EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si një antishqiptar, pasi në kohën kur ai ishte në opozitë, lobonte në Bruksel kundër Shqipërisë.
Gjatë protestës së sotme që po zhvillohet në mbështetje të liderit të opozitës kundër vendimit politik me arrest shtëpie, Berisha theksoi se kur qeveria e tij liberalizoi vizat, Rama si një antishqiptar dërgonte delegacione në BE dhe kërcënonte Europën se se 800 mijë shqiptarë do dyndeshin drejt Brukselit.
Kryedemokrati është ndalur edhe te protesta e radhës e thirrur nga opozita në 20 shkurt. Ai theksoi se më 20 shkurt motoja e protestës nuk do të jetë më ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, por do të jetë ‘Do të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar se 20 shkurti nuk do të jetë thjeshtë një ditë proteste. Sipas Berishës, në 20 shkurt kjo qeveri do të paralizohet gjer në rrëzimin e saj, pa kthim mbrapa.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të guximit, dinjitetit, shpresës se mbarë shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt ju gardianëve të pamposhtur të demokracisë, europianëve të vërtetë të kombit shqiptar.
Miqtë e mi!
Shpeshherë ndodh që ne gjejmë shkakun e dobësisë së qëndrimeve tona tek ndërkombëtarët. Është ballkanike, jo vetëm shqiptare largimi i përgjegjësive nga vetja apo adresimi i tyre tek të tjerët.
Madje edhe këto kohë, janë jo të paktë ata të cilët fajësojnë ndërkombëtarët se po mbështesin diktaturën e Edi Ramës dhe nuk i dalin në mbrojtje opozitës.
Madje në këtë kontekst herë, herë evokohen padrejtësitë e mëdha historike që fuqitë e mëdha u kanë bërë shqiptarëve 100 vite më parë.
Mendoj se kjo sot nuk është e drejtë, sepse në dekadat e fundit të shekullit të shkuar dhe fillimit të këtij shekulli, SHBA dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar kanë luajtur një rol përcaktues në lirinë e shqiptarëve, dhe asnjëherë nuk duhet të harrojmë se PD u themelua dhe është e do mbetet, parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, faktor ky që përbën gurin e themelit të identitetit tonë kombëtarë, të ekzistencës tonë si komb.
Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se PD është lokomotivë e integrimit Europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.
Në një kohë kur të tjerët lobonin kundër anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës, ne firmosnim në Strasburg anëtarësimin e saj në këtë institucion.
Në një kohë kur Rama u frynte bilbilave për muaj të tërë në parlament për të bllokuar firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në firmosnim në Luksemburg këtë marrëveshje me BE-në.
Në një kohë kur Rama demonstronte në sheshet e Tiranës me portrete të Enver Hoxhës si protestë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne ngrinim në Bruksel në selinë e Aleancës flamurin krenar të Skënderbeut mes flamujve krenarë të vendeve të NATO.
Në një kohë kur ne mirrnim rekomandimin për liberalizimin e vizave, Edi Rama si antishqiptar dërgonte letra dhe delegacione me të cilat kërcënonte Europën se po u hoqën vizat mbi 800 mijë shqiptarë do të dynden drejt Brukselit.
Në një kohë kur ne në saj të suksesit të reformave, morëm rekomandimin e statusit kandidat nga BE-ja. Edi Rama si antishqiptar e bllokoi atë duke bllokuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë plotësisht dakord.
Në një kohë pas zgjedhjeve votuam tre ligjet e bllokuara prej tij, shkonte në një udhëtim turpi në Britaninë e Madhe për ti kërkuar qeverisë së madhësisë së saj që të shtynte miratimin e hapjes së negociatave me 6 muaj vetëm e vetëm që kjo të mos dukej si meritë e qeverisë Berisha.
Të dashur miq!
Unë nuk them se ndërkombëtarët nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë gabime dhe se ata janë imun ndaj korrupsionit. Jo ju e dini se unë, ndoshta si pak shumë tjetër, kam qëndruar haptas ndaj këtyre problemeve.
Por e përsëris, se asnjëherë nuk duhet të harrojmë se në të vërtetë ndërkombëtarët me instrumentet e tyre i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një ndihmë të jashtëzakonshme.
Pas përmbysjes së diktaturës komuniste me ndihmat e tyre humanitare për kombin tonë, të shndërruar në fantazmë nga diktature e egër e etërve të Edi Ramës.
Në këto 3 dekada, Komisioni Europian, institucionet financiare ndërkombëtare, vendet mike dhe partnere i kanë dëshmuar Shqipërisë, bujarinë, solidaritetin më të madh që kombi që ka njohur në histori. Dhe për këtë do të kenë gjithnjë mirënjohjen tonë të pakufishme.
Por theksoj gjithashtu se ndërkombëtarët kanë mbështetur këtë kohë opozitën.
Në raportin e fundit të OSBE-së për farsën elektorale, ata që dinë të lexojnë këtë raport, defakto zgjedhjet e 14 majit janë përmbysur.
Ndërkombëtarët kanë mbështetur opozitën me deklaratat e KE-së për komisionet hetimore parlamentare. Ata kanë mbështetur reformën zgjedhore, duke kërkuar konsensus të të gjitha palëve dhe kanë përgënjeshtruar lajmin e rremë të Lulzim Bravës së ata kishin gjoja ndërmjetësuar aleancën Rama-Brava për reformën zgjedhor e me bashkëkryetarë Gjiknuri-Gjiknuri Bis.
Por miqtë e mi!
Koha na fton të bëhemi të arsyeshëm, koha fton shqiptarët të bëhen si ju, sepse ka dhe një të vërtetë tjetër, kemi 33 vite rrugë në pluralizëm. A mund të lejojmë ne që pas kaq shumë vitesh të presim ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të garantuar pluralizmin dhe demokracinë në Shqipërisë.
Kush ua garanton demokracinë vendeve Europiane, a varen ato nga ndërhyrja e njëri tjetrit për të garantuar demokracinë.
Miku i mirë të ndihmon hapat e para. Por nëse ti ke nevojë për ndihmë edhe pasi mëson të ecësh nuk është faji i mikut, por faji yt.
Ndaj të dashur miq, ndërkombëtarët i kanë sytë nga ne, njerëzit e lirë në botë i kanë sytë nga ne.
Ata sot kanë për ju qëndrestarë dhe qëndrestare të rrugës së Shpresës, mirënjohje, admirim të pakufishëm. Ata nuk mund të vijnë të votojnë për ne, të na shpëtojnë nga grabitja e votës dhe bandat e patronazhistëve, blerja e saj masive, manipulimi i listave të votimit që bën Edi Rama.
Jo kjo është detyrë e jonë dhe vetëm e jona. Ndaj dhe ju mblidheni këtu çdo natë në emër të votës së lirë për votën e lirë.
Të dashur miq!
Pasi u faktua se Rama ka bërë vjedhjen më të madhe të shekullit, pasi u faktua se Edi Rama ka korruptuar shefin e kundërinteligjencës së SHBA, pasi doli se Edi Rama mohon të drejtat kushtetuese parlamentare të deputetëve, pasi Edi Rama denoncohet nga zëvendësi i tij si kreu i organizatës kriminale.
Çfarë na mbetet ne, çfarë do të bëjmë ne, këtë po presin ndërkombëtarët, këtë po presin njerëzit e lirë në Europë dhe botë.
Kjo pyetje qarkon në të 4-anët e vendeve të lira.
Kushtet për të hyrë në Europë janë të shumta. Por jo të gjitha kushtet janë të shkruara në letër të dashur miq.
Kushti i të gjitha kushteve është a kemi ne së pari një frumë evropiane, një përgjegjësi evropiane për fatin e lirive tona dhe të demokracisë në Shqipëri.
A jemi ne të gatshëm të çohemi në këmbë dhe të sakrifikojmë kur demokracia është në rrezik për vdekje.
A do të veprojmë ne si njerëz të lirë, evropianë, para diktaturës së re që sundon sot Shqipërinë, apo do të veprojmë e sillemi si populli i Koresë së Veriut.
Mos harroni se kur në Europë lulëzonte demokracia ne kaluam 45 vite të shtypur. Më pas u zgjuam dhe thirrëm se e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Por a do të veprojmë ne si popujt evropiane. Këtë po presin të shohin popujt e lirë nga ne dhe përgjigje për këtë do të japë populli opozitar në datën 20 shkurt, ditën e fitores.
Miqtë e mi!
Me 20 shkurt motoja jonë nuk do të jetë më ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, motoja jonë do të jetë ‘Do të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’.
Si do ta bëjmë këtë?
Përgjigja është e thjeshtë. Sot rrugët kryesore të kryeqyteteve të Europës janë të paralizuara nga revoltat e fermerëve dhe kjo nuk është e pazakontë e Europës së lirë, por është pjesë e traditës së saj të lirisë dhe qytetarisë.
Sot janë fermerët, dje ishin jelekvedhët, ishin studentët dhe kështu është çdo vit apo çdo 6 muaj.
Por për çfarë bëhen këto protesta miq?
Për të ulur çmimet, për të ndaluar rritjen e moshës së pensioneve, për të përmirësuar jetën e studentëve. Kauza shumë të drejta.
Por kur krahasohen këto me problemet që ka Shqipëria, që kemi ne, këto kauza ngjajnë si thërrime, kur vetë demokracia në Shqipëri është e kërcënuar për vdekje.
Çfarë do të bënin popujt evropian nëse një kryeministër kontrakton shefin e kundër inteligjencës së ShBA për të goditur opozitën. A do ta mbanin ata një kryeministër të tillë?
Çfarë do të bënin popujt evropian nëse një kryeministër akuzohet nga zëvendësi i tij se është kreu i një organizate kriminale.
Çfarë do të bënin popujt evropian nëse zëvendësi i kryeministrit thotë me zë dhe figurë se po të mësonin qytetarët shqiptarë se çfarë ka ndodhur ata do të llahtariseshin.
Ndaj dhe ne në 20 shkurt në betejën tonë pa kthim për fitore.
Miqtë e mi!
Ftoj ju, çdo shqiptar, të ndalemi vetëm për një moment. Po çfarë do të na llahtariste ne po ta mësonim pasi zëvendësi i Edi Ramës nuk na e tregoi.
Ne nuk llahtarisemi sepse e kemi të faktuar sepse Edi Rama për vjedhjen e shekullit me firmën e tij ka ndryshuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve nga landfill në djegësa.
Ne nuk llahtarisemi sepse e dimë se Edi Rama ka urdhëruar firmosjen brenda 1 orë të 17 dokumenteve të vjedhjes së shekullit.
Ne nuk llahtarisemi sepse e dimë se është Edi Rama që ka firmosur negociatat e ndaluara me ligj, të mbyllura.
Se është ai që me firmën e tij i ka dhënë 8 pikë një kompanie që nuk ekzistonte mbi tokë, defakto kompanisë së tij.
Të gjitha këto akte të rënda kriminale, ne i dinim para intervistës së Arben Ahmetaj.
Por llahtaria që njoftoi Arben Ahmetaj lidhet me diçka shumë te keqe që ne nuk dimë.
Ajo mund të lidhet me vrasje, murosje, apo zhdukje që ne nuk dimë asgjë.
Ajo mund të lidhet me firma të vendosura në dokumente me revole pas koke që ne nuk dimë asgjë.
Ajo mund të lidhet me kontot bankare të mbi 100 milionë euro të Ramës dhe Veliajt që ai i ka zbuluar.
Çdo komb evropian do të ja nxirrte për hundësh brenda 24 orëve, veprimet e llahtarshme të kryeministrit të vet, të denoncuar nga zëvendësi i tij.
O sot o kurrë, 20 shkurti është dita jonë, dita e fitores.
Çfarë lloj proteste do të zhvillohej në Europë nëse edhe pas kësaj akuze të tmerrshme, kryeministri i vendit dhe anëtarë të bandës kriminale, do të zbatonin kodin e mafias, omertas.
Miqtë e mi!
Sot është dita e 9 që Edi Rama ka folur e stërfolur nga mëngjesi deri në darkë, për tokën, qiellin, hënën dhe diellin.
Ka folur dhe stërfolur për Kosovën, Serbinë etj., me radhë, por nuk ka lodhur një fjalë të vetme për veprimet e llahtarshme për të cilat e akuzoi Arben Ahmetaj.
Nuk ka folur një fjalë të vetme për kërcënimet mafioze që i ka bërë zëvendësit të tij.
Nuk ka folur një fjalë të vetme për vjedhjen e shekullit.
Nuk ka folur një fjalë të vetme i denoncuar si arkitekt i kanabizimit të vendit.
Të dashur miq!
Le të pyesim se çfarë lloj proteste do të zhvillohej në Europë në se zbulohej se kryeministri i tyre kishte shpenzuar 22 mln euro duke udhëtuar në 18 muaj 140 herë me avion në dispozicion, ndërkohë presidenti i SHBA në 4 vite ka udhëtuar gjithsej 72 herë me ‘Air Force One’.
Qytetarët evropiane nuk do të lejonin kurrë që një avion i tillë dhe pasagjeri i tij kryeministër të ngrihej të ulej nga pista e aeroportit të vendit të tyre.
O sot o kurrë të bashkohemi dhe me 20 shkurt ti tregojmë vendin, të tregojmë veten evropiane të vërtetë, të dëshmojmë se kemi gjithë forcën dhe vullnetin dhe do ta bëjmë Shqipërinë si Europa.
Miqtë e mi!
Çfarë lloj proteste do të zhvillohej në Europë në rast se kryeministri do të udhëtonte me avion taksi dhe që kontrollohej vetëm nga Sinan Idizi dhe që me të drejtë përflitet, dyshohet se rëndom transportonte kuintal apo tonelata bagazhe diplomatike që mund të jenë drogë apo baule me dhjetëra e qindra milionë euro të vjedhura me djegësa, sterilizim, rrugë që niseshin për kontot ofshore dhe të tjerë.
Qytetarët evropiane nuk do të lejonin kurrë që një avion i tillë dhe pasagjeri i tij kryeministër të ngrihej të ulej nga pista e aeroportit të vendit të tyre.
O sot o kurrë të bashkohemi dhe me 20 shkurt të dëshmojmë se si europianë të vërtetë, si ju sot të kemi të gjithë vullnetin dhe forcën që të bëjmë Shqipërinë si Europa.
Çfarë lloj proteste do të zhvillohej në Europë në rast se kryeministri do të shkatërronte demokracinë duke arrestuar për motive strikt politike, liderin e opozitës.
Çfarë lloj proteste do të zhvillohej në Europë nëse mbyteshin zona të tëra, dhjetëra e dhjetëra fshatra, përvetësohej 1.4 mln metrë katrorë tokë në portin e Durrësit.
Një kryeministër nuk do të mund kurrë të gdhihej të nesërmen në detyrën e tij.
Prandaj miq, 20 shkurti nuk është thjeshtë një ditë proteste.
Në 20 shkurt ne i provojmë botës se Shqipëria është gati për Europën.
Me 20 shkurt kjo qeveri paralizohet gjer në rrëzimin e saj, pa kthim mbrapa.
Me 20 shkurt ne do të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, dhe pikënisje e parë e kësaj mosbindje të fuqishme jeni ju, misionarët e ndryshimi, shpresës, sepse ju ndriçuar fatin e Shqipërisë në orët më të zeza të demokracisë shqiptare.
Ju si europianë të vërtetë morët mbi shpatulla opozitën e sulmuar dhe e shpëtuat atë nga fundi fatal.
Zoti ju bekoftë ju, qëndrestarëve të pamposhtur.
Zoti i bekoftë misionarët e 20 shkurtit, demokratë, të paparti dhe socialistë të zgjënjyer, dhe çdo shqiptar që me 20 shkurt do të firmosë historinë, fatin e vet, fatin e Shqipërisë.
Rroftë Shqipëria.