Berisha: Jemi në diktaturë, sot gjykatat dhe prokuroria speciale janë po aq politike sa në kohën e Enver Hoxhës. Regjimin e largon mosbindja civile e shqiptarëve

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË FORUMIN E TË DREJTAVE TË SHKELURA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë në Forumin ‘Të Drejtat e Shkelura’. Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se, Shqipëria ndodhet në diktaturë. Sipas Berishës, gjykatat dhe prokuroria speciale janë po aq politike sa ishin edhe në kohërat më të zeza të diktaturës së Enver Hoxhës.

Duke folur në këtë forum kryedemokrati Sali Berisha ka kritikuar dhe mediat për mënyrën e tyre të punës. Sipas Berishës, gjatë ditëve të fundit janë bërë mijëra tituj për Parashqevi Simakun, por asnjë titull për 600 simotra të saj që vdiqën sepse nuk punonin aparaturat e kancerit të gjirit.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha duke folur në forumin ‘Të drejtat e Shkelura’ u shpreh se, që nga vendi i lirës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën ti fryejnë brirëve të censurës në mënyrë të pabesueshme për atë shtet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë sërish thirrje për mosbindje civile. Sipas tij, kjo është rruga e vetme me anë të të cilës do të largohet regjimi.

Për liderin e opozitës Sali Berisha, një avantazh i madh është fitorja e Donald Trump në SHBA. ‘Avantazh është pa diskutim goditja fatale që mori në SHBA nga fitorja e Donald Trump, Xhorxh Soros dhe perandoria e tij e të keqes. Miliarderi që përdorte çdo qindarkë për agjendë politike çnjerëzore’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht organizatorët e këtij takimi dhe ju të gjithë.

Falënderoj oratorët për diskutimet e tyre shumë të rëndësishme dhe me përgjegjësi, të cilat paraqitën Shqipërinë reale, aktuale, që është në klasifikimin e regjimeve totalitare, të bërë nga një historian dhe filozof, sociolog konservator ndër më të shquarit e kohërave, Hantington, është diktaturë bande, forma më e keqe e diktaturave.

Ky historian, pasi ka studiuar diktaturat, naziste, komuniste, teokratike dhe narkodiktaturat, arrin në përfundimin se kjo është diktatura më e keqe sepse nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull.

Në këtë diktaturë, si në asnjë tjetër, ligji, qoftë edhe i keq, ka zero vlerë. Ka vetëm vullneti i atij që mban të gjitha pushtetet.

Secili nga ne duhet të shtrojë pyetjen se çfarë ndodh sot?

Sot Shqipëria është vendi ku të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu dhe këtë nuk e diskuton kush. Tipike e një diktature.

Sot gjykatat dhe prokuroria speciale janë po aq politike sa në kohën më të zezë të Enver Hoxhës.

Por ato, e vërteta është se zbatonin një ligj, i cili thoshte se po fole kundër partisë, ke kaq vite, po predikove besimin fetar, ke kaq vite.

Ai ishte krenar se me Kushtetutë ndalonte të drejtat e njeriut, kurse këtu Kushtetuta i rreshton të drejtat, por regjimi i shkelmon ato.

Sepse të drejtat kushtetuese, jo të qytetarëve, por të deputetëve shkelen në mënyrën më të egër.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat në doktrinë duhet të kenë përmbarues kryetarin e shtetit, në disa vende e kanë, janë më eproret, më supremet, hidhen në kosh kur nuk i intereson qeverisë.

Kjo sepse pushteti i njishit është i panegociueshëm.

Është diktaturë sepse është e faktuar me të gjithë dokumentet, me qindra mijëra dokumente se këtu zgjedhjet janë farsë elektorale, nuk janë zgjedhje.

Pra, nuk ka rotacion. Regjimi nuk lejon rotacionin.

Është diktaturë sepse siç është faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme, pushteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët, nuk ka më asgjë. Dhe në krye të kësaj sipërmarrje ndodhet njeriu që kontrollon të gjitha pushtetet.

Cilido që ka lexuar romanet e Garsia Markezit, e ftoj të bëjë krahasimin të atyre që ka lexuar atëherë me Shqipërinë e këtyre ditëve, në një episodi fatkeq të një njeriu fatkeq.

Se si ato shoqëri, pse e them këtë, se ai përshkruan diktaturat e bandave, diktatura të drogës janë ato të Markezit, se si ngjasojmë ne me shoqërinë e përshkruar nga Garsia Markez.

Ndodhi një rast dhe ka një javë që qindra mijëra tituj, Eureka-Eureka-Eureka, për një njeri që ka qenë këngëtare e shquar, por njeri fatkeq.

Ndërkohë 600 simotra të saj janë përcjellë në atë botë sepse aparaturat nuk punonin për të mjekuar kancerin e gjirit. Liheshin pa mjekim.

Keni parë tituj për këto? Një gazetar lufton heroikisht dhe përpiqet që të na e bëjë të dishëm këtë, por është diktaturë sepse mediat qeveritare e kanë shumë të vështirë të flasin një fjalë.

Është diktaturë dhe respektoj edhe ata që thonë se është oligarki, e vërteta është se këtu, sukses kanë vetëm bizneset që janë të qeveritarëve ose që ndajnë pasurinë me qeveritarët.

Mirëpo është diktaturë me dy fatkeqësi, fatkeqësia e madhe janë gjithë pasojat e saj.

Fatkeqësia e dytë është sepse kjo diktaturë në mënyrë ose një tjetër, injorohet.

Analistë, gazetarë, publicistë, intelektualë, po të marrësh dhe t’i dëgjosh, janë një grup fare i vogël ata të cilët flasin për diktaturë.

Po t’i ndjekësh, janë 3-4, mund të bëhen dhjetë, që flasin për farsë elektorale, se që të gjithë flasin për zgjedhje.

Pra, ka këtë problem madhor. Kohë shumë e vështirë, të jemi realistë, për të drejtat e njeriut sot.

Ky takim dhe ky forum mblidhet për problemin më themelor, sepse në hierarkinë e të gjithë të vërtetave që ne qëmtojmë, që ne besojmë, që ne mbrojmë, në politikë, në art, në shkencë, kudo, janë 3-4 prej tyre që janë sa hyjnore, aq edhe tokësore.

Që në hierarkinë e të vërtetave dhe vlerave janë më kryesoret.

T’i marrim pak se çfarë ndodh me ne.

Liria e fjalës, ne këtu flasim. Flasin edhe disa të tjerë, po shumica e atyre që flet kundër padrinos, lë mandatin dhe shkon në burg siç ka shkuar Ervin Salianji apo zvarritet në mënyrë barbare në mes të rrugës, pavarësisht se ka qenë president republike, kryeministër, kryetar parlamenti dhe pavarësisht mbi të gjitha se nuk mund të ndodhë kurrë zvarritja në rrugë në një vend ku ka ligj dhe Kushtetutë dhe se nuk mund të arrestohet asnjë person nën hetim.

Është diktaturë sepse përdor të gjithë mekanizmat e shëmtuar të frikës, të mbjelljes së frikës. Diktatura është mbretëri frike.

Besim, 38 mijë qytetarë shqiptarë ka arrestuar Edi Rama në vitin 2015, për fatura drite, që nuk ka vend në botë që nuk ia arreston.

Është diktaturë se bën arrestimin e lidershipit politik në mënyrë që të mos ketë rotacion.

Arreston gazetarët, vrasësit serialë nuk janë në burg. Gazetari që gjeti se dilte emri i Edi Ramës tek fliste me bandat, është në arrest shtëpie.

E vërteta, e thashë, nuk është kohë e mirë për të drejtat e njeriut sot sepse filloi në mënyrë të pabesueshme, vendi i cili frymëzon me këto të drejta, vendi i cili ka një nen më të mrekullueshmin në Kushtetutë për lirinë e fjalës, nenin e parë të Kushtetutës, SHBA, filluan t’u fryjnë brirëve të censurës.

Mediat e mëdha që u bënë anticensurë, iu kërkua haptas të vendosnin censurën.

Filluan publikisht të flasin se duhet censura.

Kjo është e vërteta. Dhe kush e bënte këtë?

Ata, të cilët kanë etiketën liberalë. Ua them unë ju se ata janë stalinistë të vërtetë. Dhe ua them me bindjen më absolute.

Ata që hiqen si liberalë, ata tani censurë.

Po rrezikove fjalën, ke rrezikuar çdo gjë. Ndaj dhe këtu, të gjitha mediat kombëtare janë media qeveritare.

Po e dini ju se burgjet në Shqipëri janë një ferr i vërtetë. Nuk mund ta imagjinoni. Janë qindra të sëmurë që nuk ua zbardhin vendimet. Gjykatësi ka një detyrim që brenda kaq ditësh të zbardhë vendimin. 70 ditë, 100 ditë, nuk i zbardhet vendimi.

Unë po ndalem vetëm në këto, por kur cenohet- se ka një hierarki në të drejta, më themelorja është e drejta e jetës, po kur tjetri vdes jo nga sëmundja, por se ti nuk i jep ilaçin për të mjekuar sëmundjen, ose kur ti vepron siç veprove me të ndjerën Ina Kasimati, që ia dhe ilaçin tjetër që nuk duhej të ishte, ti mohon edhe të drejtën e jetës.

Këtu u mohohet e drejta e jetës.

Të gjitha çështjet që ju keni shtruar, janë çështje jetike.

Asgjë nuk ka më të rëndësishme për një komb, më të çmuar për shpirtin e tij se sa arti dhe kultura.

Rrallë ndonjëherë në histori mund të kenë qenë në situatën e sotme.

Ato institucione që ekzistojnë në Tiranë, shumica nuk funksionojnë, në rrethe janë formale. Artistët e vërtetë luftohen. Simboli më i shëmtuar i kësaj ishte minimi i teatrit. Por po kaq i shëmtuar është fjalimi i Edi Ramës në qeveri në mbrojtje të Neronit që hodhi në erë teatrin. Ai bëri shumë mirë që e hoqi atë, thotë, me një urrejtje të paimagjinueshme.

Është shumë e vërtetë që të përndjekurit politikë, është një proces që duhet ridimensionuar në ndërgjegjen kombëtare.

E kam thënë dhe e them prapë, nuk lejoi e majta evropiane të dënohej komunizmi. Dhe kur u rrëzuan, ata kushërinj me ta ishin sepse meritonte një gjyq ndërkombëtar. E meritonte një ‘never again’. Po të ishte për viktima, komunizmi ka pasur 100 deri në 200 milionë, Lufta e Dytë ka pasur gjer në 20-30 milionë. Viktima njerëzore këto janë të komunizmit.

Megjithatë, ne u garantoj se nuk do rreshtim për të bërë çdo përpjekje për t’u dhënë përgjigje problemeve të pazgjidhura kësaj shtrese me kontribute të jashtëzakonshme.

Po kështu fermerët, janë si të thuash, qytetarë të ndaluar në Shqipëri. Përfaqësojnë 40 përqind, absolutisht oferta e vetme për ta, largohuni sa më parënga vendi juaj.

Shpopullimi është në gjenocid i vërtetë. Nëse arreston 38 mijë se nuk paguajnë dritat, në një kohë kur prej tyre të paktën 25 mijë nuk mund t’i paguajnë, ti atyre u thua ikni. Nëse brenda një viti prish 9 mijë lokale e banesa dhe mburresh me ta, ti u thua ikni. Nëse ti drejtësinë, ua ke mohuar procesin, duhet të presin 14 vjet, atëherë ai ka dy alternativa, ose vetëgjyqësi, ose largim nga ky vend.

Të rinjtë i largon vetë se ai që nuk kap mesataren, ikën nga ky vend.

Pra, Shqipëria sot është një diktaturë bande dhe diktaturat, e vërteta është, në histori janë larguar me armë, por janë larguar edhe me mosbindje civile.

Se në vetvete janë kalbësira, po të marrësh strukturën e brendshme, ato janë kalbësira.

Na përket ne që jemi të përkushtuar ndaj këtyre të drejtave, që besojmë tek këto drejta, të

bëjmë gjithçka me mosbindje civile për të ecur drejt largimit të këtij regjimi.

3 rezoluta janë miratuar, nuk është e pakët ajo. Këto rezoluta ndërkombëtare janë tekstuale me ato që thashë unë këtu.

Por këto nuk e largojnë regjimin, regjimin e largon mosbindja civile e shqiptarëve.

Avantazh është pa diskutim goditja fatale që mori në SHBA nga fitorja e Donald Trump, Xhorxh Soros dhe perandoria e tij e të keqes. Miliarderi që përdorte çdo qindarkë për agjendë politike çnjerëzore.

Në disa aspekte, Xhorxh Soros tejkaloi Marksin. Nuk kam lexuar që të thoshte Marksi se

internacionale do jetë bota e re pa gjini. Kurse Soros vendosi në agjendë identitetin njerëzor. vendosi në agjendën e fuqisë më të madhe të botës. Dilte ajo e thoshte se të gjithë emigrantëve ilegalë do ua paguaj operacionin për ndryshimin e gjinisë.

Këto shpresojmë të jenë arkivuar.

Por këto nuk duhet të na dekurajojnë ne, përkundrazi duhet të na bëjnë të luftojmë më shumë me vetëdijen se ky është mision dhe nuk ka asgjë më të madhe që mund të bëjë një njeri se sa të luftojë për një mision të drejtë, se sa të mbrojë ato të vërteta që beson.

Prandaj ju ftoj që të bëjmë gjithçka për shpëtimin e Shqipërisë nga kjo narkodiktaturë dhe u garantoj se PD, së bashku me ju, do u japë përgjigjen më të merituar dhe në mënyrën më të vendosur, problematikave të mëdha, dhe në disa aspekte dhe të tmerrshme, se të përzësh nga vendi nga viti 2014 deri në vitin 2022, 1 milionë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengenit, kjo është gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhë një vendi.

Por kombet kanë një energji pozitive të brendshme, e cila në qoftë se arrihet të shfrytëzohet, shndërrohet në forcë jetike për ta.

Ndaj dhe të bëjmë çdo gjë për t’i dhënë përgjigje këtij regjimi.

Kam bindjen më të madhe se këto probleme do madhin zgjidhjen e merituar në qeverisjen e ardhshme, në të cilën zërat tuaj do jenë zëra që do pasqyrohen dhe dëgjohen plotësisht.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale