Berisha: Kryengritja paqësore rinore qytetare po gjen mbështetje të madhe ndërkombëtare. PD do dorëzojë së shpejti padi për ‘Librin e Kuq’ të Edi Ramës. Rama kreu krim kushtetues duke i dhënë para nga fondi i emergjencave koncertit të Kanye West

BASHKËBISEDIMI ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë bashkëbisedimit të sotëm online me qytetarët se opozita do të dorëzojë së shpejti në Prokurori një kallëzim penal mbi atë që e cilësoi si ‘Librin e Kuq të Edi Ramës’, (The Albanian Files) një dosje që përmbledh qindra shkelje dhe vepra penale të kreut të qeverisë.

Në hapje të bashkëbisedimit, Berisha u ndal te protesta qytetare, që sipas tij, ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare. ‘Kryengritja paqësore rinore qytetare po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian dhe tek qytetarët e vendeve të lira. Ndërkohë, Edi Rama po damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin Kushtetuta dhe ligjet janë letër e vdekur’, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, kryedemokrati foli edhe për përdorimin e fondit rezervë të qeverisë për koncertin e reperit amerikan Kanye West. Ai e cilësoi vendimin si një shkelje të rëndë të Kushtetutës. ‘Në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo fondit rezervë të Këshillit të Ministrave. Ky është një krim antikushtetues’, deklaroi ai. berisha e krahasoi këtë rast me financimin e garës Giro d’Italia, që u përdor për interesa elektorale nga Edi Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, interesi i këtyre të fundit u përqendruan kryesisht te drejtësia dhe funksionimi i SPAK-ut. I pyetur për kallëzimet ndaj qeverisë, Berisha tha se opozita ka depozituar dhjetëra dosje. ‘Nuk ka një akt dhe nuk ka një skandal që ne të mos e kemi denoncuar. Janë me dhjetëra denoncime, por kjo është një drejtësi e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama’, u përgjigj ai. Një tjetër qytetar kishte interes që të informohej se çfarë po ndodhte me hetimet ndaj Belinda Ballukut. ‘SPAK-u është nga alfa tek omega i kontrolluar nga Edi Rama. Dosjet për qeveritarët janë me dhjetëra dhe qindra, por po shkohet drejt zvogëlimit të akuzave dhe bllokimit të hetimeve’, tha Berisha.

Një tjetër temë e diskutuar ishte zhvlerësimi i euros dhe ndikimi i tij në ekonomi. Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se, kursi i këmbimit është deformuar nga hyrja e parave të krimit. ‘Kjo dramë me euron ka si shkak kryesor narko-eurot që futen në Shqipëri. Kushti i të gjitha kushteve është ndërprerja e flukseve ilegale të parave dhe kontrolli rigoroz i çdo investimi’, deklaroi ai. Sipas tij, zhvlerësimi i euros ka goditur eksportet, turizmin dhe kursimet e emigrantëve.

Në përgjigje të pyetjes së një qytetareje, mbi pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, kryedemokrati Sali Berisha tha se vlera e kullave në vend arrin në miliarda euro. ‘Kur mendon se këto kulla kanë arritur 7 deri në 8 miliardë euro dhe vetëm 20 për qind e tyre kalojnë përmes sistemit bankar, kupton se sekuestrimet e SPAK-ut janë vetëm thërrime’, u shpreh ai.

Berisha përmendi me emra dhe hotelin e xhamit që po ndërtohet nga ‘Kompania 5D’, drejtuesit e së cilës janë arrestuar dhe hotelin e Elvis Doçit, i njohur me pseudonimin Visi i Pojës, që edhe pse është i shpallur në kërkim nga SPAK, në fakt, sipas kreut të PD, vazhdon jetën i qetë në Durrës duke ushtruar dhe aktivitetin e tij kriminal.

I pyetur nëse Partia Demokratike do të organizojë protesta të reja, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se, opozita ka vendosur të mbështesë protestën qytetare ekzistuese. ‘Ne nuk donim të bënim karshillëk me një protestë që nuk ishte thirrur nga Partia Demokratike. Kjo protestë ka formuluar pesë kërkesa që janë 100 për qind edhe kërkesat tona’, deklaroi ai.

Sipas tij, PD do të vazhdojë mbështetjen politike dhe ndërkombëtare për lëvizjen protestuese, duke theksuar se ajo përbën ‘lëvizjen rinore dhe qytetare më të rëndësishme të 35 viteve të fundit’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestat e përditshme të organizuara në Tiranë, duke deklaruar se ‘çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e protestës rinore qytetare’, të cilën ai e cilësoi si rrugën për krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

FJALA E PLOTE:

Këtë javë përsëri Shqipëria ishte në krye të lajmeve në Evropë dhe në botë.

Kryengritja e fuqishme paqësore rinore qytetare, që kaloi 41 ditë me pjesëmarrjen më të madhe që nga vitet ’90 në historinë e vendit, ka fituar mbështetje dhe simpati të madhe ndërkombëtare.

Në këtë kuadër mund të them se kjo kryengritje po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian, por edhe qytetarët e vendeve të lira të Evropës.

Nga ana tjetër, Edi Rama damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë një letër e vdekur.

Libri i Kuq i Edi Ramës është 750 faqe aktakuzë për 523 vepra kriminale.

Është de facto trajtimi i Shqipërisë nga Edi Rama si çiflig familjar dhe dorëzim i këtij çifligu në duart e mafies shqiptare dhe botërore.

Kurrë ndonjëherë, një qeveritar nuk do mund të guxonte as të imagjinonte të vepronte në këtë mënyrë përveç këtij bastardi, që me mendësinë e bllokmenëve hoxhistë të cilëve u përket, beson dhe mendon se ai në Shqipëri është mbi Kushtetutën, mbi ligjet, mbi urbanistikën, mbi pronën, mbi mjedisin dhe ka synim më kryesor miliardat e tij.

Natyrisht ky është një aktakuzë që atë do ta ndjekë gjithë jetën dhe përfaqësuesit e protestës e kanë dorëzuar në prokurori akuzën e tyre, grupi parlamentar i PD do ta dorëzojë së shpejti po në prokurori një aktakuzë mbi të gjitha veprat penale të kësaj dosje.

Të dashur miq, në Shqipëri skandali dhe superskandali zënë njëri-tjetrin.

Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe ky fond që i është besuar atij për ta përdorur për emergjence, urgjenca dhe raste tepër të veçantë, këtë fond Edi Rama e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij.

Ky është një krim antikushtetues.

Në asnjë rrethanë dhe asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave.

Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë.

Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar.

Ka vetëm interesa personale.

Me një grusht servilësh të inkriminuar ministra, të cilët nuk duhet të pranonin kurrë të bëheshin bashkëautorë në këtë krim, por të dashur qytetarë u rikujtoj se ky, po në një akt totalisht antikushtetues, antiligjor, në një krim të shëmtuar pagoi në maj të vitit 2025, 7 milionë euro organizatës private Giro D’Italia, për të zhvilluar garën në Shqipëri në mënyrë që të ndihmojë në zgjedhje Edi Ramën.

Me këtë dua të them se përsëri se ky është një padrino, një Ramaduro që nuk njeh ligj as Kushtetutë të këtij vendi përveç kontove bankare dhe interesave të tij.

Së fundi dua të them edhe dy fjalë.

Samiti i Ankarasë i NATO-s, në vlerësimin tim, është një nga samitet më të suksesshme në historinë e aleancës.

Dhe ishte një samit vërtet historik për arritjet transformuese për aleancën e Atlantikut të Veriut.

I vetmi vend që u përfaqësua aty në mënyrën më qesharake, më të padenjë, ishte Shqipëria sepse padrinoja i Shqipërisë, me ekzibicionizmin e tij të papërmbajtur, mendoi se në samitin më serioz të planetit mund të shkohet me atletet e basketbollistit.

Nuk kam asgjë për atletet, por ato janë për evente sportive, kurse në atë samit vetëm ai që nuk ka mend, vetëm ai që është torollak, vetëm ai që është i sëmurë dhe nuk kontrollon ekzibicionizmin e tij mund të bëjë këtë akt.

Ai personalisht mori atë që meritonte, e damkosën si shakaxhi, si hokatar dhe servil mediat më të mëdha të botës.

Por Shqipërinë, nuk mund të them se nuk i mbeti turpi nga përfaqësimi nga një individ si ky, i cili sikundër fyen Kushtetutën e vendit të tij, shkel rregullat e hekurta të protokolleve ndërkombëtare, duke harruar se ato janë rregulla për të demonstruar respektin, për të demonstruar seriozitetin për ata që ti përfaqëson dhe ndaj atyre që ti takon.

Ato nuk janë vullnetarizma. Ato janë shekullore.

Por kur hyn ai që nuk meriton, nuk po e prish gojën, aty ku nuk duhet pastaj priten gjëra të tilla.

Sidoqoftë e rëndësishme është protesta, revolta paqësore e fuqishme e qytetarëve që qëndron e pamposhtur dhe e jashtëzakonshme.

Sot, ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në një protestë të fuqishme, tërësisht ndaj akteve të

përsëritura të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Por e vërteta është se pagesa 4 milionë për Kanye West është një fyerje, është një injorim i tmerrshëm për shqiptarët dhe ata qindra mijëra qytetarë që janë në protestë kundër tij.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARËT:

Alban Imeri: Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një kabllogram për ambasadat amerikane ku kërkon informacione për organizatat e majta ekstreme. Gjithashtu janë bërë ftesa për 60 zyrtarë të lartë për një takim në SHBA në lidhje me këtë rrymë të majtë ekstreme. Si e komentoni ju?

Sali Berisha: Unë jam i bindur, dhe kam qenë i bindur, se ekstremizmi i majtë është një nga rreziqet më madhore të kohës. E kam theksuar edhe radhën e fundit ose të parafundit, kam treguar rastin se gjatë kohës në diktaturë komuniste, Enver Hoxha u nda nga të gjitha vendet ish-komuniste se i quajti ato revizioniste.

Dhe këtu në Shqipëri na vinin njëri pas tjetrit delegacione të ekstremizmit të majtë, partive marksiste-leniniste. Këto vinin dhe mbanin fjalime, më kujtohet sesi na thoshin se lirinë që keni ju, nuk e ka kush në botë, se meksikanët apo amerikanët apo belgët apo francezët duhet të frymëzohen nga ju.

Po këto ishin një numër i kufizuar partisë marksiste-leniniste që kishin epiqendër Pekinin dhe pastaj Tiranën. Në fakt disa prej tyre kishin dhe lëvizje të armatosura guerile.

Mirëpo pas rënies së Perdes së Hekurt, me financimet e George Soros në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në dhjetëra e dhjetëra vende të botës, u krijuan me qindra mijëra organizata të ashtuquajtura të shoqërisë civile, që të gjitha ekstrem i majtë.

Dhe ato si në Shqipëri dhe kudo që janë, përbëjnë një rrezik dhe kërcënim serioz për demokracinë, paqen në këto vende. Këto organizata në çdo kohë janë të gatshme për motive ideologjike të ndërmarrin aksione dhe veprime antikushtetuese, antiligjore. Këto organizata kontrollojnë median në shumicë, censurojnë, përdorin censurën. Përdorin llogari të rreme, përdorin hienat. Po lexoja para tre ditësh një analizë të një gazete, e cila në tërësi nuk është dashamirëse ndaj Partisë Demokratike, por tregonte sesi kampionë të hienave anonime kundër Sali Berishës ishin shërbëtorët e Edi Ramës, Mjero dhe Bolino, me emra të ndryshëm e të tjerë e të tjerë.

Pra në tërësi ekstremizmi i majtë përbën një rrezik serioz për shoqëritë e lira dhe vlerat e demokracisë.

Besnik Rama: Doktor Berisha, vazhdoni ngrini zërin për hallet e njerëzve, bëni kallëzim në SPAK ndaj skandaleve të kësaj qeverie.

Sali Berisha: I dashur Besnik, faleminderit për pyetjen, por të garantoj që janë me dhjetëra e dhjetëra denoncime. Jo një, me dhjetëra Besnik.

Për hir të së vërtetës edhe Ballukun e kemi denoncuar, ndonëse ata pretendojnë që e kanë filluar vetë kryesisht, dhe nuk e përjashtoj këtë mundësi, sepse ne nuk kemi ditur që e kanë filluar, ne kemi bërë detyrën tonë dhe e kemi denoncuar.

Nuk ka një akt, nuk ka një skandal që ne të mos e kemi denoncuar.

Janë me dhjetëra, por ato nuk preken, ato janë turshi. Kjo është një drejtësi e kontrolluar Besnik, e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama.

Kjo drejtësi funksionon sipas urdhrave të tij, të shtypë pluralizmin, dhe të mbrojë për fatin më të keq, zinxhirin e pafund të vjedhjeve dhe skandaleve të Edi Ramës.

Të jap një shembull Besnik. Është bërë famoze në botë, dosja e Arubës, besoj se e ke dëgjuar, ku përfaqësues të qeverisë në atë ishull të Karaibeve u takuan me përfaqësuesit e karteleve të drogës dhe kishin marrë me vete biznesmenë shqiptarë ku do të arrihej marrëveshja për ndërtimin e gataçieleve.

Tani çfarë ndodh? Pasi dosjen Aruba, Spanja dhe Belgjika e sollën në Shqipëri, prokuroria e partisë ka publikuar emrat e biznesmenëve dhe emrat e trafikantëve të takuar në Aruba, por nuk ka publikuar emrat e qeveritarëve që ishin aty. Që në fund të fundit, ata përfaqësojnë më të zezën e asaj dosje.

Pse? Se ata janë dëshmi flagrante e narkoshtetit, e shtetit që bashkëpunon me kartelet e drogës dhe që lanë paratë e tyre. Ata prokuroria i mban sekret.

Ndër të tjera, kemi dërguar mbi 43 dosje krimi elektoral, vetëm dy janë shqyrtuar. P

se për prokurorinë politike nuk është krim, të paguash 7 milionë euro organizatës private Giro D’Italia ditën e votimit dhe një ditë para votimit?

Besnik, po të jap vetëm një shembull këtu. Ka ndodhur në vitin, në mos gaboj viti 2011 apo 2012, një shqiptare, një e re, Elhaida Dani fiton Voice of Italia. Ishte një arritje shumë prestigjioze për një shqiptare.

Ministri i Kulturës i asaj kohe, asaj dhe maestros së saj Koçante, i dërgon një ftesë, ku do i jepte një dekoratë Presidenti i Republikës të dyve, për nderin që i bënë me sukseset e tyre Shqipërisë.

Ministri i Kulturës i kërkon një biznesmeni t’i sponsorizojë biletat dhe qëndrimin në Tiranë, 4600 euro. 4600 euro. Ky është biznesmeni Fatmir Bektashi.

Fatmir Bektashi e sponsorizon këtë. Dhe meqenëse Sali Berisha u jep një drekë apo një darkë të dyve për t’i nderuar, Fatmir Bektashi dhe Sali Berisha janë akuzuar për korrupsion pasiv, për çka, se unë si kam kërkuar kurrë Fatmir Bektashit të japë 100 darkë për njeri.

Kurse Edi Rama, në shkelje flagrante të nenit 101, 102 të Kushtetutës së Shqipërisë, jep 7 milionë euro Giro D’Italia, organizatës private që të vijnë dhe të bëjnë reklamë për Edi Ramën ditën e votimit dhe një ditë para votimit.

Dhe jep 4.3 milionë euro biletat e munguara këngëtarit Kanye West.

Të gjitha në kundërshtim me Kushtetutën. Por për prokurorinë politike, këto janë normale se ai është lideri i tyre dhe ata i përkasin asaj partie.

Fatmir Myrto: SPAK-u akuzoi Belinda Ballukun për korrupsion, por edhe pse Edi Rama e bllokoi për arrestimin e saj herën e kaluar, SPAK me akuzë për korrupsion nuk kërkon sërish heqje imuniteti. A po vijon SPAK të jetë i ndikuar nga Edi Rama?

Sali Berisha: Totalisht. I kontrolluar nga Edi Rama.

Është nga alfa tek omega o i dashur mik, i kontrolluar nga Edi Rama.

Dosjet aty për qeveritarët janë me dhjetëra dhe qindra. Dosje sa të Ballukut janë dosja e Olta Xhaçkës, të Olsi Ramës, të Pirro Vengut, e të dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra hajdutëve të tjerë. Por siç keni parë ju, po shkohet drejt zvogëlimit të akuzave ndaj atyre që janë të arrestuar, dhe bllokimit të akuzave ndaj të tjerëve.

Po provohet ajo që ne kemi thënë me kohë, se SKAP-i është një seksion apo një organizatë, një seksion juridik i Partisë Socialiste apo organizatë e saj. Kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta.

Shyqyri Myrtollari: Doktor, përshëndetje! Euro po prek nivele gjithnjë e më të ulëta dhe kursimet e shqiptarëve, veçanërisht ato të emigrantëve po zhvlerësohen si kripa në ujë. Çfarë duhet bërë menjëherë për ta përmirësuar situatën? Cilat masa konkrete ekonomike, fiskale dhe monetare do të ndërmarrë Partia Demokratike kur të vijë në pushtet për të mbrojtur kursimet, për të mbështetur eksportet dhe për të ringritur ekonominë?

Sali Berisha: I dashur Shyqyri, të falënderoj për pyetjen.

Kjo dramë e tmerrshme që ndodh në Shqipëri me euron, ka si shkak kryesor narko-eurot që futen në Shqipëri me gjemi, me kontejnerë.

Ju e dini që unë denoncova para tre javësh shkarkimin e tre kontejnerëve plot me euro, me vinç, ngarkesa shumë të mëdha dhe që shkuan në destinacionin e tyre pa u hyrë ferra në këmbë.

Këto narko-euro kanë hedhur për tokë euron e tregut, normal.

