KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët ka kërkuar ndryshimin e akuzave ndaj Edi Ramës dhe Belinda Ballukut dhe gjithë të akuzuarve të tjerë që janë përfshirë në skandalet e tunelit të Llogarasë, aeroportit të Vlorës, unazën e madhe të Tiranës, inceneratorët. Ai i ka cilësuar ata si ‘një organizatë të vërtetë kriminale të kryesuar nga Edi Rama’.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati kërkoi ‘rikualifikimin urgjent të veprës penale’ dhe një hetim të plotë ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë. Ndërkaq, ai akuzoi edhe mediat pranë qeverisë se po shpërndajnë akuza të rreme për ‘grusht shteti’ dhe ‘përmbysje të Kushtetutës’, duke tentuar të mbulojnë skandalet e vërteta.
Në konferencën me gazetarët, lideri i demokratëve e ka vënë theksin edhe në dështimin e projekteve infrastrukturore, shembjen e skarpateve të rrugëve, pas shirave të rënë ditët e fundit. Sipas Sali Berishës ‘moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë’. Ai ka theksuar se përmbytjet e ditëve të fundit zbuluan gjendjen e mjerueshme të kanalizimeve dhe sistemit vaditës në të gjithë vendin.
Shembja e njëpasnjëshme e rrugëve të sapo-inauguruara, nga Qukës-Qafë Plloçë, te Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit dhe Korçë-Ersekë, sipas kreut të PD-së, janë dëshmi se vendi gjendet përballë një ‘vjedhjeje të tmerrshme e të paimagjinueshme’. Duke bërë një krahasim të fortë, Berisha kujtoi se skarpatat e ndërtuara gjatë qeverisjes së PD-së, 13-15 vite më parë që ‘nuk kanë lëvizur, ndonëse u ndërtuan me 6 deri në 10 herë më pak kosto sesa ato që sot rrëshqasin’.
Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për mungesë të plotë përgjegjësie, duke e përshkruar si ‘narkoqeveria është në gjumë’ dhe ‘Ramaduro udhëton për hesape të veta personale’. Ai la të kuptohet se qeveria jo vetëm që ka dështuar të menaxhojë situatën e motit, por e ka thelluar atë me abuzimet e saj.
Duke folur për çështjen Rama-Balluku dhe hetimet për tunelin e Llogarasë, kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se ‘ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se çdo veprim i ministrisë së Ballukut është diktuar nga Edi Rama, ndërsa prokuroria ka përdorur masat më lehtësuese të mundshme ndaj tyre’.
Kreu i PD-së akuzoi Prokurorinë e Posaçme se po shmang cilësimin e veprës si ‘grup i strukturuar kriminal’, pavarësisht se bëhet fjalë për një numër të madh zyrtarësh dhe dëme kolosale ndaj buxhetit publik. ‘Vetëm me tunelin e Llogarasë janë vjedhur 97 milionë euro të pastërta,’ tha Berisha, duke shtuar se në projektet e tjera shifrat janë edhe më të frikshme: ‘me unazën e Tiranës 300 deri 320 milionë euro, me aeroportin e Vlorës 140 milionë euro.’ Sipas tij, bëhet fjalë për të njëjtin grup, të njëjtën bandë, e cila ka lëvizur përmes projekteve strategjike të qeverisë ndër vite.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk u ndal vetëm te akuzat ekonomike. Sipas tij, fakti që prokuroria nuk i ka cilësuar Rama, Balluku dhe zyrtarët e tjerë si një ‘organizatë kriminale’, tregon për kapjen e institucioneve. ‘Nuk mund të kalohet nga një vjedhje e madhe në një vjedhje tjetër të madhe… Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale që është qeveria e tij’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:
Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.
Dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën, të cilat mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por janë mijëra kokë bagëti, janë qindra hektarë sera, janë infrastrukturë e vogël e fshatrave, të rrënuara si asnjëherë në mote më parë.
Këto mote, këto shira të mëdha, dëshmuan infrastrukturën fiktive në këtë vend, ose ineksistente, kundër përmbytjeve.
Investimet janë në të katër anët e vendit në sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të mbyllura, janë të mbushura, dhe ato nuk ka kush t’i hapë sepse paratë për mirëmbajtjen e tyre vetëm vidhen.
U bënë virale në Shqipëri dhe në mbarë botën pamjet e rrugës së sapoinauguruar Qukës- Qafë Pllocë, pamjet e rrugës Kardhiq-Delvinë, pamjet e Rrugës së Arbrit, pamjet e rrugës Korçë-Ersekë, të gjitha të inauguruara vitin e kaluar ose gjatë këtij viti.
Pra, pas një periudhe shumë të shkurtër inaugurimi, u shembën njëra pas tjetrës.
Ndërkohë skarpatet shumë herë më problematike, më të larta se këto që u shembën, të ngritura 15 vite më parë në Rrugën e Kombit, në autostradën Levan-Tepelenë, në autostradën Tepelenë-Gjirokastër, dhe në autostrada të tjera të ndërtuara 13-15 vite më parë, skarpatat nuk kanë lëvizur, ndonëse ato rrugë janë ndërtuar me një çmim nga 6 deri në 10 herë më të lirë se sa këto që shemben.
Një vjedhje e tmerrshme, e paimagjinueshme, sepse ndonëse është shpenzuar 6-fishi, 8-fishi, 10-fishi sipas rrugës në ndërtimin e një kilometri, skarpatat janë lënë që të rrëshqasin, asnjë lloj përforcimi i këtyre skarpateve.
Skarpateve janë pjesë thelbësore, për të mos thënë se herë-herë edhe më të rëndësishme se traseja.
Unë u rikujtoj ju këtu se përforcimi i skarpateve të rrugës Tepelenë-Gjirokastër ka marrë dy vite, e cila gjeologjikisht konsiderohet pjesë më e shkrifët, më e rrëshqitshme.
Por ato nuk kanë lëvizur sepse paratë e taksapaguesve nuk janë vjedhur.
Narkoqeveria është në gjumë.
Ramaduro udhëton për hesape të veta personale.
Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë ndaj kësaj situate.
PD dhe grupi i saj parlamentar do të ndërmarrin të gjitha nismat për një mbështetje urgjente, për zhdëmtim të plotë të gjithë pasojave të moteve, të cilat në rast se do ishte mirëmbajtur infrastruktura e kanaleve, ato nuk do ndodhnin.
Cilido që kërkon të bëjë diferencën, të kuptojë më mirë se çfarë u zhvillua, i sugjeroj të lexoj një status të profesor Artan Fugës, duke u kthyer nga Gjakova.
Profesori i nderuar, në statusin e tij, përshkruan një vend krejt tjetër, një vend në të cilin pavarësisht nga shirat, tokat nuk ishin përmbytur.
Një vend në të cilin kudo dukeshin makineritë e punimit bujqësor.
Një vend në të cilin nafta ishte me një çmim krejt tjetër nga Shqipëria.
Në të cilin kanalet funksiononin.
Pra Kosova një shtet me histori prej dy dekadash, kurse Shqipëria shkon në 113-vjetorin e pavarësisë së saj, e rrënuar nga narkoshteti në mënyrë katastrofale.
Të gjitha këto janë shprehje e një rrënimi.
Së dyti, çështja Rama-Balluku është unike në Europë.
Unë u them shqiptarëve se prokuroria dhe gjykata kanë përdorur masat më lehtësuese që mund të përdornin ndaj Lubi Ballukut dhe Edi Ramës.
Së pari, është faktuar tani në mënyrë të pamohueshme se çdo akt, çdo veprim i Lubi Ballukut për tunelin e Llogarasë është i diktuar nga Edi Rama.
Dhe prokuroria jo vetëm që nuk ka ngritur akuzë, por po e lejon atë të bëjë gjithçka për të penguar hetimin, për të prishur provat, për të mbrojtur Belinda Ballukun, në fakt veten e tij.
Së dyti, prokuroria ka qenë lehtësuese sepse cilido që lexon akuzën e saj, konstaton se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Keqbërës të poshtër që janë sjellë me paratë e taksapaguesve shqiptarë në mënyrën më banditeske, që kanë vjedhur dhe shpërdoruar dhjetëra e qindra milionë në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin.
Dhe ky nuk është një person, por këtu janë Lubia, disa drejtorë, disa punonjës përgjegjës të prokurimeve, të gjithë së bashku, dhe prokuroria heziton t’i quajë ata siç janë, grup i strukturuar kriminal ose organizatë kriminale me dëme kolosale për qytetarët shqiptarë.
Ju duhet të dini se vetëm me tunelin e Llogarasë janë vjedhur 97 milionë euro të pastërta.
Por unë u them ju se me unazën e Tiranës janë vjedhur të pastërta 300 deri në 320 milionë euro.
Me aeroportin e Vlorës 140 milionë euro. I njëjti grup, e njëjta bandë, por që nuk cilësohet organizatë kriminale.
Po më thoni ju çfarë dëmesh më të mëdha kanë bërë një grup kriminelësh ordinerë?
Cili ka bërë kaq shumë dëme kolosale në buxhetin e qytetarëve shqiptarë?
Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë këta që prokuroria t’i shpallë organizatë kriminale, përveçse faktit që janë zyrtarë dhe nuk do t’i quajë të tillë.
Ndaj dhe ata hidhen. Ndaj dhe kanë ndërsyer mediat e tyre si lukuni me akuza monstruoze, me akuza të turpshme se u bë grusht shteti, se po përmbyset Kushtetuta, se po përmbyset rendi kushtetuese, në një kohë kur ajo që është e pafalshme, është e papranueshme është se nuk janë kualifikuar si grup i strukturuar kriminal apo organizatë kriminale.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim.
Kërkoj me urgjencë rivlerësimin, rikualifikimin e veprës së tyre.
Nuk mund të kalohet nga një vjedhje e madhe në një vjedhje tjetër të madhe.
U zhdukën 400 milionë euro të inceneratorëve.
Tani janë me qindra e qindra milionë të tjera dhe përsëri nuk kemi grup të strukturuar kriminal, nuk kemi organizatë kriminale në një kohë kur Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale që është qeveria e tij.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Për tu ndalur tek çështja Rama-Balluku. Tashmë që dy masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Posaçme, janë në Gjykatën Kushtetuese, pasi qeveria ka vendosur ti padisë, çfarë pritshmërishë keni në lidhje me vendimmarrjen e Kushtetueses dhe a do ti besonit ju që Edi Rama mund të thirret për këtë çështje në SPAK?
Sali Berisha: Së pari, dua të garantoj çdo shqiptar dhe unë do të dal para jush të ua faktoj se Gjykata speciale dhe prokuroria në vlerësimet e tyre nuk kanë shkelur asnjë ligj, me kërkesën që kanë bërë për pezullimin nga detyra.
Po, ato kanë shkelur me dy këmbët ligjin, në moskualifikimin e veprës ‘grup i strukturuar kriminal’ dhe ndryshimin e urdhër-arrestimit për Lubi Ballukun, që po vazhdon të prishë prova në bashkëpunim me aparatin e Këshillit të Ministrave, ditë e natë, sipas burimeve anonime.
Kjo është e vërteta.
Ata që marrin në mbrojtje, ata që pretendojnë se, po ndërhyhet në pushtetet e njëri-tjetrit, ata janë të paritur. Lubia e bëri një gjë të re. A e kishit dëgjuar ndonjëherë fjalën paritur? Kurrë. Parite i thotë atij biznesmenit. Parite, urdhëri i saj. Dmth laje në flori, laje me para. Parite atë.
E futi një term në gjuhën shqipe që nuk ishte më parë. Nuk mund ta mohojmë ne këtë.
Prokuroria nuk mund të kishte absolutisht asnjë devijim nga kualifikimi i tyre grup i strukturuar kriminal.
Kanë vepruar së bashku, Balluku, Edi Rama, Ervis Berberi, Gjyli e stërgjyli, e çfarë janë dhe ato zonjat, kryetare të KVO-së e me radhë. Ata kanë qenë një grup. Se si mbahen të gjithë të pandehur dhe nuk kualifikohen grup i strukturuar kriminal apo organizatë kriminale, atë unë nuk mund ta them.
Pra, për ta mbyllur. Me kërkesën për pezullim nuk ka asnjë shkelje ligjore. Ka ushtrim të plotë të kompetencës në zbatim të ligjit të procedurës penale.
Ata që përpiqen, vetë ideja se ka marrë pushtetin e kryeministrit, i them atij hajduti, je ti që ke vjedhur paratë, por atyre mirë ua bënë që nuk lëshuan edhe ndaj teje, të njëjtin urdhër si ndaj Lubisë.
Ç’kompetencë ka marrë? Kompetenca jote qenka për të mbrojtur hajdutët.
Kompetenca jote qenka për të shfrytëzuar postin për të vjedhur paratë e qytetarëve, siç ke vjedhur. Pra se çfarë do të vendosin, unë i kam shprehur konsideratat e mia për atë gjykatë, nuk dua të shkoj më tutje.
Por akti i parë për mendimin tim, që gjykata duhej të bënte ishte të refuzonte shqyrtimin e kërkesës sepse ai vendim është në përputhje të plotë ligjore me kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Madje me kuadrin e ri ligjor të Republikës së Shqipërisë.
Andon Kello, AbcNews: Ditën e djeshme presidenti i PL-së, Ilir Meta është vetëofruar për të dëshmuar për të dëshmuar për 21 janarin. Ia ka paraqitur kërkesën SPAK-ut. Ai thotë se ka dëshmi të panjohura për prokurorinë. Por për të kuptuar më shumë dëshminë e Metës, herën e fundit që ai është shprehur për 21 janarin, ai ka bërë përgjegjës kryesor, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, se nuk mori masa për një skenar që ai e dinte. Ju si e shihni këtë lëvizje të Ilir Metës dhe a jeni në të njëjtin mendim si ai, që Lulzim Basha ishte përgjegjësi kryesor.
Sali Berisha: Së pari, dihet botërisht se Edi Rama për të organizuar 21 Janarin, manipuloi dhe falsifikoi në bashkëpunim me Filip Cakullin një regjistrim të marrë nga i ndjeri Dritan Prifti sipas të cilit Ilir Meta ishte paguar 700 mijë euro nga një biznesmen që kërkonte të drejtën e tij.
Sali Berisha kryeministër, së pari kishte dëgjuar Dritan Priftin, ose i ishte kërkuar nga Dritan Prifti ta emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme ose përndryshe ka një regjistrim.
Fjala ime ishte kjo: nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës time. Nxirre.
Kjo është e vërteta.
Kurrë, kurrë nuk më merr dot kush mua peng.
E dyta, ka pasur një shkresë të firmosur në mos gaboj nga pronari i një kompanie që kishte fituar me gjyq, jo nga qeveria, por me gjyq, koncesionin e një hidrocentrali. E kishte fituar me gjyq, qeveria ia kishte dhënë një kompanie tjetër.
Dhe ky zotëri shkruante në shkresën e tij se nga moszbatimi i vendimit të gjykatës, kompania ime ka humbur 700 mijë euro.
Dhe Ilir Meta, meqenëse shkresën ia kishte adresuar edhe Ilir Metës ky biznesmeni, meqenëse ishte ministër, Ilir Meta i thotë Dritan Priftit, duhet zbatuar vendimi i gjykatës sepse i është bërë dëmi 700 mijë euro kompanisë.
Edi Rama dhe Filip Çakulli marrin fjalë me copy-paste me 28 herë në video dhe nxjerrin sikur Ilir Meta i ka thënë se kemi marrë 700 mijë euro.
Që këtu, cilido që do të hetojë këtë çështje, mendoj se e ka të qartë se kjo ishte pjesë e skenarit të dhunës me 21 Janar.
Pra, skenaristi del vetë Edi Rama.
Tani, se çfarë di Ilir Meta, sigurisht mund të dijë se ka qenë zëvendëskryeministër, por Ilir Meta në datën 14 apo 15 janar, pra para 21 Janarit, ka ardhur në zyrën tim dhe më ka thënë se unë do jap dorëheqjen sepse unë në prokurori nuk shkoj si zëvendëskryeministër.
Ishin standarde të tjera ato, jo standardet e Ramaduros që vrapon për të ruajtur prapanicën e vet duke hedhur në gjyq vendimin e gjykatës.
Akt i turpshëm, i paprecedent.
Jo, tha ai, nuk shkoj te prokurori si zëvendëskryeministër, do shkoj si qytetar i thjeshtë para tij.
Dhe unë e përgëzova.
Dhe meqë jemi këtu, se ka nga ata kalemxhinjtë e Edi Ramës që shkruajnë se mungon institucioni i dorëheqjes, u them këtyre zotërinjve se institucioni i dorëheqjes ekziston dhe është ushtruar në të gjitha rastet, përveç njërit në Shqipëri, në memorien time.
Por problemi është se ju jeni të indoktrinuar apo të paritur nga Edi Rama.
Jeni të paritur, mos flasim më për indoktrinim.
Kjo është fjala e vërtetë tani.
Jeni të paritur nga Edi Rama dhe shkruani çfarë i intereson atij.
Po. Kështu që…
Tani për sa i përket përgjegjësisë, nuk kam, domethënë një skenar i atillë i dhunshëm natyrisht i pari i paprecedent ndonjëherë, por me ato që kam konstatuar, masa ishin marrë, kështu që nuk di ndonjë përgjegjësi për çfarë thotë Meta.
Andon Kello, AbcNews: Se Lulzim Basha nuk kishte marrë masa si ministër i Brendshëm, edhe pse ishte njoftuar dhe e dinte skenarin e protestës.
Sali Berisha: Si kryeministër unë mund të them se ai ishte një agresion i vërtetë me hunj, me dinamit, me plumba ndaj ndërtesës së Këshillit të Ministrave.
Se si mund të parandalohej një demonstratë që organizohet me të gjitha këto, natyrisht edhe mundet, por ai është një proces jashtëzakonisht më shumë teorik se sa praktik.


