Berisha: Kryefjala jonë duhet të jetë vetëm organizimi! Protesta e 8 majit ka të bëjë me dy çështje themelore, farsën elektorale dhe mbrojtjen e vjedhjeve nga Edi Rama

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME DREJTUESIT E DEGËVE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me drejtuesit e rinj të degëve është shprehur se, në qendër të diskutimeve është protesta e 8 majit. Berisha u shpreh se, gjatë këtij takimi dy çështjet që janë në qendër të diskutimeve, është farsa elektorale dhe mbrojtja e vjedhjeve nga Edi Rama. ‘Kemi thirrur këtë mbledhje me ju për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme. Dhe kjo çështje është protesta e datës 8 maj. Protesta e datës 8 maj ka të bëjë me dy çështje themelore të narkoregjimit të sotëm. Ka të bëjë gjithnjë me farsën e tij elektorale dhe ka të bëjë gjithnjë me vjedhjen dhe mbrojtjen e vjedhjeve nga ana e tij’, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me drejtuesit e degëve të PD në vend, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie! ‘Rama nuk ka sfiduar vetëm ligjet dhe opozitën, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë’, tha ai. ‘Situata është edhe më e rrezikshme sepse Edi Rama po shtrëngon pas mbrojtjes që i bëri Lubisë, e vërteta është se bota e krimit është më e aktivizuar se kurrë. Në këto rrethana, çdo njeri duhet të pyesë veten, cila është alternativa e opozitës? Alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie. Edhe e vërtetë, koka e shtrirë vetëm pritet. Ta ketë të qartë çdo qytetar.’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

Lideri i demokratëve Sali Berisha, duke folur në mbledhjen me drejtuesit e degëve të PD së vendit, është shprehur se, Edi Rama e ka pengmarrja kulturë të tij, dhe ajo nuk është kulturë e shqiptarëve. ‘Për AKSHI-n, që qenka kulturë shqiptare kjo pengmarrja. Ka turp më të madh? Në memorien 34-vjeçare unë mbaj mend vetëm një biznesmen të marrë peng. Dhe po të marrësh çdo vend tjetër e ka një biznesmen të marrë peng. Por nuk është kulturë shqiptare pengmarrja.’, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim total të strukturave dhe mbështetësve, duke theksuar se ‘kryefjala’ e aksionit opozitar duhet të jetë organizimi.

Gjatë mbledhjes me drejtuesit e partisë në vend, Berisha u shpreh se beteja politike duhet të vazhdojë deri në realizimin e objektivave të opozitës, ndërsa kërkoi angazhim të shtuar në terren dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Ai akuzoi Rama, duke e cilësuar si ‘të pashpresë’ dhe në një situatë të vështirë politike. Sipas tij, qeveria po përballet me probleme të shumta dhe nuk ka të ardhme politike. Berisha theksoi se strukturat e PD duhet të përqendrohen në organizimin dhe riorganizimin në çdo nivel, nga seksionet deri te drejtimi qendror, duke pranuar se deri më tani kjo ka qenë një pikë e dobët.

FJALA E PLOTE

Së pari, një përshëndetje shumë të përzemërt dhe një urim nga zemra për të gjithë ata që janë zgjedhur apo rizgjedhur në procesin zgjedhor, të bazuar në votën, vullnetin e anëtarëve të PD, proces pra që bazohet në vlerat më themelore të vendimmarrjes demokratike, në dallim nga partia e krimit, në dallim nga organizata kriminale që udhëhiqet nga vrasës, nga trafikantë, nga plaçkitës, nga antishqiptarë të vërtetë, e cila nga viti 2009 deri sot, nuk e di se ç’do të thotë më votë.

E tëra e shndërruar në funksion të një njeriu, të cilit për të mos prishur gojën, por i shkon çdo epitet i merituar.

Të një njeriu, që ka shndërruar atë parti në një leckë të veten.

Të një njeriu, që ka shndërruar atë parti, ajo parti ka lindur në krim, është ushqyer me krim dhe sot është kriminele jo vetëm në gen, por edhe në veprimtarinë e saj ndaj qytetarëve shqiptarë.

Në veprimtarinë e saj ndaj Shqipërisë.

Por kemi thirrur këtë mbledhje me ju për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme.

Dhe kjo çështje është protesta e datës 8 maj.

Protesta e datës 8 maj ka të bëjë me dy çështje themelore të narkoregjimit të sotëm.

Ka të bëjë gjithnjë me farsën e tij elektorale dhe ka të bëjë gjithnjë me vjedhjen dhe mbrojtjen e vjedhjeve nga ana e tij

Të nderuar drejtues politikë të qarqeve, kryetarë të degëve.

Për secilin prej jush, për çdo drejtues të PD, çdo anëtare dhe anëtar të saj, duhet të jetë e qartë si drita e diellit se me vendimet qëmori për Lubi Ballukun me përdorimin e 81 mandateve në mburojë të saj, Edi Rama është bërë më i rrezikshëm se kurrë për këtë vend.

Me vendimin që Edi Rama mori për të mbrojtur veten e tij në dosjen Balluku, dhe Ballukun, doli para shqiptarëve dhe botës si njeriu që tashmë ka në duart e tij çdo pushtet.

Si njeriu i pushtetit absolut në Shqipëri.

Doli si njeriu që është i vendosur për të mbrojtur lëkurën e tij të marrë çdo vendim kundër qytetarëve shqiptarë.

Të marrë çdo vendim kundër Shqipërisë.

Kundër gjithçkaje tjetër sepse në ligjin e diktatorëve, lidhjet e tyre të krimit janë lidhjet e tyre më të fuqishme, për të cilat ata janë të gatshëm të japin gjithçka dhe të bëjnë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tyre.

Ky është vlerësimi i PD për vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur Lubi Ballukun dhe siç theksova, pas këtij vendimi ndodhi lubizimi i plotë i drejtimit, i qeverisë, narkoqeverisë dhe institucioneve të tjera.

Do të ishte naivitet i pafalshëm të mendohet se po ja, nuk është më Lubia.

E vërteta për secilin prej nesh duhet të jetë e qartë se jo vetëm që është ajo, por ajo është shumëfishuar.

Sepse është Edi Rama, i cili vendosi në postë shërbëtorë kësaj here të Lubisë.

Edi Rama, nga ana tjetër, me këtë rast nuk sfidoi vetëm Kushtetutën e Shqipërisë.

Nuk sfidoi vetëm ligjet e tjera të vendit, protestat e thirrjet e fuqishme të opozitës, por ai sfidoi haptas për të shpëtuar lëkurën e tij, edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët me deklarata publike, i bënë të qartë se bllokimi i funksionit të prokurorisë dhe drejtësisë, bllokimi i luftës kundër korrupsionit, janë të papajtueshme me standardet e BE.

Por edhe njëherë, një njeri që ka lëkurën e vet në rrezik nuk njeh ligj, standard përveç interesit të lëkurës së tij.

Situata është edhe më e rrezikshme sepse Edi Rama po shtrëngon pas mbrojtjes që i bëri Lubisë, e vërteta është se bota e krimit është më e aktivizuar se kurrë.

Në këto rrethana, çdo njeri duhet të pyesë veten, cila është alternativa e opozitës?

Alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie.

Edhe e vërtetë, koka e shtrirë vetëm pritet. Ta ketë të qartë çdo qytetar.

Përkundrazi, ne nuk do shtrijmë kokën kurrë.

Ne do ngrihemi gjer në largimin e tij.

Do ishte katastrofa më e madhe kombëtare sikur ne të pranonim si akt të kryer këtë akt të paprecedent të Edi Ramës.

Ju duhet të dini një gjë, që këto aferat e Ballukut shkojnë miliarda.

Ato 6 dosje që janë marrë nga prokurorët, ishin 1.2 miliardë.

Por ajo absolutisht në çdo firmë që ka, ka një aferë të saj.

Ajo ka administruar 12 miliardë euro të taksapaguesve shqiptarë.

Por duhet të themi se përkrah virulencës së krimit, në krye të të gjithave qëndron AKSHI, qëndron gropa e zezë e Edi Ramës, kopshti i Edi Ramës.

E theksova dhe para dy ditëve, ua them edhe ju këtu, AKSHI janë qindra e qindra milionë euro të plaçkitura nga kunati i Linda Ramës dhe të gjithë skenarët që keni dëguar ju të pengmarrjeve, kanë pasur vetëm një qëllim, që tenderat t’i fitojë Linda Rama me kunatin e saj, Armand Frangu.

Po është vetëm njëri aspekt kjo që po u them ju, aspekti tjetër është se janë fshirë dhe ndryshuar pronësi në mijëra e mijëra raste.

Se Ergys Agasi me porosi të Edi Ramës dhe nën udhëheqjen e Ramës ka shtrirë duart e tij të zeza në të gjithë materialin dixhital që ka pasur e-Albania apo institucionet e vendit.

Dhe më i çmuari natyrisht janë pronat.

Kanë dekodifikuar emailet e qytetarëve dhe pastaj kanë bërë transferta dhe zhdukjen, zhvendosjet e mijëra e mijëra pronave.

Sukses i madh është AKSHI, thoshte Edi Rama.

Dhe sot Edi Rama ka vendosur në drejtim të atij institucioni një delinkuent që ka marrë pjesë në këto operacione, në mënyrë që të ruajë kontrollin e plotë. Një Igli Tafaj.

Pra, Edi Rama mbron me çdo kusht të gjithë zotërimin mbi AKSHI-n.

Publikisht, pafytyrësisht e paraqet Mirlindën si të pafajshme, si të gjorë.

Çfarë u thotë shqiptarëve ky sot? Ky është i pafytyrë. Kur u thoshte ajo e ndershmja edhe apartamentin e ka me qira, në një kohë kur ajo ka vila dhe apartamente të blerë me paratë e vjedhura të qytetarëve shqiptarë.

Pse po i them këto?

I them këto për të mos pasur asnjë iluzion se sot është më keq se dje.

Se largimi i Ballukut nuk përbën kurrfarë arritje, përkundrazi përbën një përpjekje të Edi Ramës për t’u fshehur pas këtij akti për krimet e rënda që ka kryer.

Ndaj dhe PD ndodhet para një situate të jashtëzakonshme.

Anëtarët dhe mbështetësit e saj janë para një situatë të jashtëzakonshme dhe duhet t’i përgjigjen në mënyrë të jashtëzakonshme.

Duhet t’i përgjigjemi me kryengritje paqësore gjer në realizimin e qëllimit tonë.

Unë e kuptoj se janë jo të paktë ata që shtrojnë pyetjen: çfarë arritëm.

Me durim u shpjegohet se çfarë do të ndodhte po të mos ishim ngritur.

Ia dolëm që të hedhim poshtë shpifjen më antishqiptare që kisha dëgjuar ndonjëherë, lobimet korruptive të Edi Ramës në qendra shumë të rëndësishme vendimmarrje, deklaronin për të mbrojtur Edi Ramën, se imuniteti i Ballukut është interpretim shqiptar.

Dhe se kur qytetarët nuk ngrihen kundër, se ne nuk jemi qytetarë sipas këtyre racistëve, atëherë nuk ke çfarë t’i bësh korrupsionit.

Nuk ka faj Edi Rama që vjedh.

Duhet të vjedhë Edi Rama meqë qytetarët nuk ngrihen.

Logjikë e tillë.

E para njëherë, ju jeni këtu dhe shqiptarët e dinë se në vitin 2009, 2010, 2011 janë kërkuar imunitete ministrash, zëvendësministrash dhe askujt nuk i ka shkuar kurrë ndërmend për t’i bllokuar ato.

Janë dorëzuar pa u hequr nga parlamenti.

Kurse tani që bllokohen, tani duan të na paraqesin si interpretim.

Dhe e bëjnë këtë lobistë të korruptuar nga Edi Rama.

Por fatmirësisht janë të shumtë miqtë e Shqipërisë që nuk e pranojnë një logjikë të tillë.

Ose për AKSHI-n, që qenka kulturë shqiptare kjo pengmarrja. Ka turp më të madh?

Në memorien 34-vjeçare unë mbaj mend vetëm një biznesmen të marrë peng. Dhe po të marrësh çdo vend tjetër e ka një biznesmen të marrë peng.

Por nuk është kulturë shqiptare pengmarrja.

Në një kohë kur sipërmarrja shtetërore e ka të paktën tre të deklaruara gjer tani të marrë peng.

Pengmarrja është kulturë e Edi Ramës dhe jo e shqiptarëve.

Por lobistët e paraqesin se qenka kulturë e jona.

Ua them këto për t’u angazhuar në një diskutim të hapur me çdo shqiptar se duhet të ngrihemi, duhet të vazhdojmë betejën tonë gjer në realizimin e projektit.

Edi Rama, ua them përsëri, është bishë e plagosur përfundimisht.

Të bëjë ç’të dojë, ne nuk i ndahemi.

Të bëjë ç’të dojë, ai nuk ka të ardhme, është i pashpresë, është i humbur.

Përpiqet në të gjitha mënyrat si sharlatan.

Është i gatshëm të shesë gjithçka, të thotë çdo gjë, vetëm e vetëm që të kapet në një fije bari apo në një tjetër.

Por kur vjedh shqiptarët në këtë mënyrë, nuk ke më shpresë.

Ai vërtet e mbylli, vërtet Ballukun e ka në krah se ajo ia ka të gjitha dosjet.

Ai ka 25 vite që vjedh me të që nga bashkia dhe gjer ditën kur iku.

Tani është Oltion Bistri që është bërë asistenti kryesor i Ergys Agasit, sepse Ergys Agasi është i qetë, vazhdon ndërtimet.

Nga ju drejtuesit e degëve të PD kërkohet një përqendrim total në përgatitjen e protestës së ardhshme të datës 8 maj, një takim dhe biseda intensive me qytetarët për t’u shpjeguar atyre se nuk ka dhe nuk ka pasur armik më të egër se Edi Rama për shqiptarët dhe për Shqipërinë.

Së dyti, ju e keni të qartë se për të gjithë ju, për të gjithë ne, kryefjala e të gjithë kryefjalëve është organizim, organizim, organizim.

Ne jemi parti e madhe, ata që e vënë në dyshim këtë, gabojnë.

Por ne kemi pasur një problem, dhe duhet t’i njohim problemet tona, ne nuk jemi marrë në shkallën e duhur me organizimin.

Për një seri, por ne nuk jemi ata që kemi përkushtuar në shkallën e duhur energjitë, përqendrimin tonë.

Ndaj dhe sot dhe çdo ditë, kryetarët, anëtarët e kryesive, drejtuesit e qarqeve, koordinatorët, kryetarët e grup seksioneve, kanë detyrën më të rëndësishme, organizimin, riorganizimin e kësaj partie, nga seksionet, gjer në drejtimet kryesore.

Edhe kjo është e domosdoshme për t’u përballur me situatën e krijuar.

Edi Rama është në pozitë të vështirë, nuk del më nga ky qerthull.

Edi Rama del nga ky qerthull vetëm po e lamë ne.

Vetëm po pranuam ne që ai të dalë.

Se ai nuk mund të dalë.

Dha një intervistë në një gazetë evropiane, me siguri të lobuar.

Shtypi evropian iu përvesh, gazetat më të mëdha iu përveshën si hipokrit, si mashtrues, etj me radhë.

Të gjitha cituan opozitën, zërin e tyre, përpjekjen e opozitës.

Duhet të bëjmë gjithçka që këto përpjekje të vijnë në rritje.

Edi Rama çdo ditë bëhet më armik, çdo ditë bëhet më i rrezikshëm, çdo ditë bëhet më antishqiptar, çdo ditë bëhet më hajdut bashkë me organizatën e tij kriminale.

Ne nuk do ta pranojmë kurrë një gjë të tillë.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale