Berisha: Kërkesa e Ramës që në komunat e veriut të Kosovës të vendosur KFOR-i, djallëzore. Kërkon të ndajë Kosovën!

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Në një deklaratë për media ditën e sotme, Kryetari i PD, Prof. Dr.Sali Berisha tha, kërkesa se Ramës që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore, e cila nuk ka qëllim tjetër, përveçse ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Berisha tha se, deklarata e bërë sot nga Rama ishte tipike e një psikiku, apo të një dikatori, ku ashtu si Beogradi, dhe ky i fundit mashtroi shqiptarët se se gjoja ka kërkuar Prishtina që në komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i.

Berisha tha se Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga çështjet e brendshme të Kosovës, pasi më ndërhyrjet e tij ai kërkon ta acarojë gjithmonë e më shumë situatën.

Kryetari i PD, Sali Berisha shtoi duke thënë se, duke kërkuar konferencë ndërkombëtare, Edi Rama mendon se do mund të shkohet drejt shpërbërjes së Kosovës, dhe ndarjes së saj midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Berisha tha se, Edi Rama kërkon me çdo kusht të përgjakë Kosovën, edhe pse vetëm pak javë më parë u tha shqiptarëve dhe botës se aty nuk mund të shkrepet kurrë një pushkë.

Berisha tha se, Partia Demokratike i bën thirrje Komunitetit Ndërkombëtar të mos lejojë ndërhyrjet e Edi Ramës në Kosovë, sepse në mënyrë absolute është e dëmshme dhe aspak e dobishme.

Kryetari i PD, gjithashtu i bëri thirrje edhe qeverisë së Kosovës dhe autoriteve që të bëjnë gjithçka për të arritur një marrëveshje, e cila pengohet nga përpjekja e Beogradit, për të garantuar një asosacion.

Berisha drejtoi një thirrje gjithashtu edhe Komunitetit Ndërkombëtar, ku mbi bazën e zhvillimeve të fundit të vendosë sanksione ndaj Aleksandër Vuçiç, njeriut që prej vitesh duhet të ishte në Hagë si autor i të gjitha akteve të dhunës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

DEKLARATA E PLOTË

Edi Rama në sintoni me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç përsëriti në Tiranës tezat e padronit dhe shtoi në këtë mënyrë akuzat ndaj Kosovës, udhëheqjes së saj në problematikën e marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit.

Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë, siç kërkoi Beogradi, dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina që në komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i.

Njesitë ushtarake të KFOR-it, si njesi të NATO-s kanë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e saj. Qeveria e Kosovës në radhë të parë, dhe partnerët ndërkombëtarë nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç, as edhe argatin e tij në Tiranë.

Ata mendojnë dhe besojnë se përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia e Kosovës. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën kundër kriminalitetit në të gjithë territorin pa përjashtim në asnjë zonë, natyrisht në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me me KFOR-in, EULEX-in sa herë që t’i paraqitet nevoja.

Por kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore, e cila nuk ka qëllim tjetër, përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Këtë projekt Edi Rama për veriun e komunave të Kosovës e mbrojti vite të tëra me shkëmbim territoresh. Por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë.

Ndaj edhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qendrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beogradit.

Së dyti, Edi Rama nxori përsëri nga sirtarët kërkesën për konferencë kombëtare të paraqitur nga Beogradi dy vite më parë, dhe të mbështetur fuqimisht nga Sergej Lavrov.

Një konferencë ndërkombëtare për Kosovën nuk ka qëllim tjetër veçse të zhbëjë të gjitha ato që janë arritur dhe të shënojë një fillim nga e para për llogari të nacionalizmit të verbër serb.

Komuniteti ndrkombëtar ka treguar angazhim maksimal. Vetë kancelari Shols, presidenti Macron, sekretari Blinken janë angazhuar direkt. Plani franko-gjerman është dorëzuar. Edi Rama në parashtresën e tij fajëson Kosovën për moszbatimin e këtij plani, në një kohë kur kryeministri i Kosovës në Ohër ishte i gatshëm ta firmoste, kurse homologu i tij serbomadhi Vuçiç deklaroi se unë nuk e firmos kurrë atë.

Duke kërkuar konferencë ndërkombëtare, Edi Rama përsëri mendon se refuzimi i Serbisë, i çdo opsioni tjetër përveçse një republike serbe, të tipit të asaj të Bosnjës në Kosovë, do mund të shkohet drejt shpërbërjes së Kosovës, dhe ndarjes së saj midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe ndërhyrjet e Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës. Edi Rama sot është një bashkë-fajëtor, bashkë-delinkuent me McGonigal-in dhe nuk ka asnjë tagër moral dhe ligjor të ndërhyrjë në punët e brendshme të Kosovës.

Edi Rama me ndërhyrjen e tij përpiqet të acarojë gjithnjë e më shumë situatën. Në momentet kur është bërë e qartë për të gjithë botën se padroni i tij, Vuçiç, ndërkohë që ulet në negociata në Bruksel, dërgon banda terroriste me uniformë shtetërore dhe me armë të ushtrisë për të organizuar kryengritje të armatosur në Kosovë.

Kërkon me çdo kusht të përgjakë Kosovën, paçka se Edi Rama vetëm pak javë më parë u tha shqiptarëve dhe botës se aty nuk mund të shkrepet kurrë një plumb, një pushkë.

Edi Rama doli sot para mediave, si një diktator ose i sëmurë psikik.

Qendrimet e analistëve, gazetarëve, ndaj qendrimeve të tij, mos pajtimin, kritikat e tyre të hapta i shpalli plumba. I shpalli këto ngase përroi i tij psikik shpërtheu, apo i shpalli nga mentaliteti i tij atëror është për t’u shqyrtuar. Por të shpallësh plumba kundërshtitë e analistëve, politikanëve, gazetarëve, të qendrimeve të tij fund e krye si argat i Vuçiç, është një akt më së paku anti-demokratik.

Së fundmi, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe çdo ndërhyrje të Edi Ramës në punët e brendshme. Ajo i bën thirrje Komunitetit Ndërkombëtar të mos e lejojë këtë ndërhyrje, sepse në mënyrë absolute është e dëmshme dhe aspak e dobishme.

I bëj thirrje qeverisë së Kosovës, institucioneve të saj, të bëjnë gjithçka për garantimin e plotë të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve dhe serbve, minoriteteve të tjera në Kosovë. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës, policisë së Kosovës, dhe mbështes plotësisht të garantojnë rendin dhe sigurinë për qytetarët e republikës në të gjithë territorin e saj.

Së fundmi, i bëj thirrje qeverisë së Kosovës, autoriteteve të shtetit të Kosovës të japin çdo kontribut të mundshëm për arritjen e një marrëveshje, e cila pengohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga përpjekja e Beogradit, për të garantuar një asosacion që vendon republikën serbe të Bosnjës në Kosovë.

Shtoj me këtë rast, se një asosacion ekstra-kushtetues do të ishte një thikë e tmerrshme, jo vetëm për Kosovës, por për të gjithë rajonin.

I bëj thirrje Komunitetit Ndërkombëtar mbi bazën e zhvillimeve të fundit të vendosë sanksione ndaj Aleksandër Vuçiç, njeriut që prej vitesh duhet të ishte në Hagë si doktrinar gjenocidi, si autor i të gjitha akteve të dhunës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ai sillet në Ballkan si një Millosheviç i ri. Por në kohën e konfliktit, sulmit barbar të Rusisë ndaj Ukrainës, ai sillet si një Putin i vogël.

Mirëkuptoj çdo përpjekje për të orientuar Serbinë drejt Perëndimit, por të vërtetat janë, se me qendrimin që mban ndaj sanksioneve ndaj Rusisë, me qendrimin që mban ndaj Kosovës, me aktet konkrete që ai ka ndërmarrë muajt e fundit dëshmon se ai mbetet  një serbomadh, një Millosheviç i ri, një Putin i vogël, armik i rrezikshëm i  paqes dhe stabilitetit në rajon.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale