Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj. Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

BASHKEBISEDIMI ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ka përfunduar procesi i institucionalizimit të forumeve drejtuese, të cilin e cilësoi si ‘procesin më të thellë të ripërtëritjes së Partisë Demokratike që nga themelimi i saj’. Gjatë bashkëbisedimit të sotëm online me qytetarët, Berisha foli për ndryshimet në strukturat drejtuese të PD-së, situatën politike në vend, protestat qytetare dhe raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Sipas liderit të demokratëve Sali Berisha, procesi i ripërtëritjes nuk është thjesht statistikë, por një ndryshim real në përfaqësimin dhe drejtimin e partisë. ‘Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj’, tha ai, duke theksuar se sot 60 për qind e Këshillit Kombëtar përbëhet nga të rinj dhe gra, ndërsa dy të tretat e kryesisë janë zgjedhur për herë të parë. Berisha shtoi se nga 14 sekretarë të partisë, vetëm tre janë rizgjedhur, ndërsa procesi i hapjes do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së vlerësoi edhe protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar atë si një lëvizje me rëndësi historike. ‘Ftoj çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj’, deklaroi Berisha, duke shtuar se protesta ka fituar mbështetje ndërkombëtare dhe, sipas tij, ka vazhduar pavarësisht presioneve të qeverisë.

Një pjesë të rëndësishme të bashkëbisedimit, lideri i opozitës Sali Berisha ia kushtoi edhe deklaratave të ministres serbe Snezana Paunoviç. Ai akuzoi Edi Ramën për heshtje, duke e lidhur këtë qëndrim me raportin e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. ‘Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit. Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç’janë këta, ç’përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë’, u shpreh Berisha. Ai theksoi se deklaratat e ministres serbe janë dënuar nga Komisioni Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe personalitete të shumta në Serbi, ndërsa sipas tij qeveria shqiptare ka zgjedhur të heshtë.

Në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri, kryetari i PD-së Sali Berisha e cilësoi atë një mbështetje të rëndësishme për opozitën. ‘Ky është një hap i parë dhe opozita shqiptare do të bëjë gjithçka për të faktuar të vërtetat e këtij vendi pranë Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian’, tha ai. Megjithatë, sipas kryedemokratit, dialogu me partnerët ndërkombëtarë nuk mjafton. ‘Protesta dhe vetëm protesta është rruga e realizimit të misionit të opozitës për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri’, deklaroi Berisha.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për emërimin e figurave të reja në institucionet drejtuese të Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se ata nuk kanë ende nivelin e njohjes publike të drejtuesve më të vjetër, por përfaqësojnë vlera të rëndësishme. ‘Të zgjedhurit e rinj përfaqësojnë vlera shumë të çmuara. Jo vetëm për Partinë Demokratike, por për vendin në tërësi’, tha ai, duke shtuar se shumica e tyre kanë CV me ekselencë brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe se ripërtëritja ishte kërkesa kryesore e demokratëve.

Gjatë bashkëbisedimit, lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te ekonomia, duke akuzuar qeverinë se ka shkatërruar prodhimin vendas përmes fenomenit që ai e quan ‘narko-euro’. ‘Nëse ka një faktor toksik, shkatërrimtar për shoqërinë shqiptare, për ekonominë shqiptare, për ekzistencën e kombit shqiptar, është narko-euro që vjen nga droga e Edi Ramës’, deklaroi ai. Sipas Berishës, zhvlerësimi artificial i euros ka çuar në falimentimin e industrive eksportuese dhe largimin e dhjetëra mijëra punonjësve nga vendi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti bindjen e tij se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën në pushtet. ‘Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Vota vdes pa hyrë në kuti’, deklaroi ai, duke shtuar se opozita duhet të përqendrojë të gjitha energjitë në largimin e kryeministrit, të cilin e cilësoi ‘armikun më të egër të votës së lirë’.

FJALA E PLOTE

Ne lamë pas një javë të veçantë, në të cilën PD përfundoi institucionalizimin e plotë të forumeve të saj.

Me këtë rast, ajo çka dua t’u informoj të gjithë ju është se ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD dhe u them me kënaqësi, jo vetëm të ripërtëritjes në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti.

Kështu sot në Këshillin Kombëtar të PD, 60 përqind e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ne sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht.

Dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD, zgjidhen për herë të parë sikundër tre nënkryetarë të PD zgjidhen për herë të parë.

Nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur.

Pra, mund t’u informoj se ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj.

Por nga ana tjetër janë vendosur proporcione të domosdoshme të përfaqësimit në këtë parti.

Jam i bindur se kërkesa themelore për çdo qytetar dhe anëtar, mbështetës të kësaj partie ka qenë ripërtëritja.

U siguroj se në këtë proces nuk kanë ndryshuar vetëm statistikat, por PD ka shpalosur kualitete dhe vlera ndër më të shquarat.

Kështu që në kilometrin e fundit të saj, ajo ka një ekip të pajisur me të gjitha aftësitë për të udhëhequr këtë parti për përmbushjen me sukses të misionit të saj.

Duhet të theksoj me këtë rast se ne jemi një parti që bazohemi tek vota e anëtarëve tanë dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Unë ruaj për ta vlerësimin më të lartë.

Theksoj se shumë prej tyre kanë funksione të tjera shumë të rëndësishme në PD, grupin e saj parlamentar dhe misione në drejtim të reformave themelore në interes të kësaj partie dhe të vendit.

Kjo është ajo çka unë desha t’u informoj ju.

Por duhet të them prapë me kënaqësi se procesi i ripërtëritjes nuk ndalet dhe nuk do ndalet.

Në mënyrë të përsëritur u kisha pohuar se PD ka rreth saj personalitete të shquara, individë me vlera ekselentë në fushat e veta.

Dhe jo pak prej tyre garuan me sukses në këtë proces.

Por janë të tjerë të shumtë që kanë shprehur gatishmërinë dhe janë të lidhur me PD.

Kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar, për të vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptare, vizionit të kësaj partie, të gjithë potencialin e tyre intelektual, profesional, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë dhe kudo që ndodhen.

Për herë të parë në këtë proces ripërtëritje, u institucionalizua roli dhe vendi i diasporës.

Hapa të parë të rëndësishëm janë shënuar. Një nënkryetare partie dhe një sekretar për diasporën janë zgjedhur.

Përpjekje të tjera do bëhen për ridimensionimin e rolit të diasporës në jetën politike të PD dhe të Shqipërisë.

Pra, për të gjithë ata të cilët kërkonin me të drejtë dhe prisnin ripërtëritje si tipar kryesor, mendoj se hapa të rëndësishme janë shënuar dhe të tjera do vijnë.

Gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta rinore qytetare në bulevardin e Tiranës, pavarësisht nga terrori qeveritar i Edi Ramës dhe falangave të tij të krimit ndaj eksponentëve të kësaj proteste dhe pjesëmarrësve të saj.

Kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë vazhdoi e pamposhtur duke siguruar mbështetje të madhe ndërkombëtare.

Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme për këtë lëvizje, për këtë protestë të paprecedent që nga vitet ’90 në historinë e Shqipërisë, ftoj çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj.

Së fundi, Edi Ramës, narkodiktatorit të Tiranës po i del boja në të katër anët e botës.

E vërteta është se mediat, prej shumë e shumë kohësh, dhe në veçanti këto muajt e fundit, kanë portretizuar Edi Ramën ashtu siç është, një narkodiktator, një njeri që nuk njeh ligje as Kushtetutë, një avokat të tmerrshëm të korrupsionit të tij dhe ministrave të tij.

Organizata të mëdha politike ndërkombëtare e kanë demaskuar atë.

Por një raport tjetër që vjen Komisioni Evropian për shtetin ligjor, mediat e lira, drejtësinë, damkos Edi Ramën dhe regjimin e tij në mënyrën më të fuqishme.

Mbrojtjen që ai i bëri korrupsionit të Lubi Ballukut me emër, sulmet e paprincipta ndaj organeve të drejtësisë nga Edi Rama, korrupsionin e shfrenuar të policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera.

Lubi Balluku është bërë tashmë çështje jo vetëm e shqiptarëve, por çështje e BE.

Qëndrimi i tij ndaj medieve damkoset.

Natyrisht të gjitha këto janë dëshmi e plagosjes përfundimtare të Edi Ramës dhe regjimit të tij.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET

Muharrem Kurti: Përshëndetje Doktor Berisha. U bënë disa ditë që ministria e Vuçiçit flet për spastrim etnik e dëbim të shqiptarëve dhe shteti shqiptar, e Rama nuk ka asnjë reagim. Pse Rama e ka mbyllur gojën për këtë rast?

Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar.

Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike.

Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata.

Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit.

Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç’janë këta, ç’përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke.

Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda.

Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre.

Met Katroshi: Lexova dje se Rama po fal territoret e policisë në Dhërmi e Palasë për vila e hotele. A do e ndalojë njeri këtë monstër se po fal çdo pasuri dhe po e zhbën vendin. Pse nuk i çoni deputetët tuaj ta denoncojnë këtë aferë, jo vetëm në Dhërmi e Palasë, po kudo ku ndodh?

Sali Berisha: Dua t’ju informoj sot se Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë nga këto vendime.

Sigurisht që deputetët tanë dhe ne do ta denoncojmë, por siç e dini, të nderuar zotërinj, ai SPAK-un e ka shtruar në një seksion, në një organizatë të Partisë Socialiste.

Ne do bëjmë detyrën tonë, por ne nuk do t’i njohim kurrë këto vendime.

Mario Rruna: Doktor Berisha, raporti i Komisionit Europian për shtetin e së drejtës ngriti shqetësime për rastin Beleri, imunitetin parlamentar dhe pengimin e hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë. A prisni që Bashkimi Europian të ushtrojë presion real, apo vetëm protestat e fuqishme qytetare mund ta detyrojnë drejtësinë të veprojë?

Sali Berisha: Mario, edhe një herë dua të falënderoj komisionerin MacGreth dhe ekipin e tij për raportin objektiv që kanë hartuar dhe firmosur për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe unë mund t’ju them ju se kjo shënon një hap shumë të rëndësishëm. Një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ju siguroj se ky është një hap i parë dhe se opozita shqiptare do të bëjë gjithçka për të faktuar të vërtetat e këtij vendi pranë Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian siç ka bërë gjer sot. Natyrisht, të dyja format janë të domosdoshme.

Një dialog intensiv me Bashkimin Europian, institucionet e tij, komisionin, parlamentin, vendet anëtare, është i domosdoshëm, qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të paraqitur realitetin shqiptar siç është.

Por nga ana tjetër, e kam theksuar dhe e theksoj, se protesta dhe vetëm protesta është rruga e realizimit të misionit të opozitës për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.

Linort Dërmeni: Përshëndetje Doktor. Kritikët thonë se në drejtimin e Partisë Demokratike janë zgjedhur të rinj pa përvojë politike apo partiake, apo persona pak të njohur për publikun. Si i përgjigjeni këtyre kritikave?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Këto kritika kanë të drejtë në fakt. Sigurisht të rinjtë nuk mund të pretendohet se kanë shkallën e njohjes me të tjerët që kanë shumë më tepër vite, emrat e të cilëve lakohen në shoqëri, në parti dhe në shoqëri.

Por nga ana tjetër, unë kritikëve u them se të zgjedhurit e rinj përfaqësojnë vlera shumë të çmuara. Jo vetëm për Partinë Demokratike, por për vendin në tërësi.

Mund të them se të zgjedhurit e rinj në CV-të e tyre, brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë ekselencë, shumica e tyre. Kanë pasionin dhe vullnetin për të shpalosur energjitë e tyre.

Dhe unë besoj, biem dakord të dy, që kërkesë themelore për këtë forcë politike ka qenë ripërtëritja.

Për vetë historikun e saj, ata që e sollën Partinë Demokratike në këtë situatë, për mua ata janë heronj të vërtetë. Sepse ata i rezistuan një terrori, një përpjekje ndoshta të paprecedent në historinë e Evropës, për të vënë në kontroll forcën e tyre politike. Për ta asgjësuar opozitën e vërtetë në këtë vend.

Ata meritojnë të gjithë një nderim dhe vlerësim të jashtëzakonshëm. Por natyrisht, ne nuk mund të mohojmë se beteja jonë për sovranitetin e brendshëm të vendit, mbasi asnjë vend pa opozitë sovrane nuk ka sovranitet të brendshëm- beteja jonë për të qëndruar opozitë e vërtetë ka pasur çmimet e saj.

Kështu që ripërtëritja ishte absolutisht kushtrimi i çdo demokrati dhe demokrateje, i çdo qytetari dhe qytetareje. Ndaj unë që në fillim të rithemelimit dola me moton, në qoftë se ju kujtohet, për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar, më të hapur.

Arresti 333 ditë, unë punova në këto drejtime, të them të vërtetën. Punova shumë në këto tre drejtime. Por në një drejtim, arresti 333 ditë më pengoi mua në një shkallë të caktuar që të mund të avancoja në procesin e hapjes dhe ripërtëritjes.

Por kisha deklaruar se Partia Demokratike ka vlera. Ka individë me vlera nga më të veçantat dhe më të çmuarat.

Dhe ju siguroj që ka dhe plot të tjerë që ju do t’i njihni në kohërat që vijnë.

Kështu që bazuar në këtë divizë, Kuvendi përcaktoi ripërtëritjen si moto kryesore tonë, dhe ne do t’i qëndrojmë asaj.

Prishila Sterkaj: Zoti Berisha, dje Rama doli dhe u sulmoi ju dhe shqiptarët për termin narkoshtet dhe mori në mbrojtje rënien e euros me 33% duke thënë se është rritur ekonomia. Ndërkohë, dosjet kanë treguar se miliona euro futen me valixhe dhe pastrohen në ndërtim. Ndërkohë ekspertët thonë se paratë e drogës po rrënojnë ekonominë. A duhet opozita të bëjë një kallëzim në SPAK të dedikuar për narko-euron?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Zonjë apo zonjushë, keni kapur një çështje ndër më themeloret të shoqërisë sot.

Në qoftë se ka një faktor toksik, shkatërrimtar për shoqërinë shqiptare, për ekonominë shqiptare, për ekzistencën e kombit shqiptar, është narko-euro që vjen nga droga e Edi Ramës.

Siç e dini, nga viti 2017 e gjer sot e kemi denoncuar me qindra e qindra herë.

Por dua të them të vërtetën, kjo ka qenë një betejë e vështirë shumë, jo e lehtë. Sepse termi narkoshtet ishte një herezi, nuk përdorej. Sepse termi narko-euro nuk përdorej.

Por do të them një gjë, t’i marrim pak se çfarë shkatërrimi i ka bërë narko-euro Shqipërisë.

Kam qenë në Çeki në vitin 2013 dhe bashkëbiseduesit e mi më thonë ju na i morët këpucët. Unë në fakt nuk e dija, pashë statistikat, Shqipëria ishte vendi i tetë në botë për prodhimin e këpucëve. Çekia kishte kaluar në industri të tjera. Shqipëria zinte një vend të rëndësishëm në eksportin e rrobave, përfshi dhe të modës më të lartë. Dhjetëra mijëra punëtorë ishin të punësuar në këto industri. Industri, të cilat natyrisht funksiononin me një marzh jo të madh fitimi, por kishin një marzh fitimi.

Përmbysja e kursit të euros ua zhduku fitimin dhe i falimentoi njëra pas tjetrës këto industri. Dhjetëra mijëra punëtorë të këtyre industrive, mbi 100 mijë, dolën pa punë dhe u larguan në vende të tjera.

Pra, narko-euro jo vetëm shkatërroi mijëra e mijëra ndërmarrje eksporti, unë mora shembull këpucët dhe veshjet, por në të gjitha aspektet e tjera, i dha goditjen më të rëndë ekonomisë shqiptare.

Një ekonomi që nuk eksporton, është ekonomi që nuk prodhon. Eksporti është treguesi më i fortë, më i rëndësishëm i prodhimit të një vendi. Dhe eksportet ranë në pikiatë.

Edi Rama, për të fshehur këtë rënie dramatike të eksporteve, filloi të llogarisë eksporte të gjitha ngarkesat që shkarkoheshin në Durrës për në Kosovë, dhe nga Durrësi kalonin në Kosovë për llogari të biznesit të Kosovës.

E njëjta gjë me prodhimin bujqësor.

E njëjta gjë me remitancat që vinin nga diaspora.

E njëjta gjë me turizmin.

Shko sot, kapacitetet janë gjysmë ose bosh, sepse atë që turisti e merrte me 100 euro, tani do të paguajë 130 e sa euro. Sigurisht, Edi Rama si narko-diktator nuk mund të mos ishte krenar me narko-euron e tij. Pretendoi dje se është shenjë e ekonomisë së fortë, sharlatan dhe qesharak.

Po të marrim një vend tjetër që nuk është në sistemin e euros, Norvegjinë, e cila ka vetëm fondin e investimeve mbi 1 trilion euro, dhe ka një nga ekonomitë më të fuqishme, cili është raporti i euros me koronën norvegjeze? Ju do gjeni se me gjithë fuqinë e madhe ekonomike të Norvegjisë, korona norvegjeze gjatë 10 viteve të fundit jo që nuk është vlerësuar, por është zhvlerësuar të paktën 10 gjer në 12% të saj, ka patur raste dhe 16%.

Kurse leku shqiptar vlerësohet me 35% si rezultat i vagonave, i kontejnerëve, i mikrobuzave, i nëndetëseve, i autobuzave me narko-euro që hyjnë në Shqipëri.

Pra, në qoftë se ka një gjë shkatërrimtare për qenien tonë, është ajo për të cilën Edi Rama është krenar, narko-euro!

Shyqyri Myrtollari: Doktor përshëndetje, çmimet e ushqimeve po e rrënojnë ekonominë familjare. A do i propozoni uljen e TVSH-së në 10% për shportën e ushqimeve? Janë me mijëra familje që preken.

Sali Berisha: Jo në 10, por në 5% Shyqyri.

Në mos heqjen fare. Në mos heqjen fare!

Kur sheh se jo familja e varfër, por familja e mesme shqiptare, harxhon për jetën e përditshme 89% të të ardhurave, e tëra diktohet nga çmimet e larta disproporcionale. Dhe nga narko-euro.

Sepse eurot e narkosit çojnë në stratosferë çmimet e ndërtimit. Kanë siç tregova, kanë shkatërruar prodhimin e brendshëm dhe sot çdo gjë mbetet në importe.

Në një kohë kur, në vitin 2013, Shqipëria ishte një eksportues serioz i qumështit, i vezëve. Ndërsa sot çmimi është dyfishuar për të dyja, sepse janë importe.

Pra nuk ka diskutim që do ketë një ndërhyrje të fuqishme, për të lehtësuar, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe çmimet në treg.

Erzen Rexha: Mirdita Doktor, a do të ketë primare për kandidatët e zgjedhjeve lokale? Në çdo rrethanë njerëzit nuk bëhen të gjithë të kënaqur. Por mendimi im është që të jetë primare për kandidatët e zgjedhjeve lokale. Të përshëndes.

Sali Berisha: E falënderoj shumë Erzenin për pyetjen. Personalisht jam në favor të primareve, por e pohoj këtu që ka një debat të fortë brenda nesh për to.

Ne kemi vendosur një bashkëpunim të ngushtë, fatmirësisht me dy institute amerikane. Institutin Republikan, një aleat që nga vitet ‘90 i Partisë Demokratike, dhe Institutin e Lidershipit. Dhe do të bëjmë një konsultë të gjerë me ta, për të marrë vendimin përfundimtar. Sugjerimet dhe format, duke e paraqitur të gjithë situatën.

Personalisht unë jam në favor.

Daniel Delhysa: Doktor, përshëndetje, përsa i përket diasporës keni bërë një lëvizje shumë të bukur. Tani diasporës i duhet një platformë pilot që drejtuesit e qarqeve të bëhen sipas pëlqimit të mbarë diasporës dhe shyqyr që na hiqet disa analfabetë të vetëquajtur padron të diasporës që në realitet nuk i shkon njeri mbrapa.

Sali Berisha: Faleminderit. Prapë mund t’u them se këto janë hapat e para dhe ne do shkojmë duke i përsosur, duke i përmirësuar këto.

Ju keni të drejtë në atë që shtroni, sepse dimensioni i diasporës nuk është vetëm elektoral, por është politik, është social, është i gjithanshëm.

Kërkon përsosje të të gjithë mekanizmave dhe ne do shkojmë drejt saj.

Ne do shkojmë drejt saj në bashkëpunim të ngushtë me ju, bashkëpunim të ngushtë me diasporën.

Përshëndetje Doktor Berisha. Çfarë do të bëjë opozita që të mbrojë votën në zgjedhjet e vitit 2025? Se ne e dimë shumë mirë se nuk ka reformë zgjedhore që e pengon Ramën që të vjedhë dhe të blejë votat. Dhe si do e pengoni ju si opozitë Ramën që të mos bëjë reformën e turpshme territoriale, ku siç thuhet do hiqen edhe 14 bashki të tjera, një nga këto bashki është Bashkia e Mirditës. Unë jam një mirditor.

Sali Berisha: Pyetja është shumë e drejtë.

Ju më keni dëgjuar shumë herë t’ju them haptas shqiptarëve: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Dhe kur e them këtë unë, e di se shumë nga anëtarët, mbështetësit tanë mërziten kur më dëgjojnë një gjë të tillë.

Ka prej tyre që edhe më kanë thënë, mos e thuaj këtë fjalë. Por unë duhet të them të vërtetën, jo se më pëlqen kurrë kjo gjë. Por në Shqipëri vota vdes pa hyrë në kuti.

Unë e konfirmova këtë edhe në takimet ndërkombëtare ku isha, dhe e kam faktuar unë këtë gjë.

Atëherë i dashur mik, duhet të bëjmë gjithçka për largimin e tij.  Sa të jetë Edi Rama në pushtet, votat ai do t’i marrë para votimit.

Po të jap vetëm një shembull. Një shembull që ta shqyrtojmë bashkë. Dy ditë para votimit deklaroi faljen e gjobave dhe kamatave. Të them të vërtetën, tash mendova se të paktën do ishin nja 200 milionë dhe natyrisht kuptova që kjo do ishte një efekt katastrofal mbi rezultatin. Ato nuk ishin 200 milionë, muaj më vonë doli fatura, ato ishin 2 miliardë e 100 milionë. Ato u interesonin 200 e sa mijë familjeve, familje që kishin votues. Ato u interesonin 84 mijë bizneseve private aktive.

Ta dhashë këtë shembull për ju dhe për të gjithë ata që besojnë tek vota e lirë, për të kuptuar se Edi Rama është armiku më i egër i votës së lirë dhe i thelbit të lirisë së shqiptarëve, ndaj duhet ta largojmë atë.

Ne si demokratë duhet të rikthehemi me të gjithë potencialin tonë, largimit të tij.

Nga ai vetëm drogë, krim dhe korrupsion do të kemi.

Dhe zbrazje të Shqipërisë, ju siguroj.

Partia Demokratike, dega Gjermani: Doktor Berisha, përse SPAK nuk përdor ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij të njëjtin standard që përdori ndaj jush? Ju u morët i pandehur për një vendim kolegjial të qeverisë që propozonte një ligj në Kuvend, ndërsa Rama me akt normativ dhe brenda ditës i dha 4.3 milionë euro kompanisë private të koncertit të Kanye Ëest. Pse nuk hetohet nga SPAK kjo?

Sali Berisha: Së pari të falënderoj për pyetjen i dashur mik dhe të sqaroj. Se ai vendim kolektiv është marrë një muaj pasi pronarët legjitimë të klubit Partizani, ndër to dhe dhëndri im, Jamarbër Malltezi, që ka 410 metër, këta pronarë janë shumë, kishin paguar me para cash 90% të 800 mijë eurove që duhet t’i paguanin shtetit për klubin.

Nga ajo që kishte mbetur kur është marrë vendimi, i cili edhe sot është në fuqi, vendime për të përdorur letrat me vlerë për privatizime, edhe sot janë në fuqi.

Kur ka dalë vendimi, Jamarbër Malltezi ka përfituar nga ai vendim gjithsej 64 euro.

Pra, vendimi nuk ka pasur asnjë lidhje me pronarë të caktuar. Ka pasur lidhje me të gjithë pronarët, që në përputhje me ligjin të mund të ushtronin të drejtën e parablerjes së objekteve mbi tokën e tyre edhe me letrat me vlerë. Që edhe sot janë në fuqi, si një detyrim i shtetit shqiptar ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo është e vërteta.

Kurse Edi Rama pagoi 7 milionë euro Giro d’Italia, organizatë tërësisht private, ndau para me këtë organizatë private duke e kontraktuar të vijë në Shqipëri ditën e parazgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve.

Tani, lidhur me SPAK-un, meqenëse më pyete, do të tregoj një histori të bukur, se ka një gjë tjetër brenda dosjes sime. Nuk dua ta personalizoj, por nuk mund të mos e them.

Në dosjen e Sali Berishës, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv sepse Ministri i Kulturës fton në emër të kryeministrit, për t’i nderuar, Riçardo Coçiante-n dhe Elhaida Danin, e cila ishte një e re, u shpall atë vit zëri i Italisë, fitoi ‘Voice of Italy’. I ftoi sepse Presidenti i Republikës do t’i jepte një dekoratë, dhe unë iu dhashë një darkë.

Tani, unë akuzohem për korrupsion sepse një nga pronarët që mori tokën e vet, Fatmir Bektashi, një njeri i nderuar, Ministri i Kulturës i ishte drejtuar atij ‘a mund të na sponsorizosh udhëtimin e tyre dhe hotelin’ dhe ai kishte sponsorizuar udhëtimin dhe hotelin e tyre me 4600 euro gjithsej.

Dhe këtë Altin Troplini me ish-xhelatin e Sigurimit të Shtetit Kraja dhe si motrën e Taulant Ballës, Millonai, e quajtën korrupsion pasiv.

Po pse? Sepse ata erdhën në një kohë kur ishin zgjedhjet. Nuk dhanë asnjë koncert. Vërtetë ishte kohë para zgjedhjeve, por nuk dhanë asnjë koncert.

Nuk iu kërkua të japin asnjë koncert. Iu dha dekoratën presidenti dhe unë u ofrova një darkë. Kjo ishte.

Kurse ‘Giro d’Italia’, 7 milionë euro ditën para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve nuk është një korrupsion elektoral, nuk është një krim elektoral sipas SPAK-ut që është një organizatë e Partisë Socialiste.

Besnik Kala: Përshëndetje Doktor, një pyetje në lidhje me kërcënimin e drejtpërdrejtë që Tao i bëri Agron Shehajt duke i shkuar tek vila ku kishte gruan dhe vajzat. A ju jep përshtypjen se ky lloj kërcënimi është tipik mafioz si ato të Tano Caridit?

Sali Berisha: Tano Caridi është lule, Besnik, me çfarë është Edi Rama dhe Taulant Balla.

Ai ishte një akt i shëmtuar, i turpshëm.

T’i shkosh tjetrit te dera e shtëpisë pa një autorizim, ti shkel rëndë ligje dhe Kushtetutë.

Në qoftë se shteti ka probleme me secilin politikan, shteti ka ligjet se si procedohet ndaj tyre dhe vendos gjykata për një akt të tillë.

Kurse shkuarja e tij tregon totalisht se këtu është një shtet i kapur, një parti-shtet, një mafie e vërtetë. Çdo njeri duhet të hetohet në përputhje me procedurën ligjore.

Tano Caridi kishte krime, po mos kujto se i ka Taulant Balla më të pakta krimet se Tano Caridi.

Tano Caridi krimet i kishte në film, Taulant Balla i ka live, i ka reale, nga vrasjet tek krimet madhore elektorale, tek droga e të tjerë e të tjerë me radhë.

Nuk ka krim me të cilin nuk është i mbrojtur ai.

Vladimir: Doktor, a jeni ju për ndryshime kushtetuese dhe kod zgjedhor me lista të hapura, Presidenti të zgjidhet nga populli, drejtorët e policisë të zgjidhen me votë si në Mbretërinë e Bashkuar, drejtori i përgjithshëm gjithashtu me votë popullore?

Sali Berisha: Tani, unë jam për listë të hapur. E them këtu dhe qëndroj plotësisht këtij parimi, e kam shprehur dhe përpara këtë.

Unë organizova një tryezë pikërisht me synim bashkimin e opozitës për sistemin zgjedhor. Dhe në këtë kontekst, çdo ndryshim të Kushtetutës, ne do ta mbështesnim.

Nuk jam kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, mbasi historia e presidentëve jo njëherë, por më shumë se njëherë është histori kukullash. Dhe kombi nuk ka nevojë për kukulla. Nuk ka nevojë. Kombi, vendi, ka nevojë për institucione. Institucione që i përmbahen Kushtetutës.

Ndaj dhe nuk kundërshtoj, nuk kam qenë dakord dikur me këtë proces, por sot kur shoh asgjësimin e atij institucioni që është institucion shumë i rëndësishëm, mendoj se ai i duhet vendit dhe kombit si institucion i vërtetë dhe jo fake siç është.

Gramoz Jaçe: Më pëlqen vetëm diçka tek ju, që nuk i bëni bllok atyre që janë kundra. Se Rama në fakt u bën direkt bllok po e shave.

Sali Berisha: Epo ai është, firmos fundin e vet ai që e bën atë. Ai njeri e ka shpirtin shumë të ndërlikuar. E pashë një ditë lajmin se kishte lejuar tani vetëm patronazhistët të komentojnë në ato mediat e tij sociale.

Imagjinoni ju se çfarë tmerri i kanë kallur flamingot dhe protestuesit, të cilët për hir të së vërtetës kanë një meritë të jashtëzakonshme.

E thotë Edgar Allan Poe: ‘Never felt before’ – të padëgjuara kurrë më parë. Edhe këta protestues i kanë krijuar atij të tmerre dhe makthe të padëgjuara kurrë më parë sa e detyruan të mbyllë komentet në Facebook.

Jo, nuk i mbyllim!

Është edhe një pyetje tjetër që kanë shumë kuriozitet: Zoti Berisha, me kë do të jeni në finale nesër, me Spanjën apo Argjentinën?

Sali Berisha: U falënderoj. Unë vetëm këto 4 ndeshjet e fundit kam parë, nuk i ndjek shumë, nuk jam shumë tifoz.

Por gjithnjë, 8 ose 4 të fundit i shoh. Pashë ndeshjen e parë të katërshes, Franca me Spanjën. I bindur se Franca do të shkëlqente, për habinë time Franca, ekipi i saj mbeti si një hije në raport me ekipin e Spanjës, kështu që u detyrova gjatë ndeshjes të ndryshoj simpati dhe të kaloj me Spanjën.

Erdhi ndeshja tjetër. Nuk jam me Argjentinën sepse nuk pranoj disa shkelje që ata bëjnë në lojë. Kapin, përdorin duart, kapin lojtarët, nuk e pëlqej atë lojë. Po. Dhe natyrisht isha me anglezët.

Po anglezët aty për fatin më të keq u treguan një skuadër e kategorisë së tretë.

U ndrynë në portë sikur të mos ishin dhe pranuan për kohë të tëra një presion të tmerrshëm të argjentinasve.

Nuk them se Argjentina nuk e meritoi plotësisht.

Pra, edhe këtu mbeta me zemër të thyer. Tani unë nuk e mohoj që jam me Spanjën, nuk jam me Argjentinën.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale