Berisha-Maznikut: Pse ti je këtu dhe Erion Veliaj është në burg për të njëjtat krime? Si vjen këtu e sjell një dokument e thua nuk janë pyetur qytetarët

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, iu drejtua në Kuvend ministrit Arbjan Mazniku, duke e pyetur se përse ai vijon të jetë në detyrë ndërsa Erion Veliaj ndodhet në burg, duke theksuar se të dy lidhen me të njëjtat çështje.

“Pse ai është në burg dhe ti je këtu? Çfarë ka bërë ai më shumë se ti?”, e pyeti Berisha Maznikun.

Berisha e akuzoi Maznikun se po paraqet në Kuvend një dokument antikushtetues për Reformën Territoriale dhe se qytetarët nuk janë konsultuar. Ai e pyeti gjithashtu për lidhjen me drejtorët e kompanisë “5D” dhe për një qëndrim në “Hotel Barcelona”.

Në vijim, Berisha iu drejtua edhe kryetarit të Kuvendit lidhur me praninë e Gardës, duke theksuar se ajo ishte futur në sallë për të mbrojtur Edi Ramën.

FJALA E PLOTË

Një njeri kaq i papërgjegjshëm, saqë paraqitet këtu me një dokument antikushtetues, paraqitet këtu me një dokument që vjen në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet ndërkombëtare të shteteve të lira, nuk mund të mos pyetet se kush është.

Ndaj dhe tani i kam disa pyetje unë për ty, si ka mundësi që ti je këtu dhe Erion Veliaj për të njëjtat krime është në burg?

Si ka mundësi që ti je këtu dhe drejtorët e 5D, që ke edhe firmën tënde janë në burg?

Nuk po hyj tek jeta tjetra, se e di vetë ti, por nuk futem tek ato, por tek këto që impakt direkt tek qytetarët.

Dhe vjen këtu me një dokument e thua që nuk i kemi pyetur qytetarët.

Po a ka pafytyrësi më të madhe se kjo?

Po si mund të pranosh një dokument të tillë kur themelore është pyetja e qytetarëve?

Por m’u përgjigj këtyre pyetjeve ti këtu: pse ai është në burg dhe ti je këtu?

Çfarë ka bërë ai më shumë se ti?

Po, po.

Po hotel Barcelonën, e harrove ti?

Si shkove ti në hotel Barcelona? Kush të pagoi ty?

Na e thuaj pak këtu ta dinë këta.

Prandaj ti shkelmon me banditizëm interesat e qindra mijëra qytetarëve sot dhe vjen këtu me dokument e thua nuk janë pyetur, me një fjalë goje.

Këto pyetje dhe mund të bëj edhe shumë të tjera.

Dhe zoti kryetar, unë e kam parë që keni futur Gardën këtu.

Duket po bëni prova për të mbrojtur Edi Ramën.

Por ai më mirë të mos vijë në këtë sallë se ai është figura më e urryer e shqiptarëve.

Figura më e urryer… edhe në Ballkan një të dytë nuk ka.

Prandaj mos na bëni prova që Garda për dy sekonda të hyjë brenda, se provat i keni për atë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale