FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME GRATË E LGDSH
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një pritje në selinë blu me anëtaret e Lidhjes Demokratike të Gruas me rastin e festave të fundvitit. Në fjalën e tij, Berisha e quajti regjimin e Edi Ramës një Luçifer. ‘Ky regjim është një Luçifer! Nga kjo katastrofë e kanë pësuar më rëndë nënat dhe vajzat shqiptare’, theksoi Berisha.
Gjatë takimit me Lidhjen Demokratike të Gruas, lideri i opozitës, Sali Berisha u ndal edhe te barazia gjinore. ‘PD e ka pasur, e ka dhe do e ketë drejtim themelor të saj betejën kundër murit të patriarkisë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me rastin e festave të fundvitit.
Kryedemokrati Sali Berisha ka vlerësuar betejën e grave demokrate përgjatë viteve të fundit kundër narkoregjimit të Edi Ramës. Në takimin për festat e fundvitit me LDG, Berisha u bëri thirrje grave të PD se ‘beteja e tyre në këtë stad është vendimtare për fitoren e demokracisë dhe rrëzimin e narkodiktaturës’.
Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi para Lidhjes Demokratike të Gruas se PD do të mbajë çdo premtim dhe do të rikthejë ligjin në vend. Gjithashtu fjalën e tij e mbylli me një urim, duke uruar që festat e e tjera t’i bëjnë me një fitore në 11 maj.
FJALA E PLOTE:
Të dashura zonja, zonjushe, demokrate, nëna, motra, vajza, është një nder i veçantë për mua që t’u përshëndes ju sot në këtë ditë të bekuar dhe të përshëndes çdo nënë, motër, vajzë, grua shqiptare ditën e lindjes së hyjit, lindjes së Krishtit.
Nuk duhet harruar se është profeti i të gjitha besimeve.
Të përulem me nderimin më të thellë para kontributit tuaj, para sakrificave tuaja, para qëndresës tuaj.
Zonjat dhe zonjushet demokrate, si në tërësi opozitarët, por këto më shumë se të gjithë të tjerët, kanë përjetuar një kalvar me regjimin e rilindjes.
Mund t’i japim shumë epitete këtij regjimi, por kam arritur në përfundimin se më shumë se çdo gjë tjetër i përshtatet ta quajmë Luçifer.
Me këtë term të marrë nga mitologjia, ku u instalua për të bërë ndryshim dhe krijoi një katastrofë me fuqitë shkatërrimtare, të paparë në ndonjë komb tjetër.
Dhe në këtë katastrofë, ato që e pësuan më rëndë dhe më shumë janë nënat shqiptare.
Janë vajzat dhe familjet shqiptare.
Sot në Shqipëri janë qindra e mijëra nëna që nuk i kanë në vatra fëmijët e tyre, por i kanë përcjellë në rrugët e dheut vetëm e vetëm për mbijetesë.
Sot në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër, janë qindra mijëra gjyshe që jetojnë në vetminë më të thellë, sepse ata që mund të tregonin kujdesin më minimal, janë larguar nga Shqipëria dhe kanë marrë rrugët e dheut.
Sot në Shqipëri janë qindra mijëra nëna, motra që përballen me egërsinë më të madhe me një varfëri të frikshme, e cila iu imponon atyre të numërojnë kafshatët, iu imponon atyre të mos mjekohen se ilaçet nuk mund t’i blejnë, iu imponon atyre të zhyten gjithnjë e më shumë në vetmi. Të pranojnë në njëfarë mënyrë fatin e tyre jo të mirë.
Pse e thashë atë Luçifer unë? Nuk e thashë për të bërë një krahasim të pakrahasueshëm. Por të marrim pak këtë qeveri. Kur Edi Rama krijoi kabinetin me një prezencë të fuqishme grash dhe vajza, unë e përshëndeta me sinqeritet të plotë, pavarësisht se ai ishte një kundërshtar dhe ato ishin kundërshtare.
Por kur shoh dramën në të cilën përjeton sot nëna, motra, vajza shqiptare, dhe faktin që këto zonja të pushtetit nuk shqipërojnë një herë të vetme, qoftë dhe problemin më të vogël që kanë nënat dhe motrat shqiptare, nuk arrijnë të gjejnë forcën minimale morale për t’i dërguar një telegram ngushëllimi nënës së Martin Canit që u vra në gjirin e shkollës, por që meqenëse u vra në shkollë, ai për Edi Ramën është armik, sepse për të nuk kushton jeta e njeriut, por kushton akuza që i bëhet shkollës.
Pra, në këtë aspekt kjo është një metamorfozë e frikshme, një metamorfozë njerëzore që as në romanet e Kafkës apo të Oruellit nuk e gjen dot.
Pardje prita një të ri.
Belindi më thotë do presësh një poet të ri se do të sjellë një vëllim.
E prita poetin e ri, më dorëzoi vëllimin.
Shfletoj vëllimin, në një nga vjershat e tij, titulli ‘Qentë’.
Lexoj, qentë e fronit thoshte, ushqehen me ëndrrat e të rinjve.
Ky i ri, vetë, kishte emigruar, kishte qenë në Amerikë. Nuk rrija dot, tha, erdha prapë. Por nuk kishte sintezë më të vërtetë shekspiriane.
Ushqehen me ëndrrat e të rinjve sepse vjedhjet e tyre për t’u pasuruar vetë nuk kanë më kufi.
Kjo bëri që tirania e varfërisë, tirania e mjerimit të përzërë nga Shqipëria në 9 vite vetëm në hapësirën e BE, 1 milion e 99 mijë shqiptarë, nga të cilët 70 përqind të rinj, djem dhe vajza.
Poeti e kishte të drejtë, këta hanë nga froni i tyre, ëndrrat e të rinjve.
I përzënë nga Shqipëria.
Mund të rreshtojmë një seri problematikash, të dhimbshme me të cilat përballen sot, por ndër më të dhimbshmet janë ato qindra mijëra që përballen me armiq të egër sic janë sëmundjet.
Sëmundja, e thotë Xhon Kenedi, është një nga tre armiqtë më të egër të njeriut.
Dhe ato dëshmi të sjella në publik nga situata katastrofale e Spitalit Onkologjik, por u garantoj se nuk është më ndryshe gjendja në spitalet e tjera, por ai gazetar ka meritën e jashtëzakonshme që bëri një hetim dhe zbuloi gjithçka.
Pra, kur ti lë nënat, motrat, vajzat pa mjekimin jetik për të trajtuar sëmundjen malinje, ti kryen një krim kundër njerëzimit sepse këto nuk jetojnë jo për shkak të sëmundjes, por për shkak të mjekimit që nuk marrin, që ua mohon, ua privon.
Fronet e pushtetit pra, ushqehen jo vetëm me ëndrra, ushqehen me jetë njerëzish dhe kjo është një e vërtetë.
PD e ka pasur, e ka dhe do e ketë drejtim themelor të saj betejën kundër murit të patriarkisë.
Për ne, muri i patriarkisë është dhunuesi më i egër se të gjithë të tjerët i lirive dhe të drejtave njerëzore, në rastin konkret grave, vajzave.
Ndaj dhe ne nuk do rreshtim kurrë në përpjekjen tonë të barazisë gjinore.
Të barazisë së burrit me gruan, motrës me vëllain, nënës me babain.
Në atë periudhë që qeverisëm ne patëm disa arritje të pamohueshme. Diferenca e rrogave mes burrave dhe grave ishte 36 përqind, e zbritëm në 17.8 përqind. 17.3 përqind ishte në BE. BE sot e ka 12 përqind. Ju garantoj se ne mandatin e ardhshëm do ta ulim nën nivelin e BE.
Ne vendosëm standardin evropian në lejet e lindjes. Vendosëm standardin ndër më të mirët që ekziston.
Por nga ana tjetër, nga viti 2009 deri në vitin 2013, numri i popullatës rritej nga viti në vit. Fëmijët qëndronin në Shqipëri, nuk largoheshin nga vatrat e tyre.
Programi ynë nuk realizoi të gjithë objektivat, por unë u garantoj se programi i ardhshëm do të parashikojë objektiva të tjera në këtë barazi.
Do parashikojë mbrojtje të hekurt të grave dhe vajzave nga dhuna.
Do parashikojë ndëshkimet më të rënda ndaj atyre që guxojnë të cenojnë dinjitetin e tyre.
Do parashikojë mbrojtje dhe kujdes të veçantë për nënat kryefamiljare, të cilat në shoqërinë tonë sot ndoshta janë më të shumta se kudo tjetër për kompleksitetin e arsyeve.
Do bëjmë gjithçka që talenti, aftësitë e tyre të shpalosen në interesin më të mirë të tyre në radhë të parë, të shoqërisë dhe demokracisë në këtë vend.
Qëndresa juaj ka qenë epike dhe me këtë qëndresë ju ia dolët që PD të ringrihet përsëri si forca politike më e fuqishme.
Ju nuk u lodhët kurrë, nuk u tërhoqët kurrë në betejën tuaj për të mbrojtur kauza të drejta.
Por tani jemi në stadin e fundit të betejës tonë.
Dhe beteja juaj, përkushtimi juaj, angazhimi juaj në këtë stad është vendimtar për fitoren e demokracisë dhe rrëzimin e narkodiktaturës me votën e shqiptarëve.
Unë dua t’u rrëfej ju se meqenëse rrethohet nga një numër ministresh, Edi Rama thotë se me gratë unë e kam të zgjidhur problemin e votës. Ndërsa të rinjtë i mohon sepse e di se me arrogancën e tij, të rinjtë pasivisht nuk e honepsin atë në asnjë mënyrë.
Por unë kam besim të madh tek ju se me përkushtimin tuaj të madh, me angazhimin tuaj, me integritetin tuaj, ju do realizoni përpjekjen më të suksesshme elektorale në 32 vite.
Është e një rëndësie vendimtare dhe dua t’u informoj se në mënyrë të përsëritur është e faktuar se fuqia elektorale e grave është shumë më e madhe se fuqia elektorale e burrave.
Se gratë janë shumë më bindëse në fuqinë e tyre elektorale, përkushtimin e tyre elektoral se sa burrat.
Ua them këto për të kuptuar se çfarë rëndësie vendimtare ka vazhdimi nga ana e juaj e betejës, para së gjithash tek çdo vajzë, tek çdo grua shqiptare kudo që ndodhet.
Para së gjithash me to.
Dhe ju trokisni në çdo zemër të çdo zonje, të çdo zonjushe me një program, i cili do t’u japë përgjigjen më të shpejtë dhe më të vendosur problemeve të mprehta me të cilat një nënë, një gjyshe, një motër përballet çdo ditë.
Çelësi i këtij qëndrimi është përmbysja e shpërndarjes së të ardhurave të buxhetit dhe të ardhurave kombëtare.
Ne do i kthejmë ato tek qytetarët.
Nuk flas unë as për lugë të artë, as për kohë të artë.
Por unë flas, dhe ne flasim se ne, buxhetin, të ardhurat dhe pasuritë kombëtare do i kthejmë tek qytetarët.
Ne kemi hartuar një paketë, e cila do plotësohet dhe askush të mos mendojë se premtimi ynë 200 euro si minimum jetik, se rroga minimale 500 euro, se rroga mesatare 1200 euro, se karta e konsumatorit për t’i rikthyer pensionistëve dhe rrogëulëtëve të gjithë TVSH-në që paguajnë në dyqane, askush të mos mendojë se këto janë vështirësisht të realizueshme.
Jo, u them unë këtu, këto premtime kanë rezervën mbrapa.
Pse kanë rezervën? Sepse duhet t’i realizojmë, nuk mund të ketë koment.
Ne do i vendosim ato tre muajt e parë. Po, po!
Dhe i siguroj se nuk do mbetet asnjë projekt pa u realizuar.
Por kthehemi tek vargu i poetit, qen që nga froni hanë ëndrrat e të rinjve tanë.
Ne do bëjmë gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet.
Nuk do ndërtojmë rrugën me çmimin e 10fishtë që ndërton Kroacia.
Nuk do ndërtojmë kurrë shkolla me çmimin e 10fishtë që ndërton BE.
Nuk do ndajmë kurrë 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Pra, çdo premtim i yni dhe të tjerat që do bëjmë, që i kemi në përpunim, për fermerët, për të rinjtë, do jenë realitet i padiskutueshëm.
Mbi të gjitha ne do rikthejmë ligjin në këtë vend.
Do rikthejmë sigurinë për qytetarin.
Do rikthejmë ecjen tonë drejt BE dhe begatimit të vazhdueshëm të shqiptarëve.
Uluni me çdo nënë, me çdo motër, me çdo vajzë, me çdo grua dhe shtroni pyetjet: çfarë ndodhi me ne këto vite të Luçiferit, se si ne mbetëm me pensione nga 160 mijë lekë, në një kohë kur malazezët fluturuan nga 150 mijë lekë në 450 mijë lekë, çfarë ndodhi që ne mbetëm me rrogën mizerabël minimale në një kohë kur rumunët arritën nga një rrogë 160 euro në një rrogë minimale 700 euro.
Pse këto? Po ky është ligji i tregut, nga tregu pasurohen, në treg të lirë pasuria shpërndahet, pasuria përfitohet. Sigurisht ka që pasurohen më shumë, por përfitojnë, nuk mbetet ky polaritet i tmerrshëm i krijuar nga këta që hanë ëndrrat e të rinjve.
Prandaj dhe keni një mision, por ju siç keni përmbushur misionet gjer sot, kam bindjen më të thellë se misionin e fitores të zgjedhjeve të 11 majit ju do e përmbushni me garancinë më të madhe.
Edhe njëherë u uroj këtë ditë, uroj për të gjithë gratë, vajzat, nënat, motrat shqiptare Krishtlindjet dhe Vitin e ri.
Uroj që festat e tjera t’i bëjmë me një fitore më 11 maj.