FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KRYESISË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e kryesisë, është shprehur se, Kuvendi Kombëtar do të sanksionojë bazat e transforimit të vërtetë të partisë. ‘PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet. Në të gjithë këtë përpjekje, ne synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë’, shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në kryesi, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Partia Demokratike do të jetë partia e seksionit. Sipas tij, ripërtëritja e partisë nënkupton anëtarësime të reja. ‘Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit. Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni. Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja’, ka deklaruar Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën për qëndrimet e ndryshme të tij, brenda një dite. Duke komentuar dekorimin e Bardhyl Agasit dhe Jurgis Çyrbes, Berisha u shpreh në mbledhjen e kryesisë se, Rama paradite në Durrës i jepte medalje babait të mafiozit të rrezikshëm dhe pasdite thoshte në Bruksel, se jemi fanatikë të integrimit. ‘Dhe Edi Rama, para se të niset në Bruksel në konferencën ndërqeveritare të tetë për raportin IBAR, ndan kohën, dekoron të atin e Ergys Agasit për t’i dhënë një mesazh të prerë qytetarëve të Durrësit se Agasët janë fisnikëria e partisë së krimit. Në momentin kur ai dje fliste në Bruksel, kur deklaronte se ne jemi fanatikë të BE, sekretari i tij i përgjithshëm me porosi të tij i dërgonte dekoratën e partisë Jyrgis Çyrbes, informatorit të një vrasësi serial, të faktuar dhe të dokumentuar’, theksoi Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e kryesisë se, vota e shqiptarëve është rikthyer në një çështje ndërkombëtare. Sipas tij, me ligj shqiptarët kanë të drejtë që të ndërmarrin çdo veprim për largimin e Edi Ramës. ‘Çështjen e votës së shqiptarëve ne e kemi shndërruar në një çështje ndërkombëtare. Natyrisht në rast se ne themi, dhe e themi me bindje të plotë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, askush nuk do vijë të na e heqë ne Edi Ramën, përveçse ne vetë. Por ama, në ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkombëtar, ne kemi të drejtë absolute të marrim veprime për largimin e tij.’ u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së Sali Berisha foli në mbledhjen e kryesisë edhe për mediat e kapura nga pushteti, që ai i cilëson si mafia e fjalës së lirë. Sipas tij, këto de facto i kanë shpallur luftë opozitës, duke mos i dhënë hapësirë. ‘Kjo mafie është shndërruar në zëdhënësen më agresive të mafies shtetërore. Kjo mafie de facto i ka shpallur luftë opozitës dhe mban ndaj saj qëndrimet më armiqësore. Kjo mafie, në shërbim të mafies qeveritare që e ushqen atë, që e mban atë, ka korruptuar po në atë shkallë dhe më shumë se sa ka korruptuar mafia qeveritare tenderat, kjo ka korruptuar fjalën shqipe’, deklaroi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë fjalës së mbajtur në kryesinë e PD, foli edhe për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së. Sipas tij, Edi Rama pritet në Bruksel vetëm për arsye gjeopolitike, në vend që ta damkosin dhe izolojnë. ‘Siç e shihni, për arsye gjeopolitike apo të tjera, Edi Rama në vend të një damkosje dhe izolimi të plotë për utilitarizëm pritet dhe përcillet, madje dhe i thotë më urren ti mua, nuk më pëlqen ti mua, apo ti apo ai… skena të tilla’, theksoi lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së tij në kryesinë e PD.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt ju dhe të gjithë shqiptarëve dhe njëherë u uroj gëzuar Bajramin, ditën e sakrificës, ditën që frymëzon çdo njeri për sakrificë në emër të të mirës, të arritjes.
Por unë në këtë mbledhje të rëndësishme, e cila do miratojë ndryshimet statutore, e cila do miratojë listat, propozimet për Këshillin Kombëtar, do miratojë grupin që do drejtojë Kuvendin, pra është një mbledhje me vendime shumë të rëndësishme.
Ne finalizojmë me Kuvendin tonë Kombëtar procesin e zgjedhjeve në PD dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të PD.
Transformim i cili parakupton apo nënkupton ripërtëritjen e forcës tonë politike.
Nënkupton organizim, organizim, organizim për këtë forcë.
Nënkupton modernizimin e saj.
Dhe e fundit dhe më e rëndësishmja, nënkupton përpunimin e vizionit të kësaj partie në këto shtylla.
PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet.
Në të gjithë këtë përpjekje, ne synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë.
Në këtë udhëtim, ne mbështetje më kryesore kemi lirinë, demokracinë e kësaj partie, konsultën me anëtarësinë, ripërtëritjen e saj të fuqishme me anëtarësime të reja, ripërtëritjen e saj në të gjitha nivelet.
PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit.
Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit.
Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni.
Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja.
Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja.
Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja.
Ju garantoj se janë me mijëra e mijëra demokrate e demokratë që të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi. Nuk u ofrohet ky mjedis.
Nuk u ofrohet sepse, e kam theksuar dhe e theksoj, sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia.
Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në.
PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për eficencë. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj.
Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj eficencë në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale.
PD ka jetik shfrytëzimin e çdo potenciali që ofron dixhitalizimi dhe urtësia artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë, aftësitë tona.
Programi i saj apo vizioni i saj është absolutisht më i miri që ekziston.
Por ne kemi fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë me think-tanket më të mira që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA.
Ne ndodhemi në kushte të vështira dhe shumë të vështira.
Ndodhemi në kushte kur zgjedhjet janë zëvendësuar me farsë elektorale dhe kjo përbën fatkeqësinë më të madhe politike kombëtare.
Kjo përbën mekanizmin e diktaturës autoritare.
Ndodhemi në kushte kur partia në pushtet haptas ka hequr çdo maskë, rroftë krimi dhe poshtë ligji është motoja e saj.
Imagjinoni pak, tejkalon çdo novelë, çdo roman të realizimit fantastik fakti kur Ramaduro paradite dekoron të atin e njërit prej mafiozëve më të rrezikshëm të kohërave, ka pasur Italia Toto Rinën, por Toto Rina nuk ka kontrolluar kurrë qeverinë dhe të dhënat dixhitale të Italisë.
Kurse Toto Rina shqiptar është i vetmi mafioz në Evropë që kishte në dorë çdo gjë në këtë vend, përfshi edhe kryeministrin.
Jeton i lirë në Shkozet, në Surrel, në Manzë dhe kudo.
Dhe Edi Rama, para se të niset në Bruksel në konferencën ndërqeveritare të tetë për raportin IBAR, ndan kohën, dekoron të atin e Ergys Agasit për t’i dhënë një mesazh të prerë qytetarëve të Durrësit se Agasët janë fisnikëria e partisë së krimit.
Për t’i dhënë mesazh të prerë SPAK-ut të partisë se Agasët janë shtylla e partisë.
Në momentin kur ai dje fliste në Bruksel, kur deklaronte se ne jemi fanatikë të BE, sekretari i tij i përgjithshëm me porosi të tij i dërgonte dekoratën e partisë Jyrgis Çyrbes, informatorit të një vrasësi serial, të faktuar dhe të dokumentuar.
Pra, atje shprehej për fanatizëm ndaj integrimit, në Durrës ngrinte në piedestal krimin, bashkëpunimin me krimin.
Të gjitha këto, dëshmojnë se çfarë vështirësish kemi ne për të kapërcyer.
Por do të ishte e padrejtë dhe joreale që në analizën tonë të mos vlerësonim shumë edhe ato që janë arritur.
Ramaduro nuk është kurrë ai që ishte.
Ai është i plagosur dhe është i plagosur në mënyrë përfundimtare.
Qëndrimi i opozitës ia doli të argumentojë farsën elektorale, apo nëse marrim për bazë përcaktimet e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, por edhe raportin IBAR, farsa elektorale nxin me shëmtinë më të madhe.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që çështjen e votës së shqiptarëve ne e kemi shndërruar në një çështje ndërkombëtare.
Natyrisht në rast se ne themi, dhe e themi me bindje të plotë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, askush nuk do vijë të na e heqë ne Edi Ramën, përveçse ne vetë.
Por ama, në ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkombëtar, ne kemi të drejtë absolute të marrim veprime për largimin e tij.
Dhe kjo është një arritje.
Ne kemi një problem madhor me të cilin do përballemi dhëmb për dhëmb, mafia e fjalës së lirë.
Kjo mafie është shndërruar në zëdhënësen më agresive të mafies shtetërore.
Kjo mafie de facto i ka shpallur luftë opozitës dhe mban ndaj saj qëndrimet më armiqësore.
Kjo mafie, në shërbim të mafies qeveritare që e ushqen atë, që e mban atë, ka korruptuar po në atë shkallë dhe më shumë se sa ka korruptuar mafia qeveritare tenderat, kjo ka korruptuar fjalën shqipe.
Merrni, dhe unë ftoj çdo shqiptar, të marrin vetëm zhvillimin e fundit, referendumin e PD, aktin më madhor të demokracisë direkte se si kjo mafie ua paraqet shqiptarëve si një akt stalinist, si një akt enverist.
A ka korruptim më të madh të kuptimit të fjalës demokraci direkte apo referendum se sa kjo?
Nuk mund të ketë, por ky është vetëm njëri nga mijëra e mijëra raste.
A e patë ju, a organizuan qoftë dhe një koment më të voglin për aktet më të paqena gjer sot, dekorimin e babait të kryemafiozit të Shqipërisë, i cili nuk ka thënë një fjalë të vetme ndjese për veprat e zeza të të birit, që janë të pafundme, që përfshijnë të gjitha llojet e krimeve?
A patë ju, a panë shqiptarët një koment më të shkurtrin për dekorimin e Çyrbes?
A dëgjoni ju një koment, a dëgjojnë shqiptarët një koment të vetëm për përdorimin e kafazit të qelqtë në gjykatë për ish-kryeministrin, ish-presidentin, ish-kryetarin e parlamentit?
Këto, të cilat përbëjnë akte jashtë të gjitha standardeve, nuk ekzistojnë si shqetësim për mafien e fjalës së lirë.
Pra, beteja jonë është një betejë e një rëndësie vendimtare në kuptimin absolut të fjalës.
Dhe e vështirë sepse ne jemi në një situatë ku pavarësisht nga të gjitha këto, siç e shihni, për arsye gjeopolitike apo të tjera, Edi Rama në vend të një damkosje dhe izolimi të plotë për utilitarizëm pritet dhe përcillet, madje dhe i thotë më urren ti mua, nuk më pëlqen ti mua, apo ti apo ai… skena të tilla.
Por këto duhet të kuptohen nga ne.
Sigurisht që janë të papranueshme për ne, por realiteti është realitet dhe ne do bëjmë gjithçka të përmbushim misionin tonë.
Dhe unë kam besim të plotë se ne jemi në rrugë të drejtë.
Por kërkohet të mos injorohet për asnjë moment kjo mafie që është bërë përcjellëse e të keqes banale.
Që ka shndërruar të keqen banale në faktor madhor dhe më kryesor të mbajtjes së saj në pushtet.
Unë e di se ju çdo ditë u thonë se nuk është kjo mënyrë komunikimi.
Nuk është kjo përballje e drejtë.
Nuk ka gjë më të drejtë në botë se të përballesh me të keqen.
Në të gjitha kohërat, përballja më e drejtë me njeriut është përballja me të keqen.
Ndaj dhe ne nuk duhet të impresionohemi.
Ne jemi në kushtet kur mediet kontrollohen 80-90 përqind nga qeveria dhe kur kryeministri mashtron çdo ditë dhe thotë ato i dominon opozita.
Tani, nuk do të zgjatem më shumë në këtë hyrje timen sepse axhenda është e ngjeshur.
Të vazhdojmë me rendin me ditës dhe t’i falënderojmë mediat pasi diskutimet janë të një karakteri teknik dhe duhet të vazhdojmë pa media.


