referendum?
Sali Berisha: Ne nuk përfillim asnjë vendim antikushtetues. Asgjë, në të drejtën shqiptare, përveç referendumeve që cenojnë integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, nuk mund të ndalojë qytetarët të shprehen.
Referendume që cenojnë integritetin territorial të vendit, nuk mund të ndërmerren, kjo është e vërteta.
Së dyti, është një parim themelor i Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe i të drejtës evropiane, i cili kërkon konsultimin dhe referendumin me qytetarët për ndryshimin e kufijve të njësive të qeverisjes vendore.
Kjo siç thoshte vetë relacioni i të pengmarrurit Mazniku, i cili e keni parasysh, ishte bashkautor kryesor në 5D, ishte bashkëudhëtar me Fushën në Hotel Barcelona, i paguar nga Fusha në Hotel Barcelona, në kundërshtim flagrant me etikën dhe ligjin, i cili ishte menaxher i kompanisë Eco Tirana, 51 me 49 përqind me Andrea Miloranzin e Venecias në hetim të plotë për lidhje me Ndranghetën, pra ky peng i krimeve të tij zbatoi verbërisht çdo urdhër të Edi Ramës dhe paraqiti atë projekt, produkt i krimit të tij dhe partisë së tij.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Mbrëmë në parlament, PS tha se do ringrejë komisionin e Reformës Territoriale për të përcaktuar kompetencat e bashkive këtë herë. A do shkojë PD?
Sali Berisha: Në asnjë rrethanë. PD mori pjesë, dhe unë ua kam thënë këtu para jush se ne marrim pjesë, jo se bindemi se Edi Rama nuk do përdorë votat e krimit kundër qytetarëve, e kishim shumë të qartë, por morëm pjesë dhe ndoqëm agjendën në mbarë Shqipërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, të cilët në çdo konsultë e demaskuan ndarjen territoriale të Edi Ramës.
Ndoqëm, morëm pjesë për të përgatitur variantin tonë të reformës territoriale, i cili jo që nuk hiqte, por shtonte 100 bashki dhe mbetej e hapur për shtimin e bashkive të tjera në përputhje me konsultimet, të cilat u ndërprenë.
Së fundmi, në qoftë se ju lexoni raportin e Komisionit Evropian të vitit të kaluar, ai raport përcakton dy kushte të qarta, përcakton kushtin e reformës territoriale dhe kushtin e reformës zgjedhore, për të cilat ne kemi prirjen t’u përgjigjemi kushteve që kanë rëndësi përcaktuese për integrimin e vendit.
Ne bëmë punën tonë, Edi Rama përdori mandatet e krimit për të asgjësuar 15 bashki për qëllime elektorale.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Pas miratimit të hartës territoriale, vihet në lëvizje mekanizmi i zgjedhjeve. Presidenti deri në datën 7 nëntor dekreton datën e zgjedhjeve lokale. Kur do shpallë PD kandidatët?
Sali Berisha: PD ka filluar përgatitjet. Por PD do vazhdojë betejën në të gjitha frontet. Ne jemi në kushtet e një diktature autoritare, e cila nuk përfill Kushtetutë, nuk përfill rregulla, nuk përfill detyrimet ndërkombëtare që kemi ne në procesin e integrimit.
Por ne e kemi bërë të qartë se kemi zgjedhur veprimtarinë brenda institucioneve.
Dhe ne, nuk ka mëdyshje, do marrim pjesë në zgjedhje.


