Berisha: Jemi pro kredisë nga SHBA, por nuk votojmë në procedura antikushtetuese, qeveria amerikane e ka dorëzuar marrëveshjen muaj më parë. Do informojmë autoritetet e SHBA për këtë akt të shëmtuar të Edi Ramës

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një prononcim për mediat jashtë sallës së parlamentit, ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës, se ka vendosur vendin në një ‘shtetrrethim të paprecedentë’, duke pretenduar se policinë se, kanë bllokuar qindra mjete bujqësore që ishin nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së opozitës.

Berisha deklaroi se fermerë nga e gjithë Shqipëria janë ndaluar në rrugë, janë kërcënuar me konfiskim të mjeteve dhe janë detyruar të kthehen mbrapsht. ‘Kjo është historia më e turpshme. Një vend anëtar i NATO-s vendos një shtetrrethim ndaj qytetarëve sikur të ishte Koreja e Veriut’, u shpreh ai.

Kreu i PD, Sali Berisha hodhi akuza të forta edhe ndaj kryeministrit Edi Rama për procedurën e ndjekur në Kuvend lidhur me miratimin e marrëveshjes për kredinë amerikane në fushën e mbrojtjes. Sipas tij, Partia Demokratike mbështet plotësisht marrëveshjen dhe shpreh mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara, por kundërshton mënyrën se si qeveria po përpiqet ta miratojë atë.

Lideri i opzitës, Sali Berisha u shpreh se, Kushtetuta nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa respektuar afatet ligjore dhe kujtoi se, sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim të ngjashëm vetëm pak muaj më parë.

I pyetur nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në seancën plenare, kryetari i PD-së Sali Berisha u përgjigj se kjo nuk ka rëndësi, duke theksuar se opozita ‘në mënyrë absolute nuk do të votojë procedura antikushtetuese’. Sipas tij, grupi parlamentar i PD kishte propozuar që seanca të shtyhej deri të premten për të respektuar afatet kushtetuese, por ky propozim u refuzua.

Prononcimi i plotë i kryetarit të PD, Sali Berisha:

Një shtetrrethim i tillë nuk është vendosur nga asnjë pushtues dhe në asnjë vend.

Kjo është historia më e turpshme.

Një vend anëtar i NATO-s vendos një shtetrrethim të tillë ndaj qytetarëve sikur të ishte Koreja e Veriut.

U them sot se qindra e qindra traktorë, zetorë që janë nisur nga të katër anët e Shqipërisë janë bllokuar me urdhër rrugëve, kërcënuar me konfiskim dhe kthyer në mënyrë që të mos mund të shprehin solidaritetin me protestën më të fuqishme të 35 viteve të fundit.

Kjo që ndodh sot në parlament brenda, ky është një akt tjetër i turpshëm i Edi Ramës, i cili një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtje, për çka PD është mirënjohëse, do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese.

Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor.

Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese para tre muajve ku konsideron votim jokushtetues votimin për Bordin e Paqes apo për një çështje tjetër.

Por Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të, dhe se ky është një sundimtar që nuk ka ligj, as moral.

Unë sot i shtroj një pyetje edhe Peleshit të tij, edhe Ramës: Pse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet e vendit, nga parlamenti, nga qeveria, flamurin e NATO-s.

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet.

Në një akt të parë, në një nga urdhrat më të parë, ai urdhëroi të hiqej flamuri i NATO-s nga të gjitha institucionet.

Edi Rama është personi i vetëm në Evropën ish-komuniste që ka organizuar protesta të egra kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Dhe tani, i çekuilibruar totalisht, kërkon të dhunojë Kushtetutën dhe të paraqitet si flamurtar për plotësimin e buxhetit për NATO-n.

E vërteta është që buxheti për NATO-n sot është 1.3 përqind.

Zoti Berisha a do të merrni pjesë në seancën e votimit në orën 15:00?

Sali Berisha: Ne nuk votojmë në procedura antikushtetuese në mënyrë absolute.

Edhe njëherë, ne jemi pro kredisë dhe shprehim mirënjohje, por ne kërkojmë që kjo procedurë të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe jo qëndrimet, vullnetin e lig, antikushtetues të Edi Ramës.

Ambasada e SHBA, ose qeveria e SHBA, e ka dorëzuar në qeverinë shqiptare këtë marrëveshje muaj më parë, çka do të thotë se kjo marrëveshje kaloi në qeveri me datën 20 e sa qershor.

Dhe këta e mbajtën nga 20 e sa qershori, për ta sjellë në parlament më 24 korrik dhe për ta kaluar me çdo kusht me procedurë të përshpejtuar.

PD, grupi parlamentar, ofroi propozimin e saj për të ndjekur rregullin kushtetues, në mënyrë që parlamenti të mblidhet edhe ditën e premte që vjen dhe të votohet në përputhje me Kushtetutë.

Por deputetët e vakancave, pasi ra dakord Nikoja, që është skllav, e ke marrë vesh që është skllav i Belindës, edhe ai, se edhe ky ka marrë vilë aty, pasi e pranoi, i thanë jo se kemi prenotuar vakancat deputetët e partisë së krimit.

Zoti Berisha, mund të jemi të qartë për qëndrimin e opozitës, ju do jeni prezent në parlament në orën 15:00?

Sali Berisha: Qëndrimi i opozitës a do jetë apo nuk do jetë në parlament, nuk ka asnjë rëndësi.

Rëndësi ka që opozita në mënyrë absolute nuk do të pranojë kurrë të votojë në procedura antikushtetuese, të faktuara nga Gjykata Kushtetuese, të faktuara nga Kushtetuta.

Ne kërkojmë zbatimin e Kushtetutës dhe ne do informojmë për këtë të gjitha nivelet autoritetet e qeverisë së SHBA për këtë akt të shëmtuar që bën Edi Rama vetëm e vetëm se deputetët e tij janë në vakanca.

A do ta atakojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e sotëm PD?

Sali Berisha: Nuk ka rëndësi ajo fare, rëndësi ka që këtu shkelmohet Kushtetuta, se Gjykata Kushtetuese para një muaji ka vendosur, ka thënë që kjo procedurë ishte jokushtetuese.

Gjykata gjykon procedurën, kjo është haptas jokushtetuese.

Peleshi e pranoi vetë, dje kanë bërë negociata me zotin Bardhi që votimi të bëhet ditën e premte sepse e kërkon Kushtetuta.

Tani këta nuk kanë Kushtetutë, këta e kanë Kushtetutën një letër të vdekur, kaq.

Zoti Berisha, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, do e firmosni deklaratën e konfidencialitetit për të mësuar më shumë rreth kësaj marrëveshje?

Sali Berisha: Rreth kësaj marrëveshje, unë do ta lexoj sigurisht dhe do ta firmos, unë nuk kam këtu asnjë vërejtje, pavarësisht se Edi Rama po mashtron me përqindjen e buxhetit për mbrojtjen sepse ajo është 1.3 përqind, është kaq, të tjerat janë mashtrime. Sa shkon me 300 milionë, duhet llogaritur.

Por qëndrimi i tij në shkelmim të Kushtetutës, shfrytëzimi i një marrëveshje, i një kredie të SHBA, duke shkelmuar Kushtetutën, është fytyra e tij e vërtetë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale