KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët, ka akuzuar Edi Ramën se, por bën një Kod të ri Penal në favor të të dënuarve për jetë, të cilët e kanë ndihmuar në farsën zgjedhore të 11 majit. Sipas kryedemokratit, kodi i ri penal të Shqipërisë është nxjerrë nga ‘shpellat e mafies’, duke e lidhur këtë akt me interesat e narkoshtetit dhe mafia qeveritare. Sipas kreut të PD, ky kod i ri, i hartuar dhe miratuar pa asnjë konsultim me faktorët e rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, është një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët dhe ata që janë përfshirë në krime të rënda, ndërkohë që qytetarët preken nga masa të ashpra. Ai kritikon se ky akt është miratuar pa asnjë konsultim të vërtetë, dhe thotë se ndryshimi i ligjeve, pa respektuar parimet e stabilitetit dhe transparencës, dëmton thelbësisht funksionimin e drejtësisë.
Gjatë konferencës, lideri i opozitës Sali Berisha, shprehu kritika të ashpra ndaj ndryshimeve të fundit në kodin penal të Shqipërisë, duke i cilësuar ato si një akt të manipulimit të drejtësisë për interesa politike dhe mafioze. Sipas tij, ky kod i ri është një shprehje e një sistemi të padrejtë, ku qytetarët e zakonshëm, për një parkim të gabuar, mund të përfundojnë në burg, ndërkohë që zyrtarët e lartë të shtetit shpëtojnë nga dënimet, pavarësisht pasurisë së paligjshme dhe abuzimeve të tyre. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ky kod ka lënë në hije drejtësinë për viktimat, duke i dhënë mundësi vrasësve të rrezikshëm të dalin nga dënimi i përjetshëm, dhe kjo vetëm për shkak se ata janë pjesë e enturazhit të qeverisë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha e cilësoi kodin e ri penal edhe si një ‘dorë të zezë’ mbi veprimtarinë ekonomike të qytetarëve dhe si një mbrojtje për zyrtarët e korruptuar. Ai kritikon ashpër ndryshimet që shpërndajnë imunitet për zyrtarët dhe bëjnë më të lehtë shpërdorimin e detyrës. Berisha theksoi në fjalën e tij se, kodi i ri penal krijon mundësinë për të terrorizuar qytetarët dhe bizneset, duke sjellë dënime të rënda për shkelje të vogla, ndërkohë që mbron ata që vjedhin fonde publike. Ai akuzoi qeverinë e Ramës për përpjekjen për të konsoliduar narkoshtetin dhe për të rikthyer praktikat e diktaturës komuniste, duke kufizuar lirinë e fjalës dhe të protestës. Berisha paralajmëroi qytetarët për pasojat e këtij kodi dhe bëri thirrje për qëndresë ndaj regjimit aktual.
Lideri i demokratëve Sali Berisha e cilësoi kodin penal të ri si ‘Kodin e narkoshtetit’ dhe theksoi se Partia Demokratike do ta denoncojë në institucionet e Bashkimit Europian. Kryedemokrati shprehu besimin se asnjë institucion demokratik, përfshirë Komisionin Europian, nuk mund ta mbështesë një kod të tillë, i cili, sipas tij, mbron zyrtarët e korruptuar, ndëshkon qytetarët dhe shkel lirinë e fjalës, opozitën dhe të drejtat e protestës.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Berisha e cilësooi Kodin e ri penal, si ‘Kodi i ndëshkimit masiv’ për qytetarët, i orkestruar nga Edi Rama. Ai theksoi se ky kod mund të përdoret për të ndëshkuar qytetarët për shkelje të vogla, si fyerjet apo parkimet gabim, dhe se u miratua pa asnjë konsultim. Berisha e akuzoi këtë kod si një veprim të drejtpërdrejtë të Ramës dhe premtoi se opozita do ta kundërshtojë fuqishëm dhe do të informojë qytetarët për pasojat e tij.
Gjatë konferencës për mediat, kryetari i Partisë Demokratike iu përgjigj gazetarëve edhe për deklaratat e fundit. Berisha theksoi se Partia Demokratike duhet të mbetet e bashkuar në parimet dhe vlerat që mbron, duke pranuar gjithashtu diversitetin brenda saj. Ai theksoi se PD do të vazhdojë denoncimin e farsës elektorale që u zhvillua në 11 maj 2025, duke e konsideruar atë një proces të manipuluar që përbën shkelje të parimeve demokratike dhe ndërkombëtare. Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi pushtetin për përdorimin e parave publike për blerjen e votave dhe ndikimin në zgjedhje, duke i quajtur ato farsa tipike të narkodiktaturave dhe sistemeve totalitare.

FJALA E PLOTE:
Narkoshteti paraqiti dy ditë më parë narkokodin penal të Shqipërisë, në të cilin goditen pa mëshirë qytetarët, trajtohen me butësi maksimale zyrtarët dhe ata të cilët në drejtësinë e shekujve për aktet e tyre kanë marrë dënimin me vdekje, por duke e ndaluar një masë të tillë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, vendet anëtare të Këshillit të Europës, kanë hequr dënimin me vdekje nga kodet penale dhe kanë ruajtur dënime të tjera.
Ata tani kanë të mundur plotësisht të dalin dhe të bëjnë punë vullnetare sepse janë eksponentë kryesorë të mafies qeveritare.
Nga viti 1992 gjer sot, Shqipëria ka hartuar ligje të bazuara në standardet më të mira dhe të asistuar nga institucionet kompetente evropiane.
Në këtë kontekst, në vitet ’90 u nda nga kodet e vjetra të diktaturës komuniste dhe u vendosën ligje të reja.
Natyrisht ligji nuk është një e dhënë njëherë e përgjithmonë, por veçanërisht kodet, me dinamizmin e krimit dhe veprave penale, ato pasqyrojnë ndryshimet e realitetit.
Por gjithmonë një parim nga themeluesi i parimeve të shtetit modern, Monteskje, ligji preket rrallë dhe kur preket, preket me një dorë që dridhet.
Pse kjo? Sepse stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimension më cilësor të shtetit ligjor.
Duke përmbysur në mënyrë të vazhdueshme ligjet, ti vetë sistemin e zhyt në një mjedis pasigurie. Sistemi juridik.
Do t’u jap një shembull, ky është kodi i tretë në 30 vite.
Në vitin 1995, u miratua kodi i parë penal.
Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi.
Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal.
Edhe njëherë, kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë.
Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë.
Pa asnjë debat paraprak të gjerë, paraqesin këtu arkitekturën e plotë të kodit penal të diktaturës komuniste në raport me lirinë e fjalën dhe dënimin, trajtimin e qytetarëve.
Sot me këtë kod, qytetari shqiptar dënohet me burg për një parkim të gabuar.
Me këtë kod, qytetari shqiptar burgoset për një kundërshtim që i bën një polici pijanec apo të droguar.
Sot qytetari shqiptar dënohet me dhjetëra vite në qoftë se i ka marrë ndërmarrjes 1 milion lekë. Ndërkohë që zyrtari i lartë duhet të vjedhë qindra milionë që të marrë dënimin që meriton.
Ky është kodi i përçudnive të mëdha.
Por nuk janë vetëm këto.
Pra, është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në të gjitha ligjet, dhe sot në ligjet e vendeve demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje.
Dhe në qoftë se pyeten qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje.
Por meqenëse ka ndodhur që këta janë enturazhi i Edi Ramës, dhe qeveritarëve të tjerë, atëherë duhet të bëjmë ligjin që këtyre t’u japim një shans të dytë.
Shans të dytë atij që ka vrarë në gjumë tjetrin.
Dhe ajo që është vrarë në gjumë, apo ai që është vrarë në gjumë, është i 10-ti apo i 12-ti që kanë vrarë.
Për këta, Ulsiu dhe Edi Rama na dalin si të civilizuar para qytetarëve që po bëjmë një kod.
Kodi është kryekëput infrastrukturë ligjore e narkoshtetit të instaluar.
Ky kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste.
Imagjinoni ju tani, që në qoftë se ti thua se Irena Gjoka, me fakte, është një delinkuente, një kriminele, që ka fshehur krimet e saj, që është e dënuar me burg dhe që për shkak të këtij dënimi, ajo kurrë nuk mund të ishte magjistrate gjykatëse, por që e kanë futur si peng për ta keqshfrytëzuar në mënyrën më të egër.
Imagjinoni Altin Dumanin, i cili ka 3-4 shtëpi, tre apartamente dhe banon te shtëpia e vjehrrit. Thotë është e vjehrrit, po a hajde a është a nuk është, si e ndërtoi vjehrri është punë tjetër. I cili mban në dosjen e tij dokumentet zyrtarë që faktojnë se Taulant Balla është bashkëpunëtor kryesor i bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje dokumente që faktojnë se prokurorë të SPAK janë bashkëpunëtorë të bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje emra që kushëriri i tij i ka denoncuar se nxirrte në pritë rivalët, siç është Shpataraku.
Pra, Altin Dumani, i cili thuhet kundër një ryshfeti 700 mijë euro nuk dënoi për rastin e Jan Prengës, Altin Hajrin dhe që tani së fundmi fshehu për javë të tëra mandatin e arrestit të Troplinëve.
Pra, në qoftë se ti guxon dhe ia thua publikut këto, dënohesh.
Një mbrojtje të tillë, Enver Hoxha nuk ia ka dhënë kurrë Aranit Çelës.
Një mbrojtje të tillë, ky është një atentat i rëndë në themelet e fjalës së lirë dhe të transparencës.
Imagjinoni ju, ky njeri që shëtiti dy vjet duke marrë peng qeveritarë dhe duke kërkuar që të ndryshojë Kushtetuta për mandatin e tij, ka arritur me Edi Ramën dhe Ulsiun e kostumeve të Altin Hajrit, e 600 mijë eurove të çantës Louis Vouitton, të fusë nenin po fole për gjykatësit, dënohesh kaq dhe aq vite.
Atentat i rëndë ndaj fjalës së lirë, ndaj medieve.
Atentat i rëndë ndaj Kushtetutës.
Edi Rama tregoi se çdo ditë shpalos shpirtin katran të babait të tij xhelat, babait të tij biologjik xhelat që firmoste për varjen në litar të atyre që shkruanin kundër pushtetit të tij.
Të sjellësh një kod, dhe shikoni djallëzinë, në mënyrë që të miklojë, të sigurojë kund ndonjë mbështetje, po vodhe paratë e BE, dënohesh një të tretën më shumë.
E keni parë ju këtë apo jo?
Po vodhe 1 milion, dënohesh një vit, po të jenë fondet e BE, dënohesh një vit e tre muaj.
Në këtë mënyrë mendon se do hutojë apo do sigurojë mbështetje për një kod të turpshëm që ia ka lakmi edhe Maduro i Venezuelës.
Por kodi është një dorë e zezë mbi veprimtarinë ekonomike të qytetarit.
Ju nuk mund të imagjinoni, ju lutem keni durim se materiali është pak i gjerë.
Shpërdorimi i detyrës është thjeshtuar shumë për zyrtarët. Nuk ka tani, zyrtarët janë pothuajse me imunitet.
Gazetarët në satër. Fjala e lirë në satër. Po qe se mjetet e komunikimit bëjnë ndonjë sulm apo japin lajme për ndonjë sulm ndaj institucioneve dhe gjykatës, i pret neni 536. Neni ndikimi mbi pavarësinë e gjykatës. Pavarësinë e Dumanit dhe të Irena Gjokës dhe të Fetahut.
Tani, mospërmbushja e qëllimit të kontratës. Pra kanë futur një nen në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuta thotë në nenin 23/3, askujt nuk mund t’i hiqet liria për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.
Kurse këta, mospërmbushja e qëllimit ët kontratës, detyrimit po e po, të dënojnë me vite të tëra burg.
Pra, është pikërisht ajo që të shndërrosh në terror shërbimet shtetërore ndaj qytetarëve, të shndërrosh ligjin në satër mbi qafën e tyre, vetëm e vetëm se si t’i terrorizosh ata.
Po është një nen tjetër shumë interesant. Neni 633, konkurrenca e pandershme.
Në pamje të parë, thua këta janë me të vërtetë të vendosur të mbrojnë konkurrencën. Shikoni se çfarë bëjnë.
Bërja e një oferte për të shitur ose blerë të njëjtat mallra ose për të ofruar të njëjtin shërbim, duke e ditur më parë se një tjetër person ka arritur një marrëvesje paraprake ose është duke lidhur një kontratë me të njëjtën shoqëri për të kryer veprimtari tregtare, dënohet me gjobë ose me burg gjer në 3 vjet.
Pra, dëgjojeni. Kjo vetëm me konkurrencën nuk ka lidhje.
Ky është krahu i mafies. Dëgjojeni çfarë thotë, kur subjekti A ka hyrë në marrëdhënie për të lidhur kontratë me subjektin B, dhe kur konkurrenti i B bën një ofertë më të mirë, për pasojë i imponon B kushte më të pafavorshme sepse ka një ofertë më të mirë ose ndërpret negociatat dhe lidh kontratë me C.
Po a ka gjë më normale se kjo?
Nëse vjen një tjetër dhe më sjell një ofertë më të favorshme, pa dyshim që do marr ofertën më të favorshme sepse kjo është konkurrenca.
Pra, siç e shihni, kodi i ri i Edi Ramës apo kodi Rama-Manja është kodi që mbron zyrtarët, qeveritarët.
Është kodi që shtrin satrin e ligjit mbi qytetarët.
Është kodi që tregon mëshirë ndaj atyre që më parë në të gjitha vendet merrnin dënimin me vdekje për veprat e tyre.
Por ndëshkon qytetarin me burg se parkon gabimisht apo se shtyhet me policin, etj, etj.
Është kod fund e krye me parime mafioze të cilat kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit beson se do mund t’i maskojë me faktin e ka shtuar me një të tretën e dënimit për çdo vjedhje të fondeve evropiane apo donatorëve të tjerë.
Është dëshmi e vendosmërisë për të konsoliduar me ligje narkoshtetin e tij.
Është apel për qytetarët shqiptarë të ngrihen me të gjithë forcën për përmbytjen e këtij regjimi i cili mbahet mbi votën e vjedhur, kartelet e drogës dhe vjedhjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë.
Nuk u ndala gjatë sepse ka shumë aspekte, janë kufizuar liria e protestës, por natyrisht një analizë më të plotë do bëjë departamenti i ligjeve pranë PD dhe do u paraqitet në kohë.
Sidoqoftë ky draft do hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si një akt i turpshëm, një përpjekje e papërmbajtur për rikthimin e ligjeve të vjetra të ish-diktaturës komuniste, për vendosjen e bazave ligjore të forta të narkoshtetit ekzistues sot

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Ermal Rizaj, SYRI TV: A prisni ju nga BE-ja të ndërhyjë, sidomos për nenin për komentet për vendimet e drejtësisë, ashtu siç ndërhyri për Amnistinë Fiskale.
Sali Berisha: Unë kam besim se asnjë institucion demokratik nuk do të pranojë këtë Kod dhe ju siguroj se opozita, e tëra, do të hedhë dritë Kodin e narkoshtetit në të gjitha institucionet kryesore ndërkombëtare.
Nuk besoj kurrë se Komisioni Europian, mund të përligjë, nuk mund të mbështesë një Kod të tillë, i cili thashë dhe njëherë, mbron zyrtarët, ndëshkon qytetarët, është një satër për fjalën e lirë, për opozitën, për protestën dhe për të gjitha.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju akuzoni ministrin e Drejtësisë se qëndron pas këtij Kodi, ndërsa ai që prezantoi draftin e Kodit të ri Penal, Arben Rakipi theksoi se, kodi nuk është produkt i qeverisë dhe ministrisë. Si e komentoni ju deklaratën e ministrit të Drejtësisë dhe si do e bllokojë opozita këtë kod në parlament, në një kohë kur Edi Rama i ka 84 vota.
Sali Berisha: Opozita do të kundërshtojë me të gjithë forcën këtë Kod dhe kam bindjen se do e kundërshtojnë qytetarët shqiptarë, të cilët pas këtij Kodi, mund ti burgosë dhe ti dënojë me burg çdo polic, mjafton që të thotë se më shtyu apo më fyeu, apo parkoj këtu, parkoi aty.
Ky Kod është Kodi i ndëshkimit masiv të qytetarëve dhe ne do u qartësojmë qytetarëve se çfarë do të thotë ky Kod.
Kodi, ju e patë vetë u paraqit nga vetë Uluziu. Se kishit parë kurrë përpara, nuk kishit dëgjuar, nuk kisha lexuar unë asnjë gjë, për asnjë konsultë, nga askërkush. Pra ishte Kodi i dalë nga zyrat e Edi Ramës.
U paraqit një si autor i tij, por ai është një shumë i keqpërdorur që në vitet e rinisë së tij, dikur nga Sigurimi i Shtetit dhe më vonë nga cilido. Është i parëndësishëm fare. Kurrë ai nuk mund të paraqesë një Kod të tillë. Ai vetëm sa ka bërë ndonjë redaktim, sepse ky Kod ka dalë nga zyrat e Edi Ramës.
Ato që ka thënë përpara Edi Rama, janë në Kod këtu.
Anisa Kadesha, RTSH: Një pjesë e të dënuarve për jetë që do të përfitojnë nga ky Kod, janë denoncuar prej jush si të përfshirë në zgjedhje, në mbështetje të kandidatëve të PS-së. A është ky një lloj shpërblimi që u bëhet atyre për zgjedhjet e 11 majit.
Sali Berisha: Absolutisht, është Kodi i mafias, është Kodi i karteleve të drogës, pa diskutim. Është premtim, një shans të dytë pasi ka vrarë 10 vetë, pasi ka hapur 10 varre.
Po, po, një shans të dytë thotë Uluziu me Edi Ramën, sepse janë njerëz të tyre. Nuk ka asnjë lloj dyshimi. Kam qenë, kam mbështetur plotësisht heqjen e dënimit me vdekje. Ndihem mirë se kam vendosur moratoriumin e parë ndaj dënimit me vdekje.
Por kam vetëdijen të plotë se, në disa raste pas dënimit kapital që është hequr, dënimi përjetë është absolutisht i domosdoshëm.
Isa Myzyraj, OraNews: Deputetë të PD-së kanë paralajmëruar se brenda PD-së mund të nisë foltorja numër 2 sipas modelit të foltores numër 1, që e keni mësuar ju. Përpara pushimeve të Gushtit do të bëni lëvizje për të mbledhur kryesinë e partisë, apo do i leni deputetët e qetë edhe gjatë muajit Gusht.
Sali Berisha: Partia Demokratike është parti e lirisë, e të drejtave të njeriut. Nuk ka asnjë lloj, as impresioni as kufizimi ndaj askujt. PD po vazhdon. Sot unë kisha disa çështje, por kjo ishte çështja më kryesore, ndaj dhe unë lash serinë e denoncimit të farsës elektorale, por po shkohet drejt finalizimit të saj dhe do të vazhdojë me vendosmëri të madhe në ndriçimin e farsës elektorale në Shqipëri dhe në botë, dhe natyrisht do të analizojë edhe punën e vet dhe do të ndërmarrë masa për përmirësimin dhe të gjitha të tjerat.
Përsa i përket, çdo anëtar, secili demokrat e ka shumë të qartë se, për Sali Berishën thelbi i lirisë është zgjedhja. Zgjedhja është një koncept i ekzistencialistëve, por që mua më duket koncepti më i drejtë për lirinë. Kështu që…
Isa Myzyraj, OraNews: Për të qenë pak më i qartë dhe më konkret. Ju thoni se Sali Berisha nuk do të ndalojë asnjë lëvizje të tipit foltore. Por shqiptarët dhe demokratët e kanë parë se çfarë kostoje i solli PD-së një ndarje e partisë. Pra a jeni duke ndërmarrë hapa që partia të qëndrojë e bashkuar dhe të mos krijohen fraksione, por që janë kundër njëra tjetrës.
Sali Berisha: Partia duhet të jetë e bashkuar në parimet dhe vlerat që mbron.
Duhet të pranojë diversitetin, por ajo që mendoj unë është e qartë si drita e diellit se 11 maji 2025 ishte farsë elektorale.
Ata që nuk e kanë të qartë, kanë mungesë të kulturës elektorale dhe duhet të ndalen dhe të analizojnë sepse në qoftë se Këshilli i Europës rekomandon që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti, për të gjithë njerëzit që njohin sistemet totalitare, sistemet ku partia dhe shteti janë një, e kanë të qartë se ata nuk zhvillojnë zgjedhje, zhvillojnë farsa.
Pra është një çështje bindje.
Çfarë do të thotë që në kundërshtim me ligjin dhe parimet ndërkombëtare të përdorësh 1 miliard e 500 milionë për të blerë vota dhe për të ndikuar në vota.
Këto janë paratë e buxhetit.
Janë 500 milionë prokurime.
Janë 200 milionë gjobat dhe kamatat.
Janë 444 milionë grante dhe garanci sovrane për fermerët kundrejt 44 milionëve të përdorur çdo vit më parë.
Janë 76 milionë për 760 mijë pensionistë, 100 euro për pensionist.
Nuk po llogaris këtu sa bëjnë miliona metër katrorë sipërfaqe ndërtimi. Qindra mijëra legalizime.
Sa bëjnë 100 milionë rrënjë kanabis të licencuara për t’u mbjellë, kur një rrënjë kanabis prodhon deri 1 mijë euro produkt.
Ata që kanë kulturën minimale elektorale, ata e shohin se zgjedhjet janë një farsë, dhe farsat janë tipike dukuri i narkodiktaturave, e diktaturave komuniste, naziste, teokratike dhe juntave ushtarake.


