Berisha: Dritat u fikën nga një grup gangsterësh, këtë betejë e kemi detyrim ndaj qytetarëve. Nuk do lejojmë kurrë Ramën, këtë tradhtar që të përdorë pushtetin e shqiptarëve kundër Kosovës

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e vazhdoi fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, në një sallë të zhytur në errësirë me urdhër nga nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, e cila u largua sëbashku me ministrat dhe deputetët e PS-së duke ndërprerë edhe energjinë elektrike në sallë për të mos lejuar vazhdimin e protestës së demokratëve.

Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha, kryetari i PD-së, u zotua sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë një proteste të opozitës, se ‘nuk do lejojmë kurrë Edi Ramën, këtë tradhtar që të përdorë pushtetin e shqiptarëve kundër Kosovës’.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha foli gjatë në kushtet e errësirës, pasi drejtuesja e Kuvendit, N/Kryetarja Ermonela Felaj dhe deputetët e PS e ndërprenë energjinë elektrike kur u larguan, pasi nuk u lejuan ta vazhdonin seancën sipas programit të tyre duke i mohuar çdo të drejtë deputetëve të opozitës.

FJALA E PLOTE:

Siç e shihni, si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan.

Por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë.

Në parlament ju garantoj se do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është një fiktivitet.

Kurrë në 32 vite, nuk i është caktuar përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore.

Për herë të parë, Edi Rama, në traditën më të egër të etërve të tij xhelatë, mori përsipër duke gjetur një peng, të keqpërdorë atë në mënyrë ekstreme dhe ta paraqesë si përfaqësues të opozitës në reformën elektorale, në një kohë kur ai nuk përfaqëson gjë tjetër veçse interesat e tij më të ngushta, më të dyshimta dhe më kriminale.

Kjo është dita e parë e betejës sonë, në këtë betejë e kemi detyrim ndaj jush.

Ju, me kurajën votuat kundër qeverisë. Kundër një qeverie e cila ka rekordet më të zeza në vjedhjen, varfërimin dhe mjerimin e shqiptarëve. Ka rekordet më të zeza në lidhje me krimin dhe drogën. Ka rekordet më të zeza në pasurimin e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tyre me pasuritë publike dhe fondet e buxhetit të shtetit. Ka rekordet më të zeza me lidhjet me grupet e drogës nga Sinaloa e Meksikës që sot është kryekarteli i botës te grupet në Ekuador dhe në vende të tjera. ka rekordet më të zeza në liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhunimin masiv të votës.

Unë jam i bindur se qindra mijëra nga ju do të donit të ishit sot në këtë sallë dhe për këtë ju falënderoj me shumë mirënjohje.

Por nga ana tjetër theksoj se sot, gjer në rikthimin e votës së lirë, betejën do e vazhdojmë së bashku. Në parlament do luftojmë ne për ju se ne ju përfaqësojmë ju dhe kemi votëbesimin tuaj. Jam i sigurt se këtë prisni nga ne dhe pikërisht për këtë arsye kemi marrë këtë vendim.

Ne e duam shumë parlamentin, ne kemi themeluar parlamentarizmin pluralist, por aty ku vdes pluralizmi, parlamenti shndërrohet në një institucion vdekësor të demokracisë, shndërrohet në një vegër të verbër të kreut të krimit të organizuar shqiptar, Edi Ramës.

Kjo betejë nuk është betejë e lehtë, është një betejë e vështirë, por është absolutisht një betejë e sigurt që do ecim drejt fitores.

Ne e meritojmë fitoren, ne mbrojmë këtu një kauzë të drejtë.

Ne nuk do pranojmë më kurrë që Tirana të shndërrohet në epiqendër të luftës së ftohtë kundër gjysmës së kombit.

Nesër në Nju Jork, bashkëatdhëtarët mblidhen për të protestuar kundër Sllobodanit të ri, dhe dhjetë ditë më parë ata protestuan ndaj aktit terrorist në Kosovë, të organizuar nga Beogradi.

Kurse argati i shpifur i Millosheviçit të ri, shndërroi edhe tre ditë evropiane të Shqipërisë, në tre ditë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Nuk do e pranojmë më kurrë një situatë të tillë dhe pa diskutim do të mbrojmë me gjithë forcën tonë interesat kombëtare aty ku ato shkelen.

Kosoova ka sot qeverinë e vet, të zgjedhur në mënyrën më demokratike. Ka një kryeministër, ndaj të cilit nuk rëndon sot asnjë lloj akuze që rëndojnë mbi Aleksandër Vuçiç dhe familjen e tij, mbi Edi Ramën dhe familjarët e tij.

Ne nuk do përzihemi në punët e brendshme të Kosovës, por nuk do lejojmë kurrë këtë tradhtar që të përdorë pushtetin e shqiptarëve kundër Kosovës.

Ka tejkaluar çdo limit, çdo kufi!

Sot, mendjet ndër më të shquarat në Europë, e cilësuan si Pashiqi shqiptar, apo kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit.

Sot në çdo familje të Kosovës, çdo fëmijë, çdo burrë, çdo grua, çdo i ri, çdo e re, e quan vëllai i Vuçiçit.

Për çdo shqiptar, ky është argati i shpifur i Vuçiçit.

Ndaj, të gjithë ata që e duan Shqipërinë, e duan kombin, duhet të ngrihen se ju garantoj se shkelmimi i interesit kombëtar është shkelmim i interesit personal më të rëndësishëm.

Ky tradhtar lobon në katër anët e Europës për bllokimin e vizave për Kosovën dhe ky është një akt i shëmtuar. Ky është një akt çnjerëzor, ky është një akt antikombëtar.

Ju e patë vetë se si kërceu në ekstazë kur presidenti i Francës u shpreh për mundësinë e anulimit të vizave.

Por unë ju garantoj se vizat, Kosova do i marrë dhe Shqipëria do jetë vendi i parë që do i hiqen vizat nga Komisioni Europian.

Lexoni pak direktivat e reja të Komisionit për heqjen e vizave. Shqipëria plotëson çdo kusht që Komisioni ka përcaktuar për anulimin e tyre.

Ndaj dhe është koha të flasim, të flasim të gjithë për interesin tonë, për interesin e çdo qytetari, por për interesin e kombit, pa të cilin nuk ka interesa të qytetarit të vërteta.

Sot, ata ia mbathën.

Po kjo është një ditë, ky është fillimi i një betejë, të cilën ata na e imponuan pasi zhdukën çdo hapësirë kushtetuese dhe ligjore për opozitën në parlament.

Ato karrige në të cilat ulen deputetët e opozitës, nuk janë më karrige reale, janë karrige fiktive se atyre Edi Rama u ka mohuar të drejtën për të hartuar ligjet që ua njeh Kushtetuta.

Dhe ne kemi hartuar 31 ligje dhe asnjë nuk ka ardhur në këtë sallë. Ne kemi hartuar ligje për interesat e qytetarëve, për të luftuar korrupsionin, për minimumin jetik në mënyrë që të mbrojmë shqiptarët. Ne kemi hartuar ligje për të goditur rritjen e madhe të çmimeve, për konkurrencën dhe transparencën.

Ne kemi hartuar rezoluta për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Të gjitha i bllokon kryetarja e parlamentit që sillet si një vasale mjerane e Edi Ramës.

De facto i bllokon Edi Rama, nuk i sjell në parlament.

Atëherë pse jemi ne këtu? Shumë prej jush mund të mendojnë se ne duhet të ikim nga parlamenti. Nuk mendoj se ajo është rruga.

Ne kemi zgjedhur këtë rrugë, nuk tërhiqemi nga kjo rrugë.

Sigurisht, në çdo përpjekje, çdo hap do e marrim së bashku. Në çdo përpjekje do jemi së bashku.

Koha është të përmbushim misionin tonë.

Asnjë shoqëri në botë nuk është zhvilluar jashtë sistemit pluralist.

Arritjen tonë shekullore e grabiti Edi Rama për karrigen e tij, nuk mundet kurrë të pajtohemi ne me këtë gjendje.

Nuk mundet kurrë të pajtohemi ne me regjimin e krimit dhe drogës.

Nuk mundet kurrë të pajtohemi ne me dhunimin flagrant të të drejtave të njeriut, me kontrollin total që ai vendos mbi drejtësinë.

Kurrë ndonjëherë drejtësia nuk ka qenë më e kontrolluar se sot që nga koha e Enver Hoxhës.

Nuk ka kryeministër në botë që do qëndronte kryeministër, në rast se një seri ministrash i dalin të implikuar në vjedhjen e qindra milionë eurove.

Ai qëndron se me SKAP-in e partisë, dënon atë që do dhe amniston atë që do. Dhe u paraqitet shqiptarëve si një njeri i pastër, në një kohë kur ai është më i korruptuari. Në një kohë kur ai dhe familja e tij janë shushunja që me dhjetëra e qindra tendera, plaçkisin pasuritë tuaja, paratë tuaja, fondet tuaja.

Sigurisht që secili që ndjek këtë protestë, ka halle të mëdha. Halle personale, halle familjare, halle me fëmijët.

Por dua t’u them se asgjë nuk mund të zgjidhet nëse nuk rivendoset pluralizmi politik në parlament.

Asgjë nuk mund të zgjidhet nëse nuk rivendoset e drejta e votës së lirë.

Se alternativë e vetme, të cilën e do Edi Rama, është që ju të largoheni nga Shqipëria dhe të pakësohet çdo ditë e më shumë numri i kundërshtarëve të tij.

Ne do bëjmë gjithçka të përmbushim misionin tonë.

Edhe njëherë, ne jemi në mision.

Ju e patë dy ditë më parë, zbarkoi në Tiranë e gjithë elita politike kryesore europiane.

Më thoni pak, a dëgjuat një fjalë të vetme, lavdërim apo mbështetje të veçantë për Shqipërinë? Zero, zero, zero.

Më thoni pak a u lëshua qoftë një komunikate nga ky samit që mblodhi Europën? Asnjë fjalë, asnjë rresht, asnjë komunikatë.

Ajo që mbeti ishte kjo, ne jemi bujarë, ne kemi paratë, ne duam t’u ndihmojmë, por duhet t’i meritoni ato dhe jo të na vidhni.

Sigurisht ata nuk flasin me këtë fjalor, por ama nëse ka një vend ku ata janë vjedhur në mënyrën më të paskrupullt, është Shqipëria.

Qindra milionë euro të taksapaguesve europianë, të destinuara për fermerët, kanë përfunduar në vila, hotele me 5 yje, të oligarkëve apo familjarëve të qeveritarëve shqiptarë.

Askush të mos mendojë se Edi Rama apo BE mbështet një mobokraci, një regjim ku sundon banda e krimi.

Natyrisht samiti u mblodh në Tiranë, por gjeostrategjik ka peshën e vet dhe në mesin e të gjitha vendeve të këtij gadishulli, në rrafshin gjeostrategjik, Shqipëria është numri 1.

I garantoj partnerët tanë europianë, KE dhe SHBA, se ne kemi qenë dhe do mbetemi të palëkundur në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe evropiane.

Ne do vazhdojmë të mbetemi garante e plotë e vlerave eurooiane dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.

Edhe njëherë ju përshëndes dhe kërkoj njerëzisht vëmendjen tuaj ndaj protestës tonë. T’i shpjegojmë shkaqet se pse ne vendosëm, çfarë opozite mund të quhemi ne, nëse Edi Rama përcakton përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës zgjedhore? Çfarë opozite mund të quhemi ne kur vasalja e Edi Ramës shndërrohet në zyrën e shtypit të Lul Bravës kundër nesh në parlament?

Ata po të duan mund ta bëjnë te selia e PS, po jo në parlament. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe pluralitetit.

Unë kam besim të madh te çdo shqiptar.

Sot është koha që shqiptarët të bashkohen kudo që janë, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga ky regjim që është sundim i bandave dhe krimit. Është forma më e keqe e diktaturave, thotë Samuel Huntigton.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale