Berisha: Kushtetuesja hodhi në kosh kërkesën e Ramës! Tani është koha që populli opozitar të shumëfishojë energjitë për largimin e tij

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Në një bashkëbisedim të zgjeruar me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e vuri theksin tek kriza e integrimit europian, funksionimi i shtetit ligjor dhe mobilizimi opozitar, e gjitha kjo për shkak të qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës. Në qendër të fjalës së tij ishte pretendimi se vendi ndodhet përballë një momenti kritik, ku, sipas tij, ‘Shqipëria u damkos në qendrat kryesore ndërkombëtare për shkak të akteve të papërgjegjshme prej burracaku, prej frikacaku të Edi Ramës’, duke shtuar se kryeministri ‘u dëshmoi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se për atë ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë’.

Kryedemokrati Sali Berisha e paraqiti situatën si një përplasje direkte mes pushtetit ekzekutiv dhe rendit kushtetues, duke deklaruar se tentativa për të përdorur Gjykatën Kushtetuese si ‘mburojë të vjedhjeve të tij’ dështoi, pasi ‘kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave’. Ai e cilësoi këtë moment si një pikë kthese politike, duke theksuar se ‘ky është një moment që dëshmon se populli opozitar duhet të shumëfishojë energjitë dhe forcat në këtë betejë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti’.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha ngriti alarmin për rrezikun e ndërprerjes së procesit të integrimit europian, duke deklaruar se ‘janë zhvilluar diskutime shumë të veçanta për Edi Ramën’ në disa qeveri kryesore europiane dhe se në tryezë është vendosur ‘opsioni i padëgjuar ndonjëherë në historinë e BE-së, zhbërja e plotë e procesit të integrimit të Shqipërisë’. Sipas tij, kjo do të nënkuptonte ‘anulim të të gjitha marrëveshjeve, vizave, stabilizim-asocimit, statusit të kandidatit’, pra një rikthim të vendit dekada pas në raport me Bashkimin Europian.

I pyetur nga qytetarët në lidhje me protestat e opozitës dhe pse ato nuk kalojnë në një stad tjetër, lideri i demokratëve Sali Berisha theksoi qartë orientimin e tij: ‘Ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve’, duke shtuar se ‘kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më fitimtare’. Ai e përkufizoi aksionin opozitar si ‘kryengritje paqësore’, e cila, sipas tij, ‘do i çojë Ramën dhe Lubinë në bankën e akuzës, aty ku e kanë vendin’.

Kryedemokrati Sali Berisha foli qartë edhe për nevojën e një transformimi të thellë shtetëror, duke deklaruar se ‘Shqipëria ka nevojë për një transformim edhe shumë më të thellë se në 1991’, për shkak të asaj që e quajti degradim administrativ dhe moral të strukturave shtetërore. Ai theksoi se reforma në arsim, bujqësi dhe organizimin territorial do të jenë prioritete të një qeverisjeje të ardhshme të PD-së, duke u referuar përvojës së mëparshme si dëshmi se ‘në qoftë se e përparëson arsimin me seriozitetin më të madh, arsimi është një nga sektorët që ndryshon në mënyrë të padiskutueshme’.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se, 10 shkurti është një datë mobilizuese për mbështetësit, duke e quajtur ‘dita e guximit, dita e dinjitetit, dita e shpresës dhe besimit’, dhe duke theksuar se opozita do të vazhdojë ‘kryengritjen tonë paqësore deri në rrëzimin e kësaj organizate kriminale’.

FJALA E PLOTE

Kaloi një javë në të cilën Shqipëria u damkos në qendrat kryesore ndërkombëtare për shkak të akteve të papërgjegjshme prej burracaku, prej frikacaku të Edi Ramës, i cili me qëndrimet e tij, i kapur me presh në dorë, u dëshmoi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, miqve të Shqipërisë se për atë ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë.

U dëshmoi shqiptarëve se ai është i aftë të sakrifikojë çdo interes të tyre.

Të shkelmojë dhe procesin më themelor të viteve të pluralizmit politik, procesin e integrimit evropian.

Edi Rama, me qëndrimet e tij të papërgjegjshme, detyroi kancelaritë dhe qendrat vendimmarrëse të Europës, t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë ndonjëherë në 32 vite apo në tërë ekzistencën e BE, vendimit të zhbërjës së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Dhe ua them unë këtu, protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese si shpresa e vetme e ndryshimit të kësaj situate, sepse ky vendim është i gatshëm të shpallet.

Edi Rama, në mënyrën më të papërgjegjshme, më antikushtetuese, më antiligjore vendosi të përdorë Gjykatën Kushtetuese mburojë të vjedhjeve të tij, të përdorë gjykatës të papërgjegjshëm që nuk kanë parim, moral ligjor, nuk kanë asnjë lloj norme, si mburojë për vazhdimin e detyrës së Lubi Ballukut.

