PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA
Do të uroj të gjithë qytetarët e Pogradecit për vitin e ri, një vit të mbarë me të mira dhe suksese, por më duhet të them se sot mbajtëm këtu tryezën më të veçantë që s’do të doja të mbahej kurrë në këtë qytet, tryezën kundër agresionit të pamëshirshëm mafioz ndaj këtij qyteti të bekuar, të cilin banorët dhe natyra, Zoti, e ka lartësuar në nivelin më të lartë në trashëgiminë kulturore, natyrore, njerëzore.
Këtë identitet, i cili përbën një privilegj të jashtëzakonshëm për çdo komunitet, duan t’ja shkatërrojnë mafia më e rrezikshme e Shqipërisë, e Ballkanit dhe e Europës, Mafia Rama-Xhafa. Të imagjinosh të ndërtosh kulla për t’i mbyllur pamjen qytetit, do të thotë ta c’konfigurosh atë, do të thotë t’i shkatërrosh fytyrën atij, do të thotë të mos kesh mëshirën, respektin më minimal për këtë qytet dhe banorët e tij. Tejkalon çdo lloj imagjinate!
Nisim vitin me një thirrje për të gjithë qytetarët e këtij qyteti, pavarësisht nga bindjet, nga çdo lloj dallimi, të bashkohen për të mbrojtur qytetin e tyre, për të mbrojtur këtë trashëgimi mahnitëse të cilën e trashëguan, por dhe e mbrojtën dhe do t’ia përcjellin brezave. Nuk ka gjë më të shëmtuar, nuk ka projekte më të shëmtuara se këto të Ramës-Xhafës. Ata kanë gjetur një delikuent, një ndërtues të cilit i falin toka, të cilit i japin leje me radhë, por një gjykatës ka humbur vendin e punës se ka pirë një kafe me të, se është person i papërshtatshëm për një gjykatës dhe si vëlla, si amezi me Ramën dhe Xhafën. Lutja ime për çdo qytetar të këtij qyteti është që të mos pranojnë t’ja zhgarravisin fytyrën e bukur që Zoti dhe këta banorë i kanë dhënë këtij qyteti.
Pyetja 1: Për Olsi Ramën dhe dosja e Xibrakës, Malltezi
Berisha: Me deklaratën e tij dje, SPAK-u tregoi se është pjesë e dosjes Xibraka, kaq mund të them. Tregoi që tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin, anëtarë të bandës së Xibrakës. Kjo është e vërteta. Përsa i përket thirrjes së vajzës sime dje për Irenën me 5 mbiemra, ishte gjëja më normale. Përpiqen të përdorin postet, detyrat për të mbrojtur një delikuent, ajo është një gjykatëse delikuente e dënuar, por kjo pse është e dënuar është njëra anë, krimi i saj më i madh është se ka fshehur dënimin dhe ajo duhet të kishte deklaruar në dokumenta zyrtare të vetingut se është e dënuar, përkundrazi ata fshehin një krim të gjykatëses, e cila e ka vendin në burg e jo në sallën e gjyqit.
Pyetja 2: Në lidhje me listat për zgjedhjet
Berisha: Në koalicion me Partinë e Lirisë dhe me parti të tjera, ne shkojmë të sigurt drejt fitores. Është rradha jonë, do të përcaktohet nga negociatat, është rradha jonë.