Dhe aq e vërtetë është kjo, saqë vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë, duke tentuar për një mbrojtje, ka blerë 1 miliard euro. Imagjinoni sa lekë janë hedhur në treg për të blerë 1 miliard euro, dhe euro jo vetëm që nuk është vlerësuar, por ka vazhduar zhvlerësimin dhe sot shkëmbehet me pavlerë se asnjëherë me 93, 94 lekë.

Kushti i të gjitha kushteve është vetëm një: ndërprerja e të gjitha flukseve ilegale të parave në Shqipëri duke kontrolluar me rigorozitet çdo investim.

Të garantoj se që në atë moment paratë do të myken, se i kanë futur nën dhe, i kanë futur nën tokë, kjo është e vërteta, por do u kalben dhe myken aty dhe në treg nuk do të dalin dot.

Por kjo është politike Shyqyri. Kjo është politikë që ndjek qeveria.

Prandaj dhe dërgoi ministrat dhe përfaqësuesit në Aruba. Sillni miliardat të ndërtoni, të shkatërroni me to qindra mijëra vende pune, sepse eksportet falimentojnë.

Në qoftë se euro gjatë 10 viteve është zhvlerësuar me 32%, janë shumë, shumë të pakta ato eksporte që mund të operojnë se nuk e kanë fitimin kaq.

Pra është shndërruar në një piramidë ndërtimi, ku krahas ndërtimeve rriten çmimet, jo vetëm të ndërtimit, por të gjitha çmimet e tjera.

Dhe, në raport me të ardhurat e qytetarëve, Tirana, është qyteti i dytë më i kushtueshëm në Europë.

Ky është rezultati i politikës narko-politike e Edi Ramës.      

Dejona Ruka: Përshëndetje Doktor! ‘Albanian Files’ tregon jo vetëm delirin e madhështisë së Edi Ramës, por edhe rolin e arkitektëve dhe studiove të huaja në projektet e tij. A mendoni se përmes këtyre projekteve dhe kontratave Rama ka tentuar të blejë ndikim, mbështetje dhe lidhje ndërkombëtare?

Sali Berisha: Fund e krye vetëm ajo. Është një nga qëllimet e atyre projekteve. Natyrisht, duhet ta kemi të qartë, në çdo projekt Edi Rama ka përqindjen e tij shumë të lartë.

Në çdo projekt.

Por krahas kësaj, siç e shihni ju, ai nëpërmjet atyre studiove ka blerë influencë kolosale politike.

Ndaj edhe ne po kërkojmë- ne kemi respekt për çdo arkitekt, urbanist, studio e të tjerë- por në këtë rast ne do kërkojmë hetim ndërkombëtar për transaksionet e këtyre studiove me projektet e Librit të Kuq.

Ato transaksione arrijnë në 1.5, 2 miliardë euro.

Si janë paguar? Me cilat banka, me cilat strajca, me cilat fasha?

Fatmir Topi: Doktor, si do t’ia bëjmë me goditjet e Policisë së Shtetit për çështje yjesh, se goditjet ndaj krimit të organizuar e mbyllën me sukses. Dhe një pyetje: Sa yje i jep qeverisë së Ramës ti Doktor? Se u pa puna, këto skandale në vendin tonë janë bërë aq të shpeshta sa po kthehen në meme dhe humor.

Sali Berisha: Tani, së pari njëherë mendoj se Policia e Shtetit duhet të dekriminalizohet. Piramida e Policisë së Shtetit është tmerrësisht e kriminalizuar.

Drejtuesit e saj kryesorë janë lejtnantë të karteleve më të rrezikshme të drogës, të Troplinëve dhe të Çelajve, e të tjerë. Kështu që hapi i parë dhe mbi të gjithë do të jetë dekriminalizimi i Policisë së Shtetit.

Pastaj unë kam besim të plotë në vullnetin, dëshirën, trimërinë, guximin, profesionalizmin e dhjetëra dhe qindra e qindra punonjësve të policisë të gatshëm për të zbatuar ligjet e këtij vendi.

Ludovik Tetaj: Përshëndetje Doktor Berisha. Ku ka arritur vjedhja apo përdorimi i taksave tona sa t’i kalojë ky pervers 4 milionë euro një nazisti për një koncert privat, më mirë një gjenerator për pediatrinë që nuk kishin dritë atë ditë. Dhe një herë përshëndetje Doktor.

Sali Berisha: Faleminderit. Kjo është një dëshmi flagrante se si Edi Rama taksat e qytetarëve i konsideron si para të portofolit apo të llogarive të tij.

Por Ludovik, dua që të informoj se, siç ka firmosur për t’i paguar 4 milionë bileta Kanye West, Edi Rama ka firmosur për të grabitur në aeroportin e Vlorës, çdo vit, 10 milionë bileta të munguara.

Sipas kontratës që ka firmosur, qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë 10 milionë euro bileta të munguara, të cilat natyrisht do ndahen midis Edi Ramës dhe sojit të tij.

Renato Zanaj: Përshëndetje Doktor. Pse ka mundësi që turizmi në Shqipëri nuk po materializon dot dhe të kthejë në të mirë të vendit këto çmimet e larta? Çfarë mund të bëjë Partia Demokratike për të ndryshuar këtë situatë?

Sali Berisha: Turizmi në Shqipëri mori një goditje shumë të rëndë nga narkoeuro. Turisti që më parë kthente euron me 140 lekë apo 135 lekë, sot e kthen atë me 93 lekë. Pra, për atë Shqipëria nuk është më asnjë vend interesant për ta vizituar. Dhe këtu është një nga shkaqet më kryesore.

Pa diskutim që normalizimi i vlerës së euros është kusht themelor për normalizimin e turizmit.

Së dyti, beteja dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe pushtuesve të bregut nga trafikantë që kanë miliarda të groposura. Edhe ky do të japë një përgjigje shumë të mirë dhe do të normalizojë turizmin në Shqipëri.

Ju keni shumë të drejtë. Edi Rama mashtron, fillon: ‘Janë 12 milionë, janë kaq, janë aq’. Po të them një statistikë unë ju. Turistët në Shqipëri, ata që numëron Edi Rama, kanë gjithsej 0.6 netë fjetje, nuk kanë një natë fjetje!

Kanë gjysmë nate fjetje në Shqipëri. Në një kohë kur 2 milionë turistë në Mal të Zi, kanë 8 milionë netë fjetje.

Në një kohë kur 20 milionë turistë në Kroaci, regjistrojnë 110 milionë netë fjetje.

Dy pyetje për reformën territoriale. Përse bashkitë kanë ende nevojë për 1.5 miliardë euro nga qeveria qendrore për të kryer funksionet e tyre bazë? Dhe e dyta, nëse decentralizimi ishte qëllimi i reformës territoriale, pse çdo zgjidhje kalon përsëri nga kryeministri, ministritë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e jo nga vetë bashkitë?

Sali Berisha: 1.5 miliardë euro janë fondi që Edi Rama ka përcaktuar për zgjedhjet lokale. Është fond elektoral që do ta ndajë dhe ta vjedhë së bashku me bashkiakët e vet. Është një akt i shëmtuar në prag të fushatës elektorale.

Geraldi: Përshëndetje Doktor. Çfarë do të bëhet me Partinë Demokratike? Do të dalë në protestë sikur ka dalë më parë apo do ta lëmë këtë që të dalë të ketë vetëm fjalime, kërcënime në bulevard e asgjë tjetër.

Sali Berisha: Tani, Gerald, ju keni të drejtë. Partia Demokratike ishte në protesta periodike, ciklike.

Domethënë, ne, me datën 8 qershor do të thërrisnim protestën e radhës.

Por ndodhi kjo protestë rinore qytetare dhe ne nuk donim të bënim karshillëk. Kjo ishte protestë jo e thirrur nga ne. Por kjo protestë, siç e keni konstatuar dhe ju, në formulimin e kërkesave, formuloi që në fillim pesë kërkesa kryesore, të cilat janë 100% kërkesat tona.

Ne kemi kërkuar me protesta dhe në të gjitha format largimin e Edi Ramës dhe qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet.

Kemi kundërshtuar me forcën më të madhe të gjitha ligjet që cenojnë trashëgiminë kulturore dhe i kemi çuar në Gjykatë Kushtetuese.

Kemi kundërshtuar me forcën më të madhe të gjitha ligjet që dëmtojnë mjedisin dhe i kemi çuar në Gjykatë Kushtetuese.

Kemi kundërshtuar disa herë ligjin e korporatës së investimeve dhe ligje të tjera të klientelës të Edi Ramës.

Ndaj dhe ne mbështesim fuqishëm protestën.

Pavarësisht, ju keni dëgjuar në protestë, hidhen slogane kundra nesh. Këto janë slogane të opozitës së opozitës, e cila është një vegël e verbër e qeverisë, dhe ju garantoj që nuk bën gjë tjetër veçse përpiqet në çdo rast të ndihmojë Edi Ramën.

Sepse, të krahasosh të pakrahasueshmet, ti punon kundër vetes tënde.

Po marrim vetëm disa nga momentet.

Sali Berisha, thonë, ka qenë në pushtet 30 vite. Kam qenë në pushtet 13 vite. Kam qenë opozitë dhe jashtë politikës të gjithë kohën tjetër. Por prit, gjatë këtyre viteve është votuar si kryetar partie për të paktën minimumi pesë ose gjashtë herë. Gjatë këtyre viteve, deri në vitin 2013 kur është larguar nga pushteti, kanë ndodhur katër rotacione politike. Nuk po merrem me të tjerat.

Banoj në një apartament 40 metra më të madh sesa ai që kam pasur në diktaturë. U bënë dy vetinge, më të fuqishmet që i janë bërë ndonjë njeriu. Njëri nga armiqtë e mi më të egër, Dumani i Edi Ramës dhe tjetri veting ndërkombëtar për shkaqe të njohura tani. Që të dyja, nxorën se Sali Berisha kishte gjithsej apartamentin e tij dhe 100 mijë euro kursime të punës 54-vjeçare bashkë me bashkëshorten e tij dhe se fëmijët e tij nuk kishin shkelur ndonjëherë ligjin.

Pra, ata që bëjnë këto krahasime, krahasojnë të pakrahasueshmet dhe i shërbejnë vetëm qeverisë.

Ndaj dhe ne vendosëm, që pavarësisht nga këto, anëtarët dhe mbështetësit tanë të marrin pjesë masivisht në protestë.

Ndaj dhe ne, pavarësisht nga këto, ne nuk polemizojmë, ne i dimë se kush janë. I dimë dhe mënyrën se si organizohen, s’ka rëndësi fare, ne nuk polemizojmë me ta sepse nuk duam të shpërqendrojmë vëmendjen nga kjo protestë madhështore.

Dhe pavarësisht nga kjo, ne kemi bërë avokatinë ndërkombëtare më të fuqishme që mund t’i ketë bërë njeri dhe janë miratuar rezoluta nga Partia Popullore Europiane, që është partia më e fuqishme politike që qeveris Europën, në mbështetje të protestës dhe do ta bëjmë këtë sepse e konsiderojmë atë lëvizjen rinore, qytetare më madhështore, më të fuqishme, më të rëndësishme të 35 viteve pas asaj që përmbysi diktaturën komuniste.

Kjo lëvizje po përballet, po përballet me më të keqen e diktaturave, diktaturën e banditëve, diktaturën e padrinos. Ndaj edhe çdo shqiptar duhet ta mbështesë pa asnjë rezervë.

Bulent Tupi: Përshëndetje Doktor. Nëse Rilindja Urbane ishte ‘sukses historik’, pse pas 13 vitesh duhet një rilindje 2.0 për të zgjidhur të njëjtat probleme?

Sali Berisha: Me Rilindja Urbane u vodhën 3.2 miliardë euro. 61 sheshe, se e kisha thënë një shifër të gabuar më parë, 61 sheshe të qytezave dhe qyteteve të Shqipërisë kanë kushtuar 3.2 miliardë euro, në një kohë që në mënyrë absolute, në të gjitha variantet ato nuk mund të shkojnë kurrë më shumë se 450 milionë euro, maksimumi. Pllaka guri të nxjerra në Berat apo të nxjerra aty-këtu dhe të shtruara në qytete. Kjo është gjëja më e paimagjinueshme.

Por tani, oreksi vjen duke ngrënë. Tani duhet të vjedhin për të futur kabllot, e po të garantoj që do jenë dhe 2 miliardë euro të tjera, se kështu e nis me 1.5 dhe e përfundon me 2 miliardë. Ky do të groposë, do të plaçkisë bashkë me bashkiakët e tij dhe këtë dy miliardëshin, 1.5 miliardë janë elektorale se po fillojnë zgjedhjet lokale.

Kemi dy pyetje të ndryshme nga Elio Borni: Doktor, sipas jush kush do të fitojë kampionatin botëror? Mendoj se për Francën keni një pikë të dobët, por këtë herë cilën kombëtare e shihni si favorite?

Sali Berisha: Këto që kanë dalë në çerekfinale janë shumë të forta dhe natyrisht, absolutisht jam me atë që luan më mirë, por po të fitojë Franca, mirë më vjen.

Ndërsa një pyetje rikthehemi tek Partia Demokratike. Kur do të zhvillohen zgjedhjet për nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike nga Këshilli Kombëtar? A ka një afat konkret për përfundimin e strukturimit të drejtimit të partisë?

Sali Berisha: Shumë faleminderit për pyetjen. Po, gjysmën e dytë të javës që vjen, meqenëse mua më duhet të jem në Bruksel në një aktivitet ndërkombëtar ku mblidhet Internacionalja Demokrate e Qendrës, organizata më e madhe e partive politike në botë, në të cilën më duhet të shkoj patjetër, sepse siç e dini unë jam zgjedhur aty zëvendëspresident i saj.

Tonin Ndreu: Përshëndetje Doktor Berisha, besoj se Partia Demokratike do të hapë fushatën shumë shpejt me kryesinë e re. A do të ketë primare për kryetarët e bashkive? A do të ketë primare për deputetët që mund të shpallin kandidaturat për bashkitë?

Sali Berisha: Të gjitha këto do i përcaktojë Këshilli i ardhshëm Kombëtar në mbledhjet e veta, Tonin. Edhe shumë shpejt do fillohet përgatitja për zgjedhjet lokale.

Dritan Haxhia: Përshëndetje Doktor, kur do të na vish në Amerikë?

Sali Berisha: Shumë faleminderit Dritan për pyetjen dhe ftesën. Unë do vij në Amerikë, mendoj në ndonjë rast, shpresoj nga vjeshta, po të ketë ndonjë aktivitet ndërkombëtar ose kombëtar domethënë, do vij me kënaqësi të madhe.

Dajana Haxhiu: Kemi dhe një pyetje të fundit. Zoti Berisha, së fundmi gazetarë të kthyer në agjentë imobiliarë, po stimulojnë pastrimin e parave në ndërtim, bashkë me shoqatën e ndërtuesve dhe një rrjet portalesh. A ka dështuar drejtësia të godasë fenomenin?

Sali Berisha: Kur mendon se janë miliarda, kur mendon se këto kulla kanë arritur të paktën 7 gjer në 8 miliardë të gjitha së bashku, euro, dhe kur mendon se vetëm 20% e tyre dalin nga llogaritë bankare kurse të tjerat nga nëndheu, vetëkuptohet që ato shuma të cilat ka sekuestruar apo ato pasuri që ka sekuestruar SPAK-u, janë thërrime. Janë thërrime.

Unë mund t’ju them ju kaq, po marr Durrësin, po i bie më direkt.

Kompania ‘5D’ ndërton një hotel më të madhin që kam parë unë, më të lartin dhe më të madhin që kam parë unë në Durrës, qelq. Një hotel në qelq i tëri, 20 e sa katësh. Shkon, thonë, tek 70-80 milionë euro ose më shumë.

Asnjë qime floku nuk u lëvizet dhe hoteli vazhdon ndërtohet pavarësisht se Tivari që gjoja e ka të veten se ai thonë është me Olsi Ramën, ai është në burg, u burgos për këtë punë, po ka dalë, ka dalë i liruar.

Një hotel tjetër është tek Shkëmbi i Kavajës. Elvis Doçi me ‘Akorin’. Elvis Doçi është i lirë. Mbretëron në Durrës, bën shantazh njerëzve, kërcënon, po ashtu dhe hoteli vazhdon të ndërtohet. Hoteli Akor. Nuk e prek kush.

Klani Troplini ka në administrim të plotë portin e Durrësit. Burime nga porti thonë se ai paguan Edi Ramës 300 milionë euro në vit për portin që i ka dhënë. Një Troplin tjetër, ku është emëruar?

Që ta dini ju. Është emëruar në Agjencinë e Bregdetit. Po çfarë qenka ky qyqja? Ky ka këtë, ky ka gjobën 10 mijë euro për çdo pronar që duhet të lëshojë licencën për shezllonet për zonën e plazhit, për rërën. Po s’pagove 10 mijë euro nuk merr asgjë.

10 mijë euro dhe me faleminderit, bile se po të jesh demokrat të thotë prit aty, por edhe socialistët, të gjithë i detyrojnë të paguajnë. Imagjinoni ju 400 e sa kilometra breg dhe plazh, të ndara në mijëra, mijëra, mijëra copa nga 10 mijë euro, se sa milionë bëjnë ato.

Pra nuk ka një, janë ato që kontrollojnë shtetin dhe drejtësinë.

***

Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht.

Dhe ftesa ime për çdo qytetar, të bëjmë gjithçka për të shndërruar këtë verë në verën e përmbysjes së diktaturës më të keqe që ka Evropa sot, në verën e përmbysjes së narkoshtetit, krijimit të një qeverie kujdestare për të përgatitur zgjedhjet e lira.

Por kjo kërkon nga çdo qytetar të kontribuojë me të gjitha mundësitë e tij për suksesin e protestës rinore qytetare, të pashembullt në 35 vite të historisë së këtij vendi, e cila po përballet me diktaturën më të keqe, diktaturën e bandës dhe drogës dhe që do fitojë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale