Berisha: Kjo qeveri e rrënoi arsimin! Numri i nxënësve është përgjysmuar, 750 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin. Zotohem se mësuesit do të jenë sërish më të paguarit e rajonit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR-9 SHTATOR 2024

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, u ka dërguar një përshëndetje të përzemërt qytetarë të Postribës në nderim të kryengritjes së parë antikomuniste të Shqipërisë dhe Europës. Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi qytetarët të cilët përzunë nga ceremonia e ditës së sotme, përfaqësuesin e Edi Ramës, kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Becin.

Në fjalën e tij, lideri i demokratëve, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se rrënoi arsimin në Shqipëri gjatë 11 vite qeverisje. ‘Kjo qeveri e rrënoi arsimin! Numri i nxënësve është përgjysmuar, 750 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin’, theksoi Berisha gjatë tubimit qytetar.

Kryedemokrati, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se  PD do shndërrojë profesionin e mësuesit në profesionin më të respektuar dhe ai, mësuesi dhe mësuesja, do kenë trajtimin më dinjitoz.

Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur ata që Rama u shpërndau dje si drejtues politikë, ata janë organizata kriminale më e rrezikshme. Berisha bëri thirrje që qytetarët në mbarë Shqipërinë t’u rezervojnë të njëjtën pritje përfaqësuesve të organizatës kriminale të Edi Ramës.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme misionare dhe misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Një mirënjohje të pakufishme oratorëve të mrekullueshëm për të vërtetat që mbrojnë në tribunën e fjalës së lirë.

Të dashur miq, do u çojmë sonte një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Postribës.

Të shprehim nderimin tonë më të madh për banorët e asaj zone, të cilët me një guxim epik u ngritën 78 vjet më parë në kryengritjen e parë antikomuniste të Shqipërisë dhe të Europës.

Trimëria, guximi, qëndresa e tyre do të nderohen për jetë të jetëve si akte sublime të njeriut kundër pushtuesve të brendshëm apo të jashtëm qofshin ata, për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.

Një përshëndetje të veçantë kam unë edhe për aktin e tyre sot që përzunë nga ceremonia e nderimit përfaqësuesin e Edi Ramës.

A mund të pranohej në ceremoni i deleguari i Edi Ramës, në një kohë kur Edi Rama është biri i një xhelati që urdhëroi varjen jo në vitin 1946, por në vitin 1988 të poetit Havzi Nela dhe nuk ka kërkuar të falur asnjëherë për këtë akt të babait të tij biologjik.

Të dashur miq, sot 350 mijë nxënës filluan mësimin në ditën e parë të shkollës në ciklon parauniversitar.

Le t’u urojmë ne atyre një vit të mbarë dhe suksese.

Por le t’u urojmë mësuesve, prindërve, mbarësi dhe shëndet, suksese në këtë vit.

Por ftoj çdo shqiptare dhe shqiptar të mos harrojë se sot u ulën në bankat e shkollës 350 mijë nxënës, ndërkohë që në vitin 2013, në këto banka u ulën 630 mijë nxënës.

Pra në tetë vite të Rilindjes, kësaj mortaje krimi, numri i nxënësve në shkollat tona, u përgjysmua.

Kjo rënie e frikshme ka sjellë mbylljen të rreth 750 shkollave në mbarë vendin.

Kjo rënie e frikshme ka sjellë pothuajse mbetjen pa fëmijë, pa nxënës të shumë e shumë zonave të vendit.

Kjo rënie vazhdon me ritme të paimagjinueshme.

Të dashur miq, në shkollat e Korçës, në klasë të 10-të këtë vit u regjistruan 500 nxënës më pak apo një e treta më pak se sa një vit më parë.

Këtë vit, shkollat nisën punën në një kohë kur vitin e kaluar në testin e cilësisë në PISA ato patën një rënie pikiate prej 62 pikësh.

Mendimi krijues i nxënësve tanë u vlerësua më i dobëti në planet.

Mësuesit vazhdojnë të jenë mësuesit më të papaguar në Europë dhe në Ballkan.

Rroga e rritur këto kohë e tyre është aq e vonshme saqë i la ata përsëri në mësuesit me rrogat më të ulëta në Ballkan dhe Europë.

Kjo qeveri e rrënoi arsimin!

E shndërroi atë në institucionin e partisë dhe patronazhistëve.

E shndërroi atë, infrastrukturën e tij, në një infrastrukturë në të cilën krerët e qeverive vendore të partisë së krimit vjedhin nga 70 deri në 90 përqind të fondeve të dedikuara për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave.

Të dashur miq, beteja jonë është beteja më historike.

Është betejë për të ardhmen tonë.

Fëmijët shqiptarë meritojnë një të ardhme të ndritur.

Mësuesit shqiptarë meritojnë dinjitetin që u takon.

Meritojnë trajtimin dinjitoz.

Ndaj dhe jam në këtë ditë, për t’u zotuar se njëlloj si dikur, që ata ishin mësuesit më të paguar

të rajonit, PD do të bëjë përsëri që ata të jenë mësuesit më të paguar të rajonit.

PD do shndërrojë profesionin e mësuesit në profesionin më të respektuar dhe ai, mësuesi dhe mësuesja, do kenë trajtimin më dinjitoz.

Por me këtë rast të gjithë mësuesit e vendit, jipni kontributin tuaj sepse shkollat, sepse para syve tuaj, me një shpejtësi të rrufeshme, po treten, po mbyllen, po zhduken shkollat që ju keni djersitur, keni dhënë kontributet më të mëdha.

Para syve tuaj po zhduken më të çmuarit, po zhduken fëmijët dhe së bashku me ta, e ardhmja e këtij vendi.

Sot në Lunxhëri, në klasë të parë hynë vetëm 6 nxënës. Në Nepravishtë, vetëm 2 nxënës.

Të dashur miq, sirenat e alarmit po oshëtijnë në të katër anët e vendit.

Kjo sirenë fton shqiptarët ta shpëtojnë nga kthetrat e kësaj diktature të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen që po i përzë shqiptarët nga Shqipëria çdo ditë, çdo javë, çdo muaj.

Sot në Shkodër i dhanë përgjigje përfaqësuesit të Edi Ramës.

Ftoj qytetarët në mbarë Shqipërinë t’u rezervojnë të njëjtën pritje përfaqësuesve të organizatës kriminale të Edi Ramës.

Ata që u shpërndau dje si drejtues politikë, ata janë organizata kriminale më e rrezikshme.

Kurrë në Shqipëri nuk është shpalosur një bandë hajdutësh si ata.

Ndaj dhe kthejuani restin kudo.

Të ecim të sigurt drejt qeverisë teknike, drejt fitores.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale