Berisha: Le të zotohemi ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO se do të kthejmë përsëri vendin në rrugën e demokracisë

1 PRILL 2024-FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kujtuar 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO gjatë qeverisjes demokratike.

‘Sot ne kremtojmë 15-vjetorin e mrekullisë shqiptare, mrekullisë më të madhe kombëtare pas shpalljes së pavarësisë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte realizimi i ëndrrës më të bukur, më të rëndësishme të një kombi që kishte njohur pushtime e mynxyra më shumë se çdo komb tjetër’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.

‘Le të zotohemi ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO se do të kthejmë përsëri vendin në rrugën e demokracisë’, u shpreh lideri i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në ditën e 91 të tubimit qytetar në mbështetje të tij.

Berisha tha se mrekullia e 15 viteve më parë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, na fton ne të rikthejmë votën e lirë, të përmbysim narkoshtetin e këtë qeveri trafiqesh, krimi, vjedhje, droge, të shpëtojmë ushtrinë tonë nga kthetrat e tmerrshme të korrupsionit të këtij regjimi.

FJALA E PLOTE

Rroftë NATO, rroftë Shqipëria!

Zoti e bekoftë NATO-n, zoti e bekoftë Shqipërinë!

Një përshëndetje të përzemërt për ju miq.

Sot ne kremtojmë 15-vjetorin e mrekullisë shqiptare, mrekullisë më të madhe kombëtare pas shpalljes së pavarësisë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte realizimi i ëndrrës më të bukur, më të rëndësishme të një kombi që kishte njohur pushtime e mynxyra më shumë se çdo komb tjetër.

Me këtë anëtarësim, Shqipëria futej në klubin e vendeve demokratike, të zotuara për të mbrojtur njëra-tjetrën, për siguri kolektive, për të ardhme të përbashkët.

Ndaj dhe mirënjohja ime e pakufishme shkon tek të gjithë ata punonjës që në vite dhanë gjithçka për të përmbushur kriteret që aleanca politike ushtarake më e fuqishme e kohërave kërkonte për Shqipërinë.

Por një mirënjohje të veçante kam sonte për të gjithë sekretarët e përgjithshëm të aleancës, qëndrimin e tyre që nga Manfred Verner gjer te Shefer, më miqësorë, më dashamirës ndaj Shqipërisë.

Mirënjohja e pakufishme e jona shkon ndaj mikut të madh të shqiptarëve, presidentit Xhorxh Bush, mbështetja e të cilit ishte përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Të dashur miq!

15 vjet më parë, në shndërruam një ëndërr të madhe në realitet.

Por sot pas 15 vitesh, Shqipëria de facto nuk është më anëtare politike e aleancës së Atlantikut të Veriut, pasi Edi Rama ka shkelmuar çdo parim madhor politik të kësaj aleance.

Aleanca është klubi i vendeve të lira demokratike, kurse Edi Rama ka rrëmbyer votën shqiptarëve, nuk bën zgjedhje të lira, nuk lejon rotacionin, ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij të zeza.

Edi Rama me regjimin e tij de facto po largon Shqipërinë çdo ditë e më shumë nga NATO-ja.

Ai ka vendosur mbi qytetarët e tij regjimin e vjedhjeve më të mëdha në historinë e tyre.

Ai ka vendosur në Shqipëri, arrestimet politike dhe përpjekjen për zhdukjen e opozitës.

Edi Rama ndërtoi në këto vite, në vendin anëtar të NATO-s, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në NATO dhe në Europë.

Edi Rama, njëlloj si Oleg Deripaska, pagoi me para krimi, kryezbuluesin e SHBA për të treguar se është edhe ky një horr si horri rus dhe asgjë tjetër.

Miqtë e mi!

Mrekullia e 15 viteve më parë, anëtarësimi në NATO na fton ne të rivendosim parimet e lirisë në Shqipëri, për të qenë anëtar i denjë i aleancës së Atlantikut të Veriut.

Na fton ne të rikthejmë votën e lirë.

Na fton ne të përmbysim narkoshtetin.

Na fton ne të përmbysim këtë qeveri trafiqesh, krimi, vjedhje, droge.

Të rikthejmë votën e lirë të shqiptarëve.

Të shpëtojmë ushtrinë tonë nga kthetrat e tmerrshme të korrupsionit të këtij regjimi.

U bëj thirrje të gjithë vendeve anëtare të NATO-s, të mos harrojnë se te çdo qeveritar shqiptar është një hajdut, është një vagabond, është një zyrtar i lidhur me krimin.

Ndaj dhe të kenë kujdes prej tyre në çdo takim, në çdo mbledhje, në çdo gjë.

Edhe njëherë, gëzuar këtë ditë të madhe.

Le të zotohemi ne, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO se do të kthejmë përsëri vendin në rrugën e demokracisë.

Se do përmbysim armiqtë e NATO-s në Shqipëri.

Se do qëndrojmë me NATO-n në çdo betejë, në çdo përpjekje, në çdo fitore.

Rroftë NATO-ja, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale