Siç e dini, unë e kam falur, kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehu, por debatet e shumta lidhur me ngjarjen më detyrojnë të jem këtu para jush për këtë çështje, për të sqaruar opinionin, se pse unë akuzoj direkt Edi Ramën si autor, ose porositës të këtij skenari. Nuk e akuzoj absolutisht Edi Ramën për motive dhe shkaqe politike, jo. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se çdo njeri që gabon që akuzat mia kanë këtë qëllim dhe asgjë më shumë.
Nuk e akuzoj Edi Ramën aspak për faktin se policia nuk e mbrojti protestën, jo dhe jo. Unë e akuzoj Edi Ramën së pari, sepse Gerti Shehu është informator i policisë kriminale me emër mbiemër dhe kod, dhe është përdorur nga Ardi Veliu. Ky informator i policisë kriminale është përdorur sipas dokumenteve zyrtare për çmontimin e rrjeteve të drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë.
Së dyti, përpjekje e menjëhershme për të shfajësuar kriminelin nga barra e krimit dhe me këtë qëllim përhapja me shpejtësi nga Rama dhe mediat e tij e variantit të të sëmurit psikik, dëshmon se Gerti Shehu në vend të një hetimi të plotë dhe të paanshëm është në mbrojtjen totale të Edi Ramës që ka porositur krimin e tij.
Unë e akuzoj Edi Ramën si porositës të krimit, sepse e vërteta se për pacientin e Edi Ramës dhe klientin e Ardi Veliut nuk ekziston asnjë dokument shtetëror zyrtar që të fakojë se Gerti Shehu është sëmurë i papërgjegjshëm. Përkundrazi, ekziston dokument zyrtar, vendim gjykate që e shpall atë ligjërisht, plotësisht të ligjshëm dhe e dënon atë për goditjen e një personi tjetër, e dënon.
Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gerti Shehun nga kriminel, në të sëmurë psikik, kjo merret me mend.
I sëmuri i Edi Ramës dhe klienti dhe gjitoni gjer para pak muajsh, i Ardi Veliut është aq i sëmurë, sa ka rinovuar patentën, akt që nuk u lëshohet kurrë atyre me probleme psiqik, por u lëshohet vetëm qytetarëve që marrin vërtetim zyrtar për shëndetin e tyre të plotë mendor dhe fizik.
Së katërti, i sëmuri i Edi Ramës, klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut, është aq i sëmurë, sa ka marrë edhe kredi në banka, akt që nuk ndodh kurrë për një të sëmurë psikik.
Le t’i referohemi ngjarjes në pamje të parë. Ju dhe çdo qytetar mund të thotë se i vetmi njeri që nuk ishte i interesuar për ngjarjen, ishte Edi Rama. Por ky gjykim, të dashur qytetarë dhe qytetare, vlen vetëm për njerëzit që mund të kontrollojnë urrejtjen e tyre. Dhe absolutisht jo për Edi Ramën, i cili kurrë nuk feston një sukses pa një agresion verbal apo tjetër ndaj kundërshtarit, më të madh gjithnjë sesa lavdërimi i suksesit.
Çdo sukses të tij ai e paraqet me moton: plastë armiku.
Unë këtë konstatim e kam shprehur, dhe ndjehem i lehtësuar sot, se kam shprehur jo një por me dhjetëra raste në parlament dhe studio televizive. Ai është unik në universin e njerëzve dhe personazheve që kam lexuar ndonjëherë. Po për këtë motiv dhe asnjë tjetër, Edi Rama festoi samitin e liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor me një akt antiligjor, antikushtetues, atë të hedhjes në erë të resortit Prestige, të pronarit të grupit mediatik Hysenbelliu, të konstatuar armik prej tij.
Një akt të tillë në prag të samitit nuk e bën kurrë një njeri që kontrollon urrejtjen e tij.
Por e bën një njeri që përdor samitin, për të shfryrë urrejtjen ndaj kundërshtarit të tij të urryer. Atyre që besojnë se Edi Rama nuk ishte interesuar për aktin që kreu, apo se nuk është e vërtetë që ai qendron prapa aktit kriminal, pasi nuk kishte asnjë interes për këtë samit, ju lutem t’i shtrojnë vetes pyetjen.
Po pse nuk e shtyu dy ditë ose një javë pas samitit hedhjen në erë me tritol të resrtit turistik Prestige?
Le të vijmë edhe një herë tek akti.
Pse Edi Rama, atë ditë të samitit, zgjodhi sulmin fizik ndaj Berishës, në kuadër të asgjësimit të opozitës së vërtetë?
Edi Rama vendosi nga urrejtja dhe dëshira për t’i dhënë një goditje fatale opozitës, të përdorë samitin për të sulmuar fizikisht apo mundësisht në oborrin e shtëpisë së vetë kundërshtarin e tij, i bindur se me këtë skenar apo ngjarjet që pasonin, do i jepnin opozitës një goditje asgjësuese.
Në minimum me këtë akt, ai mendoi se Sali Berisha nuk do ngjitej, ose të paktën atë ditë më në tribunë, apo ndoshta ai do udhëhiqte në zonën ku kërcënohej siguria e samitit dhe e lidërve europianë, dhe kështu do u tregonte fytyrën e vërtetë të opozitës shqiptare pjesëmarrësve të vërtetë në samit. Ose do të mund ndodhte që kamikazi i tij pa eksploziv, të vritej nga protestuesit e revoltuar dhe në këtë mënyrë të damkoste opozitën si vrasëse para mbarë botës.
Por ai kishte në dorë skenarin, kishte në dorë Gerti Shehun, dhe skenarimin për grushtimin apo eleminimin e Sali Berishës, të tjerat jo. Pas dështimit të krimit që do të korrte sukses, Edi Rama si dëshmi e pa mohueshme, se prapa aktit qendron dora e zezë e tij, mobilizoi të gjithë makinerinë shtetërore propagandistike, për ekzolerimin e kriminelit që kishte porositur, duke zhurmuar krimin nga mëngjesi deri në darkë dhe për ta paraqitur autorin si të dezekulibruar, pra jo kriminel, dhe duke harruar se si rregull, vetëm tipa të tillë përzgjidhen për këto misione dhe për qëllime të tilla.
Në këtë përpjekje vetëakuzuese, policia zbuloi veten duke iu shërbyer mënjëherë mediave për të provuar këtë pretendim të Edi Ramës, një dokument mjekësor privat, jo vetëm jozyrtar, por absolutisht antiligjor me titullin: atij që mund t’i interesojë. Dokumente të kësaj natyre, policia nxjerr në mënyrë të paligjshme për të lehtësuar nga barra e krimit agjentët apo informatorët e infiltruar të saj, kur ata arrestohen së bashku me delinkuentë të tjerë.
Një dokument i tillë, pra atij që mund t’i interesojë, nuk lëshohet kurrë për një të sëmurë, që gëzon kodin më të lashtë të mjekësisë të drejtën e sekretit të sëmundjes së tij. Ky dokument nuk mund të lëshohet kurrë për një të sëmurë, që ka të garantuar me Kushtetutë sekretin e të dhënave personale. Për marrjen e një dokumenti të tillë, shteti dhe çdo të sëmurë psikik, apo të sëmurë tjetër ka të përcaktuara me lligj kanalet zyrtare, të cilat nuk janë respektuar asnjëra në këtë rast dhe Edi Rama me propagandën e tij tund një dokument që është absolutisht i paligjshëm dhe nuk mund të lexohej nga një mjek në këtë formë.
Sepse vetëm mjeku pohon se këtë dokument ia ka dërguar edhe policisë. E kuptoni çfarë situate?
I them zotit doktor që ke bërë gabimin më të madh. Ka procedura ligjore, se kur policisë i duhet, merr të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Ka prokurori, ka gjykata, ka vendime. Ndaj dhe asgjë nuk justifikon dorëzimin e dokumentit të tillë policisë, qoftë për të shpëtuar nga rrjeti, për të shpëtuar nga dështimi, informatorin e vetë. Ju e dini, Gerti Shehu është arrestuar së bashku me katër të tjerë tek liqeni artificial, duke shpërndarë drogë, por normal policia këtë nuk e ka çuar në gjykatë, sepse ky ishte i infiltruari i saj.
Dëshmitarë të tjerë, rreth e qark e kanë njohur atë thjesht si një informator policie. Janë përhapur variante të shumta.
Edhe njëherë për ta mbyllur, një informator policie që ta dini ju ka një përzgjedhje të caktuar. Aktin e parë që do bënte në rast se mësonte informacionin më të vogël për një tentativë të tillë, ai ai do informonte shtetin. Dhe ata që duan ta paraqesin këtë nga shërbimet e huaja, nuk kanë asnjë fakt. Unë nuk është se nuk e di se dhe shërbimet kanë veprimet e tyre, por unë akuza të pabaza, të paqëna nuk mund të ngre.
Ky ishte njeriu i policisë. Dhe ju i shihni, Edi Rama po i mbron tepër për llogaritë e shërbimeve të huaja? Jo, Edi Rama po e mbron se qendron prapa skenarit.
Ndaj, edhe për ta mbyllur, sulmi fizik i Edi Ramës, i porositur nga Edi Rama ndaj Sali Berishës, është një sulm tërësisht i porositur. Përpjekja e tij për të shuar çdo shpresë hetimi me makinerinë e tij zyrtare dhe propagandistike, e fajësojnë atë plotësisht dhe për herë të dytë.
Përdorimi i një dokumenti të paligjshëm që s’ka asnjë vlerë ligjore, dëshmon edhe njëherë se autorë të vërtetë janë ata që po përpiqen ta shpëtojnë kamikazin pa eksploziv nga barra e krimit.
Së fundmi, lexoni deklaratat që u bënë, që ishin të gatshme dhe u shpërndarë kudo nga zyra e Fugës nga të katërta anë me të njëjtat rreshta.
Nuk jam këtu, absolutisht për t’u ndalur në mënyrë të veçantë te kjo, sepse ne jemi në një revolucion. Ajo që dua të them është se data 6 dhjetor ishte triumfi i opozitës. Ishte triumfi në sensin, që i faktoi mbarë botës sesa të drejtë ka kjo opozitë në tezat dhe qëndrimet e saj.
Ia them prapë sot, mund të godasësh një njeri, një njeri edhe mund të vritet, por një kauzë nuk vdes kurrë. E garantoj se opozita do i japë Edi Ramës të gjithë përgjigjen e merituar si një armik i egër i votës dhe lirisë të shqiptarëve.
PYETJE PËRGJIGJET GJATË KONFERENCËS SË KREUT TË PD-së, SALI BERISHA
Pyetje: Z. Berisha, ju thoni se pas grushtit të Gerti Shehut në 6 dhjetor qëndron Edi Rama. Cila është përgjigja konkrete që do ti jepni këtij sulmi.
Sali Berisha: Revolucioni demokratik hyn në fazën e dytë. Përfundimi me sukses deri më tani dhe shpresoj edhe të dielën që vjen i atyre balotazheve që kanë mbetur, shënon kurorëzimin e një procesi, festivalit vërtetë lirie, natyrisht nuk them të përsosur në PD, dhe e ka nxjerrë këtë parti shumë herë më të fortë. Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë organizatorët, konkurrentët, anëtarëve, simpatizantëve, votuesve, komisionerëve, të PD-së që dhuruan këtë proces. Qëllimi ynë më madhor është që, siç votuam brenda partisë të votojnë të gjithë shqiptarët. Ne duam shqiptarët të votojnë. Natyrisht ne nuk mund të kemi asnjë iluzion se me një kryeministër që në përputhje me aktin 3, të Konventës së OKB-së për gjenocidin, po kryen gjenocid kundër shqiptarëve, duke krijuar kushte të kalkulueshme për shpërbërjen e tyre. Nuk kemi asnjë iluzion se mund të ketë votë të lirë. Unë kontastoj me kënaqësi që në shumicë shqiptarët janë të bindur për këtë pikëpamje. Ndaj dhe ne do ta vazhdojmë të pamposhtur revolucionin tonë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky pushtim i brendshëm, ndoshta më barbar edhe se pushtimet e jashtme.
Pyetje: Nëse ju e quani revolucionin dhe faza e parë ka qenë me protesta paqësore dhe me zgjedhje brenda PD, faza e dytë e revolucionit si është, a mund të na shpjegoni fjalët aksion, japim jetën për votën apo dhe terma të tjerë.
Sali Berisha: Absolutisht e kape bukur. Motoja do të jetë ajo dhe vetëm ajo. Do bindim çdo shqiptar se në se nuk i dalin zot votës së tyre nuk kanë kurrë të ardhme. Nëse presin nga të tjerë ti dalin zot votës së tyre, tallen, përqeshin veten e tyre. Le të kujtojnë pak 26 prillin. Administrata që ka deklaratën më të shkëlqyer historike për votën e shqiptarëve, kaloi në deklaratat më absurde në historinë e zgjedhjeve. Të flasë për zgjedhje shumë të mira dhe të shkëlqyera pa u shqyrtuar qoftë edhe një ankesë. Këtë e bëri Metthew Palmer, Yuri Kim. Këto janë të shkuara, por ua them shqiptarëve që të mos kenë asnjë iluzion. Nëse duan ti dalin zot vetes së tyre, duhet ti dalin zot votës së tyre. Të mos presin nga askush. Thashë dhe njëherë, e marr këtë shembull për të theksuar se çfarë situate është sot shqiptari për votën e tij. Por kam besim të madh se një kalbësirë si kjo nuk mund të zgjasë dhe ne do të bëjmë gjithçka për shkurtimin e jetës.
Ne jemi për të gjitha format e protestës dhe mosbindjes civile. Mosbindja civile nuk konsiderohet e dhunshme, konsiderohet si protestë e ligjshme.
Pyetje: Ministria e Jashtme ka njoftuar dje se janë hapur procedurat për largimin e Ambasadores së SHBA, Yuri Kim nga Shqipëria. A ju duket një njoftim korrekt nga ana e këtij institucioni, apo thyerje e etikës diplomatike.
Sali Berisha: Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur. Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim. Sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur. Ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik. I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar. Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj se po të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria.
Pyetje: Sulmi që ju bë juve të martën ishte i rëndë. Ju jeni një figurë qendrore politike e vendit, por duke parashtruar disa rrethana të tilla, si paralajmërimet që keni bërë për protesta nëse ndodh samiti i ‘Open Balkan’ në Tiranë, i ardhshëm, por gjithashtu edhe lista e armiqve të Shqipërisë, mos vallë duhet të rishikoni mënyrën si operoni që të mos bëheni një armik i lehtë për armiqtë e Shqipërisë, që duke ju sulmuar ju fizikisht, në fakt cenojnë dhe stabilitetin e vendit.
Sali Berisha: Kjo pyetje është pak qesharake, më falni ë, se unë nuk besoj se ftova agresionin dhe agresorin. Unë besoj se mbrojta nderin e dinjitetin e Shqipërisë me protestës. Kurrë ndonjëherë më e qartë dhe evidente, karakteri jetik i një proteste se sa në datën 6 dhjetor në histori nuk është provuar në asnjë vend. Ndaj dhe ajo pikërisht për këtë arsye mori lajmin e botës. Por theksoj edhe njëherë, nëse jeni të interesuar merrni çdo arritje të lancuar nga Edi Rama, se si ai pas dy rreshtave të parë kaq një faqe të tërë anatema kundër kundërshtarit. Dhe keni deklaratat e mia, ku i them që ti je i vetmi njeri që feston suksesin duke sharë të tjerët. Ai ka një gen të trashëguar. Isha dje në një paraqitje libri dhe Alfred Lela thotë se, në një ekspozitë që u bë këtu në parlament u manifestua ‘kultura e mohimit’ sepse nuk kishin vendosur asgjë nga aktivitetet e mia që nga 1990 e këtej. Nuk është amerikane ajo, është tani në Amerikë. E majta ekstreme amerikane po e promovon dhe është një fatkeqësi për Amerikën dhe botën ajo. Por ‘kultura e mohimit’ ka qenë ligji i diktaturës i babait të Edi Ramës, dajës së tij. Ata merrnin çdo fotografi dhe e retushonin, që të mos dilni armiqtë aty, pavarësisht se kishin qenë. Pra ‘kultura e mohimit’ është një falsifikim historie. Pra edhe njëherë, Edi Rama është i kësaj linje. Llogaritë i bëri gabim, se mendoi se pavarësisht një goditje ‘in-extremis’ po do kishte rezultate të mëdha dhe mori atë që meritonte dhe do të marrë atë që meriton.
Pyetje: Duke u ndalur edhe pak te çështja e Gerti Shehut, ju thatë se është i infiltruar, apo informator i policisë kriminale dhe ka një kod. A e keni ju këtë kod.
Sali Berisha: Met Rrumbullaku të pyete Ardi Veliun, ose ta pyesë atë se mund ti thotë ndonjë gjë, e ka pasur gjiton, kanë qenë gjitonë të mirë.
Pyetje: Ka pasur zhvillime në SPAK. Është bërë një kallëzim në prokurori ndaj dy prokurorëve të SPAK për çështjen e inceneratorëve, dhe akuzohen për fshehje provash, përsa i përket çështjes së Lefter Kokës, por nuk kanë administruar prova për Arben Ahmetaj.
Sali Berisha: SPAK-u është i partisë, aty projektohen rrymat e partisë. Kjo fakton pikërisht këtë që them unë. Një goditje e kanë marrë me inceneratorët, dhe aty tani kanë rryma se kush të dalë fajtor e kush jo. A nuk është një prokuror Shehu që doli bashkë me Ardi Veliun dhe tha se në datën 21 prill se në makinën e atij trafikantit të drogës, nuk kishte dokumente elektorale, kur ajo ishte plot me dokumente elektorale. Çfarë pësoi ai prokuror. Ai prokuror është në SPAK sot. Ku shkoi prokurori që urdhëroi asgjësimin e bisedave telefonike të implikimin në vrasje të Taulant Ballës. Është më lart. Çfarë kujtoni se janë këta, këta janë thjeshtë ushtarë mjeranë. Mos u merrni me to. Asnjë efekt nuk ka.
Pyetje: Aleati juaj në opozitë, ish-presidenti Ilir Meta, por edhe zyrtarë të tjerë kanë folur shpesh herë dhe kanë akuzuar Lefter Kokën për inceneratorët, por nga kallëzimi i fundit del se të njëjtin rol ka pasur edhe Arben Ahmetaj. A mendoni se ka një qëndrim të dyfishtë?
Sali Berisha: cila është e vërteta. Ku është përgjegjësia e Lefterit dhe të tjerëve. Shumë e thjeshtë. Lefteri ishte ministër dhe në buxhetin e ministrisë së tij nuk kishte një qindarkë për inceneratorët. Asnjë qindarkë. Për definicion, ti nuk ndërmerr kurrë një projekt që se ke buxhetuar. Në këtë pamje, pa diskutim që përgjegjësit më kryesorë janë ata që dërguan para nga buxheti i shtetit në qeset e Lefterit. Kush e bën këtë. E bejnë dy persona dhe asnjëherë vetëm. Këtë e bën kryeministri dhe ministri i financave. Nëse këta nuk bien dakord plotësisht, asnjë qindarkë nuk lëviz. Buxheti është ligj parlamenti. Çdo shpenzim i votuar është votuar si ligj aty, nuk lëviz dot. Ka një fond, që buxheti e lë të mundshëm për tu lëvizur dhe ky është fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Ky fond administrohet për emergjenca nga kryeministri dhe ministri i Financave. Në këtë aspekt Lefteri është i pafajshëm. Por nuk është i pafajshëm, ku qëndron çështja e Lefterit, ua them unë, ‘hajduti i dobishëm’. Lefteri ka bërë kërkesat dhe i thotë agjencisë së prokurorimit, ju lutem na autorizoni për procedurë me negociata të mbyllura të procesit për djegësin e Elbasanit dhe të tjerë me radhë. Agjencia i kthen përgjigje të prerë Lefterit dhe Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit, ku i thotë se kjo procedurë nuk njihet nga ligji dhe është e ndaluar. Lefteri i çon për herë të dytë shkresë së i thotë Agaçi që do ja ndërrojmë mendjen, drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimeve, por ai nuk ndërron mendje, se është me ligjin. Edi Rama, Agaçi dhe Arben Ahmetaj, pavarësisht nga kjo vendosin të marrin milionat nga rezerva e Këshillit të Ministrave dhe ti dërgojnë në buxhetin e Lefterit. Në këtë moment, ky zbatoi vendimin e Këshillit të Ministrave. Skapi i partisë akuzën e parë e ka për korrupsion, por nuk ka kryer asnjë hetim për korrupsion. Hetim ka për shpërdorim detyre, për shpërndarjen e lekëve nëpër kompani bija, tek i ati i Bllakos, kushërinjtë e Lefterit që kanë krijuar këto kompani bija. Është e vërtetë, por trungu është ky që them. Në këtë kontekst Lefteri është vetëm kurbani i Edi Ramës, Arben Ahmetaj, Erion Veliajt. Por përderisa Lefteri nuk flet le të rrijë aty. Ama e vërteta është se paratë Lefterit ja ka dërguar Edi Rama për ti vjedhur, se nuk kishte asnjë qindarkë ai.
Pyetje: Ju e keni përmendur mjaft herë fjalën revolucion. Mos kjo fjalë duke e përmendur aq shumë herë, i ka humbur vlera.
Sali Berisha: Revolucionet nuk vdesin kurrë, janë të përjetshëm, janë sa tokësorë dhe hyjnorë. Ato kanë ndryshuar historinë, e kanë bërë historinë dhe sot jam më i vendosur se kurrë për të vazhduar këtë revolucion. Natyrisht triumfi i tyre kërkon kohën e vet. Kalon në faza. Revolucion, ne nuk themi që do të rrëmbejmë armët dhe ta fshijmë regjimin për 1 ditë apo 1 javë. Ne do ta rrëzojmë regjimin me protesta dhe larminë e mos bindjes civile. Nuk ka paqe pa revolucione.
Pyetje: Ka shumë muaj që thoni se Rama ka prekur votën, ka vjedhur, etj., por ndërkohë që ndodh kjo, a do të hyni në zgjedhje me Ramën kryeministër. A mos pas këtij momenti, zgjedhjeve se Rama na i vodhi përsëri zgjedhjet.
Sali Berisha: Rama është, patronazhistët janë gurë të Ramës. Nuk akuzoj njeri tjetër unë përveç Ramës. Po të më vini re mua, se e njoh Ramën më shumë se kushdo. Jam dhe mjek dhe më lehtëson nga ana psikologjike shumë. Kjo betejë është për votën e lirë jo për karrigen e Sali Berishës. Nga shtatori i 2021 ajo që ishte parti që 1958 bënin 5100, ajo është krejt tjetër sot. Është parti që voton. Tani unë do të bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë, pavarësisht bindjeve politike. Edi Rama po përdor gjithë shtetin si makineri elektorale në shkelje flagrante të kritereve themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve të barabarta dhe të ndershme.
Pyetje: Pas këtyre zgjedhjeve ju çfarë do thoni për njerëzit, që Rama na ka vjedhur dhe shqiptarët vazhdojnë të ikin nga Shqipëria.
Sali Berisha: Jo nuk vazhdojmë të them unë këtë. Se duke thënë këtë kemi ardhur këtu ku jemi. Tani ti një gjë duhet të kesh parasysh. Dorëzova pushtetin, pranova rotacionin pa asnjë akuzë se u përpoqa të ndryshoj rezultatin. Në zgjedhjet e vitit 2007 ka një raport të mbushur plot me negativitete, por ka një frazë aty, e artë që thotë; qeveria nuk bëri përpjekje për të ndryshuar rezultatin. Në zgjedhjet e vitit 2009, thotë; u respektuan kriteret dhe rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të përsosura nuk ka. Ka një deklaratë tjetër; kryeministri thotë respektoi vendimet e tij për të përjashtuar shtetin nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe e përjashtova. Ky bën të kundërtën dhe me të do të përballemi. Unë them se do të fitojmë dhe do të fitojmë. Ai absolutisht, mos mendo kurrë se heq dorë nga skenarët e tij. Asnjëherë. Unë e njoh shumë mirë atë. Kam një habi me njerëzit. Ai hedh në erë në prag të samitit, resortin dhe pyesin; kishte interes ta bënte ai këtë? Po të mos kishte interes, kush e shtynte ta bënte. Ka një arkeotip psikologjik të veçantë ai, nuk e kontrollon urrejtjen e tij dhe djallëzisht përpiqet që të shfrytëzojë çdo moment për të luftuar kundërshtarët e tij.
Pyetje: Pasi është marrë në analizë e gjithë ajo që ndodhi në datën 6 dhjetor me goditjen tuaj. Ju keni bërë akuza për agresorin dhe doja të ju bëj një pyetje personale; në ato 5 minuta pas goditjes, ju thatë se njihni dhe pjesën psikologjike, si vendosët që përtej inatit dhe ndjesisë njerëzore për atë që ndodhi, të falni agresorin dhe të mos adresoni turmën të përplasej me policinë.
Sali Berisha: Sigurisht, sepse ai ishte një mjeran, do të ishte një fatkeqësi që ti merrnin shpirtin. Ai kishte marrë një strajcë me para dhe kaq. Nuk do të ishte ai, do të ishte dikush tjetër. Përbënte problem ai që ka dhënë strajcën. Dhe Edi Rama me gjithë qëndrimet që mbajti, nga momenti e deri më sot, dëshmoi se është shteti, është ai. Së dyti; nuk them kurrë, që gjërat më dolën jashtë kontrollit. Nuk më dalin jashtë kontrollit. Deklarova që siguria e samitit përbën përparësi për ne dhe thashë se mund të ishte nga mafiozët e Ramës dhe jo nga protesta. Mos mendo ti që unë nuk e dija se aty në samit që kishte kryeministria dhe presidentë që kjo nuk u pëlqente. Por unë duhet të mbroja interesant e qytetarëve të mi. Sikundër kishte tjerë që mund të thoshte bravo. Por ne në asnjë lloj rrethane nuk mund të ju krijonim atyre përshtypjen më të vogël se kjo protestë përbënte një kërcënim, sepse Shqipërinë nuk e konsiderojnë një zonë kaq të sigurtë. I kanë dëgjuar të gjitha këto, mirë se erdhën, zërin tonë do ta ngrinim ne, do të tregonim se kush është ai që është ulur dhe e tregoi. Kjo është e gjitha. Nuk mundet ne që për lider që kemi respekt të madh të përbënim shqetësim, përveç atij të komunikimit që e kanë vetë ata.
Pyetje: Për ambasadoren Yuri Kim ju thatë se i ka lejuar të thërrasë me radhë si të ishin ushtarë të Kuvendit, deputetët që ishin kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar. Keni informacion të PD e PS që janë thirrur në ambasadë dhe që i janë nënshtruar presionit të ambasadores Yuri Kim.
Sali Berisha: Kam informacion të plotë për thirrjen që u ka bërë deputetëve me radhë. Natyrisht nuk kam informacion për secilën bisedë, por për disa biseda. Ajo ka qenë një akt, i turpshëm, i paimagjinueshëm. Një diplomat nuk mund të zhvillonte kurrë një veprimtari në një vend të lirë dhe e bëri atë për të ndihmuar Edi Ramën. Siç bëri dekleratën për zgjedhjet, siç ofendoi demokratët për barin. Por sot nuk kam ndërmend të merrem me të. Besoj se në mbrojtje të interesit të lirisë së shqiptarëve, të dinjiteti të tyre unë kam folur dhe i kam kthyer përgjigje për të gjithë atë që kam menduar se ishin motivet e saj.
Pyetje: Kur nis faza e dytë e revolucionit me mbylljen e këtij viti, apo në vitin e ri.
Sali Berisha: Nuk ka vit, revolucioni është në vazhdim.
Pyetje: Herë pas here ju e keni akuzuar Ramën se ka kapur drejtësinë, mediat etj. Pse i duhej ky akt kundër jush?
Sali Berisha: Rama pasi futi në dorë me votën e vjedhur të gjitha pushtetet, por edhe me ndihmën e Soros të Vuçiç dhe jo pak edhe të Erdoganit. Duhet ti themi gjërat, se nuk i ndryshon po të mos i thuash. Këto që them janë me dokumente. Më e tmerrshmja është se futi në dorë udhëheqjen e opozitës dhe defakto e asgjësoi. Kjo mori fund. Ndërkohë me rithemelimin e PD, u krijua një opozitë siç duhet të ishte. Kjo e tmerron atë. Zgjodhi atë moment, unë e thashë, në mënyrën më diabolike, që ti jepte një goditje fatale opozitës dhe drejtuesve të saj. Por llogaritë nuk i dolën, përkundrazi ajo ju kthye në atë që meriton dhe do ti rikthehet.
Pyetje: Kur goditi neës24 i çoi një mesazh medieve. Kur goditi Sali Berishën, kujt i çon mesazh Edi Rama.
Sali Berisha: Nëse ti ndërmerr një hap kundër fjalës së lirë këtë e ke ndaj çdo qytetari shqiptar dhe dinjitetit të tij. Është kushti më themelor i dinjiteti njerëzor dhe lirisë së një njeriu. Nëse ti prish një resort që me dokumente rezulton se ishte me leje, kur këtu ka dhjetëra pallate që po ndërtohen pa leje, atëherë ti këtë e ke kundër fjalës së lirë. E ke sepse doje që atë media ta fusje në kontroll të plotë, ose ta asgjësoje siç u bë me Agon Channel, ose siç mund të pësojë, po e ndjek, ABC . Endri Xhafon e larguan sapo erdhi pronari i ri. Unë jam promotor i investimeve nga shqiptarëve e Kosovës, por nëse përdoret kundër fjalës së lirë të shqiptarëve, absolutisht do të marrin atë përgjigje që do të marrë Edi Rama. Këtu nuk kemi lëshim. Ai është një biznesmen i nderuar, i suksesshëm, pa ekuivok, por që të vijë të blejë një media, se këtu qarkullojnë llafe se gjithçka është në diktatin e Edi Ramës, ai duhet të provojë me qëndrimet e tij se nuk e ka blerë për ta shndërruar në altoparlant të Edi Ramës. Largimi i Xhafos është një lajm shumë i keq, për atë media dhe median shqiptare. Se gazetarët nuk mund të bëhen gurë shahu. Me të vërtetë ata nuk kanë imunitetin e deputetit, por ata janë parlamentarët e fjalës së lirë dhe atë nuk mund të ua bësh.
Pyetje: Këtë javë jepet vendimi nga gjykata; keni ndonjë mesazh për gjyqtarët çështjes?
Sali Berisha: Është Edi Rama nuk ka gjyqtarë, është Edi Rama. Edi Rama është gjithçka.
Ju falënderoj!