EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës socialiste gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e lidhur dhunën policore ndaj protestuesve të rinj me përgjegjësinë politike të qeverisë së Edi Ramës. “Këta parlamentarë e meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera, jo të rinjtë”, deklaroi Berisha, duke akuzuar deputetët socialistë se po injorojnë revoltën studentore dhe po mbrojnë, sipas tij, krimet dhe pasuritë e vjedhura të qeverisë.
Berisha cilësoi mazhorancën si një “grup të strukturuar kriminal” dhe paralajmëroi se, sipas tij, mbështetësit e Ramës dhe Belinda Ballukut do të përballen me drejtësinë. Berisha iu referua gjithashtu letrës së dy kongresmenëve amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, drejtuar sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke pretenduar se ata kanë kërkuar sanksionimin e Ramës dhe Ballukut. “E di si do shkoni ju pas Lubisë, njëri pas tjetrit”, u shpreh ai, duke shtuar se deputetët socialistë do të mbajnë përgjegjësi për mbrojtjen dhe votimin e vendimeve të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD, Sali Berisha sulmoi drejtpërdrejt edhe kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndaj të cilit ngriti një sërë akuzash për lidhje të pretenduara me ngjarje kriminale, ndërsa kërkoi shpërndarjen e Kuvendit, të cilin e cilësoi si “parlamentin e krimit”.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë seancë, java dhe ditët që kaluan, Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë, barbari të papara gjatë asnjë pushtimi.
Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh, u çanë kafka, mjetet më të egra u përdorën kundër të rinjve.
Këta parlamentarë që shihni këtu, këta janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka, se ata që çajnë kafka.
Këta janë kriminelë dhe këta e meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera, jo të rinjtë.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste, injoron të gjitha zhvillimet në rrugë, revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Këta mbrojnë krimet e tyre.
Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura.
Këta mbrojnë vrasjet që kanë porositur.
Këta janë më kriminelët në Shqipëri.
Këta janë më kriminelë se ata që ndodhen në qeli.
Ikni, ikni edhe ju.
Ikni se do ikni.
E keni parë ju se çfarë u bëjnë në debate? Se si ia nxijnë fytyrën si legeni? Se si ua nxjerrin fytyrën?
Si ka mundësi mor që ngriheni kundër studentëve, ngriheni kundër fëmijëve të shqiptarëve?
Pasi u keni vrarë shpresën, doni t’i vrisni fizikisht.
A e kuptoni ju pse luftojnë studentët?
A e kuptoni betejën e tyre?
Është betejë për çdo shqiptar, është betejë për këtë vend, për të ardhmen e tij, të cilën ia rrëmbyet, të cilën e shndërruat në pasuri përrallore, e shndërruat në konto bankare të pafundme, në vila e pallate.
Në Evropë dhe në botë nuk ka një grup më kriminal se ju.
Kaq është i Koresë së Veriut, por ai është për arsye ideologjike, jo për vjedhjen e qytetarëve.
A e kuptoni apo jo, nuk keni vend në parlament ju, vendi juaj është tek ata që i përdorni si mercenarë kundër studentëve.
Ndaj dhe largohuni nga parlamenti i krimit, nga parlamenti i hajdutëve më të mëdhenj, por mbi të gjitha i avoketërve të shpifur të një padrinoje.
Fatin e Çausheskut do ketë po vazhdoi kështu.
Po më mirë të zgjedhë fatin e padronit të tij, Vuçiç.
Pra, ju mbështesni gangsterin, ju mbështesni Padrinon, Ramaduron, kreun e organizatës kriminale.
Ju mbështesni njeriun që u ka vjedhur shqiptarëve miliarda.
Ju mbështesni njeriun që shet Shqipërinë, armikun e egër të Kosovës.
Ju mbështesni një skllav, një argat të shpifur të Beogradit.
Nuk nxorët mësime, do ta pësoni më keq se ai në fund të fundit pati një mençuri, tha më mirë në burg se sa i tërhequr zvarrë.
Kurse ju mendoni se do qëndroni në këto karrige.
U ka ardhur fundi.
Ju jeni fundi. Ju jeni eksponentë të narkoshtetit që ju ndërtuat në Shqipëri duke mbështetur Edi Ramën për narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.
Ju mjeruat shqiptarët, ju shkatërruat qindra mijëra vende pune.
Ju jeni të pluhurosur të gjithë, të gjithëve u vjen era kokainë dhe kanabis.
Ju keni ndërtuar parajsën mbi krimin dhe ajo parajsë do jetë ferri juaj. Ferri i merituar.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, një mbështetje e madhe vjen Kongresi i SHBA.
Dy kongresmenë ndër më të shquarit të atij vendi i dërgojnë një letër sekretarit Rubio.
Kongresmeni Joe Wilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan dhe kongresmeni Keith Self.
Në këtë letër ata kërkojnë sanksionimin e Edi Ramës.
Ata kërkojnë sanksionimin e Lubi Ballukut.
E di si do shkoni ju pas Lubisë, njëri pas tjetrit.
E keni parasysh legjendën që kur i prekte zana, shndërroheshin në gurë. Ju do shndërroheni në të burgosur.
Ju u ka peng Lubia.
Pra, ju u ka prekur Lubia, të gjithë do jeni në burg si Lubia.
Mos e mbroni Padrinon, mos e mbroni një kriminel, një shpirt xhelat.
Ja fytyra juaj.
Ja fytyra e regjimit tuaj.
Ja heronjtë.
Mendoni se do të zmbrapsni këta?
Mendoni se mund t’i blini studentët?
Kurrë nuk mund ta bëni atë.
Prandaj ikni më mirë se do u përzënë.
Jeni të gjithë kontingjenti i Lubisë dhe i Ed Ramës.
Çfarë do bëni ju kur Lubia dhe Edi Rama të shkojnë atje ku e kanë vendin?
Do shkoni edhe ju se jeni bashkëkriminelë.
Se keni bërë krime së bashku me ta, se keni mbrojtur vjedhjet e tyre, se keni votuar vjedhjet e tyre.
Ndaj dhe thërrisni mendjes.
I thërrisni mendjes. Në u ka mbetur qoftë edhe një nanogram ndërgjegje njerëzore, ikni nga parlamenti si turpi i madh në histori që i keni bërë këtij tempulli me praninë.
Dilte ai Mazniku i turpit, 900 mijë euro në dyshekë iu gjetën.
Po, po, flinte mbi paratë e vjedhura dhe Rama e dërgonte të përballej…
A e patë si e bënë studentët atë? Se si ia marrin fytyrën që nuk e ka.
Dilni, dilni se do shkoni atje ku e keni vendin.
Mendoni ju të shtypni studentët? Kurrë.
Mendoni ju se vërtet do fitoni mbi ta? Kurrë.
Studentët kanë një popull me vete. Studentët kanë Evropën dhe botën me vete.
Kurse ju keni të ardhme burgun, burgun dhe burgun, atje ku e keni vendin për krimet që keni kryer.
Ndaj më mirë sot vendosim të shkrihet ky parlament krimi, t’i hapim rrugën zhvillimeve, t’i hapim rrugën vendit.
Padroni i Edi Ramës në Beograd hapi rrugën, e pa që do e zvarrisnin, e pa që do përfundonte në Danub dhe para Danubit, ujërave të ftohta, kufomë në ujërat e ftohta të Danubit, zgjodhi burgun.
E pati atë mençuri.
Po ku i juaji nuk fle nga krimet e tij.
Ky ka kryer krime monstruoze.
Ky ka ndërtuar narkoshtetin në Shqipëri.
Në qoftë se ai në Serbi rriti rrogat dhe pensionet e qytetarëve të vet nga më të ulëta 20 përqind se në Shqipëri në vitin 2013, i rriti në mbi 50 përqind se në Shqipëri.
Prodhimi industrial u rrit, eksportet u dyfishuan, kurse ju shkatërruat prodhimin me drogën tuaj.
Shkatërruat eksportet, përzunë në rrugët e botës mbi 47 përqind të shqiptarëve.
Ik i kriminel, dil o kriminel e shko atje ku e ke vendin.
Ti që ke porositur vrasjen e Ravik Gurrës do të marrësh me vete edhe gjykatësin dhe prokurorin që të dogjën regjistrimet.
Nuk ke vend o Taulant.
Nuk ke vend jo në parlament, por do jesh në burgun e sigurisë së lartë se aty e ke vendin.
A je ti o kriminel Taulanti që u gris me procesverbal porosia e vrasjes që bëre?
A je ti o kriminel që shkove në Shkodër dhe lirove me urdhër të Suel Çelës terroristët që i vunë tritol Lulzim Kullës?
A je ti o kriminel që more mbiemrin Toyota Yaris?
A je ti që bëre marrëveshjen me Mario Çelën për votat që të arrestoheshin bandat rivale?
A je ti o kriminel që kryeson grupin e kriminelëve këtu?
Ti lirove nga komisariati i policisë Rrajën që kishte djegur cigaren në trupin e një vajze.
Po ti nuk ke fytyrë.
A je ti që shoqërove Edmond Begon, lejtnantin e Aldo Bares, të dënuar 17 vite burg për trafiqe, në 57 udhëtime duke përdorur pasaportën diplomatike?
Dil këtu o kriminel, dil të të shohim se ti je ai që shan studentët, që i quan ata halabakë.
A je ti o kriminel që mban tre telefona?
A je ti apo jo?
Dil, dil se do të të vijë dita keq.
Se ti je më kriminel se Sueli, je më kriminel se Mario, ti je më kriminel se Bajrët, ti je më kriminel se çdo kriminel në Shqipëri.
I tillë je ti, prandaj të mban ai këtu.
Duhet të dalësh jashtë, duhet të ikësh nga parlamenti, duhet të ikësh se zvarrë do të nxjerrim.