Por ama, këto qëndrime të tij hasën në kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve tanë dhe të Komisionit Europian, për çka unë shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj tyre, sepse me këto qëndrime, iu dëshmuan shqiptarëve se Edi Rama është njeriu që nuk ka asnjë interes tuaj.

Njeriu që shkelmon mbi të gjitha interesat e shqiptarëve, të ardhmen e tyre evropiane, për të mbrojtur lëkurën e tij, veprat e tij të zeza, vjedhjet e tij të mëdha.

Por duhet të them këtu se protestat tuaja kanë qenë për mbarë botën kambana e alarmit për atë që po ndodh në Shqipëri.

Dhe ju keni një meritë të jashtëzakonshme në shtytjen e komunitetit ndërkombëtar drejt vendimeve të një karakteri ndëshkues të paparë ndaj Edi Ramës.

Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës.

Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve.

Natyrisht gjykata ka mëkatin e madh sepse i dha Lubi Ballukut mbi 2 muaj kohë të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument.

Por siç thotë fjala, më mirë vonë se kurrë.

Me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave.

Në fakt bashkë me Edi Ramën sepse ajo nuk kishte të bënte me Lubi Ballukun, ajo kishte të bënte me pezullimin e Edi Ramës nga detyra.

Dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata.

Ky është një moment që dëshmon se populli opozitar duhet të shumëfishojë energjitë dhe forcat në këtë betejë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Asnjë shqiptar nuk duhet të pranojë kurrë që për pasurimin me plaçkitje të Edi Ramës, familjes së tij, Lubi Ballukut dhe të tjerëve, të shkelmohet e ardhmja evropiane e fëmijëve tanë, e ardhmja evropiane e jonë.

Ju rikujtoj se pavarësisht nga reagimet që ka pasur, pavarësisht nga kritikat që mund të jenë bërë nga lobingjet e Edi Ramës apo të tjerë, por kemi paralajmëruar me kohë se Shqipëria me Edi Ramën nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kriter përveç pozicionit të saj gjeostrategjik.

Koha na dha të drejtë.

Ata që i dëgjuan me skepticizëm, madje edhe me mospëlqim këto deklarata, u befasuan kur u përballën me situata shumë më të rënda se ajo që kishim parashikuar.

Ndaj dhe nxorën opsionin nuklear të papërdorur kurrë që nga themelimi i BE, disa vende, zhbërjen totale të procesit të integrimit me Shqipërinë.

Por jam i bindur se ju nuk do e lejoni këtë.

Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin.

Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARËT:

Elia Bundi: Si do të veprojë PD dhe opozita, nëse Kuvendi nuk e fut në axhendë të shpejtë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, tani pasi Kushtetuesja e rrëzoi kërkesën e Ramës, për pezullimin e saj nga detyra?

Sali Berisha: Ju garantoj se, kjo organizatë kriminale në pushtet nuk do të ja heq imunitetin Lubi Ballukut. Ju e dëgjuat Uluziun dje, do ta ndryshojmë tha reformën në drejtësi, do të ndryshojmë ligjet.

Dhe kjo ndodh sepse kemi të bëjmë, do të kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe të qytetarëve, ne kemi të bëjmë me një organizatë të vërtetë kriminale me në krye Edi Ramën.

Uluziu që flet ashtu, mos harroni se në dosjet që ka SPAK është njeriu që ka marrë dy kostume nga Altin Hajri, i cili i thotë Qyrbes, merrja pak masën se është treguar burrë i mirë për ato që premtoi. Dhe na del që kostumet i vesh Uluziu që deklaroi dje, se do të ndryshojë reformën.

Është njeriu që në dosjet e SPAK ka telefonatat nga Londra, kur i thotë trafikatit; i mora ato 500 mijë euro? I mora, i mora thotë, por më duhet edhe një çantë ‘Louis Vuitton’. Çfarë të duhet ty çanta ‘Louis Vuitton’, i thotë ai. Më duhet për gruan i thotë. Jo, jo nuk e ke për gruan, por spo hy në pastaj më tutje në pjesën tjetër të bisedës.

Ja pra, këta janë. Kështu që këta do bëjnë.

Na mbetet ne në dorë tani. Ne tani jemi në fushë, në betejë dhe ne absolutisht, edhe njëherë; ja do vdesim ja do rrojmë dhe këtë qeveri nuk e durojmë më tej. Kjo qeveri nuk ka më legjitimitet. Ky parlament nuk ka legjitimitet. Këta janë një bandë.

Ftoj të bëhet hetimi se, çfarë ndërhyrje të turpshme kanë bërë eksponentët e partisë së krimit tek gjykatësit me telefona, me forma të tjera. Ndaj dhe këtë vendim ne duhet ta marrim thjeshtë si një hap, si një ftesë për të vazhduar me të gjithë guximin tonë, kryengritjen paqësore për rrëzimin e Edi Ramës.

Hebije Hazinedari: Në një shkrim të sotëm, Baton Haxhiu thoshte në këtë vend tani prokurori është më i fortë se kryeministri. Duke komentuar vendimet e SPAK, Haxhiu duket ka ndryshuar qëndrim, pasi kur bëhej fjalë për goditjen e opozitës, ai ishte pro SPAK, kurse tani për Ramën, ai i ka dalë kundër. Si i cilësoni këto qëndrime?

Sali Berisha: Tani, në qoftë se i keni harruar, po rikujtoj se Haxhiut i ka thënë në sy, në Hagë, Sllobodan Millosheviçi që ti je nash, ti je i yni. Haxhiu ka qenë agjent personal i shefit të zbulimit Stanishiç, të zbulimit të ish-Jugosllavisë.

Dhe këtu ai është ndërmjetësi i vëllazërisë së Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç.

Është njeriu që mori pjesë në takimin me katër sy, dhe dy ishin të Danjollit të Sherkës, personazhit të Rexhep Qosjes, ishin të Batonit ato dy sytë e tjerë aty.

Ndaj dhe këta mos prit ndonjëherë që ky soj njerëzish, ata janë në mision tërësisht në mburojë të Edi Ramës.

Prandaj dhe duhet t’i shumëzojmë me zero.

Met Noka: Doktor nuk ka arsye që protesta të jetë paqësore. Rama nuk ikën me lule, po me shkelma. Le te jetë si protestat e Francës, Greqisë ku e merr në dore populli jo me regji. Rrimë ikim. Pse nuk e lini popullin të bëjë çfarë të dojë në protestë, mos e pengoni.

Sali Berisha: Rama lule nuk meriton kurrë. Edi Rama meriton dhe do të ketë dënimet më të rënda që ka marrë kush ndonjëherë në këtë vend, për krimet që ka kryer.

Por përsëri ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve.

Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare.

Kjo është arsyeja. Nuk dua të hy në histori, por jemi në Shkurt dhe Shkurti i 1991 ishte një muaj i përgjakshëm për ne, siç e kujtoni ndofta.

Në shkurt të 1991 u vranë 8 qytetarë të pafajshëm, edhe një foshnje 2-vjeç në krevatin e gjumit tek flinte. U plagosën mbi 110 vetë në Tiranë, Fier dhe qytete të tjera.

U zvarritën pas kamionëve demokratët. U mbajtën me revole në kokë për kohë të tëra. Por ne me vendosmërinë tonë, qëndrimin tonë kundra dhunës ne fituam.

Ne prap do të fitojmë. Edhe ne mund të rrëmbenim armë, siç rrëmbyen armët vullnetarët e Enverit që ishin që të gjithë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ishin ushtarakë dhe të tjerë. Por jo ne i qëndruam asaj platforme dhe sot i qëndrojmë ne asaj platforme dhe them se, kjo platformë i ka shërbyer më shumë se çdo gjë tjetër Shqipërisë.

Laert Vasili: Doktor, sipas jush, a është Rama i detyruar të lëshojë Ballukun sepse barazimi katër me katër i Gjykatës Kushtetuese duket si frikë e gjyqtarëve për të marrë vendim?

Sali Berisha: Laert, njëherë në radhë të parë të përshëndes përzemërsisht dhe të uroj sukses aty ku je.

Po qe se të lejojnë kushtet, të mirëpresim prapë me 10 shkurt dhe për vendimin, gjithçka është për Ramën.

Duhet ta dini ju dhe të gjithë shqiptarët se po të mos ishte i implikuar Rama, ai është i gatshëm ta zhdukë Belindën pa pyetur për të fare.

Por problemi është se dosjet, qoftë dosja e Belindës, qoftë dosja e AKSHI-t, të cilat nxjerrin me shëmtinë më të madhe të vërtetat e Edi Ramës, nxjerrin se Edi Rama është ai autori i tunelit të Llogarasë dhe përfituesi kryesor i 50 milionë eurove.

Nxjerrin se Edi Rama është personi që përcaktonte fituesit e tenderit të Unazës së Madhe.

Nxjerrin më keq se çdo gjë tjetër se Edi Rama është Ergys Agasi i vërtetë.

Pra, jemi në këto rrethana, të cilat kërkojnë së pari, ta kemi të qartë se Edi Rama do bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij.

Së dyti, ta kemi të qartë se vetëm guximi, vendosmëria jonë do shpëtojë Shqipërinë nga Edi Rama.

Ndaj dhe kjo betejë nuk ka të ndalur gjer në fitoren e plotë.

Muharrem Kurti: Doktor, Gjykata Kushtetuese e dha një gjysmë vendimi, tani çfarë do bëhet me Lubinë?

Sali Berisha: Pyetja është se çfarë do bëhet me Ramën. Lubia është Rama, Rama është Lubia.

Kryengritja paqësore do i çojë ata në bankën e akuzës, aty ku e ka vendin.

Kjo do bëhet.

Nuk ka forcë, i them Edi Ramës, nuk ka forcë të shpëtojë.

Asnjë.

Dhe mos kërko dhe mos lobo se në mënyrë absolute ne nuk pranojmë dhe nuk do pranojmë asnjë lloj kompromisi përveç ligjit.

Do përballesh me ligjin për veprat e tua të zeza.

Para se t’i kryeje, duhet të mendoheshe mirë tre herë. Por ja që vjen dita që sovrani të bën ligjin.

I përshëndes qytetarët për përgjegjësinë e madhe qytetare që po tregojnë, revoltën dhe zemërimin që kanë brenda.

Kështu që ne jemi në misionin e madh të shpëtimit të Shqipërisë nga Edi Rama.

Desada Xhetani: Në media flitet për një ndërprerje të procesit të integrimit nga BE-ja. A keni ndonjë informacion.

Sali Berisha: Ajo çka unë kam, disa qeveri kryesore në Europë, brenda në Komisionin Europian, janë zhvilluar diskutime shumë të veçantë për Edi Ramën.

E vërteta, mund të them se, muaj e muaj para shpërthimit të këtyre skandale, qeveritë e mëdha patën filluar me ekspertë studimin e tij. Por shpërthimi i këtyre skandaleve, qëndrimi i Edi Ramës ndaj tyre dhe veçanërisht të themi atë që është, dosja e AKSHI-t ku tregon se ai që ne e quanim koordinator për bandat, Ergys Agasi, ishte vetë Edi Rama në të gjithë aktivitetin e tij, i faktuar nga dëshmitarë që dinin gjithçka për AKSHI-n.

Duhet të ua them shqiptarëve, burime që dinë të gjitha na kanë thënë se, këto që dimë sot janë vetëm një pjesë e tyre. Kështu që të gjitha këto kanë bërë që disa kancelari, por edhe vetë Komisioni Europian ta marrin në mënyrën më serioze këtë qëndrim, këtë grusht shteti që Edi Rama përpiqet të bëjë.

Ta marrin në mënyrë serioze saqë në opsionet që kanë përpunuar, kanë përpunuar dhe opsionin e padëgjuar ndonjëherë në historinë e BE-së të zhbërjes së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë.

E di çdo të thotë zhbërje e plotë? Do të thotë anulim i të gjitha marrëveshjeve, vizave, stabilizim-asocimit, pranimit të kërkesës për anëtarësim, statusit të kandidatit.

Do të thotë rikthimin e Shqipërisë ku ishte në vitin 1996. Se në vitin 1996 Shqipëria u përfol si kandidate e mundshme e marrëveshjes së stabilizim-asocimit. Sepse në atë kohë Ballkanin shqyrtonin në kuadrin e ish-Jugosllavisë dhe e lanë në atë fazë. Por as nuk u hapën negociata dhe asgjë.

Zhbërja e plotë do të thotë se, BE të anulojë çdo marrëveshje me Shqipërinë dhe mundet edhe atë të tregtisë së lirë që është firmosur në vitin 1992-1993.

Aured Aured: Doktor, përshëndetje, pa e hequr vëmendjen nga çështja Ballukut, si e shikoni emërimin e ish-deputetit të PD, Dashnor Sula në postin e kryeinspektorit të përgjithshëm?

Sali Berisha: Unë njëherë në radhë të parë shpreh mirëkuptimin tuaj të plotë për indinjatën tuaj.

Dhe do të them një gjë këtu, e kam menduar shpeshherë këto kohë.

Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë.

Të tradhtosh ti ata, të cilët burra dhe gra fisnikë, kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me të gjithë gabimet që mund të kesh bërë, me të gjithë të tjerat, por të mbështesin si dritë, si shpresë për ta, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë.

Po, por nga ana tjetër, ju garantoj se PD, me largimin… dhe unë në rast se e keni vënë re në diskutimet e mia, në mënyrë të përsëritur kam ngritur që ne duhet të ndahemi nga këta njerëz. Kam arritur në një përfundim.

Kam konstatuar se një nga drejtimet më themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës. Një veprimtari e ulët.

Një veprimtari e turpshme, kriminale, kur një qeveri përdor mjetet e saj për të blerë, për të korruptuar përfaqësuesit e opozitës vetëm në funksion të pushtetit të vet.

Ndaj dhe ne, çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjendet Edi Ramës në krah?

E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai.

Çfarë e shtyn, e thashë edhe para disa ditësh, doktorin 32 vjet mjek, thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krah të Salianjit të krimit, të bandave, dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in.

Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta.

Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës.

Po një gjë, këta dallojnë nga ata që e kanë ndjekë nga partia e vet. Këta gëlltisin tradhtinë, jo ndaj meje, nuk ka lidhje me mua fare, ndaj teje si qytetar në radhë të parë që i ke besuar dhe i ke ndjekur.

Dhe del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë.

Kjo është histori turpi.

Vlash Gjonaj: A do të ishte më efektive që revolta të spostohej në bllokime aksesh kombëtare, në një orar, në një ditë dhe të mbahen të bllokuara.

Sali Berisha: Të falënderoj shumë për sygjerimin. Të garantoj që edhe ajo është një nga format e kryengritjes paqësore.

Alma Ilias: Ndihma ekonomike është 15 mijë lekë të vjetra në muaj. Qiraja është e shtrenjtë. Kur do të marrim një banesë ne studentët e rretheve, aq më tepër kur jam me një prind kryefamiljare dhe me aftësi të kufizuara. Nuk blej dot ujë dhe jo qira. Duam një strehë.

Sali Berisha: Së pari ju siguroj se programi ynë për të rinjtë dhe për studentët do të ju krijojë atyre çdo mundësi për të vazhduar shkollën dhe për të përballuar lehtësisht strehimin e tyre në periudhën që studiojnë, për të blerë shtëpi pasi mbarojnë studimet dhe me përparësi për punësimin.

Në vitin 2011-2012 ne përcaktuam një zonë të madhe ku do të ndërtonim kampusin për studentët. U bë projekti me 30 mln euro, për studentët në mënyrë që të strehoheshin në kushtet më të favroshme. Për të tjerë do të subvencionohej qiraja e tyre.

Ky mori me një marrëveshje korruptive, sekrete që nuk e publikon, mori tokën e kampusit. Erion Veliaj e bëri parking dhe vilte para. Ky mori tokën e kampusit dhe ndau para me Frederica Mogerinin. Një marrëveshje që nuk ja tregon as parlamentit.

Këto do të marrin fund dhe si ju janë të shumtë.

Ju sigurojë se të gjitha lehtësirat do të krijohen për një ndryshim rrënjësor të gjendjes.

Uesli Arben Shurdho: Si mendoni të bashkëpunoni me aleatët për të realizuar reformën territoriale?

Sali Berisha: Zoti Shurdho, cili është qëndrimi ynë dhe të falenderoj për pyetjen.

Së pari, ne jemi të bindur dhe duhet t’ua them të gjithë shqiptarëve se Edi Rama nuk pranon asnjë ndryshim tjetër përveç atyre që propozon vetë, e cila reformë synon depopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Ju duhet ta dini se ai tani parashikon nga 62 bashki të kalojë në 36 bashki.

Kjo është praktika e nxitjes së largimit masiv nga periferitë të shqiptarëve.

Çfarë do bëjmë ne?

Meqenëse ky është një problem shumë themelor me vendin, ne do bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët më të mirë shqiptarë.

Ekipi ynë do të bëjë takime në të gjitha qarqet për të marrë mendimet e qytetarëve.

Do të hartojë projektin tonë.

Nuk mund të them se sa do jetë, por u rikujtoj se Sllovakia me një popullsi pak më të madhe se ne, ka 210 komuna dhe bashki.

Sllovakia, dy herë më e zhvilluar, ka 210 komuna dhe bashki. E cila ka një mal gjithsej, ndërsa Shqipëria ka male numerikisht sa gjithë Europa si numër.

Pra, ne do bëjmë një projekt në përputhje me interesat e plota të qytetarëve dhe të zhvillimit të komuniteteve.

Këtë projekt do e diskutojmë me ju, me qytetarët.

Këtë projekt do e paraqesim në komisionin e reformës territoriale.

Këtë projekt do ta diskutojmë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës që është institucioni numër një me ekspertizën më të madhe për reformën territoriale.

Besnik Eski: Po me fermerët çfarë politike keni dhe me ata oligarkë që na kanë marrë tokat çarë do të bëhet.

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Përparësi e madhe. Një përmbysje e qëndrimit ndaj fermerëve duke filluar së pari nga sistemi i taksimit me TVSH, i cili favorizon importet dhe ndëshkon prodhimin vendas.

Së dyti, një ulje e madhe gjer në simbolizëm e taksës për tokën.

Së treti, garantojmë grante apo mbështetje për çdo njësi prodhimi. Prodhimet e arave, për grurë e frutorë, dhe ne kemi faktuar këtë. Nëqoftëse me grantet tona u mbollën miliona rrënjë vreshta dhe mollë, kajsi, pjeshkë, sipas zonave. U mbollën miliona e milionë rrënjë ullinj, siç e dini vetë, sot grantet e fermerëve përdoren për të blerë vota nga patronazhistët.

Sot janë hapur kufijtë dhe vijnë këtu prodhimet nga Serbia, jo të prodhuara në Serbi, por të prodhuara në Taxhikistan, Uzbekistan dhe lënë në arë prodhimet tona.

Ballkani i Hapur ishte akti i tradhtisë më të madhe ndaj fermerëve shqiptarë. Mbrojtja e prodhimeve tuaja do të jetë qëllimi ynë.

Nxitja e prodhimit bujqësor një qëllim kryesor, për të rritur mirëqënien e qytetarëve shqiptarë, për të mbajtur çmimet. Jo të shkojnë në stratosferë.

Sot shqiptarët i blejnë ushqimet 17% më shtrenjtë se në BE. Në një kohë kur në Kosovë i blejnë 20% më lirë se në BE.

Pra një përmbysje totale e qëndrimit ndaj fshatit dhe fermerëve.

Tokat pa diskutim që do të u kthehen pronarëve të tyre. Ua kanë marrë tokat e ndara me 7501, tokat e tjera të disponuara që nuk u ndanë por mbetën për pronarët. Që të gjitha do u mirren oligarkëve, do tu mirren trafikantëve. Miliona e miliona metër katror tokë ka dhënë Edi Rama trafikantëve me të ashtuquajturat investime strategjike. Marrin fund ato.

Endriti: Zoti Berisha, një i ri i zhdukur në Klos, në ujërat e lumit Mat, është gjetur nga trupat e Kosovës me ndërhyrjen e presidentes Osmani, ndërkohë autoritetet tona i kishin ndërprerë kërkimet para dy javësh. Pse shteti ynë nuk e ka prioritet qytetarin shqiptar?

Sali Berisha: Njëherë në radhë të parë duhet të falënderoj përzemërsisht presidenten Osmani, qeverinë e Kosovës dhe njësitë ushtarake të Kosovës për këtë akt jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për atë familje, por për të gjithë Matin dhe të gjithë Shqipërinë.

Pse hoqi dorë shteti shqiptar?

Dallimi mes shtetit të Kosovës dhe shtetit shqiptar është absolutisht i njëjtë siç është dallimi midis dy faqeve të hënës, faqes së ndritur dhe faqes së errët që nuk shndrin kurrë.

Kosova ka shtet, Shqipëria ka narkoshtet.

Narkoshteti nuk ka interesat e qytetarëve.

Urdhëroni se si u përmbytën 6 mijë ndërtesa në rrethin e Durrësit si kurrë ndonjëherë, dhe pastaj del e thotë se fajin e kanë qytetarët që hedhin letra në kanale.

Fajin e kanë qytetarët që ata që kanë marrë 42 milionë euro për pastrimin e kanaleve, i kanë vjedhur ata. Nuk kanë faj ata, se ata janë pushtetarë. Ata janë njerëz të qytetarëve, kurse fajin e kanë qytetarët.

Kjo është arsyeja pse këta hoqën dorë.

Shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës.

Dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të shtetit.

Tani Emigrant: Rama në FB sot në mëngjes ka nxjerrë pamje nga Dardha. Ky ose është arratisur në Dardhë, ose po do me thënë se Balluku i ka ngrënë dardha pas shpine.

Sali Berisha: Historia e Dardhës dhe Edi Ramës është shumë e veçantë.

Edi Rama ka pasur shtëpi në Dardhë dhe pastaj bëri sikur e ka shitur.

Pra, del se përveç Surrelit, ka edhe rezidencë në Dardhë.

Simbolikat e Dardhës me Edi Ramën janë të panumërta.

Dhe unë mund t’u them ju, mund të lexoni po të keni kohë, disa ese të mia me vizitat që bënte së bashku me Ben Blushin ai në Dardhë.

Por mos shko gjer atje, mos u lodh se i ke rënë pikës.

Mesazhi është ky, por Lubia i thotë se dardhat i ke ngrënë vetë ti.

Kështu që të shkojë në Dardhë ose në Hënë, nuk i shpëton dot.

Berisha: Shqipëria ka nevojë për një transformim më të thellë se në 1991. Qytetarët vuajnë nga një administratë e degraduar

Sokol Mrishaj: Kur të vini përsëri në pushtet a do të jetë e mundur që të nxirrni nga politika të familjet e bllokmenëve të komunizmit të paktën për 5 breza.

Sali Berisha: Sot degradimi i këtij shteti tejkalon çdo imagjinatë. Meqenëse unë kam patur fatin të jetoj dy diktatura. Normal që bëj krahasimet në mënyrë të vazhdueshme.

Nëqoftëse marrim drejtorët e ndërmarrjeve të diktaturës komuniste, drejtorët e ministrive, drejtorët e agjencive. Nuk ndjek keqardhje më të madhe, por jam i detyruar për hir të vërtetës të them, se ata ishin pakrahasimisht më korrektë se drejtorët e Edi Ramës.

Unë me dhimbje e kam thënë, por dua të them të gjithnjë të vërtetën. Të vërtetën do e them.

Anëtarët e byrosë politike ishin xhelatë. Po. Ata pushtetin e kishin mbi burgosjen, vrasjen, ekzekutimet. Por ama korrupsioni i tyre, si korrupsion, si plaçkitje ndaj qytetarëve për interesa të tyre, për 46 vite të marra së bashku u garantoj se nuk bëhen as gjysma e ‘5D’, drejtorëve të Tiranës. Jo nuk bëhet, nuk mund të imagjinohet.

Merrni vetëm hotelin 20 katësh, që sot janë të lirë drejtorët. I liruan nga burgu, drejtorët që kishin praktikuar skemën më të turpshme të vjedhjes së qytetavëre. Paraqiteshin në tendera që i organizonin vetë dhe i merrnin vetë.

Pra sot armiqtë më të egër të qenies shqiptare, janë ata që vjedhin pasuritë e tyre, plaçkishin fondet e tyre.

E kam thënë dhe e them. Sot Shqipëria ka nevojë për një transformim edhe shumë më të thellë se në 1991. Po, ua them unë. Në 1991 me një dekret kam përjashtuar nga detyra 4300 punonjës të Sigurimit të shtetit. Kaq ishin.

Në 1991 ishte një organigramë e shtetit e cila i merrte shpirtin qytetarëve në kuptimin e peshës ekonomike. Dhe të gjitha ato u bënë reforma.

Mund të ju kujtoj ju vetëm ushtrinë. Ushtria kishte të regjistruar 380 mijë, por kur vinte puna në një divizion kishte 1100 oficerë dhe 800 ushtarë. Pra u bënë reforma shumë të thella.

Por sot është një situatë në të cilën kërkohen reformat më të thella se kurrë. Një administratë më të degraduar se kjo nuk ka patur.

Po lexoja një shkrim. Shkruante dikush se, një drejtoreshë që e ndiqte Lubinë e arsimit, që ka qenë në Turizëm, Kulturë, Kumbaron. Ku shkonte Kumbaro, shkonte kjo. Shkonte kjo se e kishte instrument për të vjedhur.

Ky është një socialist, të themi të vërtetën, por ruan një farë lloj përgjegjësie ndaj interesit publik. Nuk mund të them që nuk e ruan. Dhe ky shkruante se, ku do që shkove ti vetëm nam le. Mirëpo se mos është vetëm ajo. Këta të gjithë kudo që shkojnë, marrin çetën e hajdutëve me vete.

Edi Rama, Lubia, Lubis bis, Ogerta. Të gjitha këto erdhën nga bashkia, të denatyruara si njerëz, sepse nga mëngjesi deri në darkë vidhnin për Edi Ramën.

Pra transformimet duhen shumë të thella dhe duhet ti themi gjërat. Më mirë ti shpalim, sepse sot ju vuani tmerrësisht nga mafia që ka zhvlerësuar euron, ka shkatërruar tregun dhe ekonominë.

Vuani tmerrësisht nga vjedhja që i bëhet pasurisë publike dhe parave. Vuani tmerrësisht nga mashtrimi propagandistik çdo ditë.

Por vuani tmerrësisht nga një administratë dhe një shtet që kurrë nuk e ka patur ky vend, kaq të degraduar në rrafshin ligjor dhe rrafshin moral.

Ndaj dhe duhet një transformim i thellë.

Inxhinier agronom Sergi Çama: Zoti Berisha, në një kontekst ku arsimi perceptohet si i politizuar, si mund të ndërtohet një sistem arsimor i pavarur që formon kapital njerëzor konkurrues dhe u jep të rinjve besim për ta ndërtuar të ardhmen në këtë vend?

Sali Berisha: Pyetje themelore, për aq sa arsimi është njëri nga dy-tre misionet më themelore të një kombi.

Zhan Zhak Ruso shkruante se arsimi, edukimi duhet të jetë çështja më kryesore e një kombi.

Çështje e vështirë, të jemi realistë, nuk është çështje e lehtë, por është absolutisht i reformueshëm dhe i arritshëm.

Me këtë bindje, çfarë bëmë?

Kur ne i referohemi historikut tonë, ne nuk e bëjmë këtë për të rrahur gjoksin, por ne e bëjmë këtë si dëshmi e asaj se çfarë do bëjmë ne në të ardhmen.

E gjetëm arsimin të shkatërruar në vitin 2005.

I gjetëm mësuesit të larguar masivisht nga arsimi sepse rrogat e tyre mizerabël nuk u mundësonin të jetonin dhe vraponin të gjenin çdo profesion tjetër.

Çfarë bëmë?

Shpallëm dhe e mbajtëm. Rritëm rrogat e arsimtarëve 120 përqind. E filluam nga arsimtari dhe dolëm me moton arsimtari një piedestal.

Ndërpremë hemorragjinë e mësuesve nga arsimi. Nuk na iknin më, madje kërkonin të ktheheshin.

Së dyti, a e keni dëgjuar që janë mbyllur fakultetet e mësuesisë, nuk shkon kush më? Tmerr kjo. Gjashtë studentë janë.

Në atë kohë jo që nuk u mbyllën, por përkundrazi funksionuan fuqishëm plot me kërkesa sepse profesioni i arsimtarit nuk ishte profesion që përçmohej.

Ishte një profesion që paguhej. Rrogat e arsimtarëve renditeshin në një të tretën e sipërme të rrogave të piramidës shtetërore.

Dhe ne u bëmë një nga vendet me një pozicion shumë të mirë për rrogat e arsimtarëve.

Dhe çfarë sillte kjo? Çdo rritje rrogash që bëhej, mësuesit shkonin lart e më lart.

Çfarë bëmë tjetër?

Interneti në Shqipëri ishte 4.8 përqind. I turpshëm. Ne e kapëm së pari shkollën. Ne e nisëm nga shkolla.

Në 2200 krijuam laboratorët e informatikës dhe i pajisëm ato me 26 mijë kompjutera. 800 kishte gjithsej kur erdhëm ne.

Me satelit blinim internetin për shkolla, që kushtonte mjaft.

Vendosëm maturën shtetërore dixhitale.

Hoqëm mesataren si kriter për hyrjen në universitete.

Rritëm numrin e studentëve nga 12 për 1 mijë që ishte më i ulëti që mund të bëhej, e rritëm në 52 për 1 mijë deri në vitin 2013.

Cili qe rezultati?

Ishim shumë poshtë, por prapë në PISA-n e vitit 2012, që përfshinte 8 vitet tona dhe një vit të qeverisjes së mëparshme, ne patëm ngjitje vertikale. Nga ngjitjet më vertikale në botë.

Po t’i jap këto argumente për të dhënë se në qoftë se e përparëson arsimin me seriozitetin më të madh, arsimi është një nga sektorët që ndryshon në mënyrë të padiskutueshme.

Çfarë ndodhi me këta?

Ajo rritje vertikale, që ishte një gjë e jashtëzakonshme, ajo u kthye në rënien më vertikale në të gjithë historinë e OECD.

Në matematikë Shqipëria zbriti 69 pikë në vitin 2022.

Ne ramë në pikiatë.

Ky është arsimi.

Ndaj dhe ne i rikthehemi, ne nuk heqim dorë.

Besoj plotësisht në atë që Ruso ka thënë, është procesi më serioz i një kombi.

****

Unë ju falënderoj shumë për pyetjet.

Shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve sepse konstatoj se në këtë situatë kritike që po kalon vendi, ndjeshmëria, zemërimi dhe përgjegjësia juaj po bëhen gjithnjë e më e madhe, gjithnjë e më të vendosur për ti dalë zot këtij vendi, për të përmbushur këtë mision, mision që do të shpëtojë kombin shqiptar nga kjo organizatë kriminale.

Historia është e pamëshirë. Edi Rama largoi nga Shqipëria nga viti 2014-2023, 1 milionë e 99 mijë qytetarë vetëm në hapësirën e Shengenit. Po të llogarisësh dhe të tjerë, shkon në 45% të popullatës.

Vitin e kaluar nga Shqipëria u larguan 420% më shumë të rinj se nga Serbia dhe vende të tjera.

Ndaj dhe 10 shkurti është dita e guximit tuaj. Është dita e dinjitetit tuaj. Dita e shpresës dhe besimit tuaj tek vetja, familja dhe e ardhmja.

Të gjithë bashkohemi, të betuar me 10 shkurt se do të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore deri në rrëzimin e kësaj organizate kriminale.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale