DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Në një deklaratë të zhvilluar për media ditën e sotme, Kryetari i PD, Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani si i përfshirë direkt në aferën e inceneratorëve.
Artur Metani ka qenë më parë drejtues i Departametit Juridik të Ramës në kohën që është përpiluar i gjithë dokumentacioni ligjor për aferën e shekullit.
Berisha u shpreh se Metani dhe Agaçi kanë legjitimuar këtë procedurë krimi gjatë kohës që të dy bashkë ishin në Kryeministri.
DEKLARATA E PLOTË
Sipas burimeve origjinale po ushtrohet presion i madh ndaj ekipit të hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst kërkoj të hetohet çdo kontakt i cilido punonjësi me ekipin e hetimit e vjedhjes së shekullit, të cilat kontakte që mbartin në potencial mesazhe për prokurorët dhe hetuesit e kësaj çështje nga kupola qeveritare e mafies së plehut.
Në këtë kontekst kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani i cili është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të aferës së djegësave në Shqipëri.
Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në arsyetimet më antiligjore që qendrojnë në baze të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe ministrive të tjera.
Artur Metani, ish-drejtues i departamentit juridik të Këshillit të Ministrave, i cili është para qytetarëve shqiptarë gardiani kryesor i respektimi të ligjeve dhe akteve të mëparshme nënligjore në vendimet e Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin ata kanë legjitimuar, kanë quajtur legjitime një procedurë që kurrë nuk është gjë tjetër, veçse procedurë krimi.
Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit. Ai, në një praktikë të pashembullt në historinë e shtetit shqiptar, pa asnjë tagër, ka kryesuar mbledhjen me 5 zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit, e bërë me qëllim nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi për të shkelmuar, për të hedhur poshtë strategjinë e hartuar me 4 mln euro investime të BE për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri me depozitim, seleksionim, riciklim.
Ky zotëri ka kryesuar mbledhjen e zv/ministrave thashë edhe njëherë, pa asnjë tagër, thjesht për interesa të kupolës së mafies së plehrave dhe vetes së tij, Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Erion Veliajt.
Ndaj edhe i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti, se përbën kërcënim potencial madhor për të gjithë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi ai është vetë i inkriminuar tërësisht dhe plotësisht.
Këto kisha unë sot për këtë aferë, e cila edhe njëherë theksoj se është hetimi i shekullit, ose do të jetë dështimi i shekullit, le ta ndjekim. Faleminderit!