Berisha: Jam 32 herë më i motivuar në betejën kundër diktaturës! Kauza e drejtë nuk njeh moshë. Ne nuk e persekutuam kurrë opozitën kur ishim në pushtet

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka uruar besimtarët bektashinj për Sulltan Novruzin. Berisha tha se, teqetë kanë qenë qendra të shqiptarizmës.

Kryedemokrati Sali Berisha i është rikthyer qeverisjes së tij, ku sipas tij, viti 2008 ishte viti kur PD ndau epokat.  Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha theksoi se gjatë qeverisjes së PD-së, u la pas epoka e varfërisë dhe Shqipëria hyri në epokën e prosperitetit.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar që zhvillohet në rrugën e Shpresës tha se 22 marsi i 1992 është një ngjarje e veçantë në gjithë historinë tonë. Berisha tha se fitorja e PD ishte në vazhdën e fitores së forcave antikomuniste në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit.

Berisha, në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar që zhvillohet në rrugën e Shpresës tha se 22 marsi i 1992 është një ngjarje e veçantë në gjithë historinë tonë.

Kryedemokrati Sali Berisha i’a ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se është 32 herë më i motivuar në betejën kundër diktaturës të instaluar nga ky i fundit.  Në protestën e mbështetësve të kryedemokratit në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha u shpreh se kauza e drejtë nuk njeh moshë.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të kauzës së drejtë, të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, guximtarë të pamposhtur të vendosur për një betejë pa kthim gjer në përmbysjen e diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dhe drogën.

Duke u përshëndetur ju përzemërsisht, përshëndetur oratorët e mrekullueshëm të këtij parlamenti të shkëlqyer të fjalës së lirë, në emër tuaj dhe të PD, u përcjell sot urimet më të përzemërta në këtë ditë të shenjtë, besimtarëve bektashinj shqiptarë.

I uroj ata në këtë ditë të bekuar, jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjithë besimtarët e Zotit.

Miqtë e mi, bektashizmi dhe atdhetaria në Shqipëri kanë qenë një dhe të pandarë.

Teqet e bektashinjve shqiptarë ishin folezat e mësonjëtorëve të para të gjuhës shqipe, së bashku me kishat dhe institucionet e tjera.

Teqet e bektashinjve shqiptarë ishin streha e luftëtarëve të lirisë dhe atdhetarisë.

Frashërlinjtë, bektashinj dhe rilindas të pavdekshëm, hartuan doktrinën e shqiptarësisë si doktrinë perëndimore të kombit.

Bektashinjtë shqiptarë patën fatin të kryesojnë bektashizmin në botë.

Ndaj dhe i përshëndes ata ku janë, udhëheqësit e tyre kudo, në Shqipëri dhe mbarë botën.

Por ne ditën e Sulltan Novruzit, kemi dhe një ngjarje tjetër të veçantë në gjithë historinë tonë.

Kemi ditën e parë të demokracisë.

Ditën e madhe me të cilën shqiptarët nën udhëheqjen e PD, me votën e tyre të lirë, arkivuan në kalendat e historisë, regjimin më të shëmtuar, më barbar, më mizor që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre kombëtare, regjimin e Enver Hoxhës.

Të dashur miq!

Është e vërtetë se fitorja e PD ishte në vazhdën e fitores së forcave antikomuniste në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit.

Por e vërteta është se ajo fitore ishte në kushtet më të jashtëzakonshme, më të mjerueshme, më të vështira se çdo fitore tjetër kundër diktaturave.

Miqtë e mi, atë kohë, shqiptarët pasivisht kishin vuajtur nga uria.

Shqiptarët kishin të ardhurat për frymë të tretët më të ulëta në botë.

Më të ulëta se çdo komb në Europë. Se çdo komb në Azi. Se çdo komb në Amerikë.

Më të ulëta se të gjitha kombet e Afrikës, përveç Ugandës dhe Angolës.

Në këto kushte e nisi PD qeverisjen e saj. 4 milionë dollarë rezerva valutore, 500 milionë borxhi i trashëguar. 80 përqind papunësia.

Por arma e vetme e saj ishte liria.

Ne besonim në liri, besonim në pasurinë e saj.

Dhe duke vendosur qytetarin në epiqendër, Shqipërinë hiperkoletiviste e shndërruam në Shqipërinë e pronarëve.

220 mijë familje shqiptare morën pothuajse falas apartamentet.

460 mijë familje morën tokën.

Qindra e mijëra objekte u privatizuan.

Të ardhurat mjerane, vetëm 240 dollarë për frymë vitin e parë, arritën në 800 dollarë për frymë në vitin 1996.

Tashmë ishte sektori privat ai që mbizotëronte në ekonomi.

Reformat e Shqipërisë, të bazuara të gjitha në liritë e individit, iniciativën e lirë, me shpejtësi ndryshuan gjendjen.

Shqipëria u hap ndaj Europës dhe botës.

U anëtarsua në Këshillin e Europës, firmosi Partneritetin për Paqen me NATO-n dhe ajo u bë një prapavijë e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, e mbështetjes së shqiptarëve në Kosovë.

Të dashur miq!

Parti e interesit kombëtar, PD jo vetëm që nuk u shmang, por ajo promovoi në mbarë botën, të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo që janë.

Pasi humbi zgjedhjet dhe dorëzoi pushtetin për shkak të gabimit të saj me skemat piramidale, armiqtë tanë menduan se ne do të ndryheshim në banesën e harresës, se fara jonë si demokratë do shuhej. Se PD nuk do kishte më.

E gjithë bota kundër nesh.

Por ne qëndruam në kauzën tonë.

Miqtë e mi!

Qëndruam në kauzën tonë të drejtë sepse Shqipëria duhet të kishte opozitë.

Dhe Shqipëria pa opozitë ishte shumë herë më e tmerrshme se piramidat e mashtrimit që u shembën nga PD.

PD nuk u mposht, përkundrazi ajo mblodhi një nga një shqiptarët idealistë, djem, vajza, burrat e gratë e idealeve të larta njerëzore, i motivoi për kauzën e drejtë.

Dhe në vitin 2005, në qershor, ata që erdhën me rebelim në pushtet, u përzunë me votën e lirë të shqiptarëve.

2005-2013, miq, në qoftë se me 22 mars, 32 vite më parë, ne ndamë epokat, epokën e diktaturës nga epoka e lirisë, ndamë historinë, historinë e diktaturës nga historia e lirisë, do u them me krenari se në vitin 2008, kur nxorëm Shqipërinë, shqiptarët, nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ne përsëri ndamë epokat.

Ne lamë pas epokën e varfërisë dhe hymë në epokën e prosperitetit.

22 marsi dhe fitorja e vitit 2005, bënë të mundur që shqiptarët, të stërkequrit në rajon, më të varfrit, të paguhen më mirë se të gjitha kombet e rajonit, përfshi këtu edhe dy vende të BE, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Shqipëria, miqtë e mi, firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Shqipëria u anëtarësua në NATO.

Shqipëria liberalizoi vizat.

Të gjitha këto vetëm e vetëm se ne ishim seriozë me reformat.

Sepse reformat ishin interesi juaj.

Të dashur miq!

Ne kishim një opozitë armike të votës së lirë. Ne kishim një opozitë, armike të integrimit.

Një opozitë që bënte gjithçka, që u fryu bilbilave tre muaj në mënyrë që Shqipëria të mos firmoste MSA.

Një opozitë që çonte emisarët në katër anët për të bllokuar Shqipërinë në NATO, anëtarësimin e Shqipërisë.

Që protestonte me portretet e Enver Hoxhës kundër anëtarësimit.

Një opozitë që bllokoi rekomandimin e KE për statusin e kandidatit.

Megjithatë ajo opozitë kurrë nuk iu mohuan të drejtat kushtetuese.

Ajo opozitë nuk u persekutua kurrë.

Sepse për ne, vendi pa opozitë është natë e zezë pa hënë, shkatërrimtar për një komb dhe një vend.

Miqtë e mi!

Sot ne kremtojmë apo nderojmë 22 Marsin.

Ju rikujtoj shqiptarëve se me 22 mars, në zgjedhjet e para të lira, votuan 1 milion e 710 mijë shqiptarë.

Kurse sot me regjistrimin e fundit nga diktatura e Edi Ramës, dalin se Shqipëria ka gjithsej 1 milionë e 420 mijë shqiptarë.

Rënia në këto 10 vite ishte katastrofale për Shqipërinë.

U përmbysën të gjitha perspektivat dhe arritjet.

Mos harroni se në vitet 2005-2013, Shqipëria u bë protagoniste e projekteve të shekullit.

Projektet ndër më të mëdhatë të Europës, do bëheshin edhe projekte shqiptare si TAP-i.

Kompanitë më të mëdha të botës do ndërtonin Kaskadën e Devollit dhe hidrocentrale të tjera.

Shqiptarë, shtroni pyetjen vetes, cili investitor dhe cili investim madhor ka ndodhur gjatë këtyre 10 viteve?

Asnjë! Ndërkohë, janë larguar investitorë që kishin planifikuar të investonin miliarda euro në turizmin dhe fusha të tjera të Shqipërisë.

Por miqtë e mi, sot ne kujtojmë dhe nderojmë 22 Marsin, në një kohë kur parlamenti ishte i sekuestruar nga Edi Rama.

Kujtojmë 22 Marsin në një kohë kur Sali Berishën, në një akt urrejtje të tmerrshme atërore të tij dhe armiqve të Shqipërisë, e vendos në arrest shtëpie, pa asnjë fakt, dokument, por vetëm se i ka përmbysur pushtetin e urryer të etërve të tij barbarë.

Vetëm se ka denoncuar vjedhjet e tmerrshme të tij ndaj qytetarëve shqiptarë.

Vetëm se ka denoncuar shitjen e interesave kombëtare të armiqtë e kombit shqiptar.

Vetëm se ka denoncuar bashkëpunimin e tij me mafien e tij ndërkombëtare antishqiptare.

Por sot jam këto për t’i thënë Edi Ramës, hidhi një sy asaj dite.

Të garantoj se pas 32 vitesh, Sali Berisha është 32 herë më i motivuar në betejë kundër teje, kundër diktaturës tënde.

Mos mendo o mjeran diferencën e moshës, se po ta them këtu para shqiptarëve, kauza e drejtë nuk ka moshë.

Kauza e drejtë nuk vdes kurrë.

Moshën e përcakton kauza që mbron. Idealet që mbron.

Ti je kalbësirë, je një hajdut që vjedh nga mëngjesi gjer në darkë.

I rrethuar nga një bandë Dumanësh, Krajësh dhe llumi gjokërash me shokë.

Ti nuk ke shpresë mor, nuk ke të ardhme.

Kurse unë sot ndjehem po aq i ri sa 32 vite më parë, po aq i fuqishëm.

Se kauza ime është po ajo, kauza e pavdekshme.

Kauza e lirisë, kauza e dinjitetit, kauza e interesit kombëtar.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale