Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Ju sillni këtu marrëveshje për sigurinë portuale, kur portet nuk ekzistojnë më, i ka marrë Padrinoja dhe droga. Për rininë shqiptare, që është rinia më e zemëruar në Evropë, keni lënë vetëm 1.5 milionë euro në buxhet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi në parlament qeverinë për zhvillimet në Portin e Durrësit, paketën fiskale dhe buxhetin e parashikuar për rininë shqiptare. Ai akuzoi Edi Ramën për përvetësimin e interesave publike në projektin e zhvillimit të Durrësit, duke e cilësuar transformimin e portit në projekt zhvillimi turistik dhe rezidencial si një aferë korruptive. ‘Ju sillni këtu marrëveshje për sigurinë portuale, kur portet nuk ekzistojnë më, i ka marrë Padrinoja dhe droga.’, u shpreh Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha kundërshtoi gjithashtu kostot e ndërtimit të portit të ri, të cilat, sipas tij, do të rëndojnë mbi taksapaguesit shqiptarë. ‘Histori më të turpshme, më të dhimbshme se kjo nuk ka për një popull’, deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë se ka cenuar interesin publik dhe kapacitetet portuale të vendit.

Gjatë fjalës së mbajtur në parlament, kryetari i PD-së Sali Berisha kritikoi paketën fiskale, duke e cilësuar atë si një politikë që rëndon mbi bizneset, profesionet e lira, shtresën e mesme dhe qytetarët. Ai kundërshtoi ndryshimet në TVSH, taksimin e dividendit dhe rritjen e taksës vjetore të automjeteve, duke argumentuar se këto masa godasin veçanërisht familjet dhe bizneset e vogla. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për financimin e programeve për rininë, duke akuzuar qeverinë për uljen e fondit të dedikuar këtij sektori.

‘Rinia shqiptare sot është rinia më e zemëruar në Evropë. Dhe këta, në vend se të ulen në këtë buxhet t’i japin mesazhet më të fuqishme të respektit, të shpresës asaj, i themi ik, ik se nuk të duam’, u shpreh Berisha, duke kundërshtuar shkurtimin e fondit për rininë, të cilin e përmendi në masën 1.5 milionë euro.

Fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Të nderuar qytetarë e qytetare që ndiqni këtë seancë, zonja e zotërinj deputetë, zonja drejtuese e seancës.

Projekt ligji që keni sjellë këtu, është një akt qesharak, hipokrit për faktin e vetëm se, Shqipëria, njëri nga vendet me linjën bregdetare më të gjatë në raport me sipërfaqen e saj, vendi me disa porte, nga të cilët strategjik dhe të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, defakto sot është pa asnjë port real.

Të firmosësh një memorandum për sigurinë portuale, për ju siguri portuale është plaçkitja dhe grabitja e pasurive më të mëdha publike, e cila rastisi për këtë komb, që të jenë porti i Durrësit dhe në një masë të caktuar edhe portet e tjera.

Në një akt të pashembullt në mijëra e mijëra vite, Padrinoja i Shqipërisë dhe kreu juaj i vuri syrin e keq Portit të Durrësit dhe duhet të shndërronte këtë pasuri multimiliardëshe të shqiptarëve në pasuri të tij dhe arabit të 1001 netëve, Alabar.

Nuk ka në Evropë një akt të tillë korruptiv ku i merren qytetit 1 milion e 400 mijë metër katrorë, i merret vendit porti me një fuqi të madhe përcaktuese në të gjitha çmimet nga importi në Shqipëri.

Dhe shndërrohet në shesh ndërtimi sepse duhet të lumturohej Padrinoja.

Duhet të bëhej bilioner si arabi i tij i 1001 netëve.

Histori më të turpshme, më të dhimbshme se kjo nuk ka për një popull.

Dhe në fund, gjobiten shqiptarët edhe me 1.2 miliardë euro të tjera se për shkak të pasurimit të Padrinos, të akaparimit të Portit të Durrësit, të shndërrimit të tij në shesh për ndërtimin e 12 mijë apartamenteve, 6 hoteleve me pesë yje, pishinave olimpike, duhej që taksapaguesit shqiptarë, më të varfrit, më të vjedhurit, të paguajnë tani ndërtimin e një porti të ri me një të katërtën e kapacitetit të Portit të Durrësit, dhe më pak se një e katërta, me një çmim prej 1.2 miliardë eurosh.

Si mund të vini ju këtu? Çfarë jeni ju?

Dhe, shto këtu, në administrim që nga viti 2020, zotër absolutë të portit janë karteli famëzi Troplinët e Durrësit, të cilët thuhet se i japin Padrinos vetëm për drogën që administrojnë çdo vit 300 milionë euro taksë vjetore.

Çfarë sillni ju këtu mo? Çfarë janë këto që sillni?

Me paratë e Bankës Botërore, por që në fund do paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, ndërtuam portin e peshkatarëve. E meritonin peshkatarët e Durrësit një port dinjitoz.

Dhe porti, i ndërtuar me fonde publike, iu dorëzua dy trafikantëve të damkosur, Gjergji Lucës dhe një tjetri Beja apo se si e kishte mbiemrin, Naim, Naim. Si Luca. Luca bis.

Porti i Durrësit po thellohej me një nga kompanitë më të mëdha gjermane, më seriozet. E larguan, e përzunë.

Dhe thellimi me Portin e Durrësit, mund të arrinte sipas projektit të mirëstudiuar, gjer në ankorimin në këtë port të anijeve 40 mijë tonëshe. Nuk kishte asnjë nevojë më shumë.

U thelluan portet nga Saranda gjer në Shëngjin sepse portet, të gjitha kontribuonin në xhepat e qytetarëve.

Kontribuonin në xhepat e qytetarëve sepse shkurtonin distancën e transportit.

Porti i Vlorës, Porti i Sarandës, u përgjigjeshin nevojave të jugut të Shqipërisë.

Porti i Durrësit, Shqipërisë qendrore.

Porti i veriut, Shkodrës dhe zonave të tjera.

Tani portet nuk ekzistojnë.

Portet i ka marrë Padrinoja.

Dhe ju këtu sillni marrëveshje për siguri portuale, pasi i keni zhdukur portet.

Ky është turp i madh.

Unë dëgjova fjalët që u folën këtu për mbrojtjen e taksave dhe këto, po kjo është një faqe e zezë.

Paketa e juaj fiskale është paketë e pamëshirësisë.

Ju vendosët të fusnit duart tuaja të zeza në xhepat e mbi 1 milion e gjysmë shqiptarëve.

Ju vendosët të falimentoni dhjetëra mijëra biznese duke i futur ato në TVSH.

Ju vendosët, me një të rënë të lapsit, të përzini dhe godisni çdo investitor, i cili nuk ka pse të vijë këtu të paguajë dividentin me 15 përqind, në një kohë kur shkon në një vend tjetër pa divident fare.

Ju vendosët të godisni shtresën e mesme, profesionet e lira, të pabesë, të cilët e fituat me Gjykatë Kushtetuese, dhe ju tani u riktheni TVSH-në 21 përqind.

Të gjitha këto paguhen nga shqiptarët.

Cinikë gjer në ekstrem.

E hoqëm taksën nga litri i naftës dhe e kaluam tek makina. Kë goditët ju me këtë?

Goditët pikërisht ata që e përdorin më pak makinën.

Një pensionist apo një familje e vogël, që përdor disa mijëra kilometra në vit makinën, duhet të paguajë njëlloj si ai tjetri që bën 100 mijë kilometra, taksën e qarkullimit.

Çfarë jeni ju kështu mo?

Si mund të jeni kaq të pashpirt dhe gënjeshtarë?

Si mund t’i merrni ju të njëjtën taksë atij që bën 5 mijë kilometra me atë që bën 50 mijë kilometra?

Si qenka kjo barazi?

Nga e gjeni ju këtë?

Çfarë përfaqësoni ju?

Fakultetet më të errëta njerëzore.

Si mund të vini ju me një paketë të tillë fiskale duke rritur 21 përqind TVSH-në dhe ua merrni të gjitha ato që gjoja po u hiqni tek ushqimet.

Zonjë, ka akte këtu që janë çnjerëzore dhe duhet folur për to se ju keni humbur çdo ndjenjë, kemi humbur çdo lidhje, çdo ndjesi.

Ju komunikoni vetëm në njëri-tjetrin të lidhur në hajnira, të lidhur në pasurime përrallore të pashembullta dhe nuk pyesni se ekzistojnë qytetarët në këtë vend.

Shikoni mor, 1 milion e gjysmë kanë lënë për rininë shqiptare në fond. Shihni fondin pak.

Rinia shqiptare sot është rinia më e zemëruar në Evropë.

Dhe këta, në vend se të ulen në këtë buxhet t’i japin mesazhet më të fuqishme të respektit, të shpresës asaj, i themi ik, ik se nuk të duam.

1 milion e gjysmë euro fondi për rininë.

Ishte 3 milion, e bënë 1 milion e gjysmë.

Unë e kuptoj që ju asgjë nuk doni të dëgjoni nga fjalët me mia, por unë nuk i kam për ju, i kam për qytetarët.

Se të ishte për ju, bëja vetëm një gjë, bëja gjithçka që ju të shkoni atje ku e keni vendin.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale