Berisha kërkon dorëheqjen e Edi Ramës: Është autori kryesor i ndërtimit të piramidës më të madhe shtetërore të krimit në Europë. Avdyljat i diktuan emrin Jurgis Çyrbjes si deputet i sigurt  

KONFERENCA ME GAZETARËT E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, ka kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, pas arrestimit të Jurgis Çyrbes. Gjatë konferencës për mediat, duke komentuar zbulimet e deritanishme të publikuara në media, ku banda e Shijakut dhe e Durrësit kishin vendosur në listë të sigurtë Çyrben, Berisha tha se, autori kryesor i ndërtimit të kësaj piramide shtetërore në Europë, është Edi Rama.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, familja mafioze Avdylaj e Shijakut, i ka diktuar Edi Ramës vendosjen e Jurgis Çyrben në listë të sigurtë për deputetë në qarkun e Durrësit.

‘Peshqit e mëdhenj janë sipër fare. Peshkaqeni është Edi Rama sepse i dëgjoj sot Çyrbja në SKY EÇ ka thënë këto e ato, por sot është e faktuar, e vërtetë në dritën e diellit, se Edi Rama me kriminelin McGonigalin, me SKY EÇ, ka porositur krime kundër opozitës’, tha Berisha për gazetarët.

Gjatë konferencës, kreu i PD-së, Sali Berisha theksoi se, të dhënat e SKY EÇ për ministrin e Ramës, Taulant Balla janë shumë më kriminale se ato të Çyrbjes.  Por sipas liderit të PD-së, Balla mbrohet nga Skapi i partisë dhe prandaj vazhdon e del nëpër Europë në emër të Edi Ramës.

Në fjalën e tij me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha nuk la pa theksuar edhe heqjen e sekuestros së hotelit të Altin Hajrit.  Sipas Berishës, ‘Dumani dhe Skapistët hoqën konfiskimin ndaj hotelit të Altin Hajrit! Ata janë njësoj, i kanë duart me gjakun e viktimave’.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm aty dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim me shtypin.

Sot jam para jush për të kërkuar publikisht dorëheqjen e menjëhershme të kreut të krimit të organizuar shqiptar në pushtet, Edvin Kristaq Ramës, i cili është autor kryesor i ndërtimit me angazhimin e tij direkt të piramidës më të madhe të krimit në Europë, piramidës më të madhe shtetërore të krimit në Europë.

Zonja dhe zotërinj, të dhënat e bëra publike sot nga mediat për ish-deputetin kriminel, Çyrbja, implikojnë direkt kreun e qeverisë së krimit, Edi Rama.

Sepse është direkt Edi Rama njeriu që ka ngrënë dardhat e Çyrbjes.

Jurgis Çyrbja, i njohur botërisht si përfaqësuesi i klanit mafioz Avdylaj, ka shpërblyer Edi Ramën së bashku me Avdylajn me tonelata dardha të krimbura.

Ka dërguar dy herë mandatin e tij në parlament.

Rasti Çyrbja është rasti që fakton në mënyrën më të pakundërshtueshme faktin se në Shqipëri vendimmarrës numër 1 është krimi dhe vetëm krimi.

Familja mafioze Avdylaj jo vetëm kandidoi Çyrbjen si përfaqësues të vetin në parlament, por i diktoi Edi Ramës, i cili kryesoi listën e Durrësit në zgjedhjet e fundit, ta vendosë atë pikërisht burrin e dytë në listë pas vetes, apo të tretin pas një zonje që e detyronte ligji.

Pra, kemi të bëjmë me diktatin e plotë të klanit mafioz Avdylaj, jo vetëm për futjen në listë, por dhe renditjen në dytë pas Edi Ramës të gjinisë mashkullore në listën e Durrësit.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen e mënjehershme sepse ka ngrënë dardhat e një njeriu që strehonte, që fshihte vrasësin e Prengës.

Mos harroni se Çyrbja nuk është peshku i madh, jo, jo.

Peshqit e mëdhenj janë sipër fare. Peshkaqeni është Edi Rama sepse i dëgjoj sot Çyrbja në SKY EÇ ka thënë këto e ato, por sot është e faktuar, e vërtetë në dritën e diellit, se Edi Rama me kriminelin McGonigalin, me SKY EÇ, ka porositur krime kundër opozitës.

Se Edi Rama ka pasur jo një, por më shumë se një telefona të koduar.

Sot është e faktuar dhe mediat belge e kanë bërë publike emrin e tij, si një bashkëpunëtor i bandave më të rrezikshme shqiptare në Europë dhe në botë.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen sot sepse ish-zëvendësi i tij Arben Ahmetaj ka vërtetuar se nga zyra e tij bëhet koordinimi i bandave, se në zyrën e tij priten bosët kryesorë të shtëpive mafioze, nga ata të Sinaloas dhe të tjerë me radhë.

Sot, kolegët e Erion Veliajt në Skapin e partisë njoftuan, bënë publik për akuzat që kanë ndaj Jurgis Çyrbjes dhe të dhënat që kanë marrë me SKY EÇ.

Të dashur qytetarë, shumë herë më kriminale janë të dhënat që SKY EÇ dhe përgjimet kanë dhënë për kriminelin ministër Taulant Balla.

Vërtet Çyrbja ka kryer krimin e shëmtuar duke marrë në mbrojtje Altin Hajrin, por mos harroni se Taulant Balla me famëziun Vath Staka, prokuror sot në KLP, me urdhër të bandave, liruan dy terroristë që i vendosën tritolin për ta eksploduar në publik qytetarin Lulzim Kulla.

Dhe Taulant Balla lëviz si përfaqësues i qeverisë nëpër botë.

Shumë më të forta se veprat e kryera nga Çyrbja janë ato të Taulant Ballës, i cili në regjistrime rezulton zëdhënës i interesave të familjes mafioze Bajrët, familjes mafioze Çela, familjes mafioze Rrajat, etj.

Kush mund t’i mohojë këto fakte përveç Altin Dumanit, këtij mercenari, më i lig se Nuredini?

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen në mënyrë urgjente sepse mban ministër Taulant Ballën, ndër të tjera, i cili figuron në regjistrime si njeri që ka porositur vrasje, të gjitha këto të publikuara.

Si një njeri që është marrë intensivisht me tenderat e bandave.

Si një njeri i cili ka organizuar kurthe për të arrestuar njerëz për krime që nuk i kishin kryer kurrë.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen sot si kreu i krimit të organizuar në Shqipëri, sepse vëlla Olsi, me dokumente zyrtare, është faktuar eksponent i klanit shqiptaro-kolumbian të Hakmarrjes për Drejtësi të Xibrakës.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse është shtylla kryesore e krimit në Shqipëri.

Të dashur miq, rasti Çyrbja, Çyrbja Jurgis ishte një emër më i panjohuri që mund të ishte, një ushtar i Avdylajve.

Por, mos harroni se dosja e tij ka filluar në vitin 2021 dhe gjer para një jave, ai po merrej për shpërdorim detyre, pavarësisht se regjistrimet në SKY EÇ e implikonin këtë kriminel në vepra shumë të rënda kriminale.

Por këtu gjithçka ishte porosia e Edi Ramës, gjersa dikush brenda Skapit guxoi të kërkojë përfshirjen në aktakuzë të krimeve më të shëmtuara, nga të cilat Dumani me bandën e tij kërkonte ta clironte Jurgis Çyrbjen me porosi të Edi Ramës.

E turpshme, kriminale, demaskuese, poshtëruese për Skapin është rruga që u ndoq.

Kolegët e Erion Veliajt harrojnë se mandati është nuk është i deputetit, mandati është i parlamentit, dhe parlamenti përfaqëson popullin shqiptar më shumë se çdo institucion tjetër.

Në mungesë totale respekti për qytetarët e këtij vendi, por edhe të Kushtetutës, ata thirrën kolegun e tyre Çyrbja, i thanë, interesi i partisë dhe Edi Ramës nuk është që ne të vijmë në parlament, dorëzoje atë mandat që të mos dalë para shqiptarëve dosja e tmerrshme e krimeve që ke kryer me Edi Ramën dhe banditë të tjerë.

Skapistët, kjo racë e shpifur mercenarësh, në vend se ta sillnin, të vinin në parlament me kërkesën për heqjen e imunitetit, të dilnin para shqiptarëve se pse kërkojnë heqjen e imunitetit të Jurgis Çyrbjes, të mësonin të gjithë qytetarët të vërtetën e asaj dosje të madhe krimi, në të cilën njeriu që hetohej, ishte dyshi pas Edi Ramës në listën e Durrësit, por jo, ata preferojnë të zbatojnë urdhrat e Edi Ramës, të sillen si një seksion i PS, i varur nga Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, etj.

Ky është një qëndrim i turpshëm, antikushtetues.

Mos harroni ju lutem se është Skapi i partisë, i cili ka kërkuar në vitin 2021, heqjen e konfiskimit të hotel-restorantit Golden të Altin Hajrit.

Dhe e hoqën.

Si ia hoqën? Dumani ka ekspertët e vet, të cilët ekspertizat i bëjnë siç u thotë Dumani.

Dhe përdorën dy ekspertë për të kërkuar në Apel heqjen e konfiskimit.

Nuk kanë ndonjë dallim këta nga Altin Hajri.

Sigurisht, ai i ka duart me gjak, por edhe këta që sillen në këtë mënyrë, i kanë duart ne gjakun e viktimave të tyre.

Për dijeni, prokurori që kërkoi heqjen e sekuestros së pasurive të krimit të Altin Hajrit është Behar Dibra.

Dhe ajo që ka ndodhur, në një rast të jashtëzakonshëm, ky vendim nuk është apeluar në Gjykatën e Lartë.

Këta janë njëlloj.

Dhe, në këtë kontekst, e mbyll këtë deklaratë me kërkesën e prerë për dorëheqje të kreut të krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama nga detyra e kryeministrit.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:

Ardit Hoxha, EuroNews: Një pyetje në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik, Partia Demokratike ka dalë në konkluzionin që të tërhiqet nga ky proces për zgjedhjet e ardhshme. Pse PD vjen në këtë pikë, kur 7-8 vitet e fundit votimi elektronik ka qenë një nga betejat kryesore që ka pasur Partia Demokratike. Çfarë ka ndodhur?

Sali Berisha: Ka ndodhur se, ky proces u keqpërdor në shkallë ekstreme nga PS-ja dhe organet drejtuese të zgjedhjeve që ajo kontroll. Në mënyrë ekstreme, kështu që ne nuk pranojmë më këtë proces. Kemi fakte të pamohueshme për keqpërdorimin masiv të këtij sistemi.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Në konferencën e fundit, ju denoncuar përpjekjet e Edi Ramës për të hedhur poshtë në kushtetuese përgjimet e SKY EÇ. Sot kemi një ish-deputet, pas këtyre përgjimeve. Ka raste të shumta si Çyrbja, çfarë informacionesh keni ju?

Sali Berisha: Ngatë dhënat që disponoj, e vërteta është se përveç të themi 2-3 ministreve të emëruara së fundmi, unë nuk di ndonjë ministër apo zyrtar të mos jetë i zhytur gjer në vesh dhe i goditur në mënyrën më të rëndë nga të dhënat e SKY EÇ, Enchro Chat dhe regjistrimeve të tjera. Nuk është më pak, po marr si shembull këtu, Engjëll Agaçi, Ulsi Manja, por atij ja vjedh çantat Altin Dumani, çantat e Lius Vuiton. Nuk janë më pak Lubi Balluku, Spirogjoka. Nuk janë më pak këta. Por në historinë e këtij vendi, burra hajdutë si Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk ka pasur. Por as grua hajdute si Lubi Balluku nuk mund të gjindet. Të gjitha janë të regjistruara. Nuk mund të them se është e regjistruar ministrja e antikorrupsionit, para së cilës Rama gënjente si ai që nuk po ja them emrin. Thoshte dola të nesërmen e operacioni, ajo sa ka marrë detyrën. Me thuaj se cili nuk është prej tyre. Edhe njëherë ju rikujtoj se në ndërtesën e këshillit ka pasur 74 telefona Encro Chat. Nuk them se janë përdorur të gjithë për vrasje, drogë e këto. Jo, janë përdorur masivisht për tendera, koncesione për PP-ra. Masivisht. Çfarë e do një zyrtar telefonin EncroChat. 30 vite me një numër, nuk e kam bërë të dytë ndonjëherë dhe më ka kryer të gjitha funksionet. E duan vetëm për krim. Ndaj dhe PD, siç e dini ju ka kërkuar dhe i garanton shqiptarët se do të realizojë Komisionin e të Vërtetës, të përbërë nga përfaquses të Partive, të medias, të vetë qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Aty janë analet më të tmerrshme të krimit shtetëror të organizuar.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju akuzoni kryeministrin Edi Rama se është koka e krimit të organizuar në Shqipëri dhe thoni se duhet të japë dorëheqjen. Sot mblidhet kryesia e partisë e PD, do të merret një vendim për protestën e radhës, apo mosbindje civile më e përshkallëzuar se ajo e datës 7 tetor.

Sali Berisha: Vendim për protestën e radhës, mosbindja civile nuk ka të ndalur gjer në krijimin e qeverisë teknike. Por kjo që doli, kjo tregon se Edi Rama është konsumatori i dardhave të krimit dhe mollëve të prishura, kryesor, porositësi i tyre. A e dini ju se Altin Hajri është i lirë, shëtit lirshëm nën mburojën e Troplinëve tani, sepse Troplinët janë bërë kryesorët në Durrës. Që kur Troplinët morën Portin e Durrësit, kur u emërua Piro Vengu, një kilogram drogë kokainë, heroinë apo tjetër, nuk është kapur në atë port. Ose droga ka frikë Troplinët, ose Troplinët janë garantët e saj. Se tani portin e kanë Troplinët se të tjerët janë ushtarë.

Anisa Kadesha, RTSH: Ju përshkruat një situatë ku sipas jush, kryeministri, anëtarë të qeverisë, deputetë të mazhorancës janë të lidhur me botën e krimit. Atëherë si hyn PD në zgjedhje në këtë formë, me këtë lloj shumicë të inkriminuar sipas jush.

Sali Berisha: PD po lufton çdo ditë për një qeveri teknike, po lufton çdo ditë dhe u kërkon mbështetjen qytetarëve për Komisionin e të Vërtetës, i cili duhet të bëjë transparencën përfundimtare të lidhjeve të krimit me qeverinë, me shtetin, me politikën me faktorë të tjerë, para opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar.

Isa Myzyraj, OraNews: Informacionet e fundit flasin për arrestimin e kryetarit të PL-së, Ilir Meta nga SPAK. Keni një koment në lidhje me këtë situatë.

Sali Berisha: Pa të prishë punë, më duhet të të përgëzoj për statusin që unë e mora hua. Nuk kish si të mos e merrja, kur një mender kryeministër 2 metra i gjatë deklaron se, u operova sot dhe dola të nesërmen në punë se më thërriste detyra, ndërkohë kur ai doli pas 7 ditësh. Është një akt i rëndë shumë. Ai edhe para ministres që kishte përballë duhej të skuqej të turpërohej, se ministra i thoshte me mendje vetes, shih kush është para meje. Por janë punët e tyre.

Çdo gjë ndaj tij është politike. Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik, e ndoshta edhe fizik të Ilir Metës. Edi Rama është, siç denoncova edhe në herët e kaluara, i implikuar në zhdukje të personave në mënyrë ekstraligjore, antikushtetuese. Iu kam informuar unë këtu ju, se Dumani fle mbi një dosje në të cilën bisedohet për eliminimin e një politikani të afërt me Edi Ramën. E kuptoni se a do mund të guxonin bandat shtetërore të eliminonin një politikan të afërt me Edi Ramën, pa porosinë e Edi Ramës? Pra, Edi Rama është një me krimin.

***

Zhvillimet tregojnë të gjithë shëmtinë, të gjithë rrezikun për çdo shqiptar të ndershëm, nga Edi Rama, deputetët dhe bandat e tij. Unë nuk e kam njohur të ndjerin Prenga që e morën dhe ja ndanë trupin në shumë copa, dhe familja nuk ka as varrin e tij. Por hetimi dhe zhvillimet e mëpasshme iu tregojnë shqiptarëve se, si Prenga mund të jetë secili prej tyre. Dhe se një deputet, ministër dhe kryministër mban anën e xhelatit të Prengës dhe tyre, sepse ndanë trofetë e parave të krimit dhe krimeve. Ndaj dhe ftoj shqiptarët të mbështesin kërkesën e opozitës për dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, si kusht vendimtar për të dalë nga protektorati i krimit dhe votuar në zgjedhje të drejta, siç e meritojnë.

Është radha jonë, është radha jonë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale