FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka folur për 9 majin, ditën e Europës. Sipas tij, deri në vitin 2013, rruga e Shqipërisë ishte drejt BE-së, por pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, integrimi evropian u shndërrua në një horizont që largohet nga viti në vit.
Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin e përnatshëm në rrugën e Shpresës, ka akuzuar Ramën si përbuzës të shqiptarëve. ‘Turp i shekullit! Rama shpalli mish të freskët të rinjtë dhe të rejat që i detyron të largohen nga vendi i tyre’, tha gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën për fjalën e tij të fundit, që i ka cilësuar të rinjtë dhe të rejat që largohen nga Shqipëria, si ‘mish i freskët’. ‘Ata që i quan ti mish të freskët, janë shqiptarë fatkëqinj të cilëve u ke vjedhur së paku 11 miliardë në 10 vite’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati, Sali Berisha.
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, duke folur për skandalin e gjyqtares me tre mbiemra, Irena-Shpata-Maneku-Gjoka, kryedemokrati Sali Berisha tha se, ajo u mor nën mbrojtje nga Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ-ja. Sipas Berishës, kjo gjyqtare është përdorur si skllave kundër opozitës.
Kryetari i PD-së theksoi në fjalën e tij, se një anëtar i vetingut kërkoi hetim të thelluar ndaj saj, por kjo kërkesë nuk u pranua. Gjatë fjalës në tubimin qytetar, lideri i opozitës Sali Berisha, ka folur sërish për skandalin e Irenës me tre mbiemra. Berisha u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mos i bëjnë shqiptarët për budallenj. ‘Kam një apel për ndërkombëtarët, mos u përpiqni t’u shisni gjizën për djathë shqiptarëve’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.
Në tubimin qytetar, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se, hetimi ndaj gjyqtares Irena me tre mbiemra, u tërhoq sapo ajo mori në dorë dosjen e Sali Berishës.
Lideri i opozitës Sali Berisha, u ka bërë ftesë qytetarëve sërish që të bëhen bashkë dhe të martën do të protestojnë kundër Erion Veliajt. ‘Do nxjerrim për zverku Erion Veliajn! Asgjë nuk do u ndalë ju pa shpartalluar sistemin e vjedhjeve[‘, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha në tubimin qytetar.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohje të pakufishme ndaj jush qëndrestare dhe qëndrestarë të lirisë, dinjitetit dhe shpresës.
Të dashur miq, sot për popujt e vendeve anëtare të BE është Dita e Europës, dita e themelimit në vitin 1950 të ëndrrës më të bukur të kombeve evropiane, ëndrrës më të magjishme, më të mrekullueshme të historisë së Europës, bashkimit të tyre në BE.
Kjo ëndërr vinte nga aspiratat për liri, paqe dhe dinjitet të kombeve evropiane.
Me këtë ëndërr u zgjuan të rinjtë shqiptarë në vitin 1990 dhe moton ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’ e bënë moton e revolucionit demokratik të tyre.
Kjo rrugë, rruga e integrimit të Shqipërisë në BE nuk ishte një rrugë e thjeshtë pasi Shqipëria dilte nga diktatura oruelliane, më e egër që Europa kishte njohur ndonjëherë.
Megjithatë, miqtë e mi, në vitet 2005-2013 shqiptarët dhe Shqipëria ecën normalisht në këtë rrugë.
Firmosën Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e ratifikuan atë nga 27 vende, dorëzuan kërkesën për vend anëtar në BE.
Liberalizuan vizat, plotësuan të gjitha kushtet për statusin e vendit kandidat.
Por me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, me muret që filloi të ngrejë që në fillim të vjedhjes së shqiptarëve, me kanabizimin e vendit dhe shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, me zëvendësimin e shtetit ligjor me narkoshtetin e vetëm në Evropë, me shkatërrimin e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë, e bëri Shqipërinë një vend që varfërohej nga viti në vit.
Një vend të pajetueshëm për shqiptarët.
E bëri Shqipërinë një protektorat të krimit, të drogës.
Asgjësoi votën e lirë me mekanizmin e shndërrimit të votës në krim dhe krimit në votë.
Për të gjitha këto miqtë e mi, integrimi evropian u shndërrua në një horizont që largohej nga viti në vit dhe hapja e negociatave u shty jo një herë, por u shty pesë herë përpara vendimit për hapjen në parim dhe tre herë të tjera pas këtij vendimi.
Këto zhvillime dramatike po rrokullisin kombin në honet e pasigurisë.
Po bëjnë që shqiptarët të largohen pas sirianëve në luftë civile më shumë se të gjitha kombet e tjera nga vendi i tyre.
Kreu i narkoshtetit, në aktin më cinik, më të turpshëm, deklaronte dje se fajin për këtë se ka Gjermania, pasi ju doni mish të freskët.
Urdhëroni të dashur qytetare dhe qytetarë, se çfarë koncepti ka ky për fëmijët tuaj, për vajzat tuaja, për djemtë tuaj.
Një mish i freskët që shitet në Europë.
A ka përbuzje më të madhe, përçmim më të madh?
As Enver Hoxha, as Muamar Gadafi, as Asadi i Sirisë dhe asnjë njeri nuk zbret në këtë standard amoral.
Të shpallë mish të freskët të rinjtë dhe të rejat që me politikat dhe vjedhjet që bën, i detyron të largohet nga vendi i tyre.
Miqtë e mi, në një vend të lirë, në një vend me ligj, qytetarët begatohen nga viti në vit.
Po, liria sjell prosperitet.
Liria sjell begati.
Dhe në këtë Shqipëri dhe jo në ndonjë tjetër, gjer në vitin 2013, shqiptarët, ndonëse lëviznin, ndonëse kishte emigracion minimal, numri i tyre në Shqipëri, banorët në Shqipëri rriteshin nga viti në vit.
Ndërsa sot, 33 përqind e popullatës kanë braktisur këto 8 vitet e fundit Shqipërinë.
Dhe këta 1 milion e ca shqiptarë, Edi Rama që jeton për vete në saraje të ndërtuara me para të vjedhura, që jeton për vete mbi Tiranë në ajër të freskët, me kopsht 5 mijë metra, këta i quan mish i freskët.
O turp i shekullit.
O njeri i pashpirt.
Po si të nxjerr ty goja një fjalë të tillë për të rinjtë shqiptarë, për fëmijët shqiptarë.
Ata të rinj dhe të reja braktisin sepse ti Edi Rama me firmat tua fap-fap-fap dhe paf-paf-paf vjedh me suitën tënde sipas KLSH çdo vit 1.1 miliard euro.
Ata që i quan ti mish të freskët, ata janë shqiptarë fatkëqinj nga vjedhjet tua sepse ti në 10 vite, në 56 miliardë euro mund dhe djersë e tyre, ke vjedhur së paku 11 miliardë.
Ata i quan ti mish i freskët, por ata janë viktimat më të mëdha të shtetit tënd të drogës dhe krimit sepse ti me trafikantët e tu të poshtër dhe kriminelë ke vjedhur, ke pëvetësuar 6 milionë metër katrorë në trojet turistike në mbarë vendin.
Ata nuk janë mish me dy sy, nuk janë as mish që shiten në tregje mor ç’të të thuash se ti meriton çdo fjalë, por ata janë viktima të tmerrshme të diktaturës tënde të bazuar mbi krimin, vjedhjen dhe drogën.
Ata janë viktima të pushtetit tënd që nuk vjedh më me gjoba 20, 30 përqindëshe, por 100 përqind si Erion Veliaj.
Ata janë viktima të pushtetit tënd dhe Erion Veliajt që zhdukni pa nam dhe nishan në vjedhjen e shekullit 135 milionë euro gjer sot për djegësin që nuk ekziston.
Qytetarë dhe qytetare, për të kuptuar edhe njëherë vjedhjen e shekullit, sonte u bëj thirrje të shtroni një pyetje: po si ka mundësi që një partneritet publik-privat shpallet nga qeveria, firmoset nga qeveria dhe paratë i paguan bashkia?
O miqtë e mi, në historinë e shtetit nuk ndodh kurrë që autoritet kontraktues të jetë një palë dhe paratë t’i paguajë pala tjetër.
Kjo ndodh vetëm kur të dy palët bien dakord të vjedhin 100 përqind.
Ata qindra dhe mijëra të rinj dhe të reja që ti i quajte me pacipësinë më të madhe nga Berlini si mish i freskët, ata janë djem dhe vajza nënash të cilëve ti, familjarëve të tyre u ke mohuar drejtësinë.
U ke rrëmbyer drejtësinë siç u ke rrëmbyer votën.
Me drejtësinë e re të Gjokës dhe Dumanit ke shkatërruar shpresat e shqiptarëve.
Ndaj dhe të dashur miq, kjo tribunë është tribuna e të vërtetave.
Tre muaj më parë denoncuam këtu kriminelen me tre mbiemra, simbolin e drejtësisë së re Irena Maneku, Gjoka, Shpata, djalli vetë.
Ju kujtohet se si narkoshteti, se si institucionet e krimit shtetëror, se si mediat e kontrolluara nga krimi u vërsulën si hienat kundra meje dhe në mbrojtje të saj.
Të një ordinereje. Të një delinkuenteje. Të një falsifikatoreje që përfaqëson fytyrën e vërtetë të drejtësisë së re.
Tani, të gjithë në kor me urdhër të Edi Ramës, në mbrojtje të Irenës.
Pati turp-televizione që u bënë zëdhënëse të policisë greke, vetëm se janë të zhytur në paratë e krimit të djegësve.
Në krye të procesionit u vendos Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ-ja.
O turpe të Shqipërisë, detyra juaj ishte të hetonin akuzat që bëheshin, jo të merrni në mbrojtje Irenën delinkuente me tre mbiemra.
Ju e morët në mbrojtje sepse e përdorët skllaven e krimit kundër opozitës.
Ju e morët në mbrojtje sepse ti Irena e KLGJ-së me Delinën ish-bashkëshorten e Edi Ramës dhe bashkëjetuesen e Çuçit, vidhni dhe shpërdoroni miliona euro të taksapaguesve amerikanë me institutin famoz East-West.
Po, po, ti Irena e KLGJ-së je më keq se Irena e GJKKO-së.
Prandaj dhe qirrej dhe bërtiste.
Kurse ti Ulusiu i Drejtësisë do hysh në historinë e parlamentit i ngjashëm me me psikologjinë e Gjonit të Kalifatit që përdorte brisk për të prerë qafa njerëzish. Kurse ti shpreh dëshirë për të përdorur brisk për të prerë veshë njerëzish. O turp i dheut. Turp i vërtetë!
Kam një apel për ndërkombëtarët.
Mos i mendoni shqiptarët të pamençur, gaboheni rëndë shumë.
Mos u përpiqni t’u shisni gjizën për djathë.
Ka shumë defekte, por u garantoj se për intelekt nuk u ka munguar kurrë.
Mbrapshtia e tyre në histori nuk vijnë nga mungesa e intelektit, vijnë nga tipare të tjera.
Por ai nuk u ka munguar.
Mos shisni…
Ja fytyra e drejtësisë së re. Një nga një do i nxjerrim.
A e dini ju se kjo Irena me tre mbiemra, komisionari publik i vetingut kërkoi që të hetohet më tej.
Midis të tjerash, kjo është unike në botë që ka deklaruar se këto para m’i ka dhënë ish-gruaja e burrit.
Kjo vetëm te ajo mund të dëgjosh një gjë të tillë.
Ajo mund të deklarojë çdo gjë, por njeri në botë që të pranojë se paratë borxh ia ka dhënë gruaja e burrit, përveç vetorëve të korruptuar nuk ekzistojnë.
A doni t’u jap shembuj, jo një por disa?
Nuk ua kanë pranuar gjykatësve paratë që i ati i ka ndarë nga rroga e saj dhe ia ka dhënë në momentin e fejesës apo martesës, një traditë shqiptare nga më të konsoliduarat.
Nuk kanë pranuar dhuratat që baballarët u kanë bërë vajzave apo djemve.
Kurse kësaj i pranuan borxhin e asaj që i ka marrë burrin.
Kësisoj mileti janë.
Atëherë, çfarë ndodhi miqtë e mi?
Komisioneri që kërkoi thellimin e hetimit, komisionari që nuk mund të besonte se paratë vinin nga ish-bashkëshortja, kërkoi hetim të thelluar.
E shihte se kjo është simboli i korrupsionit.
Një emër të dytë po të kishte, korruptore do të quhej kjo Irena me tre mbiemra.
Por, komisioneri u transferua menjëherë në detyrë tjetër.
Dhe erdhi tjetër. Sapo mori dosjen e Sali Berishës, tërhoqi kërkesën për hetim të mëtejshëm.
Ky është vetingu i llumit dhe llum-vetingu.
Zotërinj, keni një mision monitorues aty. Ka ndonjë komunikatë misioni juaj për të bërë transparencë para shqiptarëve për këtë akt apo është ambientuar me korrupsionin e tmerrshëm të këtij procesi.
Miqtë e mi, do ta mbyll këtë fjalë me ftesën, që këtë ditë të madhe të betoheni jo e duam Shqipërinë si Europa, por do e bëjmë Shqipërinë si Europa.
Do e bëjmë Shqipërinë si Europa.
Do e bëjmë Shqipërinë si Europa.
Do e bëjmë Shqipërinë si Europa.
Ndaj dhe ditën e martë më europianë se kurrë, më europianë se kurrë drejt përmbysjes së hajdutëve të bashkisë.
Nxjerrjes për zverku të Erion Veliajt dhe shoqërimit të tij atje ku e ka vendin.
Asgjë nuk do u ndalë ju pa thërrmuar, pa shpartalluar sistemin e vjedhjeve të tmerrshme.
Pa përmbysur diktaturën e tmerrshme të bazohet në vjedhjen, vjedhjen, krimin dhe drogën.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!