Berisha jep lajmin: Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri. Donald Lu dhe Romana Vlahutin janë ambasadorët më të korruptuar në histori. Mashtruan për vetingun

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi mazhorancën dhe Edi Ramën se miratoi një ligj në kuvend që ti falë gjobat jo fshatarëve shqiptarë, por biznesmenët si Gjikuria, Qefalia etj., shumë që kap të paktën 70 milionë euro.

Gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i PD-së dha lajmin se, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri. ‘Ndërkohë që ky opinion nuk adreson vetingun, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane nuk mund të injorojë këtë çështje në heshtje të plotë. Vetingu nuk duhet të përdoret si një procedurë zëvendësuese e masave disiplinore. E ndaluar si procedurë zëvendësuese e masave disiplinore’, thuhet në vendimin për vettingun.

Krydemokrati Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ka akuzuar dy diplomatët Donald Lu dhe Romana Vlahutin si ambasadorët më të korruptuar në histori.

Gjatë konferencës, Berisha është pyetur edhe për seancën e përbashkët mes dy parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka theksuar rëndësinë e kërkimit të ndjesës për qytetarët e Kosovës për veprime të caktuara të qeverisë shqiptare, si sanksionet dhe bashkërendimi me Vuçicin për veriun e Kosovës. Berisha ka bërë apel për të kërkuar ndjesë për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e Kosovës dhe për ndalimin e këngës himn të Adem Jasharit, një këngë që ai e ka cilësuar si simbolike dhe domethënëse.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër qeverinë e Shqipërisë për ndërhyrjen në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka cilësuar çdo përpjekje të Shqipërisë për të ndërmjetësuar në këtë çështje si antikombëtare dhe bllokuese, duke theksuar se propozimet dhe qëndrimet e Edi Ramës kanë sjellë vendnumëro dhe acarime mes Kosovës dhe Serbisë.

FJALA E PLOTE:

Në maratonën e gjatë të parlamentit, ju konstatuat një ligj të vullnetit të mirë, të bamirësisë, të faljes së gjobave ‘fshatarëve’.

Por nga hulumtimi dhe investigimi del se fshatarët e atij ligji janë Gjikuria, të cilit Edi Rama i fali 2.1 miliardë lekë.

Qefalia, 700 milionë lekë.

Dhëndri i Qefalisë, 300 milionë lekë për resortet e mëdha.

E dini ato gjobat që thanë se janë për dritaret e fshatarëve dhe gozhdat që kanë ngulur në hajate? Ky është ligji, ta dinë shqiptarët.

Është lista e bizneseve të tjera, të cilat ndodhen në zonat rurale.

Pra, këto jo vetëm që u falën dje, sepse kanë paguar mirë deputetët dhe Edi Ramën, por këta fill pas heqjes së gjobës, fitojnë të drejtën e legalizimit, u legalizohen objektet e ndërtuara.

I kanë ndërtuar pa leje, i gjobitën, tani u heqin gjobën dhe i legalizojnë.

Pra, dhuratat e fundvitit të qeverisë për rrethin e saj, për famozin Gjikuria, për Qefalinë dhe dhëndrin e tij dhe për biznesmenë të tjerë që kanë ndërtuar në zona rurale, resorte apo agrokomplekse, shkojnë në mbi 70 milionë euro.

Shkojnë dyfishi i asaj që qeveria bëri për 800 mijë pensionistë.

Falënderoj shumë qytetarin dixhital për këtë informacion të çmuar që solli dhe i çori maskën edhe një ligji që vetëm për fshatarët nuk mund të ishte. Sepse ai ligj për këto gjëra të tilla ishte zhvlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, përkundrazi do ktheheshin.

E vërteta është se ndodhi me këtë ligj e njëjta gjë siç veproi Ulsi Manja me ligjin e amnistisë. Ligji i amnistisë përjashtonte të gjithë ata që ishin të dënuar nga gjykata speciale dhe të hetuar nga prokuroria speciale. Ulsi Manja, përkundrejt shumave përrallore që ka marrë, ka shkelur ligjin dhe ka gjetur variante për të amnistuar të paktën, ka shifra të ndryshe, por e sigurt është se 30-40 janë amnistuar në kundërshtim me ligjin, duke shfrytëzuar teknikalitete me të cilat ai ka marrë një shumë përrallore për të nxjerrë nga burgu ata që nuk duhet të dilnin nga burgu.

Është identike situata. Edhe këtu bënë ligjin gjoja për fshatarët, por ky është ligji për të amnistuar Qefalinë, Gjikurinë, etj me radhë.

Së dyti, unë kam një lajm për mbarë shqiptarët.

Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri.

Të dashur qytetarë, e vërteta vonon, por kurrë nuk mund të shtypet dhe mohohet.

Ky është dokument i datës 6 dhjetor 2024.

Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane pranë Këshillit të Europës, çfarë thonë këta për vetingun.

Po lexoj paragrafin kushtuar vetingut: Ndërkohë që ky opinion nuk adreson vetingun, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane nuk mund të injorojë këtë çështje në heshtje të plotë.

Vetingu nuk duhet të përdoret si një procedurë zëvendësuese e masave disiplinore.

E ndaluar si procedurë zëvendësuese e masave disiplinore.

Dhe as nuk duhet të përdoret vetingu për të adresuar korrupsionin. Korrupsioni është një vepër penale që duhet të hetohet dhe ndëshkohet sipas të gjitha procedurave.

Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane pranon se vetingu mund të jetë i lejueshëm si një procedurë e jashtëzakonshme e përdorur vetëm një herë në tranzicionin nga diktatura në një qeveri demokratike të shtetit të së drejtës.

Pra, siç e shihni ju, kjo procedurë, e cila u përdor 1, për të lënë shqiptarët pa drejtësi, për t’u mohuar shqiptarëve të drejtën e një procesi ligjor, nuk e kanë më. Ata që presin 14 vite për një proces civil dhe 10 vite për një proces penal janë të privuar nga procesi i duhur ligjor që e garanton Kushtetuta dhe Konventa Europiane të Drejtave të Njeriut.

Vetingu, thotë, nuk duhet të përdoret për të adresuar korrupsionin sepse përdorimi i tij është vetëm gjueti shtrigash.

Imagjinoni ju, Altin Dumani me tre shtëpi dhe një të ndërtuar nga vjehrri dhe kisha, vazhdon e kryeson Skapin, në një kohë kur një gjykatëse ka dalë nga sistemi për një garsionere të privatizuar nga i ati në vitin 1996.

Tjetra ka dalë për rrogën qindarkë për qindarkë që i ati i ka kthyer nga dita e daljes në punë gjer në ditën e martesës.

Pra, ky është procesi më i korruptuar që ka njohur ndonjëherë Europa, ky është akti më i turpshëm.

Tani unë si dëshmitar i atyre proceseve, u them ju, garancitë absolute për vetingun kanë qenë rishqyrtimi i dosjeve kriminale.

Dhe kam parasysh një bisedë që kam zhvilluar me dy ambasadorët më të korruptuar në historinë e diplomacisë evropiane dhe botërore, Donald Lu dhe Romana Vlahutin në zyrën time.

Unë u them atyre, ju kërkoni këtë proces për të shqyrtuar dosjet, pajtueshmërinë e tyre me ligjin, ku i keni ju ato njerëz, nga do i gjeni ju këta inspektorë, këta gjykatës, se këta duhet të jenë njerëz të kualifikuar që të gjykojnë gjykatësit?

Kemi plot, më thanë, kemi plot, i kemi në pension, do marrim, do i sjellim. Ky ishte mashtrimi ku e bazuan piramidën. Ju garantoj se ky ka qenë kriteri më i fundit dhe më i papërfillur në procesin e punës së tyre.

Janë marrë vetëm me gjah shtrigash. Prokurores në fjalë nuk pranonin se i ati i ka kthyer rrogën, ndërkohë që Irenës me 5 mbiemra i pranojnë se ish-bashkëshortja e burrit i ka dhënë para hua. E kuptoni ju vetë, i ka marrë burrin dhe pastaj ajo e shpërblen me para. As në romanet e Markezit nuk e dëgjon një gjë të tillë. Pra kësaj i pranohet se e ka shpërblyer me para borxh, që janë gjetur pa burim, kurse asaj tjetrës, që i ka kursyer rrogën, asaj nuk i pranohet.

Tani për t’i shkuar pak më tutje këtij procesi, unë e kuptoj që me këtë qëndrim irritohen shumë.

Unë e kuptoj se zemërohen shumë korruptokratë apo të mashtruar që mbështetën këtë proces, por unë do mbroj interesin e vendit tim, do mbroj interesin e qytetarëve shqiptarë.

Ndaj unë do u them atyre çdo të vërtetë se janë ata që paguajnë, është Shqipëria që paguan.

Para 4 vitesh kam llogaritur se dëmi financiar për mosgjykimin e çështjeve civile kalonte mbi 4 miliardë euro.

Përveç asaj, nuk ka investitor serioz që vjen këtu në një vend me këtë drejtësi, asnjë. Sepse siguria juridike është zero.

Ndaj dhe për ta çuar pak më tej, unë ju kam deklaruar ju këtu se është vepruar me lista të ardhura nga partia. Komitetet e PS hartuan listat e prokurorëve dhe gjykatësve për çdo rreth që ishin kundërshtarët e tyre.

Pastaj u kategorizuan ata të lëkundurit që edhe e dredhin, edhe nuk e dredhin.

Në fund mbetën besnikët.

Do ju lexoj këtu me lutjen time të keni durim, se duhet ta lexoj siç është shkruar, një faqe protokolli, se protokollet janë publike të mbledhjes së vetorëve.

Kryetarja Genta Tafa: Unë do isha shumë dakord që t’i fusnim të gjithë në short nga A tek ZH dhe ndërkohë ndryshojmë të hapet procedurale afatin.

Xhensila Pine, komisioner: T’i hedhim si propozim që të bëjmë këtë shortin e veçantë në vend të 15-ës se kjo mbetet zgjidhja.

Roland Ilia: T’i pyesim edhe njëherë si të bëjmë.

Genta Tafa: Bëni si të doni, thonë. (E ka fjalën për ndërkombëtarët) Miratojmë listën njëherë? Ka kundër? Nuk ka, lista miratohet me 120 emra nga ONM-ja. Data e shortit?

Xhensila Pine: 15, duhet të hedhësh në votë propozimin që të bhet në 15 dhe të zëvendësohet shorti i zakonshëm.

Genta Tafa: Jo, këto janë dy propozime. Unë jam personalisht shumë dakord që të bëhet më 15 dhjetor, por unë nuk jam dakord që të anshkalojmë shortin e zakonshëm. Për mua do të ishte e tepër se ne e kemi përjashtuar shortin e zakonshëm dhe kemi hyrë në gojën e medias, heq këtë dhe vë atë.

Halli janë goja e medias, jo ligji dhe e drejta këta.

Xhensila Pine: T’i hedhim në votë me zëvendësim, po nuk u miratua, do ngelet ashtu Genta. Ta hedhim në votë të zëvendësojmë 15 dhjetorin me këtë listën që na erdhi dhe shortojmë vetëm 120.

Genta Tafa: Ddakord. Propozimi i Xhensilës. Kush është dakord?

Komisioneri Olsi Komici, mbajeni shënim se na del një Olsi i tretë i dosjes së Altin Bajrit. Olsi i parë u supozua se mund të ishte Olsi Dado, ai nuk ishte dhe unë që e publikova mesazhin e qytetarit dixhital mora një kundërpërgjigje nga Altin Dumani se nuk është Olsi Dado. Po se cili është Olsi, e fsheh Altin Dumani. Altin Dumani nuk tregon se cili është Olsi që mori dy kostume fringo.

Olsi Komici: Do diskutim kjo. Duhet të mblidhemi me ndërkombëtarët. Nuk mund të ecim ashtu ne.

Etleda Çiftja: Ndërkombëtari ka thënë, bëj çfarë të duash. Kjo është pyetje vetes. Do 240 apo 120.

Komisionere famoze Valbona Sanxhaktari, ish-nusja e Hakmarrjes për Drejtësi, përfaqësuese kryesore e Fatmir Xhafës në veting: Nuk është vetëm kjo pyetja Leda, se nuk është korrekte që ta zëvendësojmë, mendoj unë, për procedurë. Edhe unë nuk dua 240 dhe jam për variantin që ta shortojmë këtë dhe pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë me 15 dhjetorin. Për procedurë ti nuk ke si ta bësh. Për procedurë ti thua kjo ka tjetër bazë, po e bëj këtë. E anulloj shortin e 15 dhjetorit sipas pikës 8 për 15 qershor për shkak të ngarkesës nëse edhe këtë do e vendosim ose hajde ta shortojmë.

Komisionerja Etleda Çiftja: Genta ia ka foruarduar Ferdinandos dhe ai ka thënë bëni çfarë të doni, kjo është zgjidhja juaj. (Dëgjoni tani se çfarë përfaqësimi nga ONM).

Olsi Komici: Po nuk është përgjigje bëni çfarë doni.

Kryetarja Genta Tafa: Ore, a e kam sjellë me email? Tani unë jam që ta hedhim këtë, propozoj që ta hedhim, perceptimi i publikut kur ti hedh një short jashtë afatit, për mua jepte efekte në publik, sepse të tërë e komentuan 48-shen. Ndërkohë, nëse ne fusim edhe 120, nuk kuptojmë më, se mund të jetë 200 rekomandimi i ONM-së. Edhe heqim këtë dyshimin që 48-shja është e paragjykuar (e kuptoni se lista 48 është e paragjykuar me damkë), se ata të 48 do të shkojnë në Strasburg, kurse nëse i fusim 120, do të thotë që ONM-ja nuk ka pasur paragjykim, thjesht ka qëlluar.

Komisionerja Valbona Sanxhaktari: Jo më, ka futur aty burra e gra, e ka kopsitur mirë. Ja pra, ky është dokumenti i mbledhjes së vetorëve se si këta kanë vepruar ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të vendit.

Si të maskojnë, si të fshehin kurbanët e partisë me të tjerë.

Si të shpëtojnë nga Strasburgu.

Si të mashtrojnë publikun.

Siç e patë, vetingu lejohet vetëm pas diktaturave kur janë kryer krime kundër njerëzimit, janë kryer krime monstruoze dhe ata gjykatës mbi bazën e asaj analize duhet të vetohen të vazhdojnë apo jo.

Nuk lejohet vetingu për korrupsionin sepse faktikisht e përdor atë për gjah shtrigash. Dhe faktikisht e amniston korrupsionin.

Pra, ky është procesi…

Natyrisht kjo është një betejë jo e lehtë, një betejë e vështirë dhe e gjatë, por një betejë e fituar.

Edhe njëherë garantoj qytetarët shqiptarë se PD, nesër në qeveri, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, këtë dokument, se ky është një dokument mbi disiplinimin e gjykatësve, normat dhe kriteret e përcaktuar për disiplinimin e gjykatësve, është dokument themelor për Europës dhe dokument i shkëlqyer.

Këtë dokument dhe dokumente të tjera të Komisionit të Venecias, i cili ka ekspertizën më të mirë, më të arrirë në fushën e jurisprudencës, ne do i shndërrojmë në ligje themelore të reformës në drejtësi.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Mariglen Kume, MCNTV: Referuar asaj që ju sollët sot për herë të parë, një dokument të Këshillit të Gjyqtarëve të Europës. A përbën ai një dokument apo material të mjaftueshëm që të gjithë ata gjyqtarë, apo prokurorë, të cilët janë penalizuar nga Veting ta ndjekin atë në Gjykatën Ndërkombëtarë dhe për pasojë, ose të ketë rikthime, apo shteti të detyrohet të paguajë shuma të mëdha si kompensione apo paga.

Pyetja e dytë është mbi atë që ju keni deklaruar se do të ribëni në një farë mënyre reformën në drejtësi. A mund të sjellë kosto të tjera sërish për qytetarët që të përballemi me vonesa dhe të shpenzohen para.

Sali Berisha: Kostoja për qytetarët do të jetë të paktën minimumi, 4 herë më e vogël se kjo që është sot. Mos harroni Altin Dumani merr 100 mln lekë në vit, ç’ka nuk ndodh në të gjithë Europën, mos harroni.

Kur mendon që aventurierë të korruptuar kanë përcaktuar standarde të tilla për këtë popull, këtë vend, ju garantoj se këto janë akte të turpshme të cilat marrin fund dhe do të ketë një kursim shumë të madh të parave. Pra një njeri rroga 100 milionë. A mund të imagjinoni ju.

Për të mos thënë që i gjithë ekipi i tyre. E dëgjuat raportin e tij dje. Raporti thoshte, në 5 vite janë hetuar 1035 qytetarë. Në vitin 2008-2009 u hetuan nga Task Forca e luftës kundër korrupsionit 1430 qytetarë. Pra, në 5 vite i takon të kenë hetuar 206 qytetarë ne vit, kurse në 2008 ishin hetuar 700 qytetarë në vit. Dhe këta 700 qytetarë në vit ishin hetuar me të paktën 1/7 e shpenzimeve të sotme, mos edhe më pak.

Ai është piramida më e shëmtuar e abuzivitetit dhe korrupsionit që është ngritur në ndonjë vend. Kështu që jo vetëm nuk do të kushtojë, por do të lehtësojë shqiptarët nga një barrë e madhe. Nuk është pak të paguash një njeri 100 milionë. Një njeri që fle mbi dosje krimi. Njeri që fle mbi dosje krimi, një kriminel që nuk amniston krimin elektoral, që është krim kushtetues.

Përkundrazi do të përmbushim një mision dhe qytetarët do të kenë të gjithë të drejtën të gëzojë procesin ligjor të duhur.

Çështja e reformës në drejtësi e patë. Çfarë tregon ky dokumenti i gjyqtarëve Europiane. Tregon se në Shqipëri u përdor vetingu jo për të kaluar nga diktatura në demokraci, por nga demokracia në diktaturë, për të seleksionuar një grup mercenarësh të cilët refuzojnë hetimin e krimit elektoral. Siç është Dumani.

I faktuar me dosjet e mëparshme të denoncuara botërisht nga Bild dhe mediat botërore. Të gjitha dosjet e metamorfozës mbi 50 për qind janë elektorale. U kam premtuar se do të ua sjell.

Krimi më i shëmtuar i Skapit të partisë është krimi elektoral, sepse me atë krim vrasin votën e qindra mijërave shqiptarëve dhe tregon veten se është një mercenar dhe fanatik i partisë së krimit dhe asgjë më shumë.

Olta Blaceri, Vizion+: Një ditë parë zv/ndihmës sekretari Amerikan i shtetit në ceremoni e SPAK, kërkoi që prokurorët të konkurrojnë për një mandat të dytë, pra të kenë një 9-vjeçar të ri. A është e gatshme PD të ndryshojë kushtetutën për këtë punë.

Sali Berisha: Për PD-në, një prokuror apo gjykatës i cili ka zbatuar ligjin mund të garojë për 5 mandate. Por kriminelët, anëtarë të organizatës kriminale e kanë vendin në burg. Nuk i njoh të gjithë prokurorët e Skapit të jemi i sinqertë dhe ata që nuk i njoh dhe kurrë nuk i marr për kriminelë. Por ata që unë kam emrat e tyre, me në krye Dumanin, ata meritojnë vetëm burgun dhe jo mandatin e dytë apo të tretë e me radhë.

Kështu që ndihmës zv/sekretari i shtetit u shpreh për të kandiduar, por jo atë që thotë Dumani, të ma zgjasin mandatin kushtetues. Është tjetër zgjatja e mandatit. Dumani kërkon që ti bëhet për 18 vite, ajo nuk ndodh, nuk mund të bëhet kurrë.  Rigara, rigarimi nëqoftëse ai zbaton ligjin nuk ka asnjë arsye të dalë nga sistemi.

Një proces me kushte, do të bëhej me kushte që të dënoheshin të gjithë ata që kanë fjetur mbi dosjet e krimit dhe kanë bashkëpunuar me kriminelët. Po, në këtë rast plotësisht. Nuk kam atë koncept unë që, ai që ka qëndruar i ndershëm, nuk është korruptuar, ka qenë i guximshëm të mos qëndrojë në detyrën e tij. Të mos ketë të drejtë të rigarojë.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju deklaroni se do të bëni publike pjesë nga dosje për krimet elektorale të amnistuara nga Dumani. Por në maj të këtij viti, Dumani ka deklaruar se në janar 2025, do të prezantojë strategjinë e SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore, për zgjedhjet e 2025. Çfarë do të thotë deklarata e Dumanit në atë kohë, dhe kjo që ju deklaroni sot.

Sali Berisha: Në deklaratën e tij Dumani tregon se hetimin, akuzën i ka pronë private.

Nuk ka ligj në botë që lejon që ti të delegosh për vitin tjetër hetimin, kjo dëshmon se Dumani është një kriminel elektoral.

Pasi dërgoi dosjen e Ulsiut dhe Edi Ramës tek Elizabeta Keshi, që nuk kishte asnjë lidhje me të, kjo është ish-prokurore në Peshkopi, dosjen e mbylli ajo, e zhvlerësoi dhe e bëri, Elizabetën e solli tani Ulsi prokurore në Tiranë. Mund të jetë anëtare KLP-je a ku ta di unë e me radhë.

Kështu që pikërisht kjo deklaratë dokumenton se Dumani është një kriminel elektoral që bën pazare në favor të partisë së tij, që amniston krimin elektoral se do fillojë nga janari e tutje.

E garantoj se do bëhet përgjegjës një për një për këto qëndrime.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Sot në Kosovë, po mbahet një mbledhje e përbashkët e dy parlamenteve. Në fjalën e tij, Rama ka kërkuar nga Kosova që në këtë fazë që është dialogu me Serbinë, duhet të ngrijë këtë proces dhe të flasë direkt me BE-në. Si e konsideron këtë deklaratë të kryeministrit.

Sali Berisha: Çdo ndërhyrje të Shqipërisë në problemin e dialogut Prishtinë-Beograd e konsideroj antikombëtare. E konsideroj absolutisht bllokuese dhe jo nxitëse për zgjidhjet.

Të gjitha propozimet e Edi Ramës, qëndrimet e bashkërenduara me Aleksandër Vuçiçin si argat i tij, kanë sjellë vendnumëro në procesin e negociatave, madje edhe acarime serioze midis këtyre dy vendeve.

Shqipëria nuk mund të jetë as ndërmjetës, as pjesëmarrës.

Shqipëria qëndron në anën e Kosovës.

Shprehet për dialogun, por çdo hap tjetër i Shqipërisë e dëmton dialogun. Nuk ka asnjë tagër qeveria e Tiranës të japë formula apo skema, aq më tepër një qeveri që shpallte Dnjepër veriun e Kosovës.

Aq më tepër një qeveri, e cila i thoshte Kosovës nënshtrohu ose do shkosh në kohën e bronzit.

Aq më tepër një njeri, që i vendosi i pari në Europë sanksione Kosovës.

Aq më tepër një njeri, i cili u përzie në plane për ndarjen, copëtimin e Kosovës me Beogradin.

Një njeri që përkrahu Ballkanin e Hapur, një projekt të qartë ruso-serb.

Por ka një zhvillim pozitiv këtu. Qeveria aktuale e Kosovës ka dëshmuar meritën për t’i shumëzuar me zero, për t’ia kthyer reston Pashiqit të Tiranës, njëlloj si Pashiqit të Beogradit.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Për ju ka pasur një ftesë për ju, për të shkuar në këtë delegacion, e nëse po, pse keni zgjedhur të mos shkoni për të ja thënë Edi Ramës në sy këto që thatë.

Sali Berisha: Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria.

Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës.

E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej.

Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës. Pra janë këto akte. Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiqin? Si mund ta bëja unë këtë? Kurrë. Unë nuk shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale