FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR BASHKINË MEMALIAJ, ALBERT MALAJ
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal sot në takimin e radhës në Memaliaj në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Albert Malaj.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi kandidatët e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” të dalë nga vota e Primareve, si figura të cilat na bëjnë të ndihemi krenarë dhe përfaqësues dinjitozë të qytetarëve. Ndërsa kandidatët e mazhorancës i cilësoi si kandidatë të bodrumit të Edi Ramës, ku theksoi se këta të fundit nuk i voton as vetë PS.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh Memaliaj se prioritet absolut i qeverisë së ardhshme të PD do të jenë rrogat, pensionet, përgjysmimi i taksave si shkollimi dhe punësimi. Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi gjithashtu premtimet e Edi Ramës për rritjen e pagave, duke i quajtur ato mashtrime. Sipas liderit të opozitës, Rama po çon drejt falimentimit bizneset, ndërsa inflacioni do të kapërcejë në trefishim.
FJALA E PLOTË
Të dashur demokrate edhe demokratë. Qytetarë edhe qytetare, banorë të Memaliaj. Vëllezër e motra. Zonja e zotërinj!
Më lejoni që më së pari të përulem me mirënjohjen më të thellë, me nderimin më të madh që banorët e këtij qyteti, të kësaj bashkie i kanë dhënë PD dhe demokracisë shqiptare, duke u dëshmuar një bastion i pamposhtur i lirisë, atdhetarisë, dhe vlerave të dinjitetit kombëtar.
I dashur z.Tritan Shehu, kryetar politik i grupit drejtues të zgjedhjeve të qarkut të Gjirkoastrës. I dashur z.Bujar Kapllani, drejtues i degës së PD, Memaliaj. I dashur miku im Dash Alikaj. I nderuar dhe i dashur kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë Memaliaj, Albert Malaj.
Unë iu them ju se në gjithë karrierën time politike nuk jam ngjitur ndonjëherë më krenar para jush sesa sot që unë paraqes kandidatin për qytetar të parë të kësaj bashkie, z.Albert Malaj. Alberti është një nga bijtë më të shquar, më të sprovuar, më të formuar. Një nga përfaqësuesit më dinjitozë, jo vetëm të Memaliajt, por të Tepelenës, jugut dhe mbarë Shqipërisë.
Alberti është kandidat i atdheut, pasi ai i vendosur me të gjithë virtytet e tij i ka shërbyer flamurit kombëtar në zonat më të vështira të globit, dhe kthehet këtu për të marrë përgjegjësi të mëdha. Alberti është njeri i përgjegjësive të mëdha, miqtë e mi.
E dëgjova me kënaqësinë më të madhe, me interesin më të madh programin e tij dhe mund të them se ky është një program i rimëkëmbjes së vërtetë, i transformimit të vërtetë, i ndryshimit të madh të Memaliajt. Alberti pra, do të jetë një shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve të kësaj bashkie, burrave, grave, fëmijëve, do të jetë një menaxher i talentuar, por edhe një drejtues i vendosur dhe me vizion.
Ju e dëgjuat vetë. Programi që Alberti paraqiti këtu ishte sa konkret, aq edhe vizionar. Programi i një lideri të vërtetë që kërkon të transformojë Memaliajn. Ndaj edhe Alberti na nderon secilin prej nesh sot. Na nderon edhe faktin kryesor se ai është kandidat i juaji, i besimit tuaj, i vullnetit tuaj, i votës suaj, dhe ju garantoj që ky standart që vendosëm është një nga standartet më të mira që ekziston në botë. Ne jemi të vendosur ta përforcojmë, ta zhvillojmë, ta konsolidojmë gjithnjë e më shumë atë.
Krahasoni ju Albertin me kandidatin e bodrumit të Edi Ramës, i cili vetëm me qytetarët nuk komunikon. Për të cilin, nuk ka votuar qoftë edhe një socialist i vetëm në Memaliaj. Për të cilin nuk është pyetur as edhe një banor i këtij qyteti. Po kush e emëroi atë? E emëroi xhepi. Vjedh qytetarët, ço para te shefi i tij, Edi Rama dhe fito kandidimin.
Si ka mundësi të emërohet ai? As dega e PS nuk e voton. As socialistët nuk pyetën për të.
Miqtë e mi!
Këta janë një sekt i rrezikshëm. Një sekt i shkëputur tërësisht nga qytetarët, qoftë edhe socialistë. Këta rilindasit janë sekti i vjedhjes më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Hajdut si këta nuk ka patur toka.
Ndonjëherë mendoj për historinë tonë, dhe kur vlerëson miliardat e eurove, e pasurive publike të vjedhura prej tyre, të thotë mendja se vjedhjet e tyre janë më të mëdha se vjedhjet e të gjitha qeverive në të gjitha kohërat e marra së bashku. Këta po shkatërrojnë këtë vend dhe këtë komb, sa asnjë pushtim në tërë historinë e tij.
Sot në Memaliaj janë 40% më pak qytetarë se sa ishin 8 vite më parë. Sot në Shqipëri janë 80% më pak qytetarë, sesa 8 vite më parë. Nga Ukraina me gjithë bombardimet, raketat, topat, lufta, si përqindje nuk janë larguar as gjysma gjatë kësaj lufte as gjysma e atyre që janë larguar nga Shqipëria në këtë kohë ppaqe për ne.
Po çfarë ndodhi? Pse ne marrim rrugët e dheut? Pse ne këtë vend të bekuar e shpallim një vend ku nuk mund të jetohet? Shkaku i të gjitha shkaqeve para së gjithash është: varfëria e shkaktuar nga vjedhjet e papërmbajtshme, e pallogaritura të kësaj qeverie.
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, le të shtrojmë pak. Pse nga viti 2007 në vitin 2014 numri i banorëve në Shqipëri rritej nga viuti në vit? Nu kështë se ishim të pasur, nuk është se kishim rorga të nivelit europian, por kishte diçka. Kishte dy gjëra shumë të rëndësishme.
E para, rrogat tona rriteshin çdo vit. Rrogat tona u dyfishuan. Pensionet tona rriteshin çdo vit. Pensionet tona u dyfishuan, dhe secili qytetar konstatonte se vërtet nuk kishte para sa meritonte, por gjendja e tij ekonomike nuk po përkeqësohej. Gjendja e tij ekonomike po përmirësohej.
Së dyti, çdo shqiptar e ndjente se kjo qeveri e cila kishte vendosur rrogat dhe pensionet e qytetarëve të parat, po bënte gjithçka për ndryshimin e jetës së tyre, për një infrastrukturë moderne.
Në vitin 2012, një grup shumë i njohur studiuesish të Bostonit vlerësuan shpërndarjen e buxhetit në interes të qytetarëve në të gjithë botën. Gjithmonë mbaj si një kënaqësi të veçantë që Shqipëria renditej e katërta në botë. Dhe pasi e studiova, tri faktorë qendronin.
E para, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve si asnjë vend tjetër. Së dyti, ndërtimi i mbi 11 km rrugë. Ç’ka do të thotë paratë kishin shkuar në fshatra, në lagje, zona rurale, qytete. Pra, paratë ishin vendosur në shërbim të qytetarëve. Dhe po kështu, ndërtimi i një infrastrukture moderne arsimore. Pra, kishte shpresë dhe shqiptarët duke parë të gjitha këto besonin se Shqipëria bëhet. Besonin se ata dhe fëmijët e tyre mund të ndërtonin një të ardhme të mirë në Shqipëri.
Arritëm me këto përpjekje, nga të tretët më të varfrit në botë, të dalim me rroga e pensione më të larta në rajon. Dhe kjo u arrit, sepse Shqipëria është më e pasura në rajon. Se pasuritë e Shqipërisë nuk i ka asnjë tjetër në rajon. Por ato pasuri po ktheheshin në mirësi për qytetarin. Ça ndodhi nga 2014 gjer më sot?
Vetëm nga viti 2021 në vitin 2022, me rritjen e çmimeve çdo shqiptar ka shpenzuar për ushqime 430 mijë lekë më shumë. Pra, çdo shqiptar ka një rrogë më pak. Çdo pensionist dy pensione më pak. Varfëria troket në çdo vatër. Njerëzit mendojnë se Shqipëria nuk mund të bëhet, ndaj edhe ikin. Ndërkohë, para ka shumë më tepër se sa kisht, por ata para vidhen nga qeveritarët e sotëm. Vidhen në mënyrën më të paimagjinueshme, më të papërmbajtur.
Një autostradë po ndërtohet nga Janina në Kakavijë, ultramoderne. 4 milionë euro km që është një terren jofushor. Rrugë anësore po ndërtohen nga Shkëmbi i Kavajës në Fier, me çfarë kostoje? 7.2 milionë euro/km. Kisha përdorur disa herë si shembull shkollën Sami Frashëri në Tiranë të ndërtuar me 6 milionë euro. Tani na del shkolla tjetër e rindërtuar në Kamëz me 7.2 milionë euro. Ndërkohë kur shkolla e re ndërtohet me 600-700 mijë euro.
Çfarë ndodh atëherë? Pensionet për shkak të çmimeve zvogëlohen. Rrogat për shkak të çmimeve zvogëlohen. Edi Rama përsëri përdor armën e tij të zezë, mashtrimin. U thotë shqiptarëve se, vitin e ardhshëm do ta keni rrogën mesatare 900 euro, nga 400 që është tani.
Të dashur miq!
Të rrisësh vitin e ardhshëm 900 euro rrogën e shqiptarëve, do të thotë të rrisësh inflacionin me tri shifra. Do të thotë jo vetëm t’i falimentosh bizneset, bankat, Shqipërinë. Dhe këtë e thotë vetëm një njeri i cili për karrigen e tij është i aftë t’u thotë shqiptarëve çdo mashtrim, çdo gënjeshtër, sepse pasi të marrë votat shqiptarët do provojnë shëndetësinë falas të tij. E cila, jo që nuk ishte falas, por shqiptarët paguajnë sot më shumë shumë çdo qytetar europian për shërbim shëndetësor.
Dhe tani në një akt të padëgjuar ndonjëherë, do ndërtojë dy korsi në shëndetësi. Korsinë e pasanikëve, dhe korsinë e atyre që nuk kanë. Pasanikët do të kenë të drejtë të marrin shërbime me shpejtësi. Të tjerët, do presin rradhën. Nuk ka akt më cinik, jo njerëzor sesa ky. Dhe këtu gjen zgjidhje për shëndetin tuaj, pasi shkatërroi shëndetësinë. Pasi kanë ikur mbi 4000 mjekë nga Shqipëria jemi kthyer sot në vitet ‘60 për numrin e mjekëve për frymë.
Në epideminë e COVID ne zumë një nga tri- katër vendet më të larta në botë për vdekshmëri. Tano thotë: do fus dy korsitë në shërbimin shëndetësor.
Jam këtu për t’u bërë thirrje me 14 maj të votojmë Albert Malajn, të votojmë ndryshimin!
Ndryshimi është në duart tuaja, dhe u garantoj ju se ndryshimi që fillon më 14 maj do të sjellë me shpejtësi përmbysjen më hajdute të qeverisë të Shqipërisë. Ju garantoj se qeveria e ardhshme, objektivin më absolut do ketë rrogat dhe pensionet e shqiptarëve më të lartat në rajon. Sot janë më të ulëta.
Do të ketë suksesin e shqiptarëve në biznes. Përgjysmimin e taksave. Do të ketë shkollimin, punësimin, strehimin e të rinjve në përparësi absolute.
Po si mund të rrijë një njeri sot këtu, më thoni pak?
Diplomën e merr, punë nuk gjen. Do të krijojë familje, shtëpi nuk blen dot. A e dini ju që apartamentet në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në Belgjikë sot? Qeveritarët mburren me këto çmime, se janë të pashpirt. Të dëgjosh ish kreu, se ish është nuk do të jetë më, Erion Veliajn të thotë që: jam krenar, se u kam rritur taksat ndërtueesve 8 herë. Ua rrite, e ça u bëre ndërtuesve që ua rrite taksat 8 herë? Ata dyfishuan çmimet. Ua shtove të ardhurat. Po kush e pagoi? Të rinjtë. Ata që janë pa strehim, ata nuk blejnë dot më shtëpi.
Ju garantoj se, fermerët shqiptarë që përballen me një qeveri armiqësore sot. Po, pse them unë armiqësore. Po armiqësore, se subvencionet për fermerët në vendet e rajonit, mesatarja e subvencioneve është 8 herë më e lartë se në Shqipëri.
Po marr Kosovën. Kosova subvencionon për çdo sipërfaqe, për çdo prodhim, për çdo faturë shitje. Subvencionon për çdo lopë 90 euro. Për çdo dhi, dele, bletë, apo derr 25 euro. Për çdo litër qumësht 0.3 euro. Për çdo kullotë me euro. Po humb Kosova me këtë? Të tjerët subvencionojnë më shumë. Asnjë nuk humbet! Subvencionet te fermerët, fitojnë të gjithë.
Po ka prodhime më të shijshme se prodhimet e Tepelenës, më thoni ju mua? Absolutisht, asgjëkundi. Ua them unë ju. Po në qoftë se ti subvencionon produktet blegtorale, bujqësore të këtyre zonave, janë të cilësisë më të lartë dhe bëhen të famshme kudo.
Por ky, ka hapur kufirin për qumështin pluhur të Serbisë, dhe furnizohen të gjitha fabrikat, dhe shqiptarët ushqehen me djath nga qumështi pluhur. Kjo është e vërteta!
Alberti, thashë edhe njëherë, kishte programe me vizion. Po boshti i jugut është përparësi absolute e qeverisë sonë. Unë dua t’ju informoj ju se në takimin e fundit që kam patur me ideatorin kryesor, inxhinier Ngjeçarin, ai më ka informuar për një trajektore e cila pa tunele, pa vështirësi, në një distancë të shkurtër lidh Memaliajn me Beratin. Boshti i jugut mbetet përparësi absolute, dhe ju e dini që rrugët i bëri qeveria e PD, ato që mbetën pa përfunduar, atij iu deshën 10 vite për t’i përfunduar. Ne do i bëjmë ato, dhe ne do bëjmë gjithçka që pasuritë të kthehen në mirësi për qytetarët e Tepelenës, për qytetarët shqiptarë.
Më 14 maj votoni kandidatin tonë, Albert Malajn. Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë fitojmë! Më 14 maj, votoni për bizneset tuaja. Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë fitojmë! Më 14 maj votoni për të rinjtë tanë që të qendrojnë në Shqipëri. Ndryshimi është në duart tona. Bashkë Fitojmë!
Rroftë populli i Memaliajt, rroftë Shqipëria!