Berisha: Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.

DEKLARATA E KREUT TË PD-së SALI BERISHA DHE PYETJET E PËRGJIGJET ME GAZETARËT

Jam këtu për të kërkuar, largimin e menjëhershëm, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit. Jam këtu për të deklaruar se për PD-në, popullin opozitar, është absolut dhe i panegociueshëm.

Prevalon, mbizotëron mbi çdo gjë tjetër.

Pa largimin e këtij armiku të egër, të lirisë, identitetit dhe interesit të shqiptarëve, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër. Demokrate dhe demokratë kudo që janë, në Shqipëri dhe jashtë saj, duhet të mobilizohen për betejën finale me këtë kalbësirë, monstër, demon të pushtetit, i cili duke mos njohur ligj, parim mobilizoi kundër kësaj partie, agjenturën ruse nën petkun e FBI-së.

Edi Rama me aktin e tij, ndaj PD-së me angazhimin e njërit prej figurave më të fuqishme të zbulimit të vendit partner, për falsifikim, manipulim dhe luftë të hapur ndaj PD-së, tregon se ai meriton çdo dënim, ndëshkim dhe tregon se demokratet dhe demokratët do të ngrihen në një betejë vendimtare, kësaj here për shpëtimin e Shqipërisë nga armiku më i egër që shqiptarët kanë pasur pas Enver Hoxhës, në historinë e tyre.

Sot afera Rama-McGonigal, është kryeafera e planetit. Një dramë e tmerrshme në fushën  e sigurisë që zhvillohet sa në SHBA, po kaq edhe në Tiranë, që ka për autor, Charls McGonigal, njeriun kryesor të kundërzbulimit në SHBA, që kishte njohuri të tmerrshme, të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit të madh.

Dhe ky njeri i ofrohet Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Këtë njeri, Edi Rama pasi grabiti zgjedhjet e 2017, e kontrakton për ti dhënë opozitës goditjen e mëshirës.

Demokratet dhe demokratë, janë momentet më solemne, më kritike, më të rëndësishme të  jetës tuaj politike. E ardhmja e PD-së, e demokracisë shqiptare do të përcaktohet nga suksesi i betejës kundër kësaj kalbësire të pashembullt, që angazhoi në shkelmim më të paimagjinueshëm, flagrant, parimi dhe interesi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, agjenturën, mafian ruse për shkatërrimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Ne pra hymë tani në finale. Çdo luftë ka betejën finale dhe kjo që do të nisim është beteja finale në të cilën ju siguroj se ne do të fitojmë.

Edhe njëherë i kërkoj Edi Ramës në mënyrë të prerë; largohu menjëherë nga pushteti. Jep dorëheqjen se alternativë tjetër nuk ka për ty. Edhe tanket Putin të vijnë në Tiranë, nuk të mbajnë në pushtet, largohu menjëherë.

Edhe njëherë, demokratë dhe demokrate, ora është e jona, e një beteje që në do ta bëjmë me vendosmëri, guxim dhe përkushtim si asnjë betejë tjetër më parë.

Faleminderit!

Berisha: Nën petkun e FBI-së, Rama ka angazhuar agjenturën ruse kundër PD-së

Pyetje: Cila është beteja finale?

Sali Berisha: Betejë finale është ajo e cila ndalet vetëm pas largimit të kalbësirës nga pushteti. Nuk ekziston asgjë tjetër, veç largimi i tij.

Pyetje: Si do ta largoni?

Sali Berisha: Me të gjitha mjetet e mos bindjes civile kjo kalbësirë do të shporret nga pushteti. Ky ka kryer aktet më makabre, më të rënda. Këto janë mesazhet e mia dhe unë jam i bindur se këto burojnë nga zemra dhe mendja e çdo demokrati dhe demokrateje. Demokratët dhe shqiptarët panë qartë se si një demon pushteti, ka angazhuar nën petkun e FBI-së dhe dhe fuqisë së saj, por në fakt agjenturën ruse për shkatërrimin e forcës kryesore politike opozitare. Kam bindjen më të madhe se demokratët do ti japin atij përgjigjen e merituar.

Pjesa tjetër e PD-së ju siguroj se ka të njëjtin mendim. Natyrisht forumet e kësaj partie do të konsultohen gjerësisht. Ju jeni dëshmitarë se unë në mënyrë të përsëritur e kam shpallur Edi Ramën armik të PD-së, armik të votës së shqiptarëve. Kam paralajmëruar se shqiptarët nuk mund të votojnë me një armik të votës së tyre.

Por zhvillimet e fundit, për të cilat unë duhet të falënderoj Departamentin e Drejtësisë së SHBA, hetimet e FBI-së që faktojnë se Edi Rama pagoi  një killer, vrasës për të vrarë pluralizmin në Shqipëri, një agjent rus. Ky është një alarm, kushtrim, apel për çdo shqiptar, jo vetëm demokrat për të përzënë nga pushteti këtë aset rus influent, këtë armik të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pyetje: Z. Berisha Rama nuk e ka dhënë dorëheqjen pas asnjë skandali, pse mendoni se do ta japë tani?

Sali Berisha: Kjo është beteja finale. Unë i them ta japë, por absolutisht Shqipëria paqe nuk mund të ketë më pa largimin e kësaj kalbësire nga pushteti. E kuptoni se çfarë ka ndodhur? Ka përdorur paratë, shërbimet, ka kontaktuar njëshin e kundëzbulimit të FBI-së për ti futur thikën PD-së dhe për ta nxjerrë nga skena politike. PD do ti japë atij reston. Çdo demokrat është para alternativës së ekzistencës apo jo të PD, të mbrojtjes së saj me çdo çmim dhe kjo nënkupton largimin e Edi Ramës. Do të mblidhen forumet, do të takohen aleatët, faktorët e tjerë, por Shqipëria nis betejën finale, kundër këtij armiku të përçudnuar, i cili nuk ngurroi të kontraktojë agjenturën ruse kundër PD-së, qoftë dhe fuqinë e FBI-së të një njeriu i cili kishte shkelur mbi interesat jetike të vendit të tij dhe ishte shndërruar në jë aset të mikut të ngushtë të Vladimir Putinit, Oleg Deripaska. Të mos harrojmë se tentakula, se Deripaska është më i pranishëm se kudo tjetër, pavarësisht nga sanksionet që ka vendosur NATO dhe SHBA. Miqtë më të ngushtë të Ramës, janë ortakë në biznes me Deripaskën. Pra duhet të shkulim, përmbysim, heqim një minutë e më parë, këtë kalbësirë nga maja e ekzekutivit shqiptar. Ftoj socialistët e ndershëm, patriotë të bashkohen me këtë përpjekje për të ardhmen e Shqipërisë, jam i sigurtë se kjo betejë finale do të kurorëzohet me sukses të plotë.

Pyetje: Në seancën e ardhshme parlamentare ju nuk do të jeni në parlament, nga do ti bëni thirrje qytetarëve, nga selia apo …

Sali Berisha: Nuk ka më parlament. E patë sot, parlamenti do të jetë çdo ditë ashtu siç e patë sot, deri në largimin e Edi Ramës. Largimi i tij nga pushteti është objektivi absolut i PD-së dhe në besim të plotë i opozitës. Nuk ka më parlament, parlamenti është i Deripaskës, përsa kohë që Rama të rrijë, qeveria është e Deripaskës përsa kohë që Rama të jetë në krye të ekzekutivit.

Pyetje: A do ta çoni në SPAK?

Sali Berisha: Në skap, juristët do ta shqyrtojnë, por skapi ka punë të tjera. Mirënjohje të pakufishme që ka bërë FBI-ja për hetimin që ka bërë, publikimin që i bëri. Se edhe mund ta mbante në pjesën e rezervuar hetimin, por e bëri publik sepse e konsideronte një akt ndër më të rëndë në historinë e një vendi. Kjo është arsyeja që e bëri publike.

Pyetje: Z. Berisha, mosbindje civile dhe revolucion kemi që në shtator që flasim. Beteja e fundit kur do të nisë…

Sali Berisha: Nis shumë shpejt të jeni të sigurtë, por unë nuk mund të them se nis nesër. Forumet do të mblidhen, aleancat do të mblidhen, faktorët relevantë do të mblidhen, por beteja këtë herë do të jetë pa kthim deri në largimin e Edi Ramës. Nuk mund të pranohet në krye të ekzekutivit një kalbësirë që kontrakton kundër vendit të tij, kundër opozitës së vendit të tij, fuqira që kurrë nuk kanë atë detyrë, por që u shërbejnë rusëve dhe angazhohen. Po ju rikujtoj vetëm një moment. Ortaku i Charles McGonigal në vitin 2019, Rossini i cili ka një kompani bashkë me Charlsin në Tiranë, para mikrofonit të Edi Ramës lexo Blushit, në Madrid do të shpallte Sali Berishën kukull të Putinit. E keni me zë dhe figurë. Ky grup të korruptuarish, rusofilë, armiq të lirisë dhe vendit të tij, ishin në betejë me PD-në vetëm e vetëm se kjo parti qëndronte e palëkundur në mbrojtje të interesave kombëtare, perëndimore në këtë vend.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale