Berisha: Lubisë do ia heqin imunitetin qytetarët! Të shtunën në ora 6, e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës. Nuk shpëton as me rënien në gjunjë, as me puthje çizmesh dhe këmbësh

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E TË HËNËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, duke folur në ‘Foltoren’ pra kryeministrisë ka përshëndetur dhe falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e 20 shkurtit në Tiranë. ‘Një përshëndetje të veçantë për ata dhjetëra mijëra protestues që shndërruan 20 shkurtin e vitit 2026 në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit të vitit 1991. 20 shkurti 2026 ishte dita e triumfit tuaj. Ishte dita e triumfit të idealeve demokratike. Dita e triumfit të guximit qytetar’, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur para qytetarëve në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar edhe mbledhjen e sotme të Këshillit të Mandateve në Kuvend, për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Sipas tij, ‘Lubi Balluku, me 9 veprat e saj penale shkon në minimum 36 vite burg. Por i garantoj këtu se ato 9 vepra janë më shumë se një e dhjeta e krimeve të Lubisë, të Edi Ramës dhe të kriminelëve të tjerë në qeveri’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha në fjalën e tij në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, e cilësoi protestën e 20 shkurtit si kryengritjen që mbrojti nderin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. ‘Ndaj dhe miq, çfarë mund t’u them sot, së pari ia dolëm me revoltën tonë, me kryengritjen tonë, ne mbrojtëm nderin e Shqipërisë, mbrojtëm nderin e shqiptarit, mbrojtëm dinjitetin e shqiptarëve, dinjitetin e Shqipërisë. Ne i thamë mbarë botës, vërtet kemi një kryeministër superhajdut, që përdor të gjithë pushtetin për të mbrojtur zëvendësen e tij hajdute, por këta nuk janë shqiptarët. Shqiptarët janë ata që mbushën rrugët dhe sheshet. Shqiptarët janë ata që do i rrëzojnë’, theksoi Berisha.

Në fjalën e mbajtur para qytetarëve në ‘Foltoren’ tek kryeministria, kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuar thirrjen me urgjencë të Edi Ramës në Bruksel dhe ultimatumin e marrë për largimin e Belinda Ballukut nga qeveria. Gjithashtu ai ka treguar edhe një histori të ndodhur gjatë kohës që ai ishte kryeministër.  ‘Isha kryeministër dhe kur më vjen mua, po diskutohej për problemin e zgjedhjeve lokale dhe më vjen i ngarkuari me punë i BE në zyrë. Dhe unë po diskutoja për çështjen, kur i bie telefoni, më thotë mua, është zoti Rama, mund të flas me të. Shko në zyrën tjetër, i them, fol me të, këtu nuk ke pse flet. Doli ai dhe kthehet. Thotë, zoti Berisha, ai është shtrirë përdhe, është shtrirë përtokë, foli pak një fjalë. I thashë le të vdesë aty, se nuk i flas asnjë fjalë, se unë e njihja’, tregoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ te kryeministria, u ka bërë thirrje shqiptarëve që në 28 shkurt të bashkohen kundër qeverisë dhe Edi Ramës, që vazhdon e mban Belinda Ballukun edhe pse ajo kërkohet të arrestohet nga SPAK për akuza të rënda.  Demokratët po pranonin propozimin e prokurorëve dhe dolën nga komisioni pa votuar. Do pyesim grupin. Por Kushtetuta thotë se vendimin e merr komisioni, jo grupi. Por këta nuk kanë as ligj, as Kushtetutë.  Pra, kush do ia heqë imunitetin asaj? Qytetarët shqiptarë! Të shtunën, në ora 6, e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës, imunitetit të Edi Ramës, për arrestimin e Edi Ramës, për largimin nga pushteti.’, tha kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush misionarë të pamposhtur të shpëtimit të Shqipërisë.

Misionarë të pamposhtur të qëndresës ndaj një regjimi që vjedh, varfëron, poshtëron, përzë nga Shqipëria çdo orë, çdo ditë, qytetarët e këtij vendi.

Nuk ka vendim më fisnik, nuk ka ideal më të lartë se sa beteja kundër këtij regjimi, kundër kësaj të keqe që ka ngërthyer trupin e Shqipërisë.

Dhe një përshëndetje të veçantë për ata dhjetëra mijëra protestues që shndërruan 20 shkurtin e vitit 2026 në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit të vitit 1991.

20 shkurti 2026 ishte dita e triumfit tuaj.

Ishte dita e triumfit të idealeve demokratike.

Dita e triumfit të guximit qytetar.

Dita e triumfit të përgjegjësisë të qytetarëve shqiptarë ndaj vendit të tyre, ndaj kombit të tyre.

Ishte dita në të cilën Tirana e tërë ishte në duart e qytetarëve.

Dita që tmerroi këtë klikë, këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, e cila në krimet e saj që ka kryer meriton shekuj, shekuj, shekuj burg dhe dënime.

Miqtë e mi, sot në Komisionin e Mandateve, Faqezi Manja i thotë, ja thotë, se kjo Lubia nuk ka kryer një krim kaq të rëndë sa të arrestohet.

Përgjigjja ishte ligjore. Kjo Lubia me 9 veprat e saj penale shkon në minimum 36 vite burg.

Por i garantoj këtu se ato 9 vepra janë më shumë se një e dhjeta e krimeve të Lubisë, të Edi Ramës dhe të kriminelëve të tjerë në qeveri.

Një mik më thoshte sot, Doktor, uroj që qytetarët të kuptojnë që ajo që shohin me rrugët që shemben njëra pas tjetrës, që shemben çdo ditë, që shemben të sapondërtuara, që shemben siç u shemb rruga Dragostunjë-Përrenjas, vetëm e vetëm nga gërryerja e lumit dhe prishja e bazamentit, që ka tre ditë që ka izoluar të gjithë juglindjen e vendit.

Kjo shembje është e njëjtë në shëndetësi, është shumë herë më e dhimbshme në shëndetësi, sepse në shëndetësi janë jetë njerëzish që ikin.

Janë jetë burrash, grash, të rinjsh që shuhen për shkak të mungesës së mjekimeve.

Për shkak të ilaçeve pa efekt.

Për shkak të vjedhjes së parave të ilaçeve për të sëmurët.

Për shkak se duhet të paguajnë çmimet e kokës për të marrë shërbimin shëndetësor.

Nuk them se ishte në një nivel të përsosur shëndetësia më parë, por disa gjëra janë të pamohueshme.

Disa gjëra janë të pakundërshtueshme.

Shqiptarët paguanin edhe atëherë nga xhepi, por paguanin 30 përqind të asaj që shpenzonin

për shëndetin e tyre, 70 përqind e kishin nga shteti.

Sot paguajnë 60 përqind nga xhepi.

Sot paguajnë më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë në Europë.

Por përsëri ndryshimi është i madh, ilaçet i merrnin të njëjta me ato të vendeve të BE.

Në tokën shqiptare nuk tregtohej kurrë ilaç që nuk shitej në dy vende anëtare të BE.

Sot, ilaçet janë Nushi-Doshi, Doshi-Nushi.

Sot ilaçet janë të skaduara, pa efekt, janë mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim.

Sot ilaçet shpëtimtare për jetën e të sëmurëve me sëmundje të rënda, mungojnë.

Krim kundër njerëzimit është ky miq.

Sepse njëlloj si paratë e rrugëve, vidhen dhe vetëm vidhen.

Shkollat, po jap vetëm një shifër. 25 mijë kompjutera kemi lënë në të gjitha shkollat e vendit, janë zhdukur pa nam dhe nishan, të vjedhur nga patronazhistët e rilindjes.

Çfarë ndodh tani?

Tani baxhoja i këtij, një kriminel, fiton tenderin për të prurë kompjuterët dhe i shet shkollave një kompjuter dhjetë herë më shtrenjtë se kompjuteri që shitet në magazinat e Vjenës, Parisit apo Berlinit.

Dhjetë herë!

Pra, kjo është organizata kriminale me të cilën ne përballemi.

Kjo është organizata kriminale, të cilën ne duhet ta hedhim në Lanë.

Miqtë e mi, edhe një gjë do u them shqiptarëve, atyre që hezitojnë, që të keni frikë është normale dhe në qoftë se nuk dilni nga frika, ne do bëjmë gjithçka ta vrasim frikën se ky është misioni ynë.

Por, burra dhe gra, djem dhe vajza, përveç frikës, për një njeri të ndershëm, pavarësisht nga bindjet e tij politike, pavarësisht nga bindjet e tij fetare nuk mund të ketë kurrë shkak tjetër që të mos dalësh në rrugë dhe të përballesh me këtë regjim.

Nuk mund të ketë asnjë pretekst, asnjë arsye.

Nuk mund të jetë kurrë ky pëlqim apo ai mospëlqim sepse të keqe të tillë nuk ka pasur Shqipëria ndonjëherë pas Enver Hoxhës.

Se kjo e keqe, e përgëzoj zotërinë që numëroi këtu rrogat dhe pensionet, e kam thënë dhe e

them me dhjetëra herë, pensionet tuaja rrogat tuaja duhet të ishin rritur minimumi 3 herë.

Siç faktoi që janë rritur në çdo vend tjetër.

E dëgjuat, pensioni ishte rritur 50 euro në 12 vite.

Jo, në qoftë se marrim për bazë çmimin e ushqimeve të shportës, të atyre që janë më të domosdoshme, nuk është 50, por është minimumi 100 euro.

Në qoftë se marrim për bazë rritjen e çmimit të ilaçeve, vetëm këto ditë, ilaçet janë rritur në stratosferë, atëherë pensioni jo që nuk është rritur, por në raport me çmimet ka pësuar rënie të madhe.

Kështu janë rrogat, por jo rrogat e ministrave, jo rrogat e zyrtarëve të lartë. Ato janë rritur. Ato janë ndër më të lartat në rajon.

Ndaj dhe miq, çfarë mund t’u them sot, së pari ia dolëm me revoltën tonë, me kryengritjen tonë, ne mbrojtëm nderin e Shqipërisë, mbrojtëm nderin e shqiptarit, mbrojtëm dinjitetin e shqiptarëve, dinjitetin e Shqipërisë.

Ne i thamë mbarë botës, vërtet kemi një kryeministër superhajdut, që përdor të gjithë pushtetin për të mbrojtur zëvendësen e tij hajdute, por këta nuk janë shqiptarët.

Shqiptarët janë ata që mbushën rrugët dhe sheshet.

Shqiptarët janë ata që do i rrëzojnë.

Nuk është aspak kureshtje, u garantoj unë ju, nuk është aspak rastësi fakti që kryengritja jonë paqësore transmetohet në mënyrë të rrufeshme në mbarë botën.

Transmetohet në mënyrë të fuqishme.

Jepet me dashamirësinë më të madhe.

Me komentet më pozitive.

Jepet duke damkosur Edi Ramën dhe Lubi Ballukun në çdo emision, në çdo radio, në çdo televizion të Europës dhe të botës, si hajdutë që nuk dorëzohen, por mbrojnë vjedhjet që kanë bërë.

Miq, nuk është e rastit që Edi Rama thirret me urgjencë në Bruksel dhe i thuhet, shkarko menjëherë Lubi Ballukun, por jo me rikompozim të qeverisë, por ta shkarkosh për përgjegjësinë që ka, t’i heqësh imunitetin dhe t’i hapësh rrugën drejtësisë.

Desh ta zgjaste, se po të ketë burrë më të neveritshëm në tavolinë se këtë nuk ka, ky bëhet legen, lëngaraq.

Ju nuk mund të imagjinoni aktet e turpshme që bën ky.

Ky e ka me borxh, u them unë ju, se unë isha kryeministër dhe kur më vjen mua, po diskutohej për problemin e zgjedhjeve lokale dhe më vjen i ngarkuari me punë i BE në zyrë.

Dhe unë po diskutoja për çështjen, kur i bie telefoni, më thotë mua, është zoti Rama, mund të flas me të.

Shko në zyrën tjetër, i them, fol me të, këtu nuk ke pse flet.

Doli ai dhe kthehet. Thotë, zoti Berisha, ai është shtrirë përdhe, është shtrirë përtokë, foli pak një fjalë.

I thashë le të vdesë aty, se nuk i flas asnjë fjalë, se unë e njihja.

E di çfarë bëri ky lëngaraq, ky u jep darkën të tjerëve dhe shkon e bie në gjunjë.

U thotë se ja kështu, përpiqet me çdo kusht, por asgjë, kartonin e zi ka.

Absolutisht.

As me rënien në gjunjë, as me puthje çizmesh dhe këmbësh, ky nuk shpëton kurrë.

Ua them këtë, ishte në Uashington, e patë, asnjë njeri nuk e priti, ia refuzuan çdo kërkesë.

I refuzuan çdo kërkesë.

Duke thënë të gjitha këto, do u them edhe një gjë tjetër, gjithçka varet nga ne.

Kush, Edi Ramën nga ajo zyrë nuk e nxjerr përveç nesh.

Nuk vjen njeri të na e nxjerrë.

Jemi ne.

A ka provokim më të rëndë se ai që bën sot?

Sot, prokurorët pas 3 muajsh në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe çdo gjë, u lejuan të paraqesin kërkesën e tyre.

Dhe sot, hajdutët përsëri përkundrejt qëndrimit të deputetëve tanë, njëri nga ata tha, unë abstenoj.

Po mirë i thanë këta, absteno ti, jemi 5 me 4 dhe vendimi është i qartë se komisioni kërkon heqjen e imunitetit të saj dhe arrestimit.

Pas 5 minutash, Taulant Balla, i cili kur është vetëm me të huajt një fjalë në mbrojtje të saj nuk e thotë, kur është me të tjerët bën avokatin e saj.

Thotë jo, ne nuk jemi dakord me propozimin tuaj.

Ai ishte propozimi i prokurorëve.

Demokratët po pranonin propozimin e prokurorëve dhe dolën nga komisioni pa votuar. Do pyesim grupin.

Por Kushtetuta thotë se vendimin e merr komisioni, jo grupi.

Por këta nuk kanë as ligj, as Kushtetutë.

Pra, kush do ia heqë imunitetin asaj?

Qytetarët shqiptarë!

Të shtunën, në ora 6, e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës, imunitetit të Edi Ramës, për arrestimin e Edi Ramës, për largimin nga pushteti.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale