Berisha: Kjo është një betejë për të shpëtuar kombin shqiptar, nuk është betejë për Salianjin, apo ndonjë parti politike

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur protestën e sotme të deputetëve të PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, si përgjigjen e merituar ndaj Edi Ramës. ‘Deputetët e PD i dhanë sot përgjigjen e merituar Edi Ramës, nisën betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës’, u shpreh Berisha.

Lideri i demokratëve, duke folur në tubimin qyterar u shpreh se kjo është një betejë për të shpëtuar kombin shqiptar,dhe  nuk është një betejë për Ervin Salianjin, as për një njeri tjetër.

Pas trazirave të sotme në Kuvend, Berisha u shpreh më i bindur se kurrë se është moment i duhur që gjithë shqiptarët të bëhen bashkë, kundër Edi Ramës, Xhorxh Sorosit, Aleks Sorosit dhe mafias ndërkombëtare.

Kryedemokrati Sali Berisha është ndalur te thirrja që ai u bën shqiptarëve në katër anët e dheut, të angazhohen kudo që janë në këtë betejë, më të rëndësishmen e jetës së tyre, për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e mafias shqiptaro-ndërkombëtare, e cila luftën e opozitës kundër korrupsionit e ndëshkoi me sanksione për korrupsionin.

‘Çdo ditë që kalon, del në pah shëmtia e fytyrës së mafias që është vërsulur të rrënojë këtë komb, për 1001 arsye, për pushtetin e Edi Ramës, për pasurimin e Edi Ramës, për vjedhjet e Edi Ramës, për tradhëtitë e Edi Ramës.’ -theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju, guximtareve dhe guximtarëve, qëndrestareve dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Luftëtarëve të paepur kundër mafias më të rrezikshme të kontinentit Europian dhe mafias ndërkombëtare.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme që me guxim shpërndajnë të vërteta në të 4 anët e vendit.

Një përshëndetje të zjarrtë deputetëve të Partisë Demokratike, që nisën sot në sallën e parlamentit të mafias dhe krimit, betejën e fitores, betejën e pandalshme, që i dha përgjigjen më të merituar Edi Ramës, këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Europës, që burgosi deputetin Ervin Salianji, sepse ai denoncoi Geronin e vëllazërisë Xhafa, që fshihej dhe si kriminel, shpërndante drogë, helm në Shqipëri, në Itali dhe Europë.

Të dashur miq!

Sot deputetët e PD-së, nisën betejën, betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës. Ajo betejë duhet të frymëzojë çdo demokrate, demokrat, çdo qytetare e qytetar të këtij vendi, për tu ngritur në një betejë në mosbindje civile më te gjitha mjetet e saj.

Për shpëtimin e Shqipërisë nga krimit, mafia, vjedhja.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Rotacionin, fitoren e opozitës.

Deputetët e opozitës sot u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona.

Të dashur miq!

Edi Rama, ky padrino, pasi organizoi grushtin e shtetit me mafian ndërkombëtare kundër opozitës, u vërsul me të gjitha mjetet për ta fshirë atë nga faqja e dheut.

Por dështoi dhe më pas ai ndërseu mercenarët e tij të drejtësisë, të burgosë në arrest shtëpie rivalin e vet politik, me bindjen e thellë se mandat nuk fiton kurrë me në këtë vend.

I papërmbajtur,  i tmerruar nga fuqia e opozitës për të mbjellë frikë dhe terror te çdo qytetar, ai burgosi me dëshmitar të rremë, Ervin Salianjin, sepse u faktoi shqiptarëve dhe botës, se vëllazëria Xhafa me faqeziun ministër dhe me Geronin e shpellave, vazhdonte trafiqet, pasurohej me Olsin, me Edin vëllazërinë Rama.

Kjo është një betejë për të shpëtuar kombin shqiptar, nuk është një betejë kjo për Ervin Salianjin, as për një njeri tjetër, është një betejë kjo për një parti politike.

Kjo është një betejë për mbarë shoqërinë shqiptare.

Kjo është një betejë për fatin e Shqipërisë. Ata të cilët projektuan shkatërrimin e kombit me shkatërrimin e opozitës, do të marrin në flaket e kësaj lëvizje, përgjigjen përfundimtare.

Dhe do të marrin kur në çdo skaj, në çdo shesh, në çdo rrugë, qytetarët të ngrihen në mosbindje civile.

Kur Shqipëria të jetë e tëra në duart e tyre, dhe jo në duart e këtyre kriminelëve mafiozë dhe mafias ndërkombëtare që kërkon me çdo kusht, kombin shqiptar ta mposhtë, ta shkatërrojë me drogë, korrupsion, vjedhje.

Miqtë e mi!

Le të kthehemi pak disa vite më parë, kur shorti i ra kontrollit pasuror të Edi Ramës, mafia ndërkombëtare u vërsul si egërsirë kundër këtij kontrolli, sepse ishin ndërtuar sarajet në Surrel, sepse kishin mbirë në sheshin e pallateve, pallati 5 katësh Linda Rama, sepse nuk ekzistonte asnjë faturë, tatimore, doganore e çfarëdolloj.

Kurse sot me vullnetin e lig antishqiptar për të mposhtur dhe rrënuar një komb, akuzuan Sali Berishën për korrupsion paçka se dëshmia e vetme dolën 400 metra katrorë tokë të Jamarbër Malltezit, pasardhës i familjes së katërt më të pasur të Shqipërisë.

Këta mafioze zgjodhën korrupsionin, mbështetjen e tij për të shkatërruar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Cili ishte korrupsioni i Sali Berishës, tani që përfunduan çdo hetim, pagesat që vajza e saj, ka bërë për pushime, i ka bërë për kujdes shëndetësor, si çdo fëmijë i bën të atit dhe i ati i bën fëmijës. Ky është korrupsioni o mafioz, që e bën për të shkatërruar Shqipërinë, por shqiptarët  do të ngrihen kundër Edi Ramës, Xhorxh Sorosit, Aleks Sorosit dhe mafias ndërkombëtare, Mcgonigalëve.

Miqtë e mi!

O sot o kurrë, duhet të marrim fatin në duart tona.

Flakët e guximit tonë, flakët e trimërisë tonë, duhet të pluhur, shkrumb e hi, ëndërrat, përpjekjet, projektet e mafias shqiptare e ndërkombëtare për shkatërrimin e këtij kombi me drogë, vjedhje e korrupsion.

Flakët e guximit tonë, energjisë tonë, trimërisë tonë, duhet të bëjnë shkrumb e hi projektet antishqiptare të Edi Ramës, thikat që ai përgatit me të tjerët mbas shpine ndaj shqiptarëve në Shqipëri.

Bashkëpunimin e tij prej tradhëtari kundër shqiptarëve në Kosovë.

Miqtë e mi, shqiptarë kudo që jeni, të bashkohemi në këtë betejë vendimtare.

U bëj thirrje shqiptarëve në katër anët e dheut, të angazhohen kudo që janë në këtë betejë, më e rëndësishmja e jetës së tyre, të nxjerrim Shqipërinë nga kthetrat e mafias shqiptaro-ndërkombëtare, e cila luftën e opozitës kundër korrupsionit e ndëshkoi me sanksione për korrupsionin.

E cila luftën e opozitës kundër krimit dhe trafiqeve e ndëshkoi me burgosjen e deputetëve të saj.

Çdo ditë që kalon, del në pah shëmtia e fytyrës së mafias që është vërsulur të rrënojë këtë komb, për 1001 arsye, për pushtetin e Edi Ramës, për pasurimin e Edi Ramës, për vjedhjet e Edi Ramës, për tradhëtitë e Edi Ramës.

Ndaj dhe sot nisi beteja, radha është e jona, është radha e shqiptarëve, është radha e guximtarëve, është radha e atdhetarëve.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Betejë, betejë dhe vetëm betejë.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale