Berisha: Kosova nuk e pranoi Ramën si ndërmjetës, halli i tij është vetëm çështja e McGonigal-it

PRONONCIM PËR MEDIA PARA KUVENDIT E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi sot në një dalje për media para Kuvendit edhe turin e kryeministrit Edi Rama në rajon. Berisha e konsideroi turin e Ramës si të turpshëm, dhe tha se Kosova ia ka prerë biletën.

Gjatë pyetjes së bërë nga gazetarët, Berisha tha se, Kosova nuk e pranoi Ramën si ndërmjetës, dhe se halli i tij është vetëm çështja e McGonigal-it.

Berisha tha, se Rama pasi dështoi me Ballkanin e Hapur po hiqet sikur po reklamon Procesin e Berlinit në një kohë kur ashtu si Vuçiç është i aftë që të shkelmojë pavarësinë e Kosovës.

Pyetje: Z.Berisha, si ju duket turi i z.Rama në vendet e Ballkanit dhe vendimi i tij për të firmosur marrëveshjet të cilat duhet të firmoseshin në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që nuk u mbajt në Gjakovë?

Berisha: Turi i tij është një tur i turpshëm. Turi i një njeriu i cili është i aftë të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Edi Rama është një armik i hapur, i deklaruar i Kosovës me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës.

Agjenda e Edi Ramës kundër Kosovës nisi javën e parë të ardhjes së tij në pushtet kur ai, akoma pa bërë betimin si kryeministër i vendit, vrapoi në Kosovë dhe në parlamentij e saj, zbrazi parlamentit për shkak të qendrimit fyes ndaj arkitetit të Kosovës se pavarur, Ibrahim Rugovës, detyroi deputetët e LDK të braktisnin parlamentin.

Më vonë, Edi Rama riktheu fuqishëm tezën, projektin serb të shpërbërjes së Kosovës, ndryshimit të kufijve, shkëmbimit të territoreve, de fakto ndarjes së Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Pasi dështoi me këtë projekt në mënyrë solemne të turpshme, Edi Rama u bë protagonist kryesor i projektit tjetër të Aleksandër Vuçiç, në të cilin ai, ose me të cilin shpalli nga Tirana luftën e ftohtë ndaj Prishtinës.

E vërteta është që, kalonte nga samiti në samit, duke anatemuar procesin e Berlinit dhe reklamuar procesin e Vuçiçit, kështu që shkon tani në një tur tani për procesin e Berlinit, por shkon më qesharak se kushdo tjetër. Ka hequr qyshkun e Ballkanit të Hapur, dhe tani thotë po reklamoj Procesin e Berlinit, në një kohë kur ky vet ka bërë një luftë aprincipiale, ka dëshmuar se njësoj si Vuçiç është i aftë të shkelmojë pavarësinë e Kosovës. Edi Rama nuk respekton asnjë normë, asnjë standart, i pari vendosi sanksionet në anë të Kosovës. Kërcënoi në mënyrë primitive, se Kosova do kthehet në kohën e bronxit. Foli për Donbasin dhe per Donjetskin, dhe për skenarë të cilët ia servirte Vuçiçi.

Kosova ia preu biletën si ndërmjetës, nuk të pranojmë si ndërmjetës dhe kjo është në meritën e tyre. Edi Rama është ndërmjetës i vetes së tij, ndërmjetës i Vuçiçit, është i autorizuari i Vuçiçit, nuk ka asnjë tagër.

Pardje në Kosovë ishte kryeministri i Holandës, dhe kryeministri i Luksemburgut. Po çfarë ka Edi Rama të thojë për BE, përveç marrëzive të tij dhe hallit të McGonigalit? Të gjitha këto Edi Rama i ka, sepse e pret në bangën e akuzës McGonigal, dhe e pret tani, jo vetëm për akuzën korrupsion, por edhe për disa akuza më të tmerrshme të lidhura me Kremlinin dhe Rusinë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale