KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët është shprehur se, do të ketë një ndryshim rrënjësor në programin që po përgatitet nga ana e ekspertëve demokratë. ‘Do sjellim një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike’, tha Berisha gjatë fjalës së tij para gazetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese. ‘Ajo gjykatë për të mbrojtur grushtin e shtetit, përvetësimin e pushtetit të parlamentit për llogari të kryeministrit nga mercenarë, gjyqtarë dhe prokurorë, shkoi gjer në shkallën absurde të shpallë lirinë e lëvizjes si, jo një liri individuale. Dhe sipas saj, liria e lëvizjes nuk është, nuk përfshihet në liritë personale, apo individuale. Nuk mund të ketë akt më poshtërues për një jurist që ka alfabetin e ligjit dhe kushtetutës’. tha lideri i opozitës.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve për vendimin e Kushtetueses, kreu demokrat është shprehur se ‘Sali Berisha do qëndrojë për shtetin ligjor me të gjithë forcën dhe mundësitë e tij’.
Lideri i opozitës ka deklaruar se Shqipëria është, ‘në një diktaturë dhe kjo fakton 100 për qind për çdo shqiptar, që rendi kushtetues është zëvendësuar me narkorendin dhe diktaturën e drogës’.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i PD-së, ka bërë të ditur se ditën e martë në datën 26 nëntor do të ketë protestën e radhës kombëtare në Tiranë.
Në fund të fjalës së tij me gazetarët, kreu i PD-së Sali Berisha dha për gazetarët lajmin, se një tjetër rezolutë kundër narkoshtetit të Edi Ramës, është miratuar, këtë herë nga asambleja politike e Partisë Popullore, e cila është mbledhur në Maltë.
FJALA E PLOTE
Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm në sallë.
Përshëndetje të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim periodik të shtypit.
Sot, jam para jush për të shpallur publikisht para shqiptarëve një ndryshim rrënjësor në programin e Partisë Demokratike.
Ky ndryshim rrënjësor i programit të PD parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, shoqëria shqiptare sot është e ndarë me një hendek të tmerrshëm midis një pakice që pasurohet në mënyrë të papërmbajtur dhe pothuaj një shumice tjetër që varfërohet frikshëm gjithnjë e më shumë.
Parti e iniciativës së lirë, nuk beson kurrë PD se duke luftuar iniciativën e lirë, mund të luftojë varfërinë.
Por ajo që PD dhe qeveria e saj ka në dorë, të përmbysë skemën e gjertanishme të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike në mënyrë që shqiptarët në vendin e tyre të kenë një jetë normale, pavarësisht nga aktiviteti i tyre.
Sot Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë në Europë, dhe ndër më të lartat në botë, të varfërisë së popullatës, por e vërteta është edhe të mjerimit, të cilat nga një shpërndarje çnjerëzore e të ardhurave, nga plaçkitja masive e tyre dhe burimeve natyrore, ka arritur që varfëria e skajshme apo mjerimi të rritet nga 1.04 në 3.4 përqind, pra të rritet më shumë se tre herë, dhe varfëria relative të kalojë në 46 përqind dhe kjo është një sirenë alarmi, klithme që buçet në pothuajse gjysmën e vatrave shqiptare.
Kemi shpallur para jush minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar.
Kemi shpallur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë.
Rritjes së pensioneve mbi bazën e 200 eurove të minimumit jetik.
Kemi shpallur heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.
Por, analiza e të gjitha këtyre masave, ballafaqimi i tyre me realitetin, tregon se janë të domosdoshme një seri masash të tjera.
Rikujtoj shqiptarët se italianët karshi nesh kanë nivelin e varfërisë ndën 780 euro, por u rikujtoj gjithashtu se italianët blejnë ushqimet në dyqanet e tyre më lirë se shqiptarët.
Më lirë se shqiptarët, të cilët vetëm për ushqimet shpenzojnë 40 përqind të të ardhurave të tyre.
Pra, unë nuk them se shqiptarët do arrijnë nivelin e italianëve, jo, nuk është ky synimi.
Por synimi është një rishpërndarje tërësisht tjetër e të ardhurave dhe pasurive natyrore.
Në qoftë se sot 80 përqind e të ardhurave shkojnë për t’u vjedhur nga qytetarët në investime kapitale, kjo shifër do të harrohet.
Përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit.
Nuk mundet shteti kurrë t’i shesë me të njëjtin çmim energjinë elektrike atij që merr 180 euro me atij që merr 7 mijë si Dumani me kompani.
Ky disproporcion përbën një krim.
Ky diskriminim përbën një krim.
Dumanët marrin sa 70 pensionistë dhe pensionisti paguan energjinë elektrike me çmimin që paguan Dumani.
E njëjta gjë është me ujin.
E njëjta gjë është me shërbimin shëndetësor.
E njëjta gjë është me transportin.
E njëjta gjë është me të gjitha shërbimet publike.
Një skemë e re e shpërndarjes së të ardhurave, në të cilën shteti do marrë përsipër sasinë jetike të energjisë për një familje, që nuk ka, dhe ku do përfshihen edhe ata që janë me rrogë minimale.
A ka gjë më të padrejtë se sot të dalësh me tezën se do ulim çmimin e energjisë, që Balluku të bëhet edhe më e pasur, që Edi Rama të bëhet edhe më pasur, që Dumani të paguajë më pak dhe pensionistët të paguajnë njëlloj si ata?
A ka gjë më të padrejtë që ai që rrit tre fëmijë, të trajtohet njëlloj si ai që rrit një fëmijë?
Këto pabarazi çnjerëzore do marrin fund.
Ndaj dhe një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë do përgatisin për PD-në skemën e re të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike.
Kjo është skemë emergjence.
Kur dëgjon burra dhe gra të moshuar që kanë shkrirë jetën e tyre në punë dhe tani tregojnë se me pension nuk mbyllin dot jo muajin, po as 15 ditë, nuk mbyllin dot më shumë se dy vakte në ditë, kjo nuk është kurrë Shqipëria e tyre, kjo është Shqipëria që i ndëshkon ata.
Narkoekonomia është bërë një ndëshkim i madh për të varfrit e këtij vendi.
Narkoekonomia dhe i kërkoj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të informojë Bankën Europiane, të gjitha bankat se narkoeurot po mbysin ekonominë shqiptare.
Të shpallë publikisht sundimin e narkoeuros në tregun monetar shqiptar.
Nuk mund të spekulohet kjo, jo turizmi, jo ajo.
A e dini se euro sot është 98 lekë? Kjo do të thotë 40 përqind zhvlerësim i remitancave që u dërgojnë emigrantët familjeve të tyre.
Dhe me cinizëm ekstrem, Edi Rama kur u leverdis, i llogarit me euro, dhe kur nuk i intereson, i llogarit me lekë.
Banka e Shqipërisë duhet të shpallë emergjencën kombëtare të intoksimit, të sofokimit të ekonomisë nga narkoeurot dhe të jetës së qytetarëve nga narkoekonomia.
Kontejnerët, kamionët që vijnë me erë, po bëjnë miliarderë trafikantë dhe oligarkë, po rrënojnë dhe varfërojnë gjithnjë e më shumë shqiptarët.
Po vrasin pasivisht vendet e punës, sepse kanë shkatërruar eksportin, i cili është gjeneratori kryesor i prodhimit.
Pra, për të gjitha këto, PD do të bëjë një transformim rrënjësor, do përmbysë skemën e deritanishme të shpërndarjes së të ardhurave.
16 përqind të buxhetit merr Lubi Balluku sepse i ndan në 14 lote, 14 kontrata për 13 km rrugë të unazës së Tiranës, për të vjedhur 14 herë, kurse pensionistëve u lihen 16 milionë euro indeksim për vitin 2025 dhe bonusi i blerjes së votës kundërshtim flagrant me ligjet dhe Kushtetutën.
Besoj dhe jam i sigurt se me këtë transformim rrënjësor të platformës së shpërndarjes së të ardhurave në Shqipëri, e cila është e domosdoshme për të ndaluar vrapin e këtij varfërimi të frikshëm të shqiptarëve, shkak kryesor i largimit të tyre, do të jetë betimi dhe zotimi i PD.
Do të jetë platforma me të cilën ne duam të ndryshojmë dhe duam të firmosim ndryshimin e Shqipërisë.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Isa Myzyraj, OraNews: Ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese ka marrë përfundimisht vendimin që ka lënë dhe ka quajtur kushtetuese një prej dy masave të SPAK ndaj jush, gjë që nuk ndryshon në thelb situatën tuaj ligjore.
Z.Berisha, Gjykata e Strasburgut, aty ku do ta çoni ju, sigurisht, vendimin, do një afat kohor shumë të gjatë, ndoshta një vit vendimin ndaj jush, ndërkohë që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë shumë afër.
Përtej mënyrës së si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri, dhe përtej asaj që ju padyshim jeni kryetari i PD, a po e konsideron Sali Berisha nxjerrjen e një tjetër kandidati për kryeminister duke u bazuar në vendimet e gjykatave vendase z.Berisha?
Sali Berisha: Gjykata Kushtetuese me vendimin saj dje, u bë pjesë e grushtit të shtetit, e grabitjes së pushtetit të parlamentit nga mercenarë, gjykatës me 4 mbiemra, me Enchro Chat, Sky Eç etj., etj. Gjykata shkrojti jo vetëm kushtetutën, por edhe kartën universale të të drejtave të njeriut, konventën Europiane të të drejtave të njeriut dhe një seri vendimesh të Gjykatës së Strasburgut.
Ajo gjykatë për të mbrojtur grushtin e shtetit, përvetësimin e pushtetit të parlamentit për llogari të kryeministrit nga mercenarë, gjyqtarë dhe prokurorë, shkoi gjer në shkallën absurde të shpallë lirinë e lëvizjes si, jo një liri individuale. Dhe sipas saj, liria e lëvizjes nuk është, nuk përfshihet në liritë personale, apo individuale. Nuk mund të ketë akt më poshtërues për një jurist që ka alfabetin e ligjit dhe kushtetutës.
Liria e lëvizjes të nderuar qytetarë, në hapësirën evropiane dhe traktatin e BE-së, është liria më thelemore, ajo rreshtohet si liria e dytë e njeriut. Ajo sanksionohet në mënyrë eksplicite në Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, sanksionohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në një seri vendimesh të Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të Strasburgut.
Të nderuar qytetare dhe qytetarë.
Sali Berisha është njeriu që në vitin 2012 ka dërguar në parlament, amendamentin për heqjen e çdo lloj barriere ndaj drejtësisë për deputetët. Por ky amendament është rrëzuar në mënyrë kategorike nga opozita e asaj kohe dhe të jemi të vërtetë, qëndrim ky i mbështetur dhe nga Këshilli i Europës.
Përsa i përket në rrafshin personal, atë amendament që e kam dërguar në vitin 2012 unë e firmos dhe sot, por përderisa është i shkruar në Kushtetutë, nuk ka as të tillës dhe as të atillë, që mund të shkruajë kushtetutën përveç vullnetit të popullit të shprehur me 94 deputetë të tij.
Kjo njëra anë.
Ana tjetër. Nuk ka interpretim më Stalinist, ju them unë ju, që as në gjykatat staliniste, neonaziste apo teokratike nuk mund të interpretojë se, liria e lëvizjes nuk qenka liri individuale. Por kur kujton se në atë gjykatë ka njerëz që gjoja i kanë kushtuar jetën e tyre organizatave të të drejtave të njeriut, kupton se çfarë metamorfoze të tmerrshme kanë pësuar ata.
Jo për mua, e them dhe njëherë, sepse pasi kanë marrë pjesë në grushtin e shtetit, kundër shtetit, ata kanë shpallur antikushtetues vendimin e Irena me 5 mbiemra, e Dumanit me 3 apartamente dhe me radhë.
Ata kanë deklaruar shkeljen e parimit të proporcionalitetit, parim i sanksionuar në Kushtetutë, dhe shkelja e tij parimi është shkelje e Kushtetutës. Sigurisht që avoketërit e mi, të cilët gjej rastin ti falënderoj shumë, për dokumentin e shkëlqyer që kanë dorëzuar, shterrues, në Gjykatën Kushtetuese, sigurisht i janë referuar dhe nuk mund të mos i referoheshin edhe parimit kushtetues të proporcionalitetit, dhe shkeljes së këtij parimi, por për mua rëndësi ka se, qëndrimi i tyre ndaj lirive të individit, ku deklarojnë se, liria e lëvizjes nuk është liri personale, e individit.
Liritë e individit janë, e drejta e shprehjes, e besimit fetar, e lëvizjes dhe iniciativës së lirë.
Në traktatin e BE-së, më e rëndësishme është liria e lëvizjes. Pra e kuptoni ju se me çfarë kemi të bëjmë, me një trupë puçiste. Firmos puçin. Rishkruan kushtetutën.
Rasti më i rëndë i kësej trupe është hedhja poshtë e ankesës së 28 deputetëve, sikur gjoja nuk legjitimoheshin. Ky është atentati më i rëndë kushtetues në historinë e shtetit.
Shqiptarët nuk e kanë kuptuar mirë se, duke i mohuar të drejtën Kushtetuese, të pakushtëzuar nga Kushtetuta 28 deputetëve, edhe njëherë e vetmja e pakushtëzuar, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë licencën një qeverie të bëjë çdo gjë me këtë vend, me territorin e tij, me popullin e tij, me pasuritë e tij.
Pra këto janë komentet e mia për vendimin.
Por dua të them këtu, afërmendshi ka thënë të vetmen të vërtetë, sepse është gënjeshtar, por këtë e ka thënë të vërtetën. Shqiptarët duhet ta dinë, se afërmendshi regjistron dhe ka përdorur dhe përdor të gjitha mënyrat për të marrë peng gjykatës dhe prokurorë të tjerë. Ndërkohë që Skapistët janë grupi më i kompromentuar, më i korruptuar, janë organizatë e vërtetë kriminale, por ata askush nuk i regjistron.
Ky përdor, të gjitha praktikat antiligjore, si presione, përfshi edhe ato që i ndalon ligji, çështjet intime dhe çështjet familjare.
Për të kuptuar shqiptarët se cila është gjykata, e cila thotë studioj rastin Tahiri. Rasti Tahiri është krejt i kundërt, përkundrazi gjykata nuk ka refuzuar në mënyrë kategorike kërkesën, për masa shtrënguese ndaj tij, sepse këto i ka parlamenti thotë gjykata, por kulmon me mostërheqjen e gjykatëses edhe ajo me 2 apo 3 mbiemra, apo një mbiemër, e cila voton për propozimin e partnerit të vet.
Tani, qytetarë dhe qytetare, a mundet që një gjykatëse të votojë, po nuk ndodh në botë, përveç se në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Unë në respekt të parimeve dhe ligjeve dhe jo aspak për të ndikuar se, isha i sigurtë që nuk ndikonte asgjë në vendimet e tyre, kërkova dorëheqjen e partneres së Enkelejd Alibeaj, meqenëse ai kishte bërë një raport të veçantë kundër meje, raport natyrisht siç ja kishte detyruar Edi Rama dhe Ulsi Manja që i mban të shoqen në ministri në punë, shumë mirë, nuk kam ndonjë kundërshtim, por natyrisht e ka një tregueshmëri kjo.
Tani, kjo zonja, imagjinoni, kur kërkuam dorëheqjen tha jo, nuk ndahem unë nga votimi për partnerin, gjykatë i thonë kësaj? Të njëjtën gjë i kërkoi edhe trupa gjykuese. Kjo është fytyra e vërtetë e drejtësisë. Besoj se të dhashë një përgjigje shterruese për ato që u interesove.
Isa Myzyraj, OraNews: Dua të rikthehem te pyetja ime. Në një moment duhet t amarrim të mirëqënë që 15 gjyqtarë që kanë shqyrtyar çështjen tuaj të gjitha shkallët mund ta kenë shkelur ligjin. Në vetën e parë, Sali Berisha, a është i gatshëm të ndërmarrë veprime që opozita të mos në zgjedhje me një kandidat, i cili ndodhet në masën e sigurisë arrest në shtëpi?
Sali Berisha: Domethënë ti më pyet ti mua, a do pranojë Sali Berisha t’i caktojë Edi Rama kryeministrin dhe kryetarin e PD? Kurrë, kurrë!
Sali Berisha nuk e pranoi këtë kur synoi administrata që po largohet nga pushteti në SHBA, dhe do e pranojë nga Edi Rama. Beteja ime është për sovranitetin e këtij vendi dhe jo 20 apo 30, po 150 po të firmosin, nuk do mund t’i caktojnë opozitës kurrë kryetarin.
Si u ktheva unë? Kur e pashë se kryetarin e kishin futur në xhep.
Ju kujtohen besoj apo jo se si dilte Lulzim Basha dhe thoshte që nën ndikimin e fortë të ambasadores amerikane mora këtë qëndrim.
Dhe pastaj thoshte se nëse Berisha nuk tërhiqet, do ketë pasoja të tmerrshme për veten, për fëmijët, për vendin.
Pra, dështuan këto përpjekje. Dhe do dështojë çdo përpjekje.
Nuk është çështje zgjedhjesh këtu se ajo është një farsë. Kjo është një diktaturë.
Lexoni rezolutën e 109 partive të qendrës së djathtë, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë se Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë dhe se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët.
Mundësisht i përsërisni këto për hir të shqiptarëve.
Unë e kuptoj se mediat kombëtare i kanë të ndaluara, mediat kombëtare nuk japin asnjë lajm për këtë rezolutë, nuk japin asnjë lajm negativ për kreun e narkoshtetit sepse ushqehen si shushunja me pasuritë publike të shqiptarëve.
Por ju të tjerat të paktën kompensoni ato duke ua thënë të vërtetat shqiptarëve,.
Është diktaturë, është narkodiktaturë dhe nuk bëhet fjalë për zgjedhje në narkodiktaturë, bëhet fjalë për farsë elektorale.
Besoj se tani ishte shterruese përgjigjja ime.
Ardit Hoxha, EuroNews: Një nga nënkryetarët e partisë suaj, përkatësisht që është dhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi gjatë ditës së sotme ka bërë një reagim në bazë të Gjykatës Kushtetuese, ku mes të tjerash kërkon nga SPAK dhe GJKKO që tashmë të marrin në shqyrtim gjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të revokohet masa e arrestit ndaj jush. Në rast se ndodh një skenar i tillë, që SPAK, pra të ndryshojë masën tuaj, pra ta revokojë ‘arrestin në shtëpi’ dhe t’ju lerë ‘detyrimin me paraqitje’. Këtë herë do e zbatoni paraqitjen para prokurorëve të SPAK? Do të shkoni periodikisht çdo javë apo çdo muaj, në bazë se si do të vendosë gjykata?
Sali Berisha: Zoti Hoxha, qëndrimi im ka qenë i lidhur kryekëput me Kushtetutën. Lexojeni Kushtetutën ju lutem!
Kushtetuta përcakton kufizimin e lirisë dhe të drejtave, ka një nen të saj kur nuk zbatohen vendimet e ligjshme të gjykatave.
Mendoje pak tani, sa i ligjshëm ishte vendimi i gjykatës ndaj Sali Berishës dhe i SPAK-ut.
Vetë Gjykata Antikushtetuese shpalli antikushtetues vendimin e tyre për shkeljen e parimeve të proporcionalitetit.
Pra, më thuaj ti mua, kush kishte të drejtë, edhe më këtë.
Unë ua them prapë dhe insistoj, për mua kryesorja ka qenë marrja e pushtetit të parlamentit se kemi të bëjmë me grusht shteti, por në këtë rast a nuk kemi të bëjmë me një vendim të paligjshëm në të cilin është shkelur Kushtetuta?
Atëherë, më thuaj ti mua, pse nuk u shpreh për vendimin gjykata puçiste kushtetuese? Kërkesën e kishte aty.
Pra, këtu është një vend pa ligje, pa standarde.
Edhe njëherë u rikujtoj zotërinj, Samuel Hantigton ka shkruar dhe ka mbrojtur se forma më e keqe e diktaturave është diktatura e bandave sepse kjo diktaturë nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë normë, asnjë standard.
Ja pra urdhëro.
Kjo gjykatë që ka gjykuar dje, thotë se është shkelur parimi i proporcionalitetit. Është shkelur Kushtetuta.
Atëherë lind pyetja: a kishte të drejtë Sali Berisha të zbatonte një vendim antikushtetues? Nuk mund ta zbatonim atë vendim.
Ai ishte vendim me dy masa.
Por këta nuk kanë asnjë ligj, asnjë moral, asnjë standard.
Shkuan në parlament, unë e zbatova, nuk kërkova asgjë tjetër, vetëm të zbatohen ligjet.
Sado që edhe aty bëjnë shkelje, po të paktën parlamenti pranoi puçin.
Kjo është gjithçka, Sali Berisha do qëndrojë për shtetin ligjor me të gjithë forcën dhe mundësitë e tij.
Pra, kërkohet nga unë që të zbatoja një vendim antikushtetues.
Me gjykimin e sotëm e kam fjalën, me këtë gjykim që kanë bërë, se e kanë thënë ata, është shkelur parimi i proporcionalitetit.
Neni 17 i Kushtetutës detyron respektimin e parimit të përpjestimit në qëndrimin ndaj masave shtrënguese.
Po ku kanë Kushtetutë këta?
Këta janë çeta e gjobës.
Këta janë bashkëpunëtorë në krime.
Pëllumb Gjoka u thotë atyre tani, ndryshojeni pak, hiqni ato Encrochatet se dua të dal i lirë të mbledh vota në Velipojë dhe ata janë gati.
Pra, ky është një sistem që nuk zbaton asnjë normë, asnjë standard, asgjë ligj.
Anisa Kadesha, RTSH: Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo krijohet precedenti i injorimit të rolit fondamental të parlamentit dhe pushtetit të tij, duke çuar vendin në një krizë institucionale?
Sali Berisha: Është konsumuar, është firmosur një grusht shteti brenda shtetit, në kuptimin e marrjes së, pushteteve të parlamentit nga gjykatës dhe prokuror pa ligj dhe moral, për llogari të kryeministrit. Kjo është e vërteta.
Jemi në një diktaturë dhe kjo fakton 100 përqind për çdo shqiptar, që rendi kushtetues është zëvendësuar me narkorendin dhe diktaturën e drogës.
Parlamenti nuk është gjë tjetër, vetëm një shtojcë e afërmendshit. Ju them ju këtu, as në diktaturën e Enver Hoxhës nuk ndodhte që prokuroria speciale përgjon gjykatat speciale dhe kushtetuesit e tjerë me radhë. Prandaj thotë afërmendshi se ata nuk kanë shkojnë, pa këta kanë ku shkojnë, pa këta që tregtojnë gjithë ditën me kriminelë, ndajnë para, këta nuk i përgjon njeri, shiko çfarë sistemi.
Faktikisht tipik në diktaturë, këta i kontrollon vetëm diktatori me urdhra.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Në tetor të vitit 2023 ndaj jush u vendosën dy masa shtrënguese: detyrim paraqitjeje dhe bllokim të pasaportës, ndërkohë që ju keni patur dhe keni statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Disa javë më parë, SPAK vendosi ndaj një deputeteje vetëm detyrim paraqitjeje, por jo bllokim të pasaportës. A mendoni se ka patur një koordinim Gjykatë Kushtetuese-SPAK për të vendosur masat shtrënguese ndaj një deputeteje, për shkak se do të krijohej precedenti i rrezikshëm dhe do të kishte shkelje të Kushtetutës? Pra, ka një një lloj koordinimi?
Sali Berisha: Asnjë diskutim që ka kombinim. Sepse gjykata është në varësi të Spakut, që i kontrollon dhe shpërndan foto e materiale për ta.
Pra, këta janë një trupë, një korporatë kriminale që kontrollohen nga krimi dhe Edi Rama.
Shumë evidente ajo që thoni ju!
Ermal Rizaj, SYRI TV: Duke parë situatën, vendimet e gjykatës dhe në situatën ku ndodhet opozita, për këtë vit a do të ketë tjetër protestë kombëtare nga ana e PD dhe aleatëve të saj?
Sali Berisha: Me datën 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët me datë 26, marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë.
Ora do të njoftohet.
Nuk ka tërheqje. Mosbindja civile është rruga e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë.
***
Së fundmi, meqenëse pyetje të tjera nuk ka, dua të informoj ju dhe publikun, sapo më erdhi një lajm se një rezolutë tjetër për gjendjen dramatike në Shqipëri është votuar nga asambleja politike e Partisë Popullore, e cila është mbledhur në Maltë.
Tre përfaqësuesit tanë, se ne kemi tre përfaqësues kësaj radhe në asamble, zotin Oerd Bylykbashin, nënkryetarin e partisë; zonjën Albana Vokshi, anëtaren e kryesisë, kryetaren e LGD dhe nënkryetaren e gruas në PPE; Enri Çenon, sekretarin për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Zoti Bylykbashi dhe zonja Vokshi kanë mbajtur një fjalë shumë të rëndësishme që do ua përcjellin medieve dhe rezoluta është miratuar me unanimitet të plotë.
Në përpjekjen tonë të pandërprerë për të paraqitur realitetin shqiptar ashtu siç është, jashtë propagandës së neveritshme të televizioneve kombtare, të katër televizioneve të klonuara nga RTSH dhe miliona e miliona euro që paguan Edi Rama brenda dhe jashtë vendit, gjithnjë e më shumë zëri i opozitës po dëgjohet dhe do dëgjohet.
Unë i garantoj shqiptarët se kjo diktaturë të ardhme nuk ka.
Falënderoj shumë të gjithë ata përfaqësues të partive simotra që e votuan në unanimitet këtë rezolutë dhe përfaqësuesit e PD për puënn e shkëlqyer që bënë në punimet e asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane që u zhvillua në Maltë.