BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sërish thirrje për mbështetje masive të protestës së të rinjve dhe qytetarëve, të cilën ai e ka cilësuar si lëvizjen më të rëndësishme qytetare të viteve të fundit, ndërsa akuzoi Edi Ramën se po përpiqet ta godasë dhe diskreditojë atë me të gjitha mjetet.
Gjatë bashkëbisedimit të tij online me qytetarët, ai deklaroi se protesta po kthehet në simbolin e shpresës për shqiptarët dhe se suksesi i saj varet nga mbështetja që do të marrë nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit. ‘Kjo protestë duhet të fitojë dhe ka vetëm një kusht: mbështetjen e fuqishme nga mbarë qytetarët shqiptarë. Thirrja ime është për çdo shqiptare dhe shqiptar, kudo që ndodhet, të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj’, u shpreh Berisha.
Sipas kryedemokratit Sali Berisha, reagimi i qeverisë ndaj protestës ka treguar frikën e saj nga revolta qytetare. Ai akuzoi Ramën se po përdor metoda të ngjashme me ato të regjimeve të vjetra për të sulmuar protestuesit. ‘Edi Rama kalon çdo ditë nga bota dixhitale në botën e errët të policisë sekrete. Merret me njolla dhe biografi njëlloj si etërit e tij. Sulmon qytetarët vetëm pse marrin fjalën apo shprehin mendimin e tyre’, theksoi ai.
Lideri i opozitës Sali Berisha ka lëshuar një akuzë të fortë ndaj Edi Ramës. Sipas tij, Rama ka zhvilluar takime me ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad. ‘Kam qenë kryeministër kur shërbimet e huaja më informuan se Edi Rama kishte shkuar në Teheran dhe ishte takuar me Ahmadinexhadin. Edhe Erion Veliaj e kishte bërë atë rrugë disa herë. Nga verifikimet rezultoi se të paktën në një rast Rama kishte marrë pjesë në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmadinexhadi’, tha Berisha, ndërsa deklaratën e tij, ai e bëri pasi Rama ka vendosur të shpall non grata një grua nga Kosova, e cila mori pjesë në protestë, dhe kishte një foto me Ahmedinexhadin.
Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përpjekje për të denigruar figurat e luftës çlirimtare shqiptare, duke përmendur rastin e heroit të UÇK-së, Tahir Sinani. ‘Arritën deri aty sa të përbaltin Tahir Sinanin, një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Nxorrën dokumente pa asnjë interpretim vetëm për të sulmuar UÇK-në dhe luftën e saj’, u shpreh ai.
I pyetur nga qytetarët në lidhje me faktin se, kur do të jetë PD-ja që të organizojë protestat, lideri i demokratëve Sali Berisha këmbënguli në faktin se, Partia Demokratike ka zgjedhur të mbështesë protestën pa tentuar ta kontrollojë atë politikisht. ‘Ne kemi zgjedhur të mbështesim me të gjitha mundësitë tona një protestë që nuk është thirrur nga Partia Demokratike. Respektojmë plotësisht karakterin e saj rinor dhe qytetar. Por kjo lëvizje i ka dhënë Edi Ramës një goditje pothuajse fatale’, theksoi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i kërkoi sërish Edi Ramës në mënyrë të drejtpërdrejtë, që të japë dorëheqjen. ‘Edi Rama, jep dorëheqjen menjëherë. Ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Je arrogant dhe cinik. Kërkon që ata të largohen nga Shqipëria. Po soset durimi i tyre’, deklaroi Berisha. Duke e cilësuar protestën si ‘investimin më serioz për të ardhmen e kombit’, kryetari i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen dhe ta mbështesin atë deri në realizimin e qëllimeve të saj.

FJALA E PLOTE
Përsëri kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri ka qenë dhe mbetet protesta madhështore e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.
Protestë e qendrestarëve të pamposhtur, e idealeve më të larta dhe fisnike të të rinjve shqiptare.
Nga viti 1990 gjer sot, Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë një protestë rinore, një eksplozion të idealeve, emocioneve, civilitetit të të rinjve shqiptarë, të mbështetur pasivisht dhe nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët e Tiranës, por edhe nga diaspora dhe qytetet e tjera shqiptare.
Në këtë kuadër, vazhdimësia e protestës, masiviteti i saj i përnatshëm janë bërë burim shprese, kanë ngrohur zemrat e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë botën ku janë.
Kjo protestë duhet të fitojë dhe ka vetëm një kusht: mbështetjen e fuqishme nga mbarë qytetarët shqiptarë.
Thirrja ime është për çdo demokrate e demokrat, për çdo shqiptare e shqiptar, kudo që ndodhen, në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, është të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për shqiptarët, Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit.
Secili shqiptar duhet të mendojë për një moment se do të jetë historik kontributi i tij në suksesin e kësaj proteste.
Por, krahas saj, çdo ditë dhe çdo natë dalin si hije të zeza terri, si demonë të vërtetë, qëndrimet ndaj protestës të Edi Ramës dhe puthadorëve të tij të neveritshëm, të cilët nga mëngjesi gjer në darkë, shfrytëzojnë çdo hapësirë dhe çdo mjet për të ndërmarrë sulmet më të shpëlara, më banale, më primitive ndaj idealeve rinore evropiane dhe mbartësve të tyre, të rinjve shqiptarë.
Kësaj fushate të neveritshme i prin vetë direkt kreu i Meduzës, kreu i organizatës kriminale në pushtet, Edi Rama.
Ndiqini me vëmendje përpjekjet e tij.
Pasi e kuptoi se beteja zhvillohet jo në universin që kontrollon ai, të medieve dhe portaleve të pafundme të tij, por kjo betejë zhvillohet në universin dixhital.
Pasi demonizoi blogeret, influenceret.
Pasi shpalli si bajloz të zi algoritmin, Edi Rama u rikthye në genin e tij.
Çdo ditë dhe çdo natë kalon nga bota dixhitale në botën e errët të policisë sekrete shqiptare.
Merret me njolla, merret me biografi njëlloj si etërit e tij.
Sulmon një javë rresht njërin apo tjetrin personazh pse mori fjalën apo pse tha një parullë që nuk duhej ta thoshte.
Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin.
Po më lejoni t’u tregoj një gjë o qytetarë.
Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin.
Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë.
Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi.
Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare.
Rasti tjetër, është apo nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Është i tillë apo i atillë.
Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinanin.
Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj.
Pra, njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë.
Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën.
Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot.
Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB, duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta.
Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë.
Je arrogant, je cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria.
Ndaj dhe jep menjëherë dorëheqjen sepse po soset durimi i tyre.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET:
Muharrem Kurti: Zoti Berisha ju përshëndes. Rama i Surrelit ngeli në avion nëpër Europë. Ju u keni bë thirrje çdo demokrati të dalë në protesta, ndërsa Ramziu nuk lëviz me këngë e valle, duhet revolucion doktor.
Sali Berisha: Zoti Kurti, faleminderit për pyetjen. Partia Demokratike dhe unë kemi zgjedhur të mbështesim me të gjitha mundësitë tona një protestë që s’është e thirrur nga ne.
Të respektojmë plotësisht karakterin e saj rinor, qytetar. Të mos japim këshilla, mbasi ata kanë bordet e tyre, koordinuesit e tyre.
Por përsëri mendoj se shpirti i saj rinor dhe qytetar është dhe duhet të jetë magnet për çdo qytetar dhe qytetare të ndershëm të këtij vendi.
Sigurisht Edi Rama, tash e disa herë, përpiqet ta injorojë plotësisht, përpiqet të mbulojë kërkesat e drejta të kësaj lëvizje me praktikat e vjetra të njollave në biografi e të tjerë, e të tjerë.
Por unë përsëri i konsideroj këto përpjekje të dështuara. E vërteta është se kjo protestë e gjeti Edi Ramën të plagosur, unë e kisha thënë me kohë, por kjo i dha dhe një goditje pothuaj… pothuaj fatale nga e cila nuk del dot më.
Albanian Americans: Doktor, përshëndetje. Kam ndjekur këto ditë debatin e hapur në lidhje me Albanian Files. Nuk më habiti letra e arkitektit holandez që i kërkonte Ramës të mos zhvilloheshin zgjedhje dhe të shpallej mbret, se njerëz servilë, të korruptuar ka kudo. Më habiti më shumë fakti se kjo letër ishte e botuar në libër, që Rama e tundte para BBC-së. Çfarë ka ndërmend të bëjë ky njeri, se kjo po bëhet e frikshme?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Unë ju garantoj ju se ky njeri, si çdo diktator tjetër, është i aftë të marrë çdo vendim për të shpëtuar lëkurën e tij.
Mbi Edi Ramën rëndojnë krime monstruoze, vjedhje të qindra dhe miliarda eurove, vjedhje të pasurive publike të pafundme. Rëndon bashkëpunimi me kartelet që transportojnë çdo vit qindra e qindra tonelata kokainë drejt Europës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.
Më lejoni t’ju rikujtoj vetëm një moment. Në dosjen e Franc Çopjas, që ishte para këtyre Gjika, Dizdari, Aliaj, ndër të tjera shkruhej se një personazh me mbiemër Roboza në Paraguaj dispononte në vit 350 tonelata drogë, kokainë dhe bashkëpunonte me 41 grupe shqiptare të trafikut të drogës.
Njëri prej të cilëve ishte Franc Çopja që kishte siguruar prej tij 28 ton. Që të gjitha këto janë faturë sot, se bashkohen në bashkëpunimin e ngushtë me Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Sepse këtu droga shtrohet në beton, betoni shtrohet në para dhe drogë përsëri.
Parajsa e larjes së parave është sot Shqipëria në Europë, mbasi ajo e ka treguesin e ndërtimit tre herë më të lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian dhe ka çmimet ndër më të lartat në Europë pikërisht për shkak të narkoeurove.
Adelina Dragoshi: Zoti Berisha, Tahir Sinani, hero i tre luftërave, është cilësuar nga Balla si mercenar. A është ky një shërbim i ulët për Beogradin se Tahir Sinani për herë të fundit është cilësuar i tillë nga regjimi i Millosheviçit?
Sali Berisha: Është absolutisht e njëjta linjë. Është Edi Rama.
Më falni po Taulant Balla, një fjalë të vetme nuk nxjerr pa mesazhet e Edi Ramës.
Taulant Balla është automati i Edi Ramës.
Dhe të jeni të sigurt që edhe dokumentin, një dokument krejtësisht normal borderosh për shpenzime, Tahiri Sinani siç e dini ju komandonte disa brigada në frontin e Pashtrikut, një nga frontet më të nxehta të luftës së Kosovës, pra edhe ato i ka nxjerrë Edi Rama dhe kanë dalë vetëm me urdhër të Edi Ramës nga arkivi i shtetit. I shtetit të pabesë. I shtetit që ndaj luftëtarëve të lirisë përdor standardin e Vuçiçit.
Xhimi Kodrej: Vetëm një pyetje Doktor. Ne demokratët kur do bëjmë protesta apo t’i lëmë të na ofendojnë Berisha në burg, Edi Rama në burg? Ky ka kry punë.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Demokratët të gjithë janë në protestë. Dhe në këtë protestë marrin pjesë qindra dhe mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme.
Dhe unë mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë. Nuk kanë shkuar me simbole të partisë, kanë shkuar si qytetarë, si demokratë.
Për sa u përket sloganeve, ka disa momente, nuk kanë asnjë lidhje me idealet e vërteta rinore qytetare.
Janë slogane klithma mjerane të opozitës së opozitës, me të cilat ajo duke krahasuar Edi Ramën me Sali Berishën, duke krahasuar dy të pakrahasueshme në mënyrë absolute në çdo aspekt, kërkon të zbusë pozicionin e Edi Ramës.
Kërkon gjithashtu të nxisë qorrsokakun për leverdi të opozitës së opozitës.
Nuk ka në historinë e botës kush të protestojë kundër opozitës dhe qeverisë njëkohësisht. Të barazojë qeverinë me opozitën.
Këto janë të gjitha dufe dhe mllefe të atyre që hyjnë në politikë si shërbëtorë të qeverisë dhe mendojnë se mund të spostojnë opozitën vigane, e cila kaloi një kalvar të papërsëritshëm në Evropë dhe u provua para shqiptarëve si opozita e vërtetë dhe e fuqishme e këtij vendi.
Ndaj dhe u ftoj ju, asnjë impresion nga ato klithma, mbështetje të plotë, pasi ato nuk janë britma që dalin nga idealet e të rinjve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë, por dalin nga opozita e opozitës dhe grupe të vogla të armikut të egër të opozitës shqiptare, Xhorxh Soros, që paguan për to.
Fatmir Topi: Përshëndetje doktor, uroj të jeni mirë. Kur do të shkoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për inat të Ramës?
Sali Berisha: Tani. Faleminderit Fatmir.
Nuk them se do shkoj vetëm kur të fitojmë zgjedhjet si kryeministër, por do shkoj dhe më parë. Natyrisht, në momentin e përshtatshëm.
Unë jam në opozitë, mund të shkoj në ndonjë konferencë, në ndonjë aktivitet. Ky është dhe mendimi im.
Shyqyri Myrtollari. Doktor përshëndetje. Rama vuri në shërbim të krimit Këshillin e Ministrave, Bankën e Shqipërisë, Ambasadat, Policinë e Shtetit, Portin e Durrësit, Doganat dhe Bashkitë. Gjithashtu ndërmori disa ligje speciale si monopolizimi i lejeve për kullat dhe resortet, ligji për ndërtimet në zonat e mbrojtura, paketa e maleve, dhe çmimet e referencës në ndërtim. A duhet të hetohet si organizatë kriminale?
Sali Berisha: Kjo organizatë kriminale duhet të rrëzohet një minutë e më parë Shyqyri. Dhe ne nuk tërhiqemi kurrë nga kjo pikëpamje dhe nga rrëzimi i saj.
Por dua të them dhe një gjë, që lëvizja rinore qytetare i ka dhënë disa nga goditjet më fatale këtij regjimi. E ka lënë pa fytyrë në mbarë Evropën dhe botën.
Dhe një gjë dua t’ju them të dashur miq, sulmet e lëvizjeve rinore qytetare, apo lëvizjet rinore qytetare, janë shumë më ngjitëse sesa ato që vijnë nga kundërshtarët politikë. Ndaj dhe kjo protestë rinore e ka nxjerrë Edi Ramën lakuriq. Armik të rinisë së kombit të tij, armik të të ardhmes së kombit të tij.
E ka dërmuar, e ka nxjerrë siç e meriton. Pra, duhet të jemi mirënjohës.
Pse i them këto? Nuk duhet të shohim se, se Edi Rama është vërtet aty kufomë e pakallur politike, por goditjet që ka marrë e bëjnë atë absolutisht më të pashpresin qeveritar në Evropë.
Bulent Tupi: Përshëndetje doktor. Doli në qarkullim një video e juaja teksa udhëtonit për në Gjermani. Jemi kurioz të dimë cilat ishin arsyet e vizitës suaj atje?
Sali Berisha: Unë ditën e enjte u nisa në një udhëtim blic në Gjermani. Pse shkova? Shkova me ftesë të kryetarit të bashkisë të Bundestagut dhe të shoqatës së Bundestagut dhe biznesit, bizneseve të vogla dhe të mesme, në festën e 50-të të kësaj shoqate, për çka jam shumë mirënjohës presidentit për ftesën që më dërgoi.
Në disa orë në atë festë pata rast të takoj shumë deputetë, politikanë, biznesmenë gjermanë, miq të mi që prej shumë vitesh nuk i kisha takuar.
Festën e përshëndeti edhe vetë Kancelari Merz për peshën që ka kjo shoqatë. Pastaj unë pata takime të veçanta, tani të them të vërtetën, e kisha dhe një nga qëllimet që shkova. I takoja dhe t’i falënderoja disa miq të shquar që në ditët më të vështira të Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës ishin të pranishëm me mbështetjen e tyre të fuqishme. Elmar Brok, Peter Beyer, Peter Tiede, Olav Gutting.
Sigurisht që në atë kohë të shkurtër unë e shfrytëzova dhe për dy takime, njërin në Bundestag me Tilman Kuban, zëvendës i grupit parlamentar të CDU-së për politikën europiane dhe një mik timin të kahershëm Christian Kremer, kryetar i zyrës për marrëdhëniet ndërkombëtare të Bashkimit Kristian Demokrat Gjerman.
Besoj se u takova dhe thashë, me këta miq diskutuam, shpreha mirënjohje. Në takim me mua ishte dhe Tomor Alizoti, nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por dhe i informova për revoltën madhështore të të rinjve shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre, garancitë që jep Partia Demokratike për t’i mbështetur ato kërkesa me të gjithë forcën e saj dhe qëndrimin që mban.
Kërkova mbështetjen e tyre. Them se pata një takim blic, një udhëtim të shkurtër, rreth 24 orë, por mjaft interesant.
Mjaft interesant.
Xhovi Nikolli: Përshëndetje Doktor Berisha, unë si demokrat atë protestë nuk e shoh si shpresë për të rrëzuar Ramën, ajo protestë është e mbytur me spiunë dhe patronazhistë. Unë mendoj se opozita do të ishte më mirë t’i përkushtohet punës për përgatitjen për zgjedhjet se do të jenë në pranverën e ardhshme, sesa t’u shkojmë mbrapa patronazhistëve, pasi atë protestë e komandojnë patronazhistët. Ata i prijnë, ata mbajnë fjalime, për mua asnjë vlerë nuk ka. Zoti ju ruajt doktor Berisha!
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen dhe komentin.
Tani, çfarë mund t’u them unë ju për komentin tuaj. Nuk ka dyshim se në çdo lëvizje të hapur, pa përjashtim, përpiqen të ndërhyjnë dhe ndërhyjnë shumë duar.
Por të garantoj që pavarësisht nga këto përpjekje, pavarësisht nga përpjekjet e opozitës së opozitës për ta shfrytëzuar atë kundër opozitës së vërtetë.
Pavarësisht nga patronazhistët, për ta njollosur atë si gjoja një lëvizje të udhëhequr ndaj tyre.
Pavarësisht nga ndonjë ekstremist që hedh parulla të papranueshme, ajo lëvizje, u garantoj, është një lëvizje e mrekullueshme, madhështore rinore dhe qytetare.
Ndaj dhe edhe ju u ftoj të mos na pengojnë gjethet dhe degëzat për të parë trungun madhështor të asaj lëvizje.
Dhe çdo njeri i ndershëm, që beson se Edi Rama është një armik i egër i qenies shqiptare, i mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, i identitetit të shqiptarëve, duhet ta mbështesë atë lëvizje pa asnjë rezerve.
Ajo është lëvizje e idealeve rinore.
Pse filloi?
Ajo filloi si reagim ndaj një brutaliteti shtazor që u tregua ndaj një protestuesi paqësor dhe kërcënimit që u bëhej me projektin kolonisë së flamengove.
Por ajo nxori në pah mungesën e plotë, totale të transparencës në çdo gjë nga ana e Edi Ramës.
Dhe ajo me shpejtësi të rrufeshme u tha shqiptarëve se Edi Rama duhet të largohet menjëherë dhe sa më parë dhe se nuk negociojmë dorëheqjen e tij.
Pra, duhet t’i marrim këto për bazë.
Ju mund të më thoni se Edi Rama nuk po pyet, dakord ai vazhdon punën.
Por ua them unë ju i dashur mik, një damkosje të tillë që i kanë bërë ata djem dhe vajza, ata qytetare dhe qytetarë në ato protesta madhështore, e kanë shndërruar Edi Ramën në kufomë politike, një njeri të urryer në mbarë Evropën dhe më gjerë.
Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur ato protesta.
Fatmir Myrta: Gazetari Vincent van Grei tha se Rama është kumbari i kullave. Por përpara një viti ju keni denoncuar pikërisht këtë fenomen, pastrimin e parave që bëheshin në kulla me leje qeveritare. U ka kërkuar SPAK ndonjë informacion për këtë denoncim apo u thërret vetëm për gjëra që nuk kanë vlerë?
Doktor, Rama po u ndalon hyrjen në Shqipëri qytetarëve të Kosovës si antiamerikanë, por a nuk ishte pikërisht ky person që hidhte si leckë flamurin amerikan, sulmonte Donald Trump dhe bashkëpunonte me McGonigal?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Lidhur me kullat, cili ka qenë qëndrimi i qeverisë së PD? Asnjë kullë në asnjë qytet në asnjë vend në Shqipëri.
Kulla ka malet Shqipëria. Nuk ka nevojë për kulla.
Plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2011, nuk lejonte në Tiranë ndërtime maksimumi 8 kate. Dhe ato të rralla.
Edi Rama, i cili sipas raportit të OSBE erdhi në pushtet me 200 milionë euro të depozituara në banka offshore, të gjitha gjoba ndërtimesh, u kthye tek kullat pasi aty ai nxjerr fitime përrallore dhe lan paratë e klaneve kriminale që ai drejton, karteleve të drogës.
Më hipokritja, më e ulëta ishte kur megjithëse unë i kam shpallur kullat si monumente të shëmtuara të korrupsionit dhe drogës, si kundërpërgjigje u gjetën opozitarë të opozitës dhe puthadorë të Edi Ramës, ta përlyejnë Sali Berishën dhe të thonë se djali i tij ishte aksioner tek Mali i Tiranës.
Ja tani që na erdhi dosja e Arubës dhe që e ka në dorë Altin Troplini, këta hipokritë për të justifikuar Edi Ramën, për ta lehtësuar Edi Ramën, zgjodhën një shpifje ndër më të ulëtat, ndër më bajatet.
Dëgjoj çakej pa asnjë lloj morali se në këtë kullë dhe në atë kullë, se Berisha nuk flet këtu, nuk flet aty.
Sali Berisha është në mënyrë kategorike kundër kullave. Në mënyrë të prerë!
Sa ka qenë kryeministër nuk ka firmosur asnjë dhe nuk do firmosë ndonjëherë asnjë.
Ky është qëndrimi.
Edi Rama është për kulla sepse lahet tonelatat e drogës dhe vetë fiton kate të tëra.
Në qoftë se Lubia ka të numëruara 320 apartamente, apartamentet e Edi Ramës mund të jenë mijëra e mijëra.
Sokol Mrishaj: Përshëndetje doktor. Ky grabitqari i pashoq nuk ka të ndalur, ditët e fundit doli se kanë vënë dorë në lumin Nikaj Mërturit me fadroma duke bërë devijimin e tij. Leja e punimeve është dhënë nga një kryetar bashkie i akuzuar për korrupsion dhe kompanitë janë nën akuzë.
Sali Berisha: U bëj thirrje banorëve të Nikaj Mërturit, të përzënë urgjent të gjithë ata të cilët ju shkatërrojnë atyre lumin e jetës.
Nikaj Mërturi është një nga zonat më panoramike të veriut dhe të alpeve. Urgjent t’i përzënë! Paskan gjetur dhe shtratin e lumit të Nikajt për ta shkatërruar lumin.
Korrupsioni dhe paratë e drogës po rrënojnë kudo vendin. U bëj thirrje dhe një herë banorëve të Nikaj Mërturit t’i përzënë një minutë e më parë ata që duan t’u shkatërrojnë lumin atyre.
Shaliane Dukagjinasi: I nderuar doktor profesor Sali Berisha. Jam Shaliane Dukagjinasi. Kur përmbi 700 vjet të parët tanë jetuan në Alpe në mbrojtje të identitetit kombëtar, mbi çfarë baze ligji mbi tokat e pasuritë tona janë regjistruar si pronë shtet? Keni dijeni për këtë tjetërsim kriminal apo më mirë grabitje e hapur? Atje çdo gur ka zot. Për çfarë pakete malesh mund të flitet?
Sali Berisha: Pushtimi i vërtetë i maleve. Edi Rama me paketën e maleve sillet absolutisht më keq se pushtimi otoman. E the bukur ti, e the shumë bukur.
Zonat e maleve dhe alpet kanë jetuar pothuaj në autonomi të plotë nga perandoria, duke paguar një taksë. Janë nxjerrë, jo të shkonin atje, por janë nxjerrë dikur jashtë territorit.
Jo që s’mund të ndërtonte, por s’mund të imagjinonte të ndërtonte kush aty.
Dhe ajo që the ti është shumë e vërtetë. Tokat, siç e the ti, ose janë familjare, ose janë të komuniteteve.
Nuk ka asnjë pëllëmbë tokë shtet. Asnjë pëllëmbë! Nga majat, deri në luginën më të thellë. Ky do t’i pushtojë me trafikantë droge dhe banda.
Sentjon Mhilli: Doktor, do kërkoni hetim për çështjen e tokave të Vunoit, se ajo është po aq e rëndë sa edhe Zvërneci? Gazetari Arian Konomi akuzon se s’janë më 22 hektarë, por 100 hektarë të vjedhura nga Olsi dhe Edi Rama që po u vihen në dispozicion trafikantëve, si rasti i Isa Aliut.
Sali Berisha: Unë në radhë të parë përshëndes gazetarin Konomi për guximin që tregon. Ai është bërë, me prononcimet e tij në video në rrjetet sociale, avokati më i fuqishëm i të drejtës pronësore të qytetarëve të bregut.
Edi Rama vetë, siç e ka paraqitur dhe zoti Konomi, siç kemi paraqitur dokumente në mënyrë të përsëritur, është një nga plaçkitësit kryesorë dhe unë e besoj plotësisht Arian Konomin në atë që thotë.
Vetëm kanioni i Gipesë është 224 mijë metër katrorë. Vetëm kanioni i Gipesë!
15 mijë metër katrorë ishte toka tjetër që paraqita para dy javësh, larg nga kanioni por e ngjitur në Vuno. E cila kishte blerës Salvadorin e Edi Ramës, Salvador Ramën, Alia quhet por Rama, se është i lidhur me Ramën në trafik. Salvador Ramën, por nuk kishte shitës. Shitës nuk kishte aty, nuk dilte shitësi.
Dhe kjo tokë në zonën më të mirë të Vunoit, ishte paraqitur në hartën e fshatit si tokë publike nga Artan Lame.
Ngaqë u paraqit tokë publike, pra jo siç pretendon Edi Rama me Olsin dhe me këtë pretendon, ai u shkarkua pesë ditë mbrapa nga detyra.
Natyrisht, dora e zezë e një njeriu, Ardit Bido, thuhet dhe unë po mbledh dokumente, se ai ka bërë falsifikime të tmerrshme në tërësi për pronat dhe kjo natyrisht do shkojë për hetim. Komision hetimor do krijojmë patjetër.
Ferdinand Syllari: Zoti Berisha, ju lutem duhet të prononcoheni edhe me artikulim konkret: kush ka futur duart në taksat dhe lekët e shqiptarëve, duhet të vejë jo vetëm në burg, por edhe konfiskim i gjithçkaje deri në brezin e katërt. Ju lutem shprehuni, se ka shumë kakofoni nga laraskat që ushqehen nga pushteti.
Sali Berisha: Absolutisht pa asnjë kundërshtim, me mbështetjen më të plotë.
Çdo njeri, çdo zyrtar që ka futur dorën e tij të zezë jo vetëm në taksa, por në çdo pasuri publike, duhet të bëhet përgjegjës para ligjit.
Dhe jam plotësisht dakord, krijimi i një agjencie të posaçme e cila do hetojë pikërisht fatin e taksave dhe pasurive publike gjatë qeverive të ndryshme. Pa asnjë hezitim.
Aleks Kapllanaj: Mirëdita Doktor Sali Berisha. Pyetjet e mia janë: Deri kur SPAK do të vazhdojë të jetë zyra avokatisë e qeverisë së korrupsionit të Edi Ramës?
Vetëm akuzat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj janë të mjaftueshme për t’u arrestuar. Prokurorët e antimafias italiane gjithashtu kanë deklaruar se mafia shqiptare është shumë e fortë sepse investon në Shqipëri në bashkëpunim me përfaqësues të institucioneve shqiptare. Pra, kemi të bëjmë me një narko-shtet.
Njëkohësisht a duhet ta përshkallëzoni dhe ju si opozitë goditjen me fakte kundër organizatës kriminale të qeverisë Rama, meqenëse sot Shqipëria është në vëmendje të mediave ndërkombëtare? Faleminderit.
Sali Berisha: Ju falënderoj shumë për pyetjen. Ju garantoj se kemi bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për t’i faktuar shqiptarëve dhe botës se Shqipëria është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Evropë. Dhe kjo ka qenë një rrugë shumë e vështirë, me një oponencë të egër për shkak të lobimeve korruptive të Edi Ramës.
Por, janë disa rezoluta ndërkombëtare të partive politike që tani flasin për Shqipërinë narko-shtet. Ne nuk tërhiqemi. Jo se duam kurrë ta quajmë këtë vend ashtu siç ai nuk është, por sepse pa deklaruar realitetin, duke fshehur realitetin, ti nuk e lufton dot kurrë atë, nuk e ndryshon dot kurrë atë.
Dhe gjithnjë e më shumë, miqtë tanë, partnerët tanë, po binden në vërtetësinë e atyre që kemi deklaruar ne.
Ne do të vazhdojmë këtë betejë si një betejë jetike vendimtare pas votës së lirë për shpëtimin e Shqipërisë nga kthetrat e krimit.
Ndaj dhe nuk mund të ketë asnjë kompromis, por mund t’u them se gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohen për pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit në Shqipëri.
I dashur mik, tre ditë më parë euro u kthye me 93 lekë kundrejt 135 deri 140 lekë që kthehej pak vite më parë.
Kjo shkatërroi eksportet.
Kjo mbylli qindra dhe mijëra ndërmarrje eksporti.
Kjo rriti çmimet në stratosferë.
Kjo vuri Shqipërinë në thundrën e drogës sikur të ishte një pushtues i egër.
Thundrën e Edi Ramës sepse drogën e bën, e mbron, e investon Edi Rama.
Njazi Vezaj: Përshëndetje Doktor, a duhet protestuesit ta largojnë traun në Rrugën e Kombit?
Sali Berisha: Shumë dakord me ju dhe qëndron plotësisht, por këta kanë zgjedhur me shumë mençuri dhe të drejtë të largojnë krye-traun e krimit dhe të zezave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Edi Ramën, dhe pastaj trarët e tjerë.
Leo Nika: Përshëndetje Doktor. Të gjithë agjentët e SHIK-ut na presin nëpër qoshe dhe nëpër cepa dhe kanë shtuar presionin dhe na kërcënojnë ne që protestojmë çdo ditë.
Madje agjentët e SHIK-ut kanë arritur deri aty sa na kërcënojnë duke na nxjerrë pistoletat. Kërkojmë ndërhyrjen e drejtores së SHISH për terrorin që po na bën ne protestuesve.
Sali Berisha: Dënojmë me forcën më të madhe akte të tilla terroriste, të porositura direkt nga Edi Rama dhe të ekzekutuara me porosi të tilla nga agjentja e përbashkët Rama-Vuçiç, Vlora Hyseni.
E garantoj zonjën se do bëhet përgjegjëse për të gjitha këto akte dhe i ftoj qytetarët t’i fotografojnë kudo që t’i shohin të dërguarit e saj dhe të mos kenë asnjë lloj impresioni ndaj tyre.
Është tipike praktikë e një shteti policesk kjo që ndodh.
Edi Rama merret me njollat dhe biografitë. Po t’i hysh biografisë së tij dhe njollave të tij nuk ka lum që i lan dot ato.
Ndërsen kreun e SHIK-ut dhe policinë kriminale kundër protestuesve.
U bëj thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga asnjë presion i tyre, por t’i denoncojnë me guxim në çdo rast.
Paulin Zefi: Veç jush dhe kryeprokurori italian Nicola Gratteri ka denoncuar pastrimin e parave të pista përmes ndërtimit të kullave në Tiranë. Përse SPAK nuk ka kryer funksionin e tij? A vijon SPAK të jetë pararoja e pushtetit edhe pse tashmë ka një prokuror të ri?
Sali Berisha: Tani nëse është apo s’është pararoja e pushtetit i dashur mik, ju ftoj të keni parasysh vetëm këtë moment.
Dosja e Arubës, që ka ardhur nga Belgjika dhe Spanja, ka emrat e trafikantëve që ishin në takimin e Arubës, ka emrat e biznesmenëve që ishin në Aruba në takim me trafikantët, ka emrat e qeveritarëve që ishin në Aruba dhe që organizonin takimin.
Dhe Altin Dumani publikon emrat e trafikantëve, publikon emrat e biznesmenëve, dhe nuk publikon emrat e qeveritarëve që ishin aty vetëm e vetëm për të mbrojtur qeverinë e tij dhe Edi Ramën.
Ky është SKAP-i që ta marrin vesh të gjithë shqiptarët.
Një pyetje e parafundit që ka lidhje me Kampionatin Evropian. Doktor, a keni ndjekur ndonjë ndeshje të Kampionatit Evropian dhe a keni vendosur se me kë do bëni tifozllëk?
Sali Berisha: E kam vendosur se me kë do bëj tifo.
Po që të them se kam ndjekur plotësisht ndonjë ndeshje, nuk e kam ndjekur gjer sot, segmente apo fragmente të caktuara.
Unë do bëj tifo në tetë ndeshjet e fundit, me ekipin që do të lozë më mirë, me atë do jem tifoz.
Meqë s’kemi kombëtaren tonë, unë jam indiferent ndaj të tjerëve, kush të luajë më mirë atij do ta duartrokas.
Aleks Marku: Në pamundësi të të pyes ballë për ballë, mund të më dërgosh kodin e jetëgjatësisë? Sa për politikën nuk ta kam frikën prandaj edhe të kam besuar se ti dhe vetëm ti mund ta shpëtosh ëndrrën time personale për t’u rikthyer atje ku linda.
Sali Berisha: I dashur Aleks, falenderoj shumë. Kodin e jetëgjatësisë e mban i Gjithëfuqishmi.
Por puna dhe vetëm puna, është ndoshta rruga më e sigurt për të shtuar vitet e jetës në mendimin tim.
Faleminderit shumë.
***
Atëherë, ju falënderoj shumë për vëmendjen që treguat, pyetjet, komentet që adresuam dhe e mbyll me ftesën përsëri të mbështetet me të gjitha mënyrat protesta e të rinjve shqiptarë si investimi më serioz, më jetik për të ardhmen e kombit tonë dhe të Shqipërisë.
Ju falënderoj dhe ju garantoj se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka, do punojë fort për realizimin e qëllimeve të saj, misionit të saj, votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.


