Berisha: Ky proces politik kundër Sali Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim. Skapistët kanë shpallur vepër penale solidaritetin familjar dhe bamirësinë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët ka akuzuar Gabriel Eskobar dhe Juri Kim si diplomatët e korruptuar amerikanë, që kanë kërkuar që ndaj tij të hapet një proces politik.

Kryedemokrati Sali Berisha në konferencën për gazetarët, deklaroi se, hetimi ndaj tij ka nisur nga Skapi i partisë, pas denoncimit mashtrues të Taulant Ballës. Berisha theksoi se, privatizimi i klubit Partizani ka nisur nga ministrat e PS-së gjatë qeverisjes së Fatos Nanos.

Gjatë deklaratës për gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar SPAK se nuk ka guxuar dot të pyesë Edi Ramën, edhe pse në dosjen ‘Partizani’ ai ka 7 firma. Kreu i PD-së, duke komentuar akuzat e SPAK, u shpreh se vendimet e tij të marra gjatë kohës që ishte kryeministër, kanë synuar popullatën dhe jo persona të caktuar.

FJALA E PLOTE:

Një përshëndetje në distancë gazetarëve të pranishëm në sallë dhe një përshëndetje të përzemërt mbarë qytetarëve shqiptarë që ndjekin këtë konferencë shtypi, në të cilën unë informoj qytetarët shqiptarë se sot, Edi Rama, kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 milion euro dhe tre apartamenteve sipas tij si rrogëtar shteti, ish-xhelati i policisë sekrete shqiptare me vila dhe ndërtime, Kraja, ndrikulla e bandave të rrezikshme, simotra biologjike e Taulant Ballës, Mellonai, dorëzuan avoketërve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën dhe të njëjtën, shtuar dhe larje parash për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri.

Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Edi Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën nën hetim Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, dhe vendosën në shkelje të rëndë të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjeve të vendit, arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit të tij me çdo person tjetër përveç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit si deputet i zgjedhur nga qytetarët, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet për këtë vendim.

Ky proces politik kundër Sali Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim.

Kësaj të fundit i kisha denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur aktet e saj korruptive.

Pas kërkesës publike të Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij në vitin 2022, që Sali Berisha të persekutohej, të ndiqej, të penalizohej.

Por sot, pas katër vitesh hetimesh shterruese, ata që projektuan, ata që u angazhuan, që porositën, që ndërmorën hetimin ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, nuk gjetën asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë dëshmi të vetme që të fajësojë Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin.

Kështu që atyre do u mbetet turpi njëherë e përgjithmonë për aktet e tyre.

Le t’i marrim pak, siç thashë më sipër, kjo akuzë është një piramidë mashtrimi, e cila bazohet në shtyllat kryesore që vijojnë.

Së pari, bazohet në denoncimin e Taulant Ballës me urdhër të Edi Ramës katër vite më parë, sipas të cilit, toka e klubit Partizani ka qenë e shpronësuar nga autoritetet italiane, për rrjedhojë tokë publike dhe Sali Berisha ia ka dhënë dhëndrit të vet dhe familjeve të tjera.

Ky është një mashtrim që përbën vepër penale, sepse Fletoret Zyrtare të vitit 1944, 1943, faktojnë se kjo tokë ka qenë e pronarëve që e kanë marrë sot.

Kjo tokë nuk është shpronësuar kurrë nga autoritetet italiane por vetëm është vënë në rekuizitë dy herë nga gjashtë muaj dhe këto janë dekretet mbretërore të publikuara në gazetën zyrtare të kohës.

2. Mercenarët e organizatës politike kriminale Skapi i partisë, pretendojnë se procesi i njohjes dhe kthimit të tokës, parablerjes së objekteve të klubit Partizani, u kthye me shpejtësi për favor të Jamarbër Malltezit. Dokumentet zyrtare tregojnë se ky proces ka zgjatur nga viti 1993 gjer në vitin 2007. Kurse procesi i parablerjes së objekteve ka filluar në vitin 2005 dhe ka përfunduar në vitin 2009. Pra, kjo është shpejtësia me të cilën është kryer.

Pretendohet se Sali Berisha për të pasuruar dhëndrin e tij, privatizoi klubin Partizani. Një mashtrim i denjë vetëm për mercenarë si Edi Rama, Altin Dumani, Arben Kraja dhe MIllonai.

Privatizimi i klubit Partizani ka filluar në korrik të vitit 2005 nga Anastas Angjeli, Blendi Klosi dhe Pandeli Majko dhe ka filluar për një subjekt tjetër privat që nuk kishte asnjë lidhje me pronën e klubit Partizani. Ky proces ka vazhduar më vonë nga qeveria e Sali Berishës në përputhje dhe pa asnjë shkelje ligjore.

Kështu që procesi i nisur nga Anastas Angjeli, Blendi Klosi në përputhje me ligjin e pronave 9231 të vitit 2004, përmbante detyrimin ligjor të rikthimit të kësaj prone tek të shpronësuarit.

Në piramidën e tyre të mashtrimit, mercenarët, shërbëtorët e Edi Ramës përpiqen të akuzojnë Sali Berishën se ndryshoi destinacionin.

Ky është një mashtrim tjetër kriminal sepse destinacionin e një pjese të klubit Partizani e ndryshoi Edi Rama në maj të vitit 2005 në këshillin teknik, dhe e ndryshoi këtë pa asnjë kërkesë të pronarëve të tokës apo të ndonjë institucioni shtetëror.

Sipas burimeve, ai e ndryshoi këtë se i kishte vënë syrin ta zhvillonte si mafioz me Olsi Ramën, Paro Laçin dhe ndonjë tjetër.

Firma e Sali Berishës, e vendosur 6 muaj më vonë pas vendimit të marrë nga Edi Rama në KRRT-në e tij, është një firmë ex-lege. Mercenarët e citojnë Sali Berishën si kryetar të KRRT për të bërë të besueshme mashtrimin e tyre. Kryetari i KRRT nuk kishte asnjë tagër ligjor të propozonte, të ndërhynte apo të anulonte një vendim për territorin të qeverisjeve vendore.

Edi Rama, në procesin e ndryshimit të destinacionit ka shtatë firma.

Prokurorët e prokurorisë politike private të tij, nuk kanë guxuar ta thërrasin njëherë të vetme të japë shpjegime për firmat e tij, të cilat ata ia atribuojnë Sali Berishës.

Pretendohet në një mashtrim ordiner se Sali Berisha miratoi ligje dhe vendime për të lehtësuar dhe ndihmuar, favorizuar dhëndrin e tij në këtë proces.

Sali Berisha nuk ka firmosur kurrë për çështje të pronësisë apo çështje të tjera, ndonjë ligj apo vendim qeverie për persona apo grupe të veçanta. Të gjitha ligjet dhe vendimet e qeverisë gjatë periudhës së Sali Berishës kanë synuar popullatën e përgjithshme të Shqipërisë. Nga këto vendime janë bërë e mundur që agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, me rreth 54 mijë vendime në 7 vite, t’u rikthejë tokën apo t’i kompensojë mbi 510 mijë pronarë, njëri prej tyre është Jamarbër Malltezi që ka marrë gjithsej 410 metër tokë.

Ordinere, të denja vetëm për llum njerëzor dhe njerëz të cilët të marrë peng nga krimet e tyre, janë të aftë të bëjnë gjithçka për të shpëtuar, mund të manipulojnë në mënyrë kaq të trashë dhe banale.

Ju gazetarë që e keni lexuar, keni konstatuar se aty thotë: Berisha me vendimin për letrat me vlerë, vendim i cili u firmos një muaj pasi Jamarbër Malltezi dhe pronarët e klubit Partizani kishin paguar 90 përqind të detyrimeve, dhe Jamarbër Malltezi përfitoi 62 euro, përdorin si argument se unë e bëra për të favorizuar këta pronarë se pas 9 muajsh ndryshova vendimin.

Spekulantë mjeranë amoralë.

Po, e ndryshova të nderuar gazetarë, hoqa nenin që autorizonte përdorimin e letrave me vlerë në ankande, por nuk preka nenin që lejonte pronarët të parablinin me letra me vlerë objektet e ndërtuara apo të merrnin pjesë në procesin e privatizimit.

Pra, shpifin dhue trillojnë me qëllim që t’i japin këtij vendimi një karakter specifik, që ai nuk e kishte kurrë.

Të nderuar zotërinj, të falenderosh ata që kryejnë krime, që flenë mbi dosje krimi, që shkelmojnë Kushtetutën, Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut si njerëz të marrë peng pa ligj dhe moral, nuk më lejohet.

Përndryshe do i falenderoja ata për vetingun.

Me vetingun financiar 30-vjeçar të Sali Berishës, ata faktuan deklaratat e mia të përsëritura se Sali Berisha, me bashkëshorten e tij, pas 54 vitesh punë, disponojnë kursimet bankare rreth 100 mijë euro dhe një apartament 40 metra më të madh se ai që kanë pasur në diktaturë.

Merr përgjigje e gjithë mafia ndërkombëtare, e cila e shpalli Sali Berishën një kampion të luftës kundër korrupsionit të deklaruar dikur prej tyre, e dizenjoi si non-grata për korrupsion.

Merr përgjigje çdo shqiptar që mund të ketë menduar, i mashtruar nga propaganda se Sali Berisha ka përdorë pushtetin për të pasuruar veten.

Së dyti, po tek vetingu, ndjehem krenar sepse në mënyrë të përsëritur unë jam i vetmi politikan në Shqipëri që kam deklaruar se jam përgjegjës për fëmijët e mi.

Sepse unë atyre në krye të radhës u kisha bërë të qartë se kërkesa ime numër një ndaj tyre ishte vetëm zbatimi i ligjit në raport me pushtetin e babait të tyre.

Çfarë rezulton?

Rezulton se nga ky veting, ata nuk kanë një qindarkë të vetme pasuri nga burime të paqarta.

Rezulton se ata nuk kanë një qindarkë të vetme pasuri nga tendera, prokurime apo burime publike.

Rezulton se pasuria e tyre është e tëra e bazuar në punën që ata kanë bërë në OKB, në punën që ata kanë bërë në universitetet e vendit dhe jashtë vendit, në punën që ata kanë bërë si ekspertë në fushat e tyre.

Dhe mendoj se kjo përbën për mua, por edhe për çdo mik dashamirës, një tranparencë shumë të vyer.

Në këtë veting 30-vjeçar, rezulton se Sali Berishës nuk i ka paguar kush kurrë qoftë edhe një shpenzim të vetëm.

Nuk ka udhëtuar me bileta të paguar nga njeri.

Nuk ka fjetur në hotele 4500 euro të paguara nga të tjera.

Nuk ka ndërtuar vilë 75 metra themelet pa të ardhura.

Nuk ka firmosur kurrë vendime siç ka firmosur Edi Rama për t’i dhënë vëllait të vet 38 mijë metra katrorë. Siç ka firmosur 4 vendime për t’u grabitur Begejasave dhe familjeve të tjera 1500 metra katorë për Karlo Bolinon.

Jo, jo, standardet e mia kanë qenë standardet e moralit dhe ligjit.

Dhe në këtë aspekt, anëtarët e organizatës kriminale të Skapit të partisë, me dosjen e tyre, nuk do kishin dashur kurrë, por ja që nuk kanë ku shkojnë dhe e faktojnë.

Do vijmë tek momenti i fundit.

Duke mos gjetur asnjë shkelje ligjore, duke mos gjetur asnjë qindarkë nga burime të paligjshme te Sali Berisha dhe familjarët e tij, duke mos gjetur fakt dhe vepër penale, ata kanë zgjedhur të shpallin fakt dhe vepër penale solidaritetin familjar, borxhin që anëtarët e familjes i japin njëri-tjetrit, të deklaruar sipas ligjit në kohën e duhur.

Dhe bamirësisë së tyre për familjet në nevojë.

Bamirësia është një nga shtyllat më themelore të asaj që quhet familje.

Por duke e marrë shoqërinë si shumësi, por edhe e shoqërisë së civilizuar.

Pra, korrupsioni im pasiv konsiston në pagesën që vajza ime dhe dhëndri im kanë bërë 3 mijë euro për pushime të përbashkëta që kemi kaluar njëherë gjatë këtyre 30 viteve.

Kanë paraqitur si të tillë shpenzimet shëndetësore të paguara direkt nga vajza ime për Sali Berishën, të cilat në vetvete përbëjnë vetëm në psikologjinë e kriminelëve që kanë vjedhur, që kanë rrëmbyer, që flenë mbi vrasje, sigurisht një diçka e moralshme është krim.

Kanë paraqitur pagesat që kanë bërë për studiot ligjore me të cilat jemi angazhuar pas shpalljes pa asnjë provë, fakt apo dokument nga Antony Blinken non-grata për veprën e korrupsionit.

Antony Blinken në vendimin e tij nuk përfshiu vetëm Sali Berishën, por përfshiu Liri Berishën e cila kishte 20 vite në pension që punonte me një përkushtim të jashtëzakonshëm me fëmijët autikë pa asnjë shpërblim.

Përfshiu djalin dhe vajzën time me pretekstin se për këta nuk kemi gjë, por i kap ligji.

Kështu që procesi ligjor, ne vendosëm që në fillim, nuk lobojmë, por me besim tek drejtësia, paditëm dhe do vazhdojmë proceset ligjore në mbrojtje të të vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.

Të gjitha pagesat në tërësi janë bërë nga vajza, 2-3 prej tyre i ka bërë dhëndri nga paratë e tij dhe është rimbursuar pas një muaji ose dy nga vajza.

Tjetër provë për korrupsionin pasiv të Sali Berishës, kanë gjetur të dhjetat, zukatin, ose quajeni si të doni, të cilin familja Malltezi e dorëzon çdo vit për bamirësi.

Nga viti 2010 gjer në vitin 2023, kjo familje ka mbështetur tre familje në nevojë pa asnjë lidhje të kurrfarë lloji me ta dhe Berishën apo ndonjë tjetër. Ka mbështetur trajtimin e fëmijëve të tyre në qendrën rajonale të autizmit.

Dhe ky qenka konflikt interesi se qendra drejtohet vullnetare nga Liri Berisha që nuk përfiton

një qindarkë.

Imagjinoni se ku është, ku kanë degraduar moralisht, si i ka denatyruar krimi me të cilin janë kavërdisur këta individë.

Shpallin tjetër sponsorizimin që Fatmir Bektashi i ka bërë në një rast festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri dhuratave në qendrën e autizmit.

Kjo qendër mbahet nga disa të ardhura që i krijon vetë nëpërmjet kualifikimeve, diagnostikimeve, pagesave që bëjnë disa familje që kanë.

Kurse familjet që nuk kanë, nuk u kthehet fëmija, nuk u mbyllen dyert. Ata gjejnë një bamirës të tyre, një biznesmen i cili paguan në llogarinë bankare të fondacionit shumën mujore të trajtimit të fëmijëve të tyre pasi shpenzimet aty janë jo të pakta pasi janë 30 e ca punonjës që paguhen me rroga, një punë mjaft e vështirë.

Dhe së fundmi, mbyllet me akuzën e turpshme të korrupsionit pasiv të Sali Berishës se Fatmir Bektashi ka sponsorizuar Ministrinë e Kulturës me 4500 euro udhëtimin e Elhaida Danit dhe Rikardo Koçantes për t’u deklaruar nga Presidenti i Republikës pasi Elhaida fitoi ‘Voice of Italy’.

Mashtrues ordinerë! Dumani i pyetjes 1 milion euro, Kraja, xhelati i Sigurimit të Shtetit dhe vilave më para të zeza, simotra biologjike e Taulant Ballës, të denatyruar nga çdo lloj parimi, mashtrojnë në aktin zyrtar të shtetit, deklarojnë se erdhën në fushatën elektorale të Sali Berishës, ndërkohë që Elhaida Dani, Rikardo Koçante nuk kanë ardhur kurrë, nuk kanë marrë pjesë në një eveniment elektoral të organizuar nga Sali Berisha.

Pra, këto janë vetëm disa nga momentet e kësaj piramide mashtrimi, që përbën kulmin e turpit, falsitetit, mashtrimit në historinë e narkoshtetit shqiptar.

Faleminderit!

PYETJE-PERGJIGJE:

Enkel Xhangolli, Klan Neës: Jemi në vit zgjedhor dhe ndoshta qytetarët duan të dëgjojnë për strategjinë që ka PD për zgjedhjet. Sa mendoni që këto konferenca ku dilni ju dhe përgënjeshtroni akuzat ndaj jush, i shërbejnë PD, të paktën kur nga zgjedhjet na ndajnë 9 muaj.

Sali Berisha: Kjo që bëj, mendoj se është një kontribut thelbësor, në themel që opozita shqiptare jep në mbrojtje të parimeve themelore të rendit kushtetues, të shtetit ligjor. Mendoj se kjo që bën Sali Berisha është në interesin absolut më të mirë dhe jetik, të çdo qytetari që beson se nuk ka demokraci me një drejtësi të kontrolluar gjer në palcë. Nuk ka rend kushtetues me dhunim të parimeve themelore kushtetuese. Nuk ka opozitë dhe hapësirë opozitare duke vendosur në arrest, pa asnjë fakt, provë, dokument, vetëm në hetim, kreun e opozitës. Pra çdo njeri që e shikon këtë si një akt personal, ai bie fatkeqësisht në kurthin e Edi Ramës. Por ky është mision opozitar, të garantoj unë, cilido që të ishte. Të flasësh për zgjedhje dhe proces elektoral, në kushte kur Edi Rama vendos të marrë mandatin e 4-të duke mbajtur të arrestuar liderin e opozitës dhe duke ndërtuar një piramidë mashtrimi të tërë, falsitetesh vetëm e vetëm që ka marrë peng. Pra çfarë është kjo përpjekje. Kjo është kundër marrjes peng të drejtësisë, kundër marrjes peng të Shqipërisë. Është një mision shumë herë më i madh se çdo mision tjetër.

Enkel Xhangolli, Klan Neës: Ndërkohë që PS ka nisur përgatitjet përsa i përket zgjedhjeve, sidomos një vëmendje të veçante i ka kushtuar diasporës. Çfarë po bën opozita dhe PD në këtë drejtim, në cilën fazë jeni ju.

Sali Berisha: Më lejoni edhe njëherë të theksoj, Edi Rama fushatën elektorale e ka nisur me arrestimin e Sali Berishës, me ndjekjen penale të Fatmir Mediut, me ndjekjen penale dhe arrestimin e Fredi Belerit, me persekutimin publik të Ilir Metës. Ndjekjen penale pa asnjë bazë të Ervin Salianjit. Besoj se këto janë, kjo hapje e fushatës elektorale të garantoj se ekziston as në Rusinë e Putin, Bjellorusinë e Llukashenkos dhe as në Venezuelë, sepse kreu i opozitës aty, erdhi në Spanjë dhe u largua nga vendi. Përsa i përket diasporës, është PD ajo që ja doli të imponojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesën e saj që nga 2013 për votën e diaspotës. PS-ja fyeu në mënyrën më të papranueshme jo vetëm që refuzoi në mënyrë të përsëritur njohjen e të drejtës së votës së tyre, por në fund caktoi një bandit si Taulant Balla, një anëtar të bandave nga Elbasani në Shkodër, Fushë Krujë dhe kudo. Një trafikant, emri i të cilit gjindet në mënyrë të përsëritur për vrasje, trafiqe, në dosje gjyqësore, dosje hetimore, në regjistrimet me Encro chat etj. Ti caktosh diasporës një njeri, simbol i lidhjeve me krimin si përfaqësues, do të thotë se me diasporën nënkupton vetëm organizatat kriminale shqiptare, jashtë Shqipërie. Dhe kjo është fyerje e madhe për miliona shqiptarë që jetojnë me djersë dhe nder në ato vende. PD ka nisur punën e saj, së shpejti do të finalizojë edhe infrastrukturën e këtij procesi që e konsideroi shumë të rëndësishëm.

Anisa Kadesha, RTSH: Ju thatë pak më parë se akuza ndaj jush bazohet në falsifikime nga njerëz të marrë peng për krimet e tyre. Cilat janë faktet komprometuese që ju keni për këta punonjës të drejtësisë.

Sali Berisha: Me dhjetëra, a nuk është falsifikim, të shprehësh se familja Begeja, pretendon se është pronë e tij klubi Partizani, në një kohë kur klubi Partizani, me dokumente zyrtare kadastrale, të vitit 1935, 39, 41, 46, me dekrete mbretërore të vitit 1941-42, rezulton në mënyrë të pakundërshtueshme pronë e familjes Begeja dhe 5 familjeve të tjera. A nuk është falsifikim madhor të shkruash se, destinacionin e Klubit shumësportësh e ndryshoi kryetari i KRRT-së, Sali Berisha, që ska qenë kurrë kryetar KRRT-je. Është dokument zyrtar. Nuk ka lapsuse, është dokument zyrtar që shkon në përputhje me të gjithë faqet. A nuk është mashtrim zyrtar, falsifikim të shkruash se procesi i privatizimit u nis nga Sali Berisha, në një kohë që procesi u nis nga qeveria e Fatos Nanos. A nuk është megafalsifikim të pretendosh se Sali Berisha miratoi ligje dhe vendime për të shpejtuar procesin e privatizimit dhe lehtësuar atë. Turp. Nuk ekziston asnjë vendim, asnjë ligj nominativ dhe nga ato përfituan 510 mijë shqiptarë. A nuk është falsifikim kur thua se vendimin për përdorimin e letrave me vlerë e bëri për të favorizuar dhëndërrin. Në një kohë kur vendimi doli 1 muaj mbrapa, pasi dhëndëri kishte paguar ai si person, 98% të detyrimeve dhe përfitoi nga vendim, 62 euro. A nuk është falsifikim të përdorësh si argument se këtë vendim, pas 9 muajsh Berisha e nxori nga përdorimi. Mashtrim publik. Berisha anuloi nenin që lejonte përdorimin e letrave me vlerë në ankand, por nuk preku nenin që lejonte pronarët të parablejnë objektet e pronave të tyre me bono privatizimi. A ka mashtrim, falsifikim më të madh që të thuash se Jamarbër Malltezi, për të cilin nuk ka asnjë dëshmi mbi tokë, se u fut me duart në xhepa dhe doli me 5 milionë, duke fshehur 350 kontrata të shitjeve në themel të ndërtimit. Duke fshehur kontratat e lidhura tek noteri, të regjistruara, marrëveshjet e blerjes, përveç tokës së tij, edhe 2250 metra tokë te tjera. Duke fshehur faktin se huaja e marrë nga kompania, është hua që u zbritet të gjithë ortakëve. Duke fshehur, mashtruar, i pagoi Jamarbër Malltezi, avoketërit, por nuk thotë se i rimbursoi më vonë vajza e Sali Berishës, ata. Po të rrimë në zinxhirin e mashtrimit të tyre, falsifikimet e tyre, ata nuk kanë fund. Unë nuk mund ta quaja kurrë piramidë mashtrimi, po të mos ishte ky zinxhiri i pafund i tyre. A e dini ju, se aty ka vetëm një të vërtetë. Cila është. E vërteta është se, ajo qeveri punoi me përkushtimin më të madh për zbatimin e programit të saj dhe në faqen 102 më citojnë, nga pozicion armiqësor, se unë kisha deklaruar në mbledhjen e qeverisë dhe thonë se; kjo qeveri ishte e vendosur për ti kthyer pronat pronarëve. Po të dashur pronarë dhe pronare, kemi bërë gjithçka që të merrni pronat tuaja dhe ndjesë për ata që nuk i morën dot, dhe ju garantoj se mandatin tjetër, siç përfunduam mbi 90% të procesit, do ti jepej përgjigje edhe 10 % dhe Edi Rama nuk do të mund të grabiste e plaçkiste pronat tuaja siç po bën në Gjipe dhe po bën në Rrapin e Treshit duke ja dhënë vëllaut të vet.

Ardit Hoxha, EuroNeës: Besoj me autorizimin tuaj, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka zhvilluar takime me presidentin e PL-së, Ilir Meta në lidhje me mënyrën se si do të paraqitet kjo parti, e ndoshta edhe subjekte të tjera në zgjedhjet e ardhshme. Meta dje ka deklaruar se preferon të dalë me logon dhe flamurin e tij. Noka në emrin tuaj, a ka dorëzuar në tryezën e Metës një ofertë për ta përfshirë në listën e PD.

Sali Berisha: Janë diskutime, nuk ka një projekt të dorëzuar. Por diskutimet në këtë fazë janë të përqendruar totalisht në bashkëveprimin tonë për protesta të përgjithshme dhe krijimin qeverisë teknike. Kjo tema jonë e ditës.

Osman Stafa, News 24: Ju thoni, jo vetëm sot, por prej një kohe shumë të gjatë që SPAK ka shpifur ndaj jush, ka falsifikuar një proces politik të mirëfilltë. Madje për këtë keni mbajtur edhe protesta sikundër përpara SPAK, tek rrugica juaj, si edhe protesta të tjera kombëtare.

Po nga ana tjetër PD, në fillim të sesionit të kaluar parlamentar, gjithashtu në Kuvend është zhvilluar një betejë, madje është ndezur edhe zjarr në Kuvendin e Shqipërisë, sepse ju kishit disa kërkesa tuaja që lidheshin me komisionet hetimore parlamentare, por edhe të njiheshit si opozitë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, në fillim të këtij sesioni të ri parlamentar, PS votoi kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Si është e mundur që PD për një situatë të tillë që ka të bëjë me Kushtetutën e vendin nuk bën asnjë lloj reagimi për ta ngritur si çështje, pasi unë nuk e di nëse ka ndonjëçështje tjetër më të madhe se sa të votosh kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Sali Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Ne kemi denoncuar këtë akt antikushtetues. Por mos harro një moment, se në një vendim dhe gabim fatal është Gjykata Kushtetuese që kundërshtim flagran me Kushtetutën vendosi të mos njohë grupin e 1/5 së deputetëve si një grup me të drejtë kushtetuese për t’u ankuar pranë kësaj gjykate. Ai është një nga gabimet më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar. Ne i kemi denoncuar këto qëndrime, sepse ne nuk jemi për një shtet pa Gjykata Kushtetuese, siç është Edi Rama. Por se çfarë është gjykata për narkoshtetin, kjo është faktuar në mënyrën më të përsëritur. Ndaj dhe, pasi gjykata ka marrë një vendim me të cilin ka bërë aktin më të tmerrshëm ndaj Kushtetutës së vendit.

Osman Stafa, News 24: Z.Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë ju është gjendur juve vitet e fundit në disa procese zgjedhore, pra ju ka vënë në dispozicion partinë e tij që ju ë merrni pjesë në zgjedhje. A do ta shpërblejë Sali Berisha Ilir Metën me vende të sigurta deputetësh në listat e PD?

Sali Berisha: Ilir Meta nuk ka nevojë për shpërblim. Ilir meta, siç e dini ju është i konsoliduar partia e tretë politike më e madhe e vendit. Se cili do jetë koalicioni, por jo shpërblim, por me interes të përbashkët bilateral do të shqyrtohet në kohërat që vijnë.

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Ju keni qenë kryeministër deri në vitin 2013. A keni patur një kërkesë nga Kryegjyshata Botërore ose informata të tjera për krijimin autoriteti shpirtëror. A ka qenë në tryezën tuaj në diskutime krijimi i një autoriteti të veçuar të tyre për të lartësuar Kryegjyshatën Botërore në Tiranë?

Sali Berisha: Së pari, Sali Berisha ka një respekt të veçantë për bektashizmin shqiptar. Asnjë shqiptar nuk duhet të harrojë, se Frashërlinjtë e pavdekshëm ishin bektashinj. Por jo vetëm kaq. Në qoftë se zbresim në histori. Teqet ishin mësonjëtore, por ishin dhe fole, mburoja të luftëtarëve të lirisë. Nga vitet ’20 e sa, kur qeveria turke përzuri drejtuesin e sektit bektashi, pasardhësin e Haxhi Bektashit, u instalua në Shqipëri dhe shpallën Kryegjyshatën Botëtore në Shqipëri. Mbreti e pranoi këtë gjë, por bektashinjtë nuk janë një urdhër i veçantë, janë urdhër apo janë sekt i besimit mysliman. Ndaj tyre Enver Hoxha adaptoi qendrimin më armiqësor. Pas përmbysjes së diktaturës ne kemi patur marrëdhëniet më të mira dhe jemi përpjekur brenda të gjitha mundësive ligjore, pa asnjë diskriminim të kenë të gjithë hapësirëat që meritojnë. Por, as kur janë vendosur në Kryegjyshatë asnjëherë nuk është bërë fjalë për një shtet islamik në Shqipëri. Shqipëria është një shtet laik dhe me Kushtetutë unitare. Këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë, këtë e duan vetëm armiqtë e Shqipërisë. Edi Rama u bë kësaj here ashtu siç është, nxori fytyrën e vetë. Nuk kam dyshuar kurrë se ai është një armik i shqiptarëve, jo. Shprehja armik është ndonjëherë shprehje ndonjëherë vulgare, por unë e kam thënë sa herë ai ka tradhtuar dhe ka mbajtur qëndrim armiqësor ndaj kombit. Kurse kjo është një thikë e tmerrshme. Ai synoi të luajë letrën e fundit të armiqësisë fetare, të armiqësive dhe ndasive ndërfetare. Ai synoi të fusë hundët në besimin mysliman për qëllime mafizoe antishqiptare. Dhe unë do them haptas këtu. Imagjinon Edi Rama të shndërrojë një narkoshtet në miniaturë se e di që Sali Berisha menjëherë në pushtet pret çdo lidhje me gërshërë të narkoshtetit të tij, një parajsë për larje masive parash dhe keqpërdorim ekstrem të besimtarëve bektashinj që janë nder dhe krenari për shqiptarët kudo që janë. E bëri këtë i shtyrë, siç thuhet rëndomë nga Beogradi dhe për interesa të Beogradit. Por Shqipëria ka qenë, është dhe do mbetet një shtet laik i harmonisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfetar. I respektit të plotë. Bektashinjtë meritojnë padyshim Kryegjyshatën e Botës se e kanë të fituar, por kjo nuk nënkupton kurrë shtet islamik brenda Shqipërisë. Hjade tani të krijojmë edhe një shtet sunit, një shtet ortodoks, një shtet katolik, një shtet protestant. Po këto janë gurra që pasurojnë shpirtrat e shqiptarëve. Por në tërë historinë ka patur diçka më eprore që vinte direkt pas Zotit, dhe kjo që vinte direkt pas Zotit ishte shqiptaria. Prandaj, ju lutem të mos komentojmë më një thikë pas shpine të një perversi.

Mola Luku, Ora News: Ju më herë u shprehët se me z.Meta keni diskutuar dhe rreth protestave. Cili është plani i radhës i opozitës dhe a do të kemi një datë për këto protesta popullore që ju i keni përmendur edhe më herët?

Sali Berisha: Shumë shpejt do kemi datën, shumë shpejt. Ju falënderoj për pyetjen. Qeveri teknike është objektivi ynë, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale