FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME DEMOKRATËT E KAMZËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, takoi mbrëmjen e sotme demokratët e Kamzës, ku vlerësoi rezistencën dhe besnikërinë e tyre ndaj parimeve dhe vlerave që përfaqësojnë, duke theksuar se viti 2025 duhet të jetë viti i triumfit të opozitës shqiptare.
Berisha e cilësoi Partinë Demokratike si një forcë politike të pamposhtur, e cila ka mbrojtur kauza të drejta dhe është përballur me sfida të mëdha. Ai akuzoi qeverinë Rama për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe lidhje me krimin, duke shtuar se këto akuza janë sot të faktuara edhe në nivel ndërkombëtar.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, shkaku kryesor i kësaj situate është ‘tirania e varfërisë,’ e krijuar nga keqmenaxhimi 12-vjeçar i qeverisë aktuale. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka rroga dhe pensione shumë më të ulëta, duke krijuar një pabarazi të theksuar ekonomike. Ai përmendi shembuj konkretë të vendeve fqinje, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ku pensionet janë disa herë më të larta.
Liderit i opozitës Sali Berisha, theksoi angazhimin për një pagë minimale prej 500 euro dhe një pagë mesatare prej 1200 euro, duke paralajmëruar ndëshkime për ata që nuk i respektojnë këto standarde. Duke kritikuar ashpër qeverinë aktuale, ai akuzoi për keqmenaxhim të fondeve publike dhe për abuzime masive në projektet e infrastrukturës. Me shembuj konkretë, ai tregoi se projektet si Rruga e Arbrit dhe Unaza e Tiranës janë ndërtuar me kosto shumë më të larta se standardet evropiane.
Gjatë fjalës së mbajtur me demokratët, kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi qeverinë për përdorimin e pasurive publike për përfitime personale, duke përmendur shembuj si ndërtimin e portit të ri me fonde të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa, sipas tij, qeveria është duke përfituar nga ndërtimi i apartamenteve dhe hoteleve luksoze. Ai thekson se ky projekt do të dështojë dhe kërkon që këto fonde të përdoren për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, duke siguruar rroga dhe pensione të larta.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju demokratë të Kamzës, për të gjithë mbështetësit e PD të kësaj bashkie dhe në mbarë Shqipërinë kudo që janë sot.
Gëzuar festat, le të jetë viti 2025, viti i opozitës shqiptare.
Viti në të cilin PD, që u ngrit si Feniksi nga hiri në zenit, që u faktua para shqiptarëve dhe mbarë botës si forcë politike e pamposhtur, si forcë politike e cila mbrojti kauza të drejta, mbrojti vlera dhe parime themelore të njerëzve të lirë, si forcë politike që u përball me mafien më të rrezikshme të Europës, qeverinë shqiptare, por edhe mafien ndërkombëtare, ia doli sot të jetë forca kryesore politike e Shqipërisë.
Të jetë shumica politike e Shqipërisë.
Të jetë partia e përmbysjes së diktaturës së dytë në një hark kohor 32-vjeçar, ndoshta si kurrë ndonjëherë në histori ndonjë forcë tjetër politike.
Miqtë e mi, ne kaluam një provë të madhe të besnikërisë ndaj idealeve, vlerave dhe parimeve që besojmë.
Në, në tre vite i rezistuam një sulmi të paparë ndonjëherë, me të cilin po bëhej gjithçka që Edi Rama të kishte çdo pushtet në Shqipëri, përfshi opozitën.
U përdorën të gjitha format, por ja ku jemi sot, më të bashkuar se kurrë, më të fuqishëm se kurrë, më të fortë se kurrë, më të mbështetur se kurrë më parë.
Ju me dhjetëra qindra herë në takimet dhe mbledhjet tuaja denoncuat vjedhjet e paimagjinueshme të buxhetit dhe pasurive publike shqiptare nga qeveria.
Ju denoncuat shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë zgjedhore.
Ju denoncuat shkrirjen në një të krimit dhe pushtetit.
Ju denoncuat tradhtinë kombëtare ndaj interesave shqiptare të Edi Ramës.
Sot këto nuk janë më vetëm denoncime tuajat, por sot janë tre rezoluta ndërkombëtare, njëra prej të cilëve e firmosur nga 108 parti politike të qendrës së djathtë, tjetra nga 85 parti, të cilat i thonë mbarë botës se Shqipëria është një narkoshtet, se Shqipëria është vendi i narkodiktaturës me burgje dhe të burgosur politikë, se Shqipëria është vendi i farsës zgjedhore dhe i monizimit, se në Shqipëri shteti dhe krimi janë binom i pandarë, se në Shqipëri, korrupsioni ka rrokur qiellin dhe nuk përmbahet.
Pra miq, qëndruat dhe rezistuat për 3 vite.
Por sot regjimin e keni sjellë buzë varrit. Po.
Sot, në qoftë se ne jemi të bashkuar në respekt të plotë të mendimeve të njëri-tjetrit, ata po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Ata kanë një përballje si çakejtë kundër njëri-tjetrit dhe gjuajnë njëri-tjetrin me krimet që kanë kryer vetë.
Kurse ne kemi përgatitur platformën me të cilën do të ulemi të bisedojmë me çdo qytetar të këtij vendi.
Të dashur miq, po të ndalemi për një moment dhe të mendojmë ç’po ndodh me ne, pse kjo braktisje masive e Shqipërisë, braktisje e paregjistruar në këtë shkallë asnjëherë në histori në asnjë pushtim, çfarë po ndodh, pse shqiptarët po braktisin ditë e natë këtë vend.
Sigurisht ju e keni pyetur veten dhe unë e kam pyetur qindra herë veten dhe unë u them ju se shkaku i parë dhe më kryesor i kësaj braktisje është tirania e varfërisë që rëndon sot mbi shqiptarët, është gropa e tmerrshme e varfërisë që hapi kjo qeveri në 12 vite.
Miq, 12 vite më parë, shqiptarët kishin rrogat dhe pensionet më të larta në rajon dhe po ecnim.
Kurse sot në gropën që i rrëzoi kjo qeveri, ata duhet të shohin, duhet të ngrenë kokën lart për të parë se ku janë të tjerët dhe ku kanë mbetur vetë.
Sot, pensionisti në Kamëz, Kukës dhe kudo merr një pension 350 përqind më të ulët se sa pensionisti malazez. Merr 450 euro, merr 160 euro.
Sot, pensionisti në Maqedoni merr një pension 280 përqind më të lartë se pensionisti në Tiranë dhe në Kamëz.
Sot, pensionisti në Bosnje merr një pension 320 përqind më të lartë se në Tiranë.
Sot, pensionisti në Serbi merr një pension 330 përqind më të madh se në Tiranë.
12 vite kjo qeveri kreu krimin më të shëmtuar, i ngriu rrogat dhe pensionet dhe i futi shqiptarët në gropën e varfërisë dhe mjerimit.
Në vitin 2013, rroga minimale në Rumani ishte rreth 30 euro më e ulët se në Shqipëri, ishte gjithsej 160 euro. Sot pas 12 vitesh, rroga minimale e rumunëve është 3300 euro.
Po pse ky ndryshim kaq i madh?
Sepse çdo qeveri që ka minimumin e përgjegjësisë përpara qytetarëve të vet është e detyruar që të ardhurat që mbledh, t’i shpërndajë për qytetarët.
Është e detyruar që të ardhurat që mbledh, të ndajë një pjesë të madhe për rroga dhe pensione dhe pastaj të ndërtojë objekte, rrugë, shkolla, etj.
Çfarë ndodh me ne miq? Ku shkojnë?
Këtë vit, buxheti ishte 8.2 miliardë euro. Nuk kishte gjë më cinike, qesharake dhe të ulët se sa nga 8.2 miliardë euro, të caktosh për 780 mijë pensionistë 16 milionë euro.
A ka tallje më të madhe?
Dje, Kosova, jo për pensionistët në Kosovë, por për qytetarët e Kosovës në pension jashtë Kosovë, në Gjermani, Zvicër etj, ndau 50 milionë euro.
Zotëria e tij, për 780 mijë pensionistë, për atë nuk ekzistojnë, la 16 milionë euro.
A mund të ketë qëndrim më mohues, më neglizhues?
Ndaj dhe ne hapim një dialog me çdo qytetar të këtij vendi, të Kamzës dhe mbarë Shqipërisë, me zotimin solemn se ne kësaj situatë, do i japim përgjigjen më të fortë, më të fuqishme jo në 3 vitet e para të pushtetit tonë, por në 3 muajt e parë të pushtetit tonë.
Së pari, do vendosim minimumin jetik për çdo banor të këtij vendi, nuk do ketë shqiptar që të mos marrë 200 euro.
Mbi këtë bazë do llogariten pensionet. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush se 500 euro nuk nënkupton vetëm rrogën në administratë shtetërore, jo, në territorin e Shqipërisë nuk do ketë njeri që do paguajë një punëtor më pak se 500 euro në muaj.
Absolute! Ligjet do mjerojnë atë që do mendojë të paguajë më pak se kaq.
Ne e kuptojmë se kjo është një barrë për sipërmarrjen, por ne qëndrojmë për t’i lehtësuar ato në mënyra nga më të shumtat, në mënyrë që ata të mos paguajnë punëtorin kurrë më pak se 500 euro.
Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.
Të dashur miq, çfarë ndodh në këto 12 vite? Në këto 12 vite ka ndodhur diçka shumë e veçantë, në qoftë se pensionet kanë ngelur, një pensionist blen 40 përqind më pak se në vitin 2013, rrogat e larta u rritën në qiell.
Rrogat e larta në Shqipëri janë më të lartat në rajon, disa prej tyre edhe më të larta se Sllovenia, e cila ka kapur vendet e zhvilluara të BE.
Pra, krijohet kështu një nomenklaturë gjakpirëse, e cila nuk pyet për askënd përveç vetes së vet.
Kjo merr fund.
Gjersa shqiptarët të dalin në krye për rrogat dhe pensionet në gjithë rajonin, rrogat e larta nuk do rriten asnjë qindarkë.
Cilido që do u thotë ju, ku janë këto para, unë e kam ftuar Edi Ramën të dalë me mua në studio televizive po ia mbajti, t’i tregoj se ku janë paratë, por nuk del dot se ia nxjerr vjedhjet një e nga një.
Paratë janë miqtë e mi, sepse kemi pasur gjysmën e këtij buxheti, kemi dyfishuar rroga dhe pensione dhe kemi ndërtuar 11 mijë kilometra rrugë.
Po pse? Sepse nuk mundet të ndërtonim ne një rrugë me 10-fishin e çmimeve që ndërton Kroacia tani. Në Kroaci, një km autostradë, 27 metra e gjerë, midis Manastirit dhe Bjelli Osekut, kushtuan gjithsej 27 milionë euro. 1.6 mln për kilometër. Merrni pak sa ka kushtuar Rruga e Arbrit, rruga që nuk mbaon kurrë. Gjer tani ka arritur 11 milionë euro për kilometër.
Unaza e Tiranës ka shkuar nga 32 milionë tek Shqiponja, tek 16-17 milionë në zonën tjetër afër Linzës. Me këto çmime nuk ndërton kush në botë.
Çfarë ka bërë Rakip Velia këtu në Kamëz? U ka futur buldozerin 10 shkollave që nuk kishin asnjë dëmtim nga tërmeti dhe i ka rindërtuar me çmimin 5 deri në 7 herë më shtrenjtë se sa është standardi evropian i ndërtimit.
Miq, ndërtimet kanë manuale që tregojnë se ky material ndërtimi kushton kaq e kaq. Cilido që sheh këto manuale, çmimi i materialeve të ndërtimit nuk është rritur më shumë se 30-35 përqind. Çmimi i materialeve të ndërtimit për Rakip Velinë është rritur 600-700 përqind.
Pra, ja ku janë paratë. Çfarë dua të them me këtë? Që këto para jo vetëm dalin për të realizuar këto objektiva, por u garantoj se këto para do dalin për të ndërtuar projekte shumë më të mëdha se këta.
Shikoni miq, 3 mijë vite ka porti i Durrësit, u ka shërbyer shqiptarëve 3 mijë vite më radhë.
Çfarë bën Edi Rama tani?
Këtë, tha, do e bëj unë, Dubai City me Alabarin.
Po toka aty me ujin janë 1.4 milionë metër katrorë që me çmimin e tregut shkojnë 4 miliardë euro, pronë publike.
Mbyllni sytë dhe mendoni, nëse do i shisnim ato me çmimin e tregut, secili prej jush do merrnit dy rroga dhe pensione, për të mos thënë më shumë.
E kundërta, ky tani, përveçse e merr tokën për veten, Alabarin dhe çunat e Dubait që shkoi dhe i takoi, tani thotë se portin në Porto Romano do e ndërtojnë taksapaguesit shqiptarë.
Do jepni ju pra 1.3 miliard euro për të ndërtuar portin e ri, në një kohë kur ai ndërton dhe fiton 12.500 apartamente, 6 hotele me 6 yje dhe marinën.
Asnjë kolonizator, ju garantoj, asnjë pushtues nuk do guxonte të sillej siç sillet Edi Rama ndaj shqiptarë.
Ai port nuk do ndërtohet kurrë, ai 1.3 miliardë euro do u jepet ju rroga dhe pensione dhe nuk do jepen kurrë për ndërtimin e portit të ri, porti i vjetër është aty, porti i shekullit dhe mijëvjeçarëve.
Prandaj miq, ja që ne e kemi programin, e kemi ilaçet.
Ne shkojmë tek çdo qytetar dhe ulemi me të.
Por ama duhet të ulemi se ky program nuk është vetëm për demokratët, ky program është për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nuk mundet të jetosh në vendin me pasuritë më përrallore dhe të gllabërohesh në gropën e varfërisë.
Shikoni se ç’bëhet me ilaçet, një shtet që i lë të sëmurët t’i vrasin sëmundjet për mungesë ilaçesh.
A ka mundësi që ne të mos garantojmë ilaçet për njerëzit tanë? I vjedhin fondet se fondet janë.
Kjo është një bisedë shumë serioze që duhet të bëjmë.
Është jetikë të takojmë çdo shqiptar sot.
Ky regjim është një kalbësirë. Mos mendoni kurrë se ka hajdutë trima, hajdutët janë raca më frikacake.
Prandaj mjafton sulmi ynë për t’i rrokullisur këta.
Por ky sulm duhet të bëhet me çdo qytetar shqiptar me këtë program.
Për të kuptuar se ç’përfaqësojnë këta moralisht, u ftoj të lexoni reagimin që ka bërë Lal Vjedhësi sot ndaj kërkesës sime që në rast se ai nuk kthehet, Edi Rama të japë dorëheqjen.
Kaq ishte kërkesa.
Por ky është i shkonfiguruar, ky është i pakallur dhe kanë meritë të jashtëzakonshme qytetarët e Tiranës, që pikërisht në të 40-tat e tij, e kallën.
E varën në shtyllën e turpit të mbarë Europës.
Nuk ka sot një kryebashkiak që të jetë i bërë zift i zi si ai me vjedhjet që ka kryer.
Tani, mendoni ju se ai është i vetëm. Absolutisht, kudo t’i prekësh, këta drejtues njësoj si ai janë.
Por Edi Rama është më i madh se ai.
Po Lubi Balluku që ndërton 13 kilometra rrugë me 14 kontrata.
Po të gjithë këta kudo që t’i kapësh.
Atëherë, të deleguarit e tyre kudo që t’i shihni, do t’i gjuani me zezë, do t’i gjuani me domate.
Hajdutë, nuk keni vend, shkoni në punën tuaj.
Se po të shkoni tani në bashkinë e Tiranës, ua them unë ju, gjer para një muaj ata bënin rroftë Erion Veliaj, poshtë Edi Rama se donin ta shihnin Erin kryeministër se e dinin se do vidhnin edhe më shumë.
Tani, poshtë Veliaj, rroftë Blendi Gonxhe. Gonxhe është një hajdut i paimagjinueshëm.
Po, janë të sotme këto që u them.
Edhe tjetrën, ne bëmë opozitën. Radiografinë ua bëmë ne atyre. U treguam se çfarë janë këta, çfarë përfaqësojnë këta.
Këta kanë vjedhur qindra milionë.
Shtroni pyetjen vetes, ku shkuan 130 milionë euro të djegësit të Tiranës. Edhe ky Rakip Velia ka marrë para aty me strajcë.
Ku shkuan? Skapi i partisë nuk do t’ia dijë. Nuk ka kthyer një qindarkë nga 130 milionën euro.
Ku shkuan 100 milionë euro të sterilizimeve, për të cilët paguat 83 herë më shumë se sa t’i merrte Edi Rama me Ilir Beqën?
Të gjitha shkuan në bankat offshore dhe të fshehura në Dubai etj.
Asnjë qindarkë nuk gjendet nga Skapi i partisë.