FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, u ka bërë thirrje shqiptarëve që votojnë në Bashkimin Europian, që votën e tyre ta japin partitë e qendrës së djathtë në shtetet që ata jetojnë.
Kryedemokrati Sali Berisha, duke komentuar dosjet ‘Metamorfoza’ tha se, në këto përgjime gjendet Edi Rama, Taulant Balla, Engjell Agaçin dhe zyrtarë të tjerë. Sipas tij, në këto dosje të metamorfozës gjenden qeveritarë, gjykatës dhe prokurorë të lartë, që kanë rënë në përgjimet e huaja.
Në fjalën e mbajtur përpara qytetarëve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se gjatë qeverisjes së tij në vitet 2005-2009, sistemet TIMS dhe E-Gate u instaluan nga SHBA dhe garantuan liberalizimin e vizave. Sipas tij, ‘këto sisteme janë në duart e krimit’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar sonte një dokument të skandalit të sistemit TIMS, se si ky sistem është manipuluar me qëllim që të mos lexojë hyrje e daljet e disa personave. Në dokumentin që lexoi kryedemokrati, në krye ishte emri i Tedi Malavecit, të dënuar në Holandë për trafik droge dhe në Shqipëri është në krye të shërbimit kombëtar të përmbaruesve.
Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar skandalin që ka përfshirë prej kohësh sistemin TIMS në Shqipëri. Berisha është shprehur se sistemit E-Gates dhe TIMS kriminal janë sisteme të ndërtuara nga Bruno Veizaj gjatë kohës që ai punonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në fund të fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se, ky narkoshtet është një rrezik madhor për stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit. Berisha ju bëri thirrje qytetarëve që të hënën të gjithë të mblidhen tek bashkia dhe të protestojnë kundër Erion Veliajt.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme për qëndresën tuaj epike.
Mirënjohje të pakufishme oratorëve të parlamentit të lirisë, që përcjellin çdo natë në votrat, mendjen dhe zemrat e shqiptarëve, të vërtetat e narkoshtetit, shtetit të drgoës dhe mafies.
Diktaturës të bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve të Edi Ramës.
Të dashur miq!
Sot përsëri dhe nesër në mbarë Europën vazhdojnë zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe institucionet e reja të BE.
Fati e ka sjellë që shqiptarët të jenë sot më shumë votues në Europë sesa në vendin e tyre.
Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë anëtarët dhe mëbshtetësit e PD kudo që janë të votojnë partitë e qendrës së djathtë. Në tërësi të votojnë për Forza Italia në vendin fqinj, Nea Demokracinë, CDU-në, të votojnë Partinë Popullore Austriake, të votojnë partitë e qendrës së djathtë në Kroaci, Slloveni dhe mbarë vendet e tjera.
I ftoj të votojnë kandidatët shqiptarë kudo që janë.
I ftoj të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe të votojnë për kandidatët më të mirë që ata besojnë.
Le të votojnë për ne dhe për Shqipërinë, në emër tonë dhe të shqiptarëve.
Zoti i bekoftë!
I garantoj se në këtë vend zgjedhje të tjera nuk do zhvillohen pa votën e tyre, pa pjesëmarrjen e tyre.
Le të tmerrohet Edi Rama nga vota e tyre, por zgjedhje Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë pa votën e diasporës dhe emigracionit.
Të dashur miq!
Çdo ditë këto javët e fundit është folur për narkoshtetin e Edi Ramës.
Mediat evropiane dhe botërore përsëri u kanë rënë sirenave të alarmit për instalimin në Shqipëri të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Miqtë e mi!
Ato që kanë përshkruar mediat italiane, gjermane, amerikane dhe të vendeve të tjera, iu garantoj se janë vetëm maja e ajsbergut.
Ato nuk janë, thashë dhe njëherë, asgjë më shumë se maja e një ajsbergu mbi të cilin është sot, apo noton sot Shqipëria dhe shqiptarët.
Ato nuk përshkruajnë as një të dhjetën e asaj që fshehin Metamorfoza e parë, e dytë dhe e treta që vjen.
Tek dosjet Metamorfoza ju gjeni Edi Ramën, Taulant Ballën, Engjëll Agaçin, zyrtarët më të lartë, qeveritarët më të lartë, gjykatësit më të lartë, prokurorët më të lartë, ata drejtues të botës së krimit në Shqipëri.
Tek këto dosje janë dëshmitë më flagrante të porositjes së vrasjeve nga politikanë.
Janë dëshmitë më flagrante të vizitave, telefonatave të bosëve më të rrezikshëm të krimit, pra jo vetëm Luftar Hysës, por edhe Ndokëve, Rrajave, Bajrëve, Troplinëve, Avdylëve, Çelëve në zyrat e Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Në zyrat e qeveritarëve.
Në këto dosje janë pazaret kriminale që këto bosë mafiozë, këta vrasës mizorë, këta trafikantë të shpërfytyruar kanë bërë me Edi Ramën, me Taulant Ballën, me gjykatës, prokurorë, oficerë të lartë policie, ministra dhe zyrtarë të tjerë.
Në këto dosje janë varret e dhjetëra e dhjetëra shqiptarëve, viktima të krimit të lidhur këmbë e kokë me shtetin.
Në këto dosje janë grabitjet e dhjetëra mijëra hektarëve tokë dhe shndërrimi i tyre në resorte me firmën e Edi Ramës.
Në këto dosje transporti me baule diplomatike i dhjetëra e qindra milionë eurove të grupeve më të rrezikshme të trafikut të Europës në Shqipëri.
Në këto dosje janë transporti me baule diplomatike dhe rrugë të tjera i kontejnerëve, i bauleve me narko-euro.
Në këto dosje miqtë e mi janë lejet me 30 përqind ryshfet për Edi Ramën të kullave të drogës dhe korrupsionit, dëshmi e tmerrshme e skllavërimit të shqiptarëve nga narkoshteti.
Te këto dosje është fytyra e vërtete e qeverisë së Edi Ramës.
Janë krimi i dytë më i shëmtuar në historinë e kombit pas shpopullimit, krijimi i narkoshtetit.
Te këto dosje që mercenari Dumani u fsheh qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur si puthador, si lake, Edi Ramën dhe kriminelët e tjerë me pushtet, qëndrojnë projekte makabre të transportit të drogës, kanabizimit të Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Këto dosje faktojnë se bota mizore e nëndheshme e krimit ka emëruar në Shqipëri ministra dhe mbiministra.
Se kjo botë e pashpirt ka diktuar plaçkitje dhe grabitje pafund të pronave të shqiptarëve.
Se kryeministria, se ministria e rendit, se drejtësia janë në kthetrat e pamëshirë të tyre.
Se nuk ka qelizë, nuk ka sekret që nuk u është dhënë këtyre bandave dhe kriminelëve që janë fuqia e vërtetë e shtetit të Edi Ramës.
Të dashur miq!
Në vitin 2009, SHBA vendosën në Shqipëri në pikat e kontrollit të kufirit njërin nga sistemet dixhitale më të avancuara të kohës, sistemin TIMS dhe E-Gate.
Këto sisteme të një sigurie të lartë, të një mbrojtje të plotë kibernetike, e bënë Shqipërinë një vend, për të cilin votuan të gjitha vendet e BE për heqjen e vizave.
Erdhën zyrtarët më të lartë të zbatimit të ligjeve, drejtori i përgjithshëm i policisë federale gjermane dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit nga vendet e tjera.
Ata mbetën të befasuar kur panë sistemet e kontrollit të kalimit të kufirit.
Po sot o miq? A e dini ju se këto sisteme janë në duart e krimit?
Se këto sisteme me Taulant Ballën, Edi Ramën, Met Rrumbullakun, iu dorëzuan krimin.
Do më lejoni t’u lexoj sonte para jush dhe shqiptarëve një dokument zyrtar.
Ky dokument i drejtohet nga dy punonjës Çeliku dhe një tjetër, Kraca, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit madhor, Muhamet Rrumbullaku.
Ka datën 20.12.2023.
Në këtë dokument shkruhet:
I nderuar zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Me qëllim përmirësimin e problematikës së hasur me datën 9.11.2023 me sistemin E-Gates dhe TIMS, me autorizimin tuaj erdhi zoti Neritan Maliqi, ish-punonjës i ICITAP dhe zhvillues i sistemit TIMS (është fjala kjo për vitin 2009).
Gjatë hetimit të shkakut të mosfunksionimit të sistemeve u vu re se problematike gjenerohej në serverin TIMS, kodi i këtij servili ishte ndërruar pak ditë para datës 9.11.2023.
Duke u përpjekur të kuptohet ndryshimi i ndodhur, stafi i sektorit të sistemeve ktheu në kopje back-up të këtij serveri të datës 19.5.2023.
Kopja e rikthyer u ekzaminua për të kuptuar mënyrën e funksionimit të këtij serveri, pasi departamenti i teknologjisë së informacionit, siç jeni vënë në dijeni edhe më parë. nuk disponon asnjë nga kodet e sigurisë të asnjërit prej sistemeve të sigurisë pasi nuk janë depozituar sipas procedurave standarde të punës. (Nuk janë depozituar sepse i janë dorëzuar kriminelëve).
Gjatë ekzaminimit të serverit të kthyer në back-up, u dallua se për një grup prej 5 dokumentesh udhëtimi të tipit pasaportë, sistemi nuk kryente kërkimin në TIMS-in kriminal.
(E kuptoni që për këto pasaporta e kishin verbuar dhe shurdhuar sistemin me program).
Duke sjellë kështu moskontrollin e tyre. (Sepse ishte dhënë komanda që duhen injoruar këto pasaporta).
Këto dokumente të injoruara u përkasin:
1.Tedi Malaveci, trafikant droge i dënuar në Roterdam vite të tëra, sot i emëruar nga Ulsi Manja dhe Edi Rama në krye të shërbimit kombëtar të përmbaruesve.
2.Aida Shuap Jaupllari.
3.Bruno Mario Veizaj, i gjithkudogjendshmi në çdo lloj krimi dixhital.
4.Nevila Cako Xoxa.
5.Lorela Shehu.


Siç jeni në dijeni, sistemit E-Gates dhe TIMS kriminal janë sisteme të ndërtuara nga Bruno Veizaj gjatë kohës që ai punonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Pra, Bruno Veizaj kishte ndërhyrë në sistem që të lexonte pasaportën e secilit prej jush, por jo të Bruno Veizaj kur Bruno transportonte drogë, kur Bruno merrte misione krimi apo misione të zeza, ai nuk duhej të lexohej.
Çfarë thotë informatori?
Thotë që këta persona të listuar më sipër mendojmë se kanë njohje dhe lidhje me njëri-tjetrin dhe e kanë bërë qëllimisht për të kaluar pa gjurmë kufirin.
Pra, dhe ekzistenca e kësaj qasje si fenomen, na bën të mendojmë se veprime të tilla mund të jenë në sisteme të tjera të Policisë së Shtetit në kohë të ndryshme dhe individë të tjerë.
A e shihni miq se si është dorëzuar shteti në duart e kriminelëve?
Se si sistemet që për hir të sigurisë kombëtare janë të detyruara të regjistrojnë çdo zyrtar nga presidenti i Republikës e poshtë, shurdhohen, verbohen për kriminelë, për trafikantë, për mafiozët.
Shkoni kërkoni po të doni në TIMS kalimin e Arben Ndokës, Xhelal Rrajës, Ndokëve, Troplinit, nuk janë kurrkund.
Nuk flasin sepse i kanë verbuar sistemet, ua kanë dorëzuar sistemet.
Tani a mund t’u bëjmë një pyetje të gjithë atyre që akoma ose të paguar, ose në verbëri, insistojnë se ky nuk është narkoshtet.
Jo narkoshtet, po ky është shteti më i rrezikshëm i drogës, krimit dhe vjedhjeve të Shqipërisë.
Për informacionin tuaj, Taulanti me 5 mbiemra ka raportuar për këto që dëgjuat ju se nuk ka asnjë dëmtim dhe nuk ka asnjë problem me sistemin e TIMS.
Të njëjtin mashtrim, veçse e ka quajtur gabim njerëzor, e ka bërë edhe i rekrutuari, i marri peng i Edi Ramës, Met Rrumbullaku, drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Miqtë e mi!
Ky shtet i drejtuar nga kriminelë, i drejtuar nga pushtetarë të lidhur këmbë e kokë me krimin, është një rrezik madhor për jetën e çdo shqiptari.
Për veprimtarinë e çdo shqiptari.
Është një rrezik madhor për stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit.
Është shndërruar në eksportues kryesor të krimit dhe drogës.
Ndaj e hëna po vjen.
Ditën e hënë të gjithë te bashkia.
Ditën e hënë, Erion Veliaj, një monstër njerëzore që vjedh 100 përqind taksat e shqiptarëve, duhet të dalë për leckash nga bashkia.
Duhet të varet në shtyllën e turpit në sheshin Skënderbej.
Vetëm beteja juaj, vetëm përpjekja juaj për të marrë fatin tuaj dhe të Shqipërisë në dorë, do të sjellë shpëtimin tuaj, të ardhmes tuaj.
Qeveri teknike, zgjedhje të reja.
Fitore, fitore, fitore!