Berisha: Kosova me gjysmën e buxhetit tonë ka ndarë katër herë më shumë për bujqësinë se Shqipëria

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi qeverinë për mashtrim dhe mungesë morali, duke theksuar se bujqësia në Shqipëri është lënë pas dore.

Ai deklaroi se gjatë qeverisjes së mëparshme janë investuar rreth 3 miliardë euro në zonat rurale, duke rritur ndjeshëm prodhimin bujqësor. Berisha theksoi se këto arritje nuk mund të zhbëhen.

Duke bërë krahasim me Kosovën, lideri demokrat u shpreh se kjo e fundit mbështet shumë më tepër bujqësinë, me rreth 200 milionë euro në vit dhe subvencione të drejtpërdrejta për fermerët. Berisha theksoi se Kosova jep deri në katër herë më shumë mbështetje se Shqipëria, pavarësisht se ka një buxhet më të vogël.

Në fund, Berisha kritikoi ashpër deputetët e mazhorancës, duke i akuzuar se mbështesin politika që po dëmtojnë vendin.

FJALA E PLOTË

Mashtrimi është bërë ligji i tyre.

Ligji themelor i moralit të tyre.

Në Shqipërinë rurale, qeveria e mëparshme ka investuar 3 miliardë euro dhe ka ndryshuar në kulturën më tradicionale të zonës fushore kodrinore të Shqipërisë, nga 4 milionë rrënjë që vinin nga koha e Skënderbeut, në 11 milionë rrënjë.

S’i zhbëni dot kurrë.

Së dyti, nuk matemi me vendet e BE dhe kjo është e drejtë, por vetëm për Kosovën duhet t’u rikujtoj këtu, Kosova ka ndarë këtë vit 200 milionë euro për bujqësinë.

200 milionë euro për bujqësinë!

Kosova ka ndarë katër herë më shumë se Shqipëria.

Kosova jep për një hektar grurë, 400 euro.

Kosova jep për një hektar grurë për plehrat, 100-150 euro.

Jep për farën, jep për naftën.

Pra, jo të krahasohemi me Gjermaninë, jo, as me Francën, as më Italinë, por me Kosovën po.

Kosova ka gjysmën e buxhetit tonë, 4 miliardë euro.

Po ç’keni mor kështu kaq të mjerë që ngriheni dhe bëni papagallin e një hajduti që po shkatërron vendin?

Si është kjo puna juaj?

A keni ndjenja ju?

A jeni shqiptarë?

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale