Berisha: Libri i kuq është akuza më e rëndë ndaj Ramës, brigjet po shpopullohen pasi tokat po ua marrin kriminelët. PD po bën gati akt padinë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar librin ‘The Albanian Files’ (Dosja Shqiptare), me parathënie të Ramës, si ‘akuzën më të rëndë’ ndaj një kryeministri shqiptar në historinë e pluralizmit.

Në konferencën e sotme me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se ky botim përbën provën se kryeministri e konsideron Shqipërinë pronë personale dhe se territoret më të lakmuara të vendit u janë dorëzuar, organizatave kriminale dhe trafikantëve të drogës. ‘Libri i kuq ‘Albanian Files’, me parathënie të Edi Ramës, është libri me të cilin Edi Rama fakton shqiptarëve dhe botës se e konsideron Shqipërinë një çiflig të tij. Ky çiflig, sipas tij, u është dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës dhe organizatave kriminale shqiptare e ndërkombëtare,’ u shpreh Berisha.

Sipas kreut të opozitës Sali Berisha, zhvillimet përgjatë vijës bregdetare kanë sjellë largimin e banorëve vendas, të cilët, sipas tij, po detyrohen të shesin pronat përballë presionit të grupeve kriminale. ‘Banorët në brigjet e vendit po shpërngulen pothuajse me forcë. Trafikantët u shkojnë me thasë me para, ua blejnë tokat dhe i largojnë nga trojet e tyre. Një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve nuk ka mbajtur asnjë pushtues në histori,’ deklaroi ai.

Kryetari i PD-së Sali Berisha krahasoi mënyrën e administrimit të bregdetit gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike me atë të qeverisë aktuale. Ai kujtoi se qeveria e tij kishte angazhuar një kompani britanike për hartimin e studimeve mbi zhvillimin e bregdetit, ndërsa akuzoi Edi Ramën se i hodhi poshtë ato plane menjëherë pas ardhjes në pushtet. ‘Edi Rama në vitin 2014 përmbysi studimin britanik dhe kaloi në planin e integruar të zhvillimit të bregut, që në fakt ishte plani i masakrimit të bregut,’ tha Berisha.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u shpreh se, në librin ‘The Albanian Files’ dokumentohen qindra projekte që janë realizuar për interesa të grupeve kriminale dhe për pastrim parash. ‘I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust-it të hetojnë shtrirjen e tentakulave të narkoshtetit shqiptar. Për 523 projekte janë paguar minimumi nga 1.5 deri në 2 miliardë euro,’ deklaroi kreu demokrat. Berisha përmendi edhe projektin e pretenduar në Kanionin e Gjipesë, duke thënë se libri, sipas tij, vërteton akuzat që kishte bërë më parë ndaj kryeministrit. ‘Tani del libri i kuq që fakton atë që kam paraqitur para publikut. Ky libër përbën dosjen më kriminale në historinë e Shqipërisë së 35 viteve të fundit,’ u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së bëri të ditur se Partia Demokratike po përgatit një kallëzim penal. ‘Përshëndes dërgimin e këtij materiali në SPAK nga përfaqësues të protestës. Garantoj qytetarët se Partia Demokratike po e studion këtë dosje dhe do të paraqesë një aktpadi tjetër në SPAK. Për ne kjo është dosja më kriminale,’ deklaroi ai.

FJALA E PLOTE:

Libri i kuq ‘Albanian Files’, me parathënie të Edi Ramës, është libri me të cilin Edi Rama fakton shqiptarëve dhe botës se konsideron Shqipërinë një çiflig të tij, e para.

E dyta, se këtë çiflig ia ka dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës, organizatëve kriminale shqiptare dhe ndërkombëtare.

Libri i kuq ‘Dosja shqiptare’ është akuza më e rëndë ndaj një kryeministri apo presidenti republike, ndaj një diktatori të çdo lloj diktature qoftë ai, që dëshmon se ky njeri nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligjet kombëtare dhe as ndërkombëtare.

Se për këtë njeri, njëlloj si për sulltanët e shekujve më parë, që kishin ligj themelor të perandorisë së tyre toka, ajri dhe uji janë pronë e perandorit, ato u jepen me leasing qytetarëve për mirëqenie.

Edhe për Edi Ramën, zonat më panoramike të brigjeve të detërave dhe liqeneve të Shqipërisë, të kodrave dhe maleve të vendit, janë pronë e tij, që u jepen për zhvillim trafikantëve kriminelë të urryer.

Dëshmitë janë flagrante.

Ju i keni parë se si në jug, banorët në brigjet e vendit po shpërngulen pothuaj manum militari, po emigrojnë dhe po largohen nga kriminelë trafikantë të egër, që u shkojnë me strajca, me thasë me para, ua blejnë tokat dhe i nisin nga trojet e tyre.

Një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve nuk ka mbajtur asnjë pushtues në histori.

Tentakulat e mafies së rrezikshme që po rrafshon kodra dhe po zhbin çdo gjë në jug, de facto po shpopullon me forcën e narkoeurove brigjet e Shqipërisë.

Dua t’u rikujtoj këtu ju, përfaqësuesve të medieve dhe gjithë shqiptarëve, cili ka qenë projekti i qeverisë së mëparshme për bregun.

Qeveria e mëparshme tregoi një kujdes shumë të veçantë për bregun dhe zhvillimin e turizmit.

Për këtë qëllim, përveç ndërtimit të infrastrukturës në të gjithë bregun, ajo mori një kompani britanike të famshme, të shquar, e cila studioi bregun në të gjithë gjatësinë e tij.

Dhe kjo kompani, që ta dini ju, përcaktoi me studimin e saj zonat ku nuk mund të ndërtohej.

Nuk përcaktoi zonat ku duhej të ndërtohej.

Kjo kompani, pasi përcaktoi zonat ku nuk duhej të ndërtohej, së bashku me qeverinë shqiptare, zhvillimin e bregut ia besoi autoriteteve lokale të bregut.

Mbi këtë bazë, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili ishte një gardian i pakorruptuar i interesave të banorëve të bregut, mori një kompani greke për të bërë tashmë planet e zhvillimit të komuniteteve nga komunitetet.

Unë u them ju se ajo kompani bëri një punë të shkëlqyer.

Dhe në qoftë se ajo kompani, them edhe njëherë, do zbatohej projekti i saj, shqiptarët do kishin sot një breg krejt tjetër.

Nuk do ishte asnjë nga batërditë dhe krimet e tmerrshme mjedisore të kryera në bregun e detit në Shqipëri.

Çfarë ndodhi?

Edi Rama, me të ardhur në pushtet, e përmbysi si studimin britanik, dhe unë njerëzisht u kërkoj ju të bëni kontroll në arkiva dhe ta gjeni se u kujtohet ju kur falanga të krimit të PS dhe Erion Veliajt arritën me shpifjet e tyre, trillimet e tyre, arritën të publikojnë, të fabrikojnë një raport gjoja të pavarur të një eksperti të pavarur të bankës, në të cilat përpiqeshin të implikonin për korrupsion qeverinë shqiptare.

Në një kohë kur qeveria kishte zbatuar me rigorozitet absolut memorandumin e firmosur me Bankën Botërore.

Por, hapi arkivat, pas një përballje të fortë mes qeverisë dhe Bankës, BB dërgoi këtu zëvendëspresidentin e saj Filip Beiru, i cili kërkoi falje publike qeverisë shqiptare për akuzat të pabaza të lëshuara në atë raport, të fabrikuara të gjitha në kuzhinën e Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës në Tiranë.

Por kjo është midis të tjerash.

Çfarë bëri Edi Rama me këto plane?

Edi Rama në vitin 2014 i përmbysi këto dhe kaloi në planin e integruar të zhvillimti të bregut, në planin e masakrimit të bregut.

Njeriu që kur erdhi në pushtet tha se na ka dalë njëfarë Gjon Gjoni, duke aluduar se ishte ndonjë mirditor apo laçjan, dhe na është bërë me 60 mijë hektarë tokë, duke dëshmuar injorancën e tij të plotë, totale se emri Gjon është sa i përdorur në Mirditë, edhe në Labëri, edhe në Çamëri në pjesën ortodokse.

Dhe ato në fakt ishin prona të heroit legjendar të revolucionit grek, pasardhësve të Marko Boçarit.

Që ky thoshte na doli Gjoni që nuk ka parë kurrë det me sy.

Në fakt tani vërsuli drejt bregut çdo trafikant shqiptar, trafikantë të gjitha krahinave bashkohuni për të shqyer bregun e detit.

Kjo ndodhi, ua them unë.

Dhe libri i kuq është dëshmia më autentike e dorëzimit, të themi të Shqipërisë panoramike, ta quajmë kështu në mënyrë arbitrare, në duart e trafikantëve dhe mafies shqiptare.

Kjo është e vërteta.

Ky libër shtron probleme shumë, shumë madhore, kriminale.

Së pari, kush është personi që ka porositur dhe paguar projektin?

Cilat janë dokumentet e pronësisë në atë zonë?

Sa janë paguar studiot për projektet dhe si janë paguar, me bankë apo me strajca?

I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust për të kuptuar shtrirjen e tmerrshme të tentakulave të narkoshtetit shqiptar.

Për 523 projekte janë paguar minimumi nga 1.5 në 2 miliardë euro.

Por, përveç këtyre, libri i kuq i Edi Ramës, Dosja sekrete Shqiptare, ka edhe pronat e grabitura nga Edi Rama apo vëllai i tij dhe nëna e tij e ndjerë.

Në Librin e Kuq kanioni i Gjipesë me mbrojtje të shkallës më të lartë, njëri nga 20 kanionet më të çmuara në planet, i kanë vu samarin sipër, hotelin e Edi Ramës që kalon nga njëri breg në bregun tjetër.

Dhe që ka pasur paturpësinë të më padisë kur unë e paraqita këtu para jush 1 vit e gjysmë më parë, dhe që tregonte se arkitekti holandez Maas ishte aty.

Mbase dikush e kishte kompozuar fotografinë, por unë paraqita atë foto. Aty nuk është risia se është Maas në plazhin e Gjipesë, por se është hoteli që kalon si samar nga një breg në bregun tjetër të kanionit.

Tani që ai ka çuar në gjyq, tani del libri i kuq që fakton atë që unë kam paraqitur para publikut.

Pra, të dashur miq, ky libër përbën dosjen më kriminale në historinë e Shqipërisë të 35 viteve të fundit.

Përshëndes dërgimin e tij në SPAK nga përfaqësues të protestës.

I garantoj se PD po e studion dhe do paraqesë aktpadinë tjetër po për këtë libër në SPAK.

Dhe kjo edhe njëherë për ne konsiderohet dosja më kriminale.

Së dyti, dua t’u informoj se qindra mijëra euro po shpenzohen nëpër korridoret, ju lutem shihni pak këtu ç’po ndodh brenda ndërtesës së kryeministrisë… sulltani i kuq po vendos ngjyra haremi në kryeministri.

Po, këto janë tipike ngjyrat e haremeve.

Dënoj me forcën më të madhe vendosjen e këtyre ngjyrave në hollet e kryeministrisë.

Urdhëroni sa kushtojnë dhe sa nuk kushtojnë.

Këto ngjyra janë ose të haremeve ose të kinemave të seksit në Pigal. Atje i kam parë unë këto.

Ja pra.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Mariglen Kume, MCN TV. Pyetja e parë ka lidhje me temën që ju trajtuat në pjesën e parë të konferencës, pikërisht me librin ‘Albanian Files’. Cili është elementi që sipas jush, ose sipas Partisë Demokratike, e ngarkon me përgjegjësi penale kryeministrin Edi Rama tek ai libër, për të cilin ka thënë se nuk është ai autori, por ka bërë vetëm parathënien e tij? Çfarë di Partia Demokratike më shumë rreth kësaj?

Sali Berisha: Së pari dua t’ju them, them haptas, unë vetëm dy javë më parë kam marrë vesh ekzistencën e këtij libri.

Nuk kisha dëgjuar kurrë për të.

Dhe vetë autori pranon se e ka zhvilluar në mënyrë sekrete, prandaj e ka quajtur dosja, duke e krahasuar me dosjet e sigurimit të shtetit. E kupton tani?

Prandaj e them unë që kjo ngjarje nuk është e regjistruar në ‘Makondon’ e Garcia Markesit. Ne po e studiojmë këtë se kjo është, thashë, dosja më kriminale.

Ato projekte janë të gjitha të porositura me udhëzimin, orientimin e Edi Ramës. Ato leje janë, ato projekte janë të miratuara nga Edi Rama.

Se nuk ka studio në botë që të vijë dhe të englediset duke bërë një hotel mbi kanionin e Gipesë pse i shkrepi në mendje atij. Kujt do t’ia thotë Edi Rama këto?

Ndaj dhe ai nuk shpëton nga kjo.

Kjo është Shqipëria çiflig i Edi Ramës, i dorëzuar totalisht mafies së drogës dhe organizatave kriminale për ndërtim, për zhvillim, për larje parash, për larje parash, kjo është e gjitha.

Nuk ka histori tjetër këtu.

Mariglen Kume, MCN TV: Pak javë më përpara, ju në një konferencë deklaruat se për demokratët nuk do të ketë verë, pushime vere në thonjëza po them, pasi do të jenë në aksion. Ndërkohë që protesta e qytetarëve këto të 35 ditë në një farë mënyre pezulloi planin ose programin e PD-së për këtë. Pyetja ime është, a do të ketë Partia Demokratike protestë tjetër në këtë verë po them ose në vijim, dhe a do të ndryshoni strategji për mënyrën se si do t’i bëni këto protesta, apo si edhe më parë?

Sali Berisha: Zoti Kume. Qëndrimi ynë ndaj protestës, po e ripërsëris, protesta nuk është e jona. Nuk bëjmë asnjë përpjekje në mënyrë absolute për ta akaparuar atë, as për ta përçarë.

Marrim pjesë në protestë me të gjitha mundësitë tona, me anëtarë dhe mbështetës, pa asnjë simbol partiak. Thjesht si qytetarë.

Dhe kjo është e vërtetë.

Kanë marrë pjesë në tërësi deputetët, por si qytetarë. Kanë marrë pjesë me qindra dhe mijëra, sipas rastit, anëtarë dhe mbështetës tanë.

Kjo protestë është mbështetur në mënyrën më të fuqishme për pesë pikat e saj. Ato lexoni, kanë qenë pika që ne i kemi mbrojtur me protesta në parlament dhe kudo. Dhe ne i mbrojmë.

Nuk kemi thirrur protestë tjetër. Jo, pikërisht për të mos shpërqendruar vëmendjen, interesin për këtë protestë madhështore të qytetarëve.

Nuk jemi dakord kurrsesi me ndonjë slogan, por nuk kemi hapur polemikë. Jo. Jo dhe jo. Kemi vendosur të marrim pjesë pa hapur polemikë, sepse nuk duam të shpërqendrohet nga asgjë nga protesta.

Nuk ka patur që nga viti ‘90, kjo është protesta e dytë më madhështore qytetare që ka njohur Shqipëria. Ka njohur edhe një tjetër, protestën për armët kimike. Edhe ajo e jashtëzakonshme, ishte në tërësi protestë e gjimnazistëve, siç e dini.

Kështu që ne mbështesim protestën, i përmbahemi këtij qëndrimi në vazhdim. Çfarë do bëjmë ne tani? Se ke të drejtë, po.

Kuvendi i Partisë Demokratike shpalli moton ‘Ripërtëritje’. I garantoj demokratët, mbështetësit e Partisë Demokratike, se ripërtëritja është dhe do mbetet drejtim themelor i kësaj partie. Ne kemi vlera shumë të çmuara në gjirin tonë dhe do i promovojmë ato me vendosmëri.

Partia Demokratike ka deklaruar organizimin dhe modernizimin e saj si veprimtari kryesore.

Siç ju kam informuar, me Institutin Republikan Amerikan, ka përgatitur për ne një platformë të shkëlqyer, e cila do zbërthehet në të gjitha nivelet e partisë për organizimin dhe modernizimin e partisë.

Së treti, me dy fondacionet më të famshme të qendrës së djathtë në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage, ne kemi përgatitur vizionin e Partisë Demokratike.

Pra, siç e sheh, nuk mund të ketë pushime për këtë parti, ka betejë, ka punë, punë dhe vetëm punë.

Anisa Kadesha, TVSH: Cila do të jetë marrëdhënia e Partisë Demokratike me parlamentin? A do të vazhdojë bojkoti parlamentar me kushtin e shqyrtimit të pesë kërkesave të protestuesve?

Sali Berisha: Nuk kemi bojkotuar parlamentin. Kemi shpallur mospjesëmarrje në seancat parlamentare dhe jo në komisione, gjersa Edi Rama të mos bllokojë paraqitjen në parlament të amendamenteve që kanë dorëzuar deputetët tanë për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës.

Mbajtja e tyre pa i paraqitur në parlament, është një fyerje shumë e rëndë për opozitën, protestën dhe për shqiptarët.

Është një dhunim i të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës. Kjo është arsyeja dhe ky është qëndrimi.

Të vendosë kryesia, t’i paraqesim, t’i diskutojmë.

Është detyrimi më minimal i parlamentit ndaj publikut, ndaj shqiptarëve dhe shqiptarëve në protestë.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Zoti Berisha, të ndalemi pak te dy fundet e dy përgjigjeve tuaja. Te ripërtëritja dhe te vendimet e kryesisë. Kur do të mbarojë ripërtëritja e Partisë Demokratike, që do të mblidhet kryesia e re me sekretariatin, dhe a keni menduar ju për ekipin e ri drejtues që do të jetë në krye të Partisë Demokratike?

Sali Berisha: Në fillim të javës tjetër do bëhet mbledhja e Këshillit Kombëtar për të finalizuar të gjithë organigramën e organeve drejtuese të Partisë Demokratike. U garantoj dhe shpreh besim të madh, se Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do t’i përmbahet me vendosmëri motos së kuvendit: ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje.

Zoti Berisha, në procesin e ripërtëritjes, çfarë kriteresh merren parasysh për promovimin e anëtarëve të rinj apo personazheve? Për shembull, rezultatet e 11 majit, janë një prej tyre?

Sali Berisha: Janë dhe ato një prej tyre. Por janë komplekse kriteret. Tani t’u them të vërtetën, në Partinë Demokratike ka personalitete të shquara. U garantoj se ka prej tyre me reputacion ndërkombëtar në fushën e vet. Ka pena nga më të fuqishmet në publicistikë sot.

A u duhet partia që të spikasin?

Sali Berisha: Jo, përkundrazi, janë të kanë spikatur ata. Ata janë të spikatur. Por duhet të marrin vendet që meritojnë në parti. Partia duhet të ripërtërihet me individë të tillë. Ka njerëz të ekselencës gjatë gjithë flurudhës të tyre akademike. Ka shumë njerëz në parti, unë ua kam thënë dhe herë të tjera, po ju e keni dëgjuar ndoshta me skepticizëm. Tani është koha të shfaqen. T’i promovojmë ata dhe të paraqiten. Ripërtëritja është ligj i pandryshueshëm. Nuk i mohohet askujt asnjë kontribut, por thirrja e përgjithshme e anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe mbështetësve të saj është që kjo parti t’i përmbahet kësaj motoje.                       

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale