Berisha: Kërkoj dorëheqjen urgjente të Ramës, i bëj thirrje SPAK të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar për Vlora Hysenin

KRYETARI I PD, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama për përgjegjësi politike lidhur me masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar çështjen një ngjarje me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare.

Në konferencën me gazetarët diten e sotme, Berisha deklaroi se Hyseni ka shkelur detyrën dhe se informacione të klasifikuara të shërbimit informativ janë vënë në dispozicion të personave të lidhur me krimin.

Kreu i PD-së riktheu edhe denoncimet e tij të mëparshme për ndikimin e Ergys Agasit mbi SHISH-in dhe marrëdhënien e tij me Hysenin. Berisha e drejtoi përgjegjësinë politike te kryeministri Rama, duke theksuar se vendimmarrja në institucionet e sigurisë është përdorur në funksion të grupeve kriminale. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ramës dhe deklaroi se përgjegjësit për veprimet e paligjshme duhet të përballen me drejtësinë.

Lideri demokrat kërkoi gjithashtu që autoritetet shqiptare të vijojnë hetimet dhe, nëse Hyseni ndodhet jashtë vendit, të ndërmerren procedurat për kthimin e saj përpara drejtësisë shqiptare.

I pyetur nga gazetarët nëse opozita do të thërrasë protesta, Berisha tha se PD do të rishqyrtojë tërësisht rrugën që do të ndjekë, duke paralajmëruar një strategji të re opozitare. “Asgjë nuk përjashtohet më”, deklaroi ai.

Berisha akuzoi me tone të ashpra edhe Presidentin Bajram Begaj, duke kundërshtuar thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe duke theksuar se institucionet shtetërore janë nën ndikimin e mazhorancës.

FJALA HYRËSE

Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit.

Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.

Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky.

Natyrisht, shërbimi informativ kombëtar është një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare.

Fillimisht pas të themi largimit të detyruar, gjoja për studime të ish-shefit të shërbimit, Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij, famëziu Kashani, i cili në aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Rast unik. Koreja e Veriut mund ta kishte një urdhër të tillë.

Por, ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente.

Ky është denoncim në vitin 2022. Më 24 dhjetor 2022.

Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën, Vlora Hyseni e shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës, emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë, sipas burimeve direkt të kryeministrisë, e bëri në Beograd ku qëndroi mbi 10 ditë.

E kam konsideruar në atë kohë një kërcënim serioz për NATO-n, pasi shërbimet inteligjente të NATO-s ndajnë informacione me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare dhe natyrisht në duart e saj ato kanë shkuar në drejtim të padronëve të saj.

Këtu unë kam denoncuar pikërisht një akt unik, të papërgjegjshëm, kriminal të Edi Ramës.

‘Një muaj më parë, Edi Rama, jep urdhër në kundërshtim flagrant me ligjin e shërbimit informativ kombëtar, ligji që ta dinë shqiptarët, detyron shërbimin, të dhënat që ai mbledh në punë e sipër për kriminalitet, për korrupsion, për vepra kërcënuese, për terrorizëm, etj, me ligj ai ua kalon institucioneve ligjzbatuese. Kurse një muaj më parë, Vlora që e kuptoni vetë, më mirë të quhej me çdo emër tjetër, por jo Vlorë, e mori pasi e shkarkuan nga shërbimi informativ në Kosovë, urdhëron drejtoritë të mos dërgojnë asnjë informacion askund tjetër, por çdo informacion që të kërkojë policia, prokuroria apo institucionet e tjera, ta dërgojë njëherë tek kryeministri, tek Engjëll Agaçi, dhe pastaj ata të kalojnë.

A nuk është ky një kontroll i tmerrshëm policesk?

A nuk është ky një akt antiligjor?

A nuk është ky kthimi i shërbimit informativ kombëtar në një vegël të verbër të Edi Ramës?’

Kjo përbën një nga aktet më madhore, më themelore të Edi Ramës, të bashkëpunimit të tij me krimin dhe bandat.

Edi Rama nuk kishte kurrë të drejtë të bllokonte komunikimin ligjor, të diktuar nga ligji, midis institucioneve në luftën kundër krimit.

Këto informacione duhej që shërbimi informativ t’ua kalonte automatikisht sipas rastit Policisë së Shtetit, në rastin tjetër SPAK-ut, në rastin tjetër Prokurorisë së Tiranës dhe me radhë.

Nuk kanë asnjë lidhje me personin e kryeministrit dhe kryeministri nuk ka asnjë tagër të bllokojë këtë komunikim në funksion të sigurisë kombëtare.

E kam denoncuar që në atë kohë, në vitin 2024.

Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera.

Por një gjë duhet ta dinë shqiptarët, shërbimi informativ, i cili për hir të së vërtetës paguhet dhe ka detyra të mbikëqyrë veprimtaritë e dyshimta të cilitdo, në rastin e drejtorit të vet, ishte symbyllur komplet.

Symbyllur komplet!

Në mënyrë të përsëritur kam denoncuar para jush dhe publikut se shërbimin informativ e kontrollonte Ergys Agasi.

Tani, se sa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën, është një lokal aty afër shtëpisë time, të paktën dy herë në javë drekonin së bashku.

Pra, nuk është se shkonin diku mbrapa Dajtit, jo, jo, në mes të Tiranës, i kishin të zakonshme drekat dhe darkat dy herë në javë njëri me tjetrin.

Ky bashkëpunim i shërbimit informativ me krimin dëshmon se në Shqipëri, Padrino vendosi sistemin ne kontrollit kriminal në çdo institucion dhe qelizë të këtij vendi.

Vlora Hyseni, famëzeza, u mor në mënyrën me aktive me presione ndaj gjykatësve kushtetues në rastin e vendimit Ballukut.

E denoncova që në atë kohë.

Ajo ka pasur të dhëna shumë të rëndësishme.

‘Qytetarët dixhitalë më thonë se po bëhet një kombinim i dy shërbimeve, Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj’.

‘Ergys Agasi ishte dhe është personi, që sipas pohimeve verbale, ndryshonte, emëronte, çemëronte ministrat e brendshëm dhe kishte një kontroll fjollë mbi SHISH-un, tashmë të denoncuar nga unë prej vitesh në mënyrë të përsëritur. Miqësia e kryetares së SHISH me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë. Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së këtij mafiozi mbi shërbimin informativ kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit, lë dyshimet më të mëdha për infektimin e këtij institucioni’.

Pra, siç e shihni, Edi Rama, i cili kishte informacione të plotë, por që me qëllim kishte dorëzuar shërbimin informativ tek krimi, tek bandat, është de facto sot njeriu më i paligjshëm në Shqipëri.

Mandati i arrestit për Edi Ramën është mandati që duhet t’ia presin shqiptarët sa më parë.

Kurse për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është me shërbim jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërim të Edi Ramës, u bëj thirrje FBI-së dhe policisë së SHBA ta arrestojnë jo vetëm si një kriminele ordinere, anëtare të një organizate kriminale më të rrezikshme në Evropë, por ta arrestojë edhe si një person, e cila me grupin e vet, si anëtare grupi, ka përbërë një kërcënim real të vërtetë për aleancën e Atlantikut të Veriut.

Unë në mënyrë të përsëritur kam ngritur këtu se ky grup i strukturuar kriminal kontrollonte çdo të dhënë që ekziston në internet në territorin e Republikës së Shqipërisë të çdo personi, të çdo subjekti, dhe dhe këto i ka transferuar në drejtime të armiqve të NATO-s.

Fatmirësisht kjo aferë është tashmë lehtësisht e hetueshme.

Edi Rama është autori i këtyre, u garantoj meqenëse jemi në këtë çështje, se çdo gjë kanë bërë, qoftë Vlora, qoftë Gysi, qoftë Ermali, qoftë Linda, gjithçka e kanë bërë me urdhër të Edi Ramës.

Të gjitha veprat e rënda kriminale i kanë kryer me urdhër të Edi Ramës.

Është arrestuar edhe një emër Sulejmani. Dhe ky një figurë kyçe e krimit.

U kujtohen ju denoncimet e mia për Kodrën e Kuajve ku mblidheshin kriminelët Suel Çela, Elvis Doçi, Vangjush Dako, Ergys Agasi çdo dy-tre net për qëllime elektorale të PS?

Menaxheri i lokalit të Kodrës së Kuajve, jo pronari, se pronari është edhe ai kjo kategori, është tjetër, ka qenë Embro Sulejmani.

Por Embro Sulejmani ka qenë dhe menaxheri i klubit qeveritar ku Rama me Agasin takoheshin publikisht në Durrës, të dy funksionet. Embro Sulejmani.

Fatjon Kalluçi ishte një hallkë.

Imagjinoni ekspertizat e tyre, ku drejtori i laboratorit ishte bashkëpunëtor krimi, anëtar organizate.

Për të gjitha këto, i kërkoj Edi Ramës dorëheqjen e menjëhershme dhe ftoj shqiptarët të përballen me të gjithë forcën e tyre me këtë shtet kriminal, që vetëm shtet nuk është, por një bandë kriminale në institucionet e tij.

Gjithashtu theksoj se, për të gjitha veprat që akuzohet kjo organizatë kriminale, kryesor është Edi Rama me urdhrat e tij.

Ata nuk duhet t’i zbatonin, jo, urdhri i paligjshëm nuk zbatohet, thotë ligji.

Por ky i ka urdhëruar ata dhe kjo është e vërteta.

Së fundmi, në rast se Vlora Hyseni nuk është në Nju Jork duke përgatitur takimet e Edi Ramës me spiunë, por është siç po thonë në një vend tjetër, u bëj thirrje shërbimeve të zbatimit të ligjit të atij vendi, që ta arrestojnë dhe kërkoj që SPAK-u urgjentisht të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar për të në mënyrë që ajo të bëhet përgjegjëse para ligjit në Shqipëri, vendin ku ka kryer krime të shëmtuara.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT

Marsi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, duke qenë se së pari është çështje e sigurisë kombëtare, a duhet presidenti të thërrasë me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Komnëtare dhe a do ta drejtojë opozita një kërkesë të tillë?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen, por unë mund t’u them se Haram Begaj është anëtar vullnetar i kësaj organizate.

Çfarë të thërrasë ai? Nuk ka gjë më qesharake.

Ta dinë shqiptarët që ai vetë përbën një anëtar vullnetar të kësaj organizate kriminale.

Të gjitha këto, unë i kam denoncuar publikisht këtu, dhe Haram Begaj ka bërë të mosqenurin.

Ai e di që nesër ikën nga detyra, e presin disa mandate arresti për vjedhjet e tmerrshme të pronave të ushtrisë me Edi Ramën.

Nuk ka këtu Këshill të Sigurisë Kombëtare. Kush është? Ervin Demo që e vunë bandat? Taulant Balla me pesë mbiemra.

Shaka të mos bëjmë, nuk ekziston Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shqipëri.

Anesti Barjamemaj, A2CNN: Z. Berisha, prej vitesh keni denoncuar shumë afera, skandale, ku edhe ditën e sotme thatë që akuzat tuaja janë konfirmuar edhe nga Prokuroria e Posaçme në rastin e Vlora Hysenit. Keni bërë deklarata të shumta nga kjo seli, edhe nga foltorja e Kuvendit dhe kërkoni dorëheqjen dhe largimin e Edi Ramës. A largohet Edi Rama vetëm me deklarata apo duhet në këtë moment që të thërrisni qytetarët në protestë, që të shikojë opozita një strategji tjetër?

Sali Berisha: Të jeni i sigurt që PD në këtë situatë do të rishqyrtojë tërësisht rrugën që do ndjekë në situatën e krijuar.

Plotësisht!

Para shqiptarëve dhe botës kjo është një bandë kriminale në pushtet dhe ne do marrim vendimet e duhura.

Do ketë protestë edhe në kohën kur qytetarët kanë zënë sheshin pasdite?

Sali Berisha: Të gjitha do të shqyrtohen. Të gjitha do të shqyrtohen, do gjenden mënyrat, do të shqyrtohen të gjitha. Asgjë nuk përjashtohet më. Natyrisht ato parime që kemi shpallur, ne kemi mbështetur protestën, ne nuk marrim përsipër kurrë të shuajmë protestën, përkundrazi prania jonë ka qenë absolutisht e qenësishme, por tani duhen qëndrime të reja sepse kjo është një situatë e pashembullt në botë.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë kurrë një gjë e tillë. Vlora është kryeministri, nuk është kush tjetër.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale