Berisha: Ky ishte raporti më damkosës në 33 vite. OSBE-ODIHR e thanë fjalën e tyre, tani na takon ne, opozitës që të themi verdiktin tonë në protesta madhështore

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka akuzuar institucione të caktuara të drejtësisë për shpifje dhe dezinformim. Ai e hapi fjalën e tij duke njoftuar opinionin publik për një ndryshim në emërtimin e asaj që ai e quajti ‘Skapi i Partisë’, duke theksuar se ky institucion do të njihet nga ky moment e tutje si ‘Qendra Kombëtare e Shpifjes dhe Dezinformimit’.

Sipas Berishës, kjo ‘qendër’, që lidhet me burime të caktuara të informacionit në Tiranë, ka shpërndarë lajme të rreme lidhur me një mandat arresti për deputetin Tom Doshi. Ai i quajti këto informacione ‘një gënjeshtër të tmerrshme’, duke theksuar se Doshi ‘nuk është arratisur dhe nuk ka asnjë mandat arresti’. Berisha i bëri thirrje shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve që dalin nga SPAK, të cilat sipas tij ‘janë të lidhura ngushtë me këtë qendër shpifjesh’.

Në vijim, kryedemokrati Sali Berisha denoncoi ashpër skandalin e aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si ‘një nga mashtrimet më të mëdha të qeverisë Rama’. Ai akuzoi se ky projekt, i shpallur si ‘aeroporti më i madh në Ballkan’, është një veprim korruptiv që përfshin manipulim tenderësh dhe shpërndarje të fondeve në mënyrë të dyshimtë. Berisha theksoi se ‘qeveritarët janë të angazhuar për të mbrojtur një ortak të dyshimtë, duke u përpjekur të mbulojnë një krim të madh financiar’. Në fund, ai paralajmëroi se ‘ky është një mashtrim që do t’i kushtojë rëndë taksapaguesve shqiptarë për shumë vite’.

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi gjithashtu se ‘përpjekjet e Edi Ramës për të ndryshuar ose bllokuar raportin për zgjedhjet e 11 majit kanë dështuar plotësisht’. Ai e cilësoi raportin përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë si ‘më të ashpërin dhe më damkosësin në 33 vite’, që ‘ekspozon hapur farsën elektorale të qeverisë’. Ai theksoi se dokumenti ‘rendit fakte të panumërta mbi përdorimin e burimeve shtetërore, presionet politike dhe funksionimin e partisë-shtet’, duke provuar sipas tij se procesi ‘nuk përputhet me asnjë standard demokratik’. Ai përshëndeti vëzhguesit ndërkombëtarë që, siç tha, ‘nuk iu nënshtruan presionit të Ramës dhe qëndruan në mbrojtje të së vërtetës për manipulimin e zgjedhjeve’.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha duke komentuar raportin e OSBE-ODIHR për farsën elektorale të 11 majit, theksoi se ‘raporti ka dëshmuar qartë manipulimet dhe shkeljet e votës së lirë nga ana e Edi Ramës’.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike u bëri thirrje shqiptarëve dhe opozitës që ‘të angazhohen në protesta madhështore, për të kërkuar respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe për të mbrojtur demokracinë’. ‘Tani është radha jonë të flasim, të themi fjalën tonë në protesta, në Tiranë dhe në çdo qytet të botës,’ tha Berisha, duke shtuar se ‘kjo është një luftë për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të lirë’. Ai theksoi se opozita ‘do të ndërmarrë veprime të fuqishme për të garantuar të drejtat e qytetarëve, të mbështetura në vendimet ndërkombëtare për zgjedhjet’, tha kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar.

FJALA E PLOTE

Më duhet ta filloj këtë fjalë për të informuar shqiptarët se nga ky moment e tutje ajo që dje është njohur si Skapi i partisë, do quhet tani e tutje qendra kombëtare e shpifjes dhe dezinformimit.

Ky institucion lëshoi dje pasdite dhe gjithë natën në Tiranë se ka prerë mandatin e arrestit të Tom Doshit dhe se në mëngjes lajmet, po nga këto burime aty afër, vinin se Toma është arratisur.

Tani imagjinoni se si  bëjnë hetimet këta.

Imagjinoni ju teknikat e hetimit.

Ndaj dhe i ftoj shqiptarët që sa herë të dëgjoni fjalën SPAK, të kujtojnë të lidhur me të qendra kombëtare e shpifjeve dhe mashtrimeve.

Toma nuk është arratisur, as ka apo nuk ka mandat arresti, por kjo është një gënjeshtër e tmerrshme që është hapur nga qendra kombëtare e shpifjeve.

Të nderuar deputetë, një skandal i përmasave shumë të mëdha, të paqarta akoma për nivelin e tyre, ka shpërthyer këtë javë dhe ky është skandali i aeroportit të Vlorës.

Skandali i aeroportit të Vlorës tejkalon si skenar çdo skenar tjetër të zhvilluar gjer sot, por edhe çdo skenar filmash.

Një ditë të bukur, Edi Rama me Lubi Ballukun vendosin të vjedhin qindra milionë dhe shpallin për këtë qëllim ndërtimin e aeroportit më të madh në Ballkan në qytetin e Vlorës, që si qark mund të ketë gjithsej 180 mijë banorë që banojnë aty.

Aeroportin më të madh në Ballkan.

Dy ministra refuzojnë në mënyrë të prerë të firmosin për këtë mashtrim më të madhin në Ballkan.

Sepse për shkak të atij që quhet high-risk, kishin përcaktuar aty 120 milionë garanci biletash, që do i ndanin njëri me tjetrin.

Pas kësaj, përsëritet tenderi dhe nuk është më 120, por 140 milionë euro garanci biletash.

Dhe megjithëse ligji e kërkon që të jenë kompani me ekspertizë të certifikuar për ndërtimin e aeroporteve, thirret një kompani turke që e kishte këtë eksperiencë.

Natyrisht ajo thirrej si prestanome, sepse tenderi i jepet 47 asaj dhe pjesa tjetër 53 biznesmenit të njohur dhe politikanit të njohur kosovar, Bexhet Pacolli, por njeri pa eksperiencë në fushën e ndërtimeve të aeroporteve siç kërkon ligji.

Tani, pas firmosje së dokumenteve, natyrisht prestanome duhej të ikte në punën e vet. Turku u thotë mirupafshim se këtu janë Lubia me Ramën dhe këta.

Si rezultat, aeroporti që kushton me çmimet më të fryra mbi tokë 105 milionë euro, taksapaguesit shqiptarë do paguajnë 140 milionë euro për 10 vitet e para.

Dhe koncesionari për 30 vite fiton 700 milionë euro.

Nuk mund të ketë një akt më korruptiv se sa ky.

Ndaj dhe tani që po vjen fundi, tani kërkojnë aksionet.

Tani që vjen fundi, ka disa variante. Një variant është se një grup i fuqishëm droge ka dorëzuar mbi 40 milionë euro qeveritarëve. Nuk ka të dhëna. Por një gjë është e sigurt 100 përqind, që Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, janë të angazhuar gjatë dy javëve të fundit, sipas dokumenteve, me të gjithë pushtetin e tyre në favor të një ortaku… nuk kam asgjë me ortakët, por fakti që e gjitha qeveria shqiptare futet për një ortak, do të thotë se ajo është ortak vetë.

Dhe e vërteta është se e kam denoncuar këtë krim të paktën 4-5 herë. Nuk kam ditur këto punët e ortakëve, por kam ditur se është dhënë një garanci e tmerrshme për 600 mijë bileta në vit, në një kohë kur ai aeroport nuk i bën dot 100 mijë në vit.

Pra, ky është një gjobë e tmerrshme që u bëhet taksapaguesve shqiptarë.

Dhe u kujtohet se si ajo për të mbuluar vjedhjen e saj, u thoshte shqiptarëve se ky është aeroporti më i madh në Ballkan. Po shko bëje pistën 500 metra më të gjatë dhe del më i madhi në Europë.

Pra, po zhvillohet një skenar si në Netflix, por me personazhe të vërteta.

Ishte ngjarje e një rëndësie shumë të madhe dështimi i plotë i përpjekjeve të jashtëzakonshme të Edi Ramës për të ndryshuar, për të mos thënë për të bllokuar, raportin mbi farsën elektorale të 11 majit.

Është në dinjitetin e atyre vëzhguesve dhe drejtuesve të tyre që jo vetëm nuk ndryshuan asnjë pikë dhe asnjë presje nga raporti paraprak, por në një seri çështjesh renditen shumësi faktesh dhe të dhëna me të cilat i dhanë përgjigje përfundimtare Edi Ramës, që u thoshte ku keni fakte për të provuar këto që keni shkruar.

Ai që ka sy të lexojë, le të lexojë në faqe të tëra rreshtohen e gjithë batërdia zgjedhore, jo në një apo dy rrethe, por në shumicën e qarqeve të Shqipërisë.

E vërteta është se në 33 vite, ky është raporti më damkosës për farsën elektorale të Edi Ramës.

Asnjë raport tjetër nuk ka pasur përmasat e denoncimit të farsës si raporti i zgjedhjeve të 11 majit.

Janë rreshtuar argumente të pafundme të funksionimit të partisë shtet. Të përdorimit të të gjitha resurseve të qeverisë dhe shtetit për të grabitur zgjedhjet.

Natyrisht raporti nuk mund të shkruajë ato që nuk shkruhen. Jo. Ai ka pasur detyrë, ata burra e gra kanë pasur detyrë të thonë nëse zgjedhjet përputhen me standardet ndërkombëtare apo jo.

Dhe ata faktojnë se në një demokraci pluraliste, këto zgjedhje nuk përputhen ndërkombëtare në parimin më themelor të barazisë.

Ata faktojnë se u përdorën të gjitha mjetet për të shndërruar një proces elektoral në farsë.

Dhe i përshëndes përzemërsisht që i kanë qëndruar kryeministrit në të gjitha qëndrimet e tij antikushtetuese, antiligjore në farsën elektorale.

Ka një citim timin, ju lutem, vetëm për një moment më duhet ta zbërthej pak.

Thotë se Berisha kërcënoi një aleat të Ramës se me datën 11 maj do të shpalleni organizatë terroriste. Fjala ishte për kartelin Troplini. E kam thënë atë dhe unë i përgëzoj. Unë e kam deklaruar se jo vetëm karteli Troplini, por të gjitha do shpallen organizata terroriste.

Unë i falënderoj se ata janë në mënyrë absolute degët evropiane të karteleve narkoterroriste të Amerikës Latine.

Kjo është e vërteta.

Edi Ramën lexojeni rresht për rresht, se çfarë i atribuojnë, se si defakto duke atakuar të gjitha qëndrimet e tij e nxjerrin një armik të egër të votës së lirë.

Edhe një moment këtu. Asnjeri nuk mund të thotë se, kam lexuar raportin pa lexuar dhe fusnotat. Për të patur idenë e plotë për raportin është kusht leximi i tij integral, përfshirë fusnotat.

Aty ju, pra në këtë tërësi, po të lexoni raportin e Bjellorusisë, afër Llukashenkos janë dhe sulmet ndaj Ramaduros në raport dhe për këtë kanë meritë të madhe.

Për të mos u zgjatur.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, folën dhe e thanë fjalën e tyre. Është radha e shqiptarëve që të flasin dhe të thonë fjalën e tyre. Është radha jonë të flasim dhe të themi fjalën tonë.

Të themi fjalën tonë në Tiranë, në Paris, Romë, Vjenë, Uashington, Berlin dhe në të gjithë botën.

Opozita shqiptare duhet të ngrihet në protesta më të fuqishme ndonjëherë që ka njohur historia e vendit nga vitet ’90 me qëllimin solemn dhe sublim, votën e lirë për qytetarët shqiptarë.

Çdo njeri që aspiron votën e lirë, tashmë ka një bazë frymëzuese në ligjin ndërkombëtar, në vendimin ndërkombëtar që është raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri.

Ndaj dhe pavarësisht nga vonesa e tij, por ai dha verdiktin e vet. Tani u takon shqiptarëve, na takon ne, i takon opozitës të japë verdiktin e vet.

Shumë faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